Dylindët
Atë të mërkurë Selaniku u zgjojt në një mëngjes gri, që ngjante më tepër me mëngjeset nën qiellin e Hamburgut, sesa të një qyteti mesdhetar. Shiu që nuk kish pushuar për asnjë çast që mbrëmjen e shkuar i mbylli njerëzit në kafenetë e rehatëshme, që po gumëzhinin nga zërat e lartë si asnjëherë tjetër. Nuk kish bërë vaki që në ato lagjet me popullsi të përzier epirote dhe maqedonase të flitej me zë të lartë në lokale. Përgjithësisht ata banorë ishin të qetë, disi të pashoqëruar, të tërhequr në punët e tyre dhe për më tepër në orët e para të mëngjesit nuk para dilnin nga shtëpitë.
Atë ditë diçka duhet të kish ndodhur, po ngatërresa e zërave të lartë me mbipopullimin e ambienteve dhe holleve të lokaleve, nuk të linin të dëgjoje qoftë edhe një fjalë të saktë.Sidoqoftë, u mor vesh që një djalë njëzetë vjeç kish vrarë të atin. Familja ku pat ndodhur ky krim banonte diku, nga fundi i rrugës.
Dikur te kafja me emrin paksa të çuditshëm ” Kolonaqi” hynë me rrëmbim dy policë, që u drejtuan te një tavolinë andej nga fundi, , e larguar pak nga të tjerat, ku ishin ulur për qejfin e tyre tri gra, njera prej të cilave dukej më e re dhe më e mbajtur, e veshur me të zeza. Njeri prej tyre iu drejtua pikërisht asaj :
– Juve jeni Erina?
Gruaja e re, si hodhi një herë shikimin reth e rrotull, u përgjigj , jo pa hutim.
– Po, si është punë?
– Duhet të vini me ne në Polici.
Erinës i iku zëri, po para se të ngrihej, i tha :
– Po unë nuk kam bërë ndonjë gjë për të ardhur në polici.
Polici nuk u përgjigj, i bëri një shenjë që të ngrihej. Kundërshtuan edhe dy gratë e moshuara që ishin duke pirë kafe me Erinën, edhe pse e dinin që nuk do ndryshonin gjë në veprimin e policëve; ata bënin detyrën.
– Mos jeni adresuar gabim – i pyeti sërish njera nga dy gratë- kjo jeton tek unë dhe nuk di të ketë kryer ndonjë krim. Kemi dalë bashkë nga shtëpia..
– Në polici nuk shkojnë vetëm ata që bëjnë krime – ia ktheu polici që e urdhëroi Erinën t’u shkonte pas. Në çastin e parë, e shoqëruar nën shikimin e dhjetra syve kurreshtarë, gruaja u turbullua disi, po e mblodhi veten, duke menduar që nuk kish bërë asgjë dhe eci krenare pas dy policëve. Kur njeriu është i sigurt se në jetën e tij nuk ka çaste të dyshimta për t’i gjykuar, gjen forca për t’i mposhtur hutimin dhe frikën që shkakton e papritura. Sidoqoftë, një pyetje po ia bënte vetes :ç’dreqin kishte policia me të? Ashtu, pa i dhënë dot përgjigje kësaj habie, ajo hipi në makinën e policisë, që u nis pa humbur kohë.
Erina po bënte gati njëzetetë vite larguar nga vendlindja. Një herë të vetme pat shkuar kur i vdiq i ati, njeriu i fundit që i kish mbetur nga familja. Nëna e pat lënë të vogël, një vëlla kish humbur jetën në një aksident në punë. Ajo vet kish mbetur e ve që në muajin e dytë të martesës.Gjyshja nga e ëma përsëriste gjithnjë mes psherëtimash të pafundme, që fisi i tyre kish një mallkim për tri breza, po se ç’ish ky mallkim nga goja e saj nuk e patën mësuar kurrë. Kur u hapën rrugët Erina shkoi në Greqi për të punuar. Një shoqe e saj e njohu me një çift intelektualësh që nuk kishin fëmijë . I pëlqeu gruas që në takimin e parë dhe e pyeti nëse kish dëshirë të jetonte në shtëpinë e tyre. Gruaja quhej Anita dhe ishte mësuese biologjie, njëlloj si Erina. Në javët e para e patën të vështirë të bisedonin me njeratjetrën, edhe pse e dëshëronin të dyja këtë. Më pas Erina Erina, edhe me ndihmën e shoqes së saj , mësoi goxha dhe i shqiptonte fjalët aq mirë, sa i habiti të dy, edhe Anitën, edhe të shoqin, Mihalin, i cili, kur kishin kaluar disa muaj, e pyeti një ditë :
– Si shpjegohet që ju shqiptarët e mësoni shumë shpejt gjuhën tonë?
Erina kish qeshur dhe i ish përgjigjur edhe me pakëz humor:
– Është e thjeshtë, jemi racë inteligjente. Nuk është se mësojmë vetëm gjuhën tuaj, të gjitha gjuhët e tjera : italishten, frëngjishten, anglishten.
Ndërkaq Anita kish shtuar :
– Kam dëgjuar një mikeshën time, që është pedagoge në Universitetin e Gjuhëve të Huaja, që thotë se gjuha shqipe është çelës për zbërthimin e gjuhëve më të vjetra të Europës. Alfabeti i gjuhës shqipe ka më shumë shkronja se të tjerët, kësisoj, i ndihmon që t’i përvetojnë më shpesh gjuhët e tjera
Burrë e grua, të dy ata e respektonin njëlloj si të ishte pjestare e familjes.; kishin krijuar një besim të palëkundur në karakterin dhe dinjitetin e saj, aqsa në atë shtëpi nuk mbyllej asgjë me çelësa dhe nuk fshihej asgjë nga Erina. Dukej se fati po i buzëqeshte gruas së re që kur pat shkelur në këtë vendin e huaj, që deri dje e kishin patur armik të përjetshëm.Ditët e para ,edhe pasi kish nisur të mësonte gjuhën e tyre, Erina ishte shumë e kujdesëshme dhe e drojtur; nuk donte t’u linte rast për moskënaqësi dhe keqkuptim. kish merak mos ajo armiqësia që kishin krijuar në hapsirat e të dy anëve të kufirit qarqe të caktuara ideologjike, pse jo, edhe qeveritë e të dy vendeve. mos kish arritur të helmatiste edhe shpirtrat e njerëzve të thjeshtë.Veç e kuptoi shpejt, se ata të dy ishin lintelektualë që qenë formuar brenda dhe jashtë vendit të tyre, matanë kornizave që kufizonin mendimin e lirë e të vërtetë. Erina e dinte këtë, ashtu si e dinin gjithë intelektualët shqiptarë, të cilëve u kish munguar ajri dhe hapsira për ta nisur mendimin dhe shpirtin fluturim, të zgjidhur nga prangat e ideologjisë së detyruar. Nuk ka dyshim, që vlerat e lirisë i njeh më shumë se kushdo dhe i lakmon për t’i arritur me çdo kusht, vetëm skllavi. Ata që i kanë këto vlera nuk para ua dinë kimetin. Kësisoj nisi dalngadalë të shkrihej akulli i armiqësisë të sajuar e të paqenë mes dy popujve paqedashës, që dikur kishin qenë miq dhe për shumë shekuj nën të njëjtin sundim të Perandorive të ndryshme për qindra e qindra vite të gjatë.
Shpesh Anita bëhej kurreshtare për jetëne shqiptarëve nën sistemin komunist dhe Erina nuk përtonte t’i fliste për ” Luftën çnjerëzore të klasave”, për ” Diktaturën e Proletariatit”, për ” dënimet ogurzeza të ndërgjegjes ” nën shprehjen më të pakuptimtë e më hipokrite ” Në emër të Popullit” e të tjera. Anita e dëgjonte me habi të pafshehur e shpesh me një acarim e inat, po njëkohësisht edhe me keqardhje të çiltër për Erinën e për popullin shqiptar në përgjithësi.
Në të vërtetë Erina nuk e honepste dot kmëshirën, kësisoj, kur e ndiente këtë në tonin e tjetrës, fliste madje edhe për të mirat që kish patur ai sistem, si arsimin falas, mjeksinë falas, punësimin për të gjithë,
– Punësim me paga qesharake dhe me trajtim çnjerëzor – ia pat kthyer një ditë Anita- Dikush më ka thënë që ju nuk kishit as paga mujore të mjaftueshme, as ushqimet bazë për jetën, mishin, djathin, makaronat, orizin, miellin, qumështin e të tjera.
Erina nuk e kish kundërshtuar, po e kish mbyllur bisedën aty. Në fund të fundit nuk i vinte mirë që dikush po i kujtonte atë vite tmerrues që kish përjetuar një popull i gjithë. Vet i shoqi i Anitës, Mihali kish thënë një ditë që Shqipëria do arrinte dhe do ta kalonte Greqinë në të gjitha drejtimet. Dhe kjo nuk do të ishte larg.
– Edhe ne emigrimi na ndihmoi, Amerika, Gjermania, Hollanda, Anglia. Kështu do të ndodhë me ju.
Mihali përzihej më rrallë në bisedat e tyre të gjata. Një të diel ai doli fare herët nga shtëpia dhe u kthye pasdite me një vajzë të re, të shëndoshë,që Erinës i dha përshtypjen që duhet të ishte shtatzanë. Dhe nuk e kish gabuar syri. Darja ishte bullgare, po fliste e kuptonte mirë greqisht.Ai e prezantoi me Anitën dhe Erinën, pasta e tërhoqi në dhomën e gjumit të shoqen, nga ku u kthyen pas disa minutash me humor të prishur. Anita e ftoi Erinën për një kafe, duke i lënë vetëm të shoqin me bullgaren e posaardhur. Tashmë, mes dy grave, që ishin edhe kolege në profesion, kish lindur një miqësi e tillë, që nuk mbanin nga njeratjetra asnjë të fshehtë.
– Është shtatzanë – i tha ajo kur u ulën .
Erina pohoi me kokë.
– E vura re që në krye të herës, edhe pse nuk e kam patur atë fat që të jem në pritje të një fëmije.
– As unë – shtoi Anita dhe psherëtiu- Kemi para e gjithato prona këtu dhe në Kostur dhe kujt do t’ia lemë në përfundim? Një<ditë do të ikim nga kjo botë dhe do harrohemi, nuk do ketë njeri që të na kujtojë.
Erina i dha të drejtë..
Për pak çaste vetëm vunë në buzë filxhanët e kafesë, pa marrë mundimin as të shikoheshin në sy. Dikur, Erina e pyeti:
– Ti je nga Kosturi, apo Mihali?
– Mihali, po ka lindur këtu, në Selanik
-Dhe është shqiptar?- e pyeti disi e pasigurt në duhej t’ia bënte apo jo këtë pyetje.
– Po – u përgjigj Anita e qetë- Nga i ati. E ëma i vdiq në lindje dhe Mihalin e rriti njerka që ishte greke, kësisoj ai nuk mundi të mësonte shqip. Në Kostur ka pronat e gjyshit, njëzetë hektar tokë dhe pyje pafund, tri shtëpi e bagëti, për të cilat kujdeset një kushëri i Mihalit nga babai.
Erina i dëgjoi të gjitha këto, po po mendonte tjetër gjë. Në mëdyshje, ta thosh apo jo atë ç’ka mendonte, ajo nuk po ndihej rehat dhe tjetra, si ta kish kuptuar, e shpëtoi nga ai siklet.
– Darja është shtatzanë me tim shoq – i tha ajo dhe i rrëzoi sytë mbi filxhanin tashmë të boshatisur të kafesë.
Erina shtangu nga habia dhe nuk po gjente fjalë për t’i thënë asaj gruaje që një gjë të gjykuar nga të tjerët si të tmerrshme, e tha aq qetësisht. Ku e gjeti atë forcë të shpirtit që ta priste një ngjarje të tillë kaq thjeshtë? Anita ishte një grua e shtruar, e arsyeshme, e mençur, po në kësi rastesh edhe njeriu më i rrahur nga jeta e me një përvojë të gjatë, e humbet torruan dhe i nënështrohet disi panikut. Çuditërisht, ajo dukej e pandikuar nga e papritura që as e kish shkuar nëpërmend, e patrazuar nga një skandal që Mihali e kish bërë fakt të kryer, pa dashur të dinte për pasojat.
– Ti e dije?
– Kjo është e keqja, që ma plasi këtë sot, ma solli vajzën e panjohur në shtëpi dhe më thotë : ” Kjo është Daria, vajza nga e cila unë pres një fëmijë”, njëlloj sikur të më thosh : ” Ti Anita duhet të largohesh nga shtëpia, Daria është gruaja ime e re! “
Erina po ndihej si mbi gjëmba .Ç’ti thosh? Të shante Mihalin që ishte sjellë ashtu? Deri dje e kish gjykuar të shoqine Anitës si burrë të sjellshëm, besnik, të matur dhe pa asnjë ves. Ajo nuk kish dëgjuar kurrë që në shtëpinë e tyre të bisedohej për shterpësinë e Anitës. Duke menduar që kish arritur ta njihte mirë atë njeri, Erina po habitej, si kish mundur ta bënte gjithçka të kryer vetëm me kokën e vet e një ditë të bukur t’i sillte gruas së tij një tjetër grua, e cila mbante brenda saj fëmijën e tij? Kjo ishte fyese dhe e papranuar për cilëndo grua në këtë botë. Ishte një vendim që duhej marrë bashkrisht. Anita nuk ishte edhe ndonjë grua këmbëngulëse në kundërshitë e saj, atë mund ta bindje fare lehtë për atë që doje të bëje dhe po aq lehtë mund ta thyeje për ndonjë vendim që binte ndesh me parimet e saj. Erina qe e sigurt, që gruaja nuk do t’i kundërvihej Mihalit në këtë zgjidhje që kish gjetur që edhe ata të kishin një fëmijë, jo tërësisht të tyre, po, të paktën foëijën e tij biologjik. Kohët e fundit këtë e kishin pranuar si një zgjidhje të moralëshme dhe më të mirën edhe në rrethes socologjike e shkencore.
– Po mirë, ç’të tha, pse e kish bërë në kokën e vet gjithçka, pa u dakortësuar me ty?- e pyeti ajo Anitën.
Gruaja ngriti kokën dhe u duk sikur qe shkundur nga mendimet e një bote tjetër, larg prej atij lokali, mbase edhe larg prej Selanikut, që këto çaste po i dukej i huaj, si para shumë vitesh, kur kish ardhur aty për herë të parë.
– Më tha se kjo ishte zgjidhja më e mirë, se fëmija të paktën do ishte i tij, se kjo ishte më e pranueshme se birësimi i një fëmije me prindër të panjohur, i cili nuk do kish asnjë lidhje gjaku me ta, se fëmija i birësuar mund të kish probleme gjenetike që mund të shpërthenin në një fazë të caktuar të jetës së tij. Kësispj kish marrë këtë vendim pa u këshilluar me mua, pasi kish dyshuar mos unë nuk e pranoja.
– E bëri fakt të kryer, që ti të mos kishe guxim ta kundërshtoje, kështu? – ndërhyri Erina
Tjetra pohoi me kokë. Pas një çasti shtoi:
– Mihali më njeh mirë, e di që jam baltë e butë dhe me mua mund të bëjë gjithçka. Sidoqoftë, e kam të vështirë që të kem rrotull nëpër shtëpinë time një grua, që po e shfrytëzojnë duke përfituar nga varfëria e saj. Ndihem tmerrësisht e rënduar.
Erinës i erdhi keq. E vuri veten për një çast në vendin e kësaj gruaje të shpërfillur dhe i dha plotësisht të drejtë. Megjithatë, u mundua t’i lehtësonte dhëmbjen:
– Ajo që u bë nuk zhbëhet më – i tha -Ti nuk bën dot asgjë, për të vendosur në vendin e duhur dinjitetin e Daries. Vajza e ka bërë me ndërgjegje atë veprim.
Befas në shikimin e Anitës u duk një flakëz e sapondezur, që Erina nuk e kish vënë re herë tjetër.
– Po sikur Daria të na mashtrojë? Po sikur ajo të rrijë në shtëpinë tonë derisa të lindë fëmija, pastaj të na lerë shëndetin e të na thotë : ku ju kam parë?
Erina nuk i tha asgjë. Nga pyetja e Anitës shihej qartë që edhe ajo ishte dakortësuar me vendimin e të shoqit, veç dyshonte nëse plani do të përfundonte me sukses.
– Sikur të ndodhë kështu? – përsëriti Anita.
– Kjo është punë e zgjidhur.- ia ktheu ajo – Lekët jepjani pasi të përfundojë gjithçka dhe gjithçka bëje të ligjëruar.. E kam fjalën për aktin e birësimit.
Tjetra e falënderoi. Edhe pse vet ishte praktike dhe racionale, Anita e çmonte mendimin e Erinës, pastaj kur njeriu ndihet i alarmuar brenda vetes në të gjithë qenien e tij dhe ka ndezur sinjalin SOS e nuk mund ta fikë dot, sado të ketë logjikë të ftohtë dhe arsye të shëndoshë, e ka të domosdoshme ndihmën e dikujt që e vlerëson.
– Në të vërtetë më duhet ta mbledh veten e ta largoj panikun. Mihali e ka vendosur këtë dhe po ta shohësh hollëhollë, është më e mira e mundëshme që mund të bëhet në kushtet tona. Do ta kem ca të vështirë sa të mësohem me praninë e Daries në shtëpinë time, po kjo do të zgjasë edhe katër muaj, derisa ajo të lindi.
Erina u mat t’i thosh që ishte mësuar tashmë me një të huaj në shtëpi, po u druajt se mos ajo e merrte për ters. Vuri buzën në gaz, për t’i lënë të kuptonte atë që mendoi. Dhe Anita ia kish lexuar fjalët e pathëna.
-Me ty ndryshonte puna – i tha – Më pëlqeve që në krye të herës, na hyre në zemër të dyve. Pastaj, nuk kish interesa dhe pleksje të tilla si me Darjen; të besuam shtëpinë dhe gjithçka dhe na u bëre si pjestare e tretë e familjes. Darja po vjen si pasojë e një biznesi mes nesh dhe saj, madje një biznesi shumë të brishtë e jo plotësisht në korniza ligjore, i cili mund të shpjegohet edhe mbrapsht nga ndonjë keqdashës.
Edhe këtë herë Erina nuk i lejoi vetes të shprehte mendimin e saj. E ndjeu se, në fund të fundit, duhet të mbante vendin që i takonte. Kush ishte ajo, që të ndërhynte në çështje kaq të rëndësishme jetësore të asaj familjeje?Jo, duhet të ishte disi e përmbajtur dhe kësisoj t’i mbante për vete mëdyshjet apo kundërshitë me veprimet e atyre të dyve; për më tepër tani që ishte edhe një e tretë e huaj në atë mesele. Ajo ishte e sigurt që gjithçka do të shkonte vaj, për sa kohë që të dy palët do të ishin në rregull me marrëveshjen, do të respektonin pjesën e saj që u përkiste.
Sidoqoftë, Erina mendonte edhe anën tjetër të medaljes. Sikur punët të mos shkonin mirë, edhe ajo do të ngarkonte në heshtje një pjesë të dështimit e ” do t’ua bënte pulave ish, ndërkohë që pula të saj nuk kish fare”, kështuqë më mirë të mos përzihej shumë në kësi punësh. Dhe vendosi të qëndronte sa më larg që të ish e mundur.
Ato pesë muaj nuk u ndien si kaluan. Erina përpiqej të mos mbetej asnjëherë vetëmpërvetëm me Drien, i shmangej asaj, duke gjetur ndonjë preteks pr të dalë nga shtëpia sa më shumë kohë që të ishte e mundur. Edhe bullgarja e kish nuhatur këtë dhe e kish pranuar pa ndonjë qejfmbetje; në fund tëfundit ato do të ishin këtu edhe pak kohë, pastaj secila në jetën e vet…Nuk do t’i lidhte më puna.
Mihali i kish marrë të gjitha masat. Qe lidhur me një klinikë gjinekologjike private, mjeku i të cilës kish ardhur disa herë për kontrollin rutinë të shtatzanisë së Daries.. Në vizitën e fundit ai e mori me vete.
– Po i zbresin ujërat – tha – Deri nesër duhet të lindi.
Edhe Daria, edhe Anita nuk kishin dashur që fëmija të shihej në Eco. Në njerën nga vizitat mjeku kish dyshuar mos Daria kish dy fëmijë, po , meqë të dy palët kishin vendosut t’ia linin gjithçka lindjes, nuk tha asgjë. Erina i lajmëroi edhe Mihalin, edhe Anitën, siç e porositi mjeku dhe ata shkuan menjëherë në klinikë. Aty rreth orës gjashtëmbëdhjetë pasdreke tingëlloi telefoni fiks dhe Erina dëgjoi zërin e Anitës :
– Lindi djalë…madje dy djem.
Erina nuk po përcaktonte dot në ishin të gëzuara, apo të shqetësuara e të trishtuara fjalët që i erdhën përmes receptorit që andej , nga klinika ku ndodheshin të dy palët e biznesit dhe marrëveshja e tyre e sapoardhur në këtë botë.
– Nuk të kuptoj – ia ktheu – Janë dylindë dhe të dy djem?
– Po – u dëgjua sërish zëri i pasigurt i Anitës- Dhe ti nuk je e gëzuar për këtë?
Tjetra foli si me pahir :
– Unë dua një fëmijë, jo dy.
– Si do t’ia bëni tani?
Anita nuk u përgjigj menjëherë Po i pëtypte fjalët nëpër dhëmbë dhe vetëm pëshpëriti :
– Nuk e di, nuk kam folur akoma me Mihalin. Ai po fluturon në qiellin e shtatë nga gëzimi.
Sipas marrëveshjes, fëmija nuk do të rrinte asnjë ditë me nënën, do ta merrnin në shtëpi sa të lindëte, kurse Daria do të shihte jetën e vet.
– Tani do të flas me Darien, pastaj do ta bisedoj edhe me Mihalin. Do dëgjohemi e dashur.
Erina uli receptorin dhe po mendonte se tani do të duhej edhe një krevat për dylindin tjetër, po të zotët e shtëpisë e kishin zgjidhur ndryshe atë problem. Ata erdhën vetëm me njerin djalë të sapolindur. Erina i përqafoi të dy dhe i uroi :
– Me jetë të gjatë, me këmbë të mbarë dhe me fat për vete dhe për ju!
Pastaj pyeti Anitën :
– Po dylindi tjetër?
-Marrëveshjen e kishim bërë për njerin – u përgjigj ajo- Bëmë ca fjalë, sepse Daria nuk donte ta mbante dylindin tjetër, po Mihali ishte treguar i shpejtë, si gjithnjë. Ti e njeh Vangjelin me të shoqen, që kanë ardhur disa herë te ne. Edhe ata ishin pa fëmijë. Kishin tre javë që ishin transferuar në Athinë; ne nuk e dinim. E pritën propozimin e Mihalit për të birësuar dylindin e Aleksandrit me një gëzim që nuk e them dot me fjalë. Do vinë nesër të bëjnë veprimet dhe të marrin djalin.
Gjithçka kish shkuar për bukuri. E pra, ata i kishin vënë edhe emrin djalit: Aleksandër.
Erina kish ndenjur edhe një vit në atë shtëpi, pastaj qe larguar me kërkesën e një arbaniti, që donte t’u mësonte gjuhën shqipe dy fëmijëve të tij. Ishte lidhur aq ngushtë me ata fëmijë, sa që e ëma e tyre iu lut të qëndronte tek ata derisa të rriteshin . Në të vërtetë edhe asaj i kish pëlqyer ky propozim dhe kish pranuar.
Tashmë kishin rrjedhur muaj e vite. Anitën dhe Mihalin nuk i kish takuar që kur qe larguar nga ta, deri atë ditë që e shoqëruan fare papritur në polici.
Si e zbritën nga makina, dy policët e çuan në një zyrë, ku e mori në pyetje një civil gjatosh, me flokë të rëna dhe me syza optike.
– Mos u shqetëso – i tha ai me ton miqësor- Ti ke punuar para shumë vitesh te një familje, e cila adoptoi një fëmijë, një djalë , për të qenë në rregull.
– Po – u përgjigj gruaja.
Pastaj, me qetësi e pyeti :
– Mos u ka ndodhur gjë atyre?
Tjetri i tha dyshues :
– Nuk e paske marrë vesh?
– Nuk i kam takuar që kur jam larguar nga ata
– Vërtetë?
– Po. Ç’u ka ndodhur?
Polici u duk i bindur që gruaja po thosh të vërtetën.
– Mihalin e kanë vrarë, dyshojmë për të birin, po ai ka një alibi të pakundërshtueshme, ka qenë larguar jashtë qytetit me tre shokë të tjerë që prej ditës së hënë.
Ai bëri një ndërprerje të vogël, nxorri dipka nga sirtari i tavolinës dhe vijoi, pa ia hequr shikimin Erinës :
– Për këtë ju kemi thirrur. Dyshohet që djali i të ndjerit Mihal, Aleksandri, të ketë patur edhe një vëlla dylind. Je në dijeni për këtë?
Erina u përgjigj shkurt dhe prerë:
– Jo, unë isha tek ajo familje për të punuar, nuk përzihesha në problemet e tyre familiare. Atë ditë në shtëpi sollën vetëm një fëmijë, Aleksandrin. Për dylind të tij nuk kisha dëgjuar të flitej asnjëherë.
– Je e sigurt për sa thua?- e pyeti tjetri provokues.
Erina e përballoi shikimin e tij ngulmonjës.
– Unë them atë që di. E sigurt jam që tani ndodhem përballë jush.
Burri thirri dy policët që e kishin sjellë aty dhe i porositi ta shoqëronin në shtëpi.
– Faleminderit, mund të largoheni, do t’ju thërrasim përsëri, nëse do të na duheni, po mos u shqetësoni.
Erina u kërkoi dy policëve që ta çonin te shtëpia e Anitës. E gjeti të strukur në kolltuk dhe të përhumbur në një tjetër botë, po e njohu menjëherë dhe iu hodh në qafë. Anita ishte plakur, zbardhur e krrusur, megjithëse nuk ishte edhe e re tashmë; po shkonte avashavash tek të shtatëdhjetepesat.
– Nuk e merr me mënd sa po më gëzon që erdhe. Më ke gjetur në një çast që e kisha të domosdoshme praninë e një njeriu si ti. Besoj e more vesh gjëmën që më ka gjetur. Nuk mjaftoi ikja e Mihalit, po u desh edhe arrestimi i Aleksandrit.
Ajo nuk pushonte së foluri, në kundërshti me natyrën e vërtetë. Kuptohet, sikleti dhe mërzia nuk kalohen vetëm. Në vendin ku kish lindur dhe qe rritur Erina kishin të tjera zakone; deri dyzet ditë pas vdekjes së njeriut, në shtëpi priteshin vizita ngushëllimi nga të afërmit , shokët e miqtë.Kësisoj ai që kish pësuar humbjen, nuk kish kohë të mbetej vetëm e të zhytej në mendime të zymta, apo ta lëshonte veten në pjerrinat e ku rrëshqiste shpirti i lënduar. Ky ishte një zakon fisnik dhe më se njerëzor. Kur të kishin kaluar dyzetë ditë, njeriu i prekur nga fatkeqësia tashmë kish nisur të mësohej e të pajtohej me ikjen e të dashurit të zemrës, me kalimin e ditëve riniste jetën e zakontë dhe gjithçka kthehej si më parë
Kur e pa ashtu, të ndrydhur e të strukur në dhëmbjen e saj të vetmuar, Nerina ndjeu keqardhje për atë grua që i kishte hapur dyert e shtëpisë së saj, akoma pa e njohur mirë kur kish ardhur në atë vend të huaj. Ajo nuk mund ta harronte atë mirëbesim dhe mikpritje të ngrohtë.
– E mora vesh, se po vi nga policia tani – i tha- Më thirrën për të më pyetur, se mos Daria kish lindur dy djem, sepse ADN e gjetur në kufomën e të ndierit përkon me atë të Aleksandrit, po duke marrë parasysh alibinë e djalit, e vetmja mundësi, sipas policisë është që Aleksandri të ketë edhe një dylind të tij.
Anita u habit.
– Të pyetën ty?
– Po. U thash se nuk e dija një gjë të tillë, se nuk ishte folur kurrë në familjen tuaj për këtë.
Anita qeshi, kuptohet sa vuri buzën në gaz.
– Po pse e bëre këtë mikja ime?
– Sepse jam mikja jote. Sapo e the vet këtë. Sepse kështu mendova se do lehtësoja ty dhe Aleksandrin.
– Në këto raste duhet thënë vetëm e vërteta , e dashur. Policia bie shpejt në gjurmët e të vërtetës.
Nerina nuk dinte ç’të thosh. Në të vërtetë ajo nujk kish patur kohë të mendohej për të kthyer përgjigjen e duhur atje në polici, i pat rënë shkurt, kish zbatuar një fjalë të urtë që e përdorin veriorët : ” Bjeri shkurt, se ke lehtësira! “
– Mendova se po të jetë se dylindi i Aleksandrit tënd është njeri i padëshëruar, më mirë të mos e njohi dhe të mos ketë të bëjë me të.- e sqaroi ajo.
Anita e falënderoi.
– Sidoqoftë, kur të më pyesin unë do them të vërtetë – tha Anita
Dhe policia nuk vonoi as dy orë pas largimit të Nerinës. Tashmë Anita dukej më e qetë, pasi mori vesh nga shoqja e saj, që Aleksandri mund të lihej i lirë për mungesë provash, i ndihmuar edhe nga alibia e vërtetuar tërësisht. Pasi priti ngushëllimet e agjentëve të policisë kriminale, ajo u tha :
– I ndjeri nuk kis bërë asnjë armik në jetën e vet dhe djali im e donte shumë të atin, shkonin si dy shokë, si dy vëllezër.As që më shkon nëpërmend që Aleksandri mund ta ketë bërë këtë krim të shëmtuar. Ai nuk vret dot as një mizë, jo më një njeri, e për më tepër të atin që e adhuronte.
Njeri prej policëve e pyeti :
– Meqë më dole vet në shteg, kur më the se babë e bir kalonin si vëllezër, doja të dija nëse Aleksandri ka vëlla tjetër.
– Ka dylindin e vet, që e birësoi një familje tjetër.
– Si e quajnë?
– Nuk e di, nuk arrita as ta shoh kur lindi. Mora Aleksandrin dhe nuk u interesova më për fatin e atij tjetrit.
Agjenti i Policisë Kriminale i bëri edhe disa pyetje të tjera. Para se të largohej i tha .
– Besoj emrin e Klinikës ku lindi ajo bullgarja, besoj do na i thuash, apo jo? Ne mund ta gjejmë vet, po ti mund të na lehtësosh punën.
Anita u dha adresën dhe kur po i përcillte, si t’ish kujtuar për diçka, u foli të ktheheshin.
– Nuk ka nevojë të shkoni tek ajo klinikë.
Dhe u dha emrin bashkë me adresën e shtëpisë së atij që kishte birësuar dylindin e Aleksandrit. Agjentët shkuan atje fill pasi falënderuan gruan, po djali ishte larguar tashmë. Për fatin e tij të keq, nga nxitimi celularin e kish harruar në shtëpi
– Ky celular është i djalit? – e pyeti agjenti të atin, i cili u zu ngushtë.
– Po.
Agjenti e mori dhe nisi të kontrollonte telefonatat e kryera dhe ato të ardhura. Dylindi i Aleksandrit ishte shumë i ri për t’i fshehur të gjitha gjurmët e krimit të kryer. Agjenti diçka i tregoi shokut të vet në celularin e djalit.
– E njihte djali juaj dylindin e tij, Aleksandrin?
Burri ngriti supet.
– Po babain e tij biologjik, të ndjerin e njihte?
Sërish burri ngriti supet.
– Ishte takuar ndonjëherë me të?
E ëma e djalit që kërkohej, që deri atëhere kish ndenjur e veçuar në një skaj të atij salloni të madh, tha :
– Mos na pyet fare. Djali ynë kish një vit që sillej keq me ne, ikte nga shtëpia me ditë të tëra, na kërkonte të holla e na i merrte ato me dhunë. Ai drogohej. Edhe shkollën e kish braktisur. Dikush nga njerëzit tanë i kish treguar se nuk ishte djali ynë biologjik dhe që atëhere sillej keq. Na pyeti vetëm një herë cilët ishin prindërit e tij të vërtet. Ne nuk i treguam. Se ç’ka bërë më pas nuk e morëm vesh. Nuk hapej kurrë me ne, na fyente me fjalë e shprehje banale, njëlloj si ata të rrugëve.
Agjentët diç këmbyen me njeritjetrin dhe pyetën :
– Dini ndonjë vend ku mund të fshihet?
Gruaja u afrua te dritarja dhe u tregoi me dorë një ndërtesë të vjetër matanë oborrit të tyre.
– Mund ta gjeni aty, është shtëpia e prindëve të tim shoqi. Atje nuk banon njeri dhe ai shkon shpesh me dy shokë të tij.
E ëma nuk qe gabuar. Dylindi i Aleksandrit ishte atje dhe u përpoq të largohej, po nuk arriti dot dhe iu nënështrua prangave si qingj i urtë e i bindur.. Në polici u zbërthye tërësisht, pasi ata e futn në kurth, duke e porositur që të mos mundohej të dredhonte, pasi kishin dëshmitarë që e kishin parë kur qe takuar me babain e tij biologjik dhe për më tepër duke u grindur keq me të, duke e kërcënuar për jetën.
Djali, i kapur në lak, i tregoi të gjitha, edhe hollësitë e krimit
– Si thoni ju, baba ishte ai që mendonte vetëm për njerin djalë dhe djalin tjetër e linte në mëshirë të fatit? Të dy herët që e takova u soll ashpër , duke më kërcënuar që do më zhdukte nga faqja e dheut, po të takoja vëllain tim. Kjo nuk është njerëzore. Vet ai duhet të na afronte, sepse ishim gjaku i tij. Hern e fundit më qëlloi edhe me grusht. Mbase mendoi që nuk do i kthehesha, po gaboi. Më fyeu me fjalë nga më banalet aqsa nuk durova më dhe e godita në kokë me levën e makinës.
Ai u përlot.
– Ju betohem, nuk doja ta vrisja, po ai e nisi i pari dhunën. U largova duke e lënë të shtrirë përtokë, pa menduar që mund të kish vdekur. Kur mora vesh, u fsheha atje ku më gjetët ju Nuk doja që të arrinte puna deri këtu, ju betohem!- përsëriti djali përmes lotëve.
Ata i e prangosën sërish dhe kur po e shoqëronin për në dhomat e izolimit, u ndeshën me Aleksandrin, që sa e kishin lënë të lirë. Më tej e priste Anita.
Ajo përqafoi të birin, pastaj i hodhi një shikim mëshirues, po jo me përbuzje dhe urrejtje vëllait të tij që nuk e kishin njohur kurrë.
Dylindët ngjanin si dy pikla uji. Aleksandri ktheu kryet andej nga po vështronte e ëma dhe u habit me sozinë e tij të prangosur.
– Jam vëllai yt, po mos më gjyko për keq – i tha tjetri, po plicët që e shoqëronin nuk e lanë të mbaronte atë ç’ka donte të thosh.
Aleksandri ndali hapin në mëdyshje. Kurrë nuk kis dëgjuar të flitej për një vëlla. Nga na doli ai kaq papritur? Për më tepër në një moment të tillë e në një vend aspak të dëshëruar?
U kthye nga e ëma dhe po e shihte ngultaz, sikur të priste sqarim nga ajo. Djali i ngjante atij që sapo ish hedhur me parashutë nga avioni dhe nuk po ambientohej fare me vendin ku kish rënë Nuk po kuptonte asgjë dhe mendimet kishin ndalur rrjedhën e tyre, sikur dikush t’u kish bërë pritë në rrugën e vetme që njihnin.
Anita e vuri re dhe i shkoi krahun për beli, duke e tërhequr drejt portës së jashtëme të asaj ndërtese, ku pat kaluar më shumë se njëzetë orë, që do t’i quante orët më të pakuptimta në jetën e tij të mëvonëshme.
– Eja – i tha ajo me përmallim- Ai është dylindi yt. Mbase ne kemi gabuar, duhet t’u kishim njohur që herët. Ndoshta egoizmi ynë na çoi deri këtu. Kur të shkojmë në shtëpi do të të them gjithçka. Tani duhet të mendojmë për përcjelljen e tyteti.
Aleksandri nuk po e mblidhte akoma veten. Brenda dy ditësh ish ballafaquar me një jetë ndryshe nga ajo që kish patur deri tani. E panjohura kish hyrë pa trokitur në botën e tij të brojtur e të siguruar, duke e tronditur paksa barazpeshën e dy kaheve të të ndryshme e të kundërta të shpirtit e të mendimit.
Mbi të gjitha i rrinte si çekan në përfytyrim dylindi i tij, të cilin e kish parë vetëm disa sekonda. Ashtu, vagët , pati një ndiesi të mjegullt të të qenit dylind. Sidoqë të vinte puna ai tashmë kish një vëlla. Dhe kjo nuk ishte pak Të tjerat do t’i kthjellonte koha, e cila shpërfill gabimet e detyruara në rrethana të veçanta, ose i lë të harruar në skutat e mëshirës ata që bëjnë gabimin.
Për çastin Aleksandri po përfytyronte sikur krahas të ëmës po ecnin edhe dylindët, ai me të vëllanë.
Dhe i shkëlqeu fytyra nga gëzimi…
Fund
Pajtim Xhelo, 01 mars 2020
Mos harro
Tregim
– Nuk mbaj mënt ndonjë vit të tillë që kur kam qenë sa ky, yt bir – i tha Agata nuses së djalit, që po lante të birin në lekanen poshtë verandës së shtëpisë. Heraherës ajo i bërtiste fëmijës që luante e pllaqavitej me ujin e ngrohur në diell, sepse ujin e mbushnin në një burim larg fshatit e kësisoj e mbanin me kursim të rreptë. Shtëpia e tyre ishte e larguar nga pjesa tjetër e fshatit dhe gomarin , që ishte moshatar me djalin e kishin kimetli, e mbanin sikur të ishte pjestar i familjes. Aty po rrinte edhe ai, në anë të lekanes ku po lahej moshatari i tij, Thomai. Mesaduket priste që ta freskonin edhe atë me ujin që do të mbetej në lekane..Thomai i hidhte ujë me duar si për ta nxitur të pallte, po gomari rrinte i qetë, që të mos e humbiste shansin për t’u freskuar…Dukej që nuk ishte gomar budalla.
Nusja e nxori Thomain nga uji, e pështolli me një peshqir të stërmadh, e veshi dhe e uli pranë të gjyshes.
-Si the ti nënë? – e pyeti ajo – Nuk ka bërë thatësirë e tillë prej shumë vitesh?
Plaka e vonoi ca përgjigjen. Siç duket llogariti vitet.
– Them se prej dyzetëepesë vitesh, duhet të kem qenë tetë vjeçe. Sa nisi vjeshta e parë ra një tërmet i fuqishëm, që na detyroi të shpërnguleshim këtu e të ndërtonim këtë shtëpi ku jemi tani.
– Po pse ku keni jetuar më parë ju gjyshe ?- e pyeti Thomai kurreshtar.
Nusja, që mesaduket e njihte këtë histori, ngaqë plaka e kish treguar disa herë, shkoi sërish te lekania dhe nisi t’i hidhte ujë gomarit që nuk ishte larguar që andej. Si u freskua edhe ai i gjorë, ajo u kthye dhe pa u ulur, e kujtoi të vjehrën:
– E di ti nënë që Thomai sot bën tetë vjeç?
Agata u mbajt më të madh . Ktheu kokën nga ajo me shpërfillje, pastaj e afroi të nipin dhe e mbuloi me të puthura.
– E moj, po ç’kujtove ti se kam rrudhur? Unë jam më e re se ju, po ndonjëherë bëj edhe kinse sikur kam harruar, që të shoh se sa xhevahire do të nxirrni ti dhe im bir nga goja. Meqë ra fjala, ku është ai, pse nuk po vjen akoma?
-Po te rrapi i fshatit moj nënë, ku do jetë gjetkë? Pinë ndonjë gotë dhe bisedojnë mes burrash. Ne të gjorave ky fat na ra në pjesë.
Plaka përdrodhi buzët, jo pa neveri.
– Si jeni ju të rejat sot, ankoheni kotsëkoti. Ne i kishim burrat në kurbet dhe gjithë ngarkesën e familjes e mbanim mbi kurriz pa u ndier. Ndodhte që ata nuk ktheheshin më, ashtu siç nuk u kthye vjehrri yt, për të cilin as sotekësajdite unë nuk di në është gjallë apo jo. Ja ku jam unë, rrita tët shoq, po rris edhe tim nip.
Rrallë e zinte ajo në gojë burrin e saj, po kur niste të fliste për të, e bënte një hero, e quante kapedanin e të gjithë burrave të krahinës dhe në fund, kur mbaronte, psherëtinte thellë dhe thsh :
– Nuk ishte fat që ta njihnit edhe ju.
Nuk harroi t’i thosh këto fjalë edhe tani. Thomai i vogël e pyeti :
– Pse i kishin vënë gjyshit tim atë emrin e çuditshëm?
Ajo i shkuli veshin me përkëdheli.
– Pse është i shëmtuar emri Pindar?
Vogëlushi u duk i hutuar.
– Jo, jo gjyshe, nuk e thash atë, po nuk kam dëgjuar që të quajnë njeri tjetër ashtu.
Plaka qeshi me atë djallush të vogël Në të vërtetë edhe ajo vet qe habitur ca me atë emër kur e pat dëgjuar për herë të parë, po më pas, kur i kishin thënë që atë emër e kish trashëguar në disa breza vetëm ajo familje, e pat kuptuar që ishte diçka e shenjtë, që duhej respektuar.
– Do të them diçka, që ti duhet ta rrespektosh kur të vijë dita që të bëhesh baba.
Nusja ndërhyri :
– Edhe ti moj nënë, po ka kohë deri atëhere – i tha.
Agata i bëri shenjë të largohej.
– Porosia është vetëm për nipin, ti nuk hynë fare në këtë mesele, është çështje burrash të shtëpisë,
– Po as ti nuk je burrë, i përket tim shoqi kjo- e kundërshtoi e reja.
Agata u ngrys në fytyrë.
-I takonte gjyshit të tij, që t’i vinte Thomait emrin e vet, po ai nuk u ndodh këtu kur lindi ky kolopuç dhe emri mbeti jetim. Tani më takon mua t’i vë emrin e tim shoqi djalit të Thomait, po deri atëhere unë mund të kesh shkuar te të shumtit dhe emri mund të mbetet përsëri jetim.
E reja u duk e lënduar nga fjalët e saj. Ajo ishte rritur pa nënë dhe pa gjyshe, , madje edhe i ati e pat lënë kur ishte vetëm dhjetë vjeçe. Në këtë derë pat ardhur që pesëmbëdhjetë vjeçe dhe kurorëzimin e kishin bërë pas një viti,sepse ligji nuk lejonte martesat nën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Gjithë dashuritë që nuk i mori e i dha në fëmijëri, Katera ia pat dhuruar , madje me tepëri kësaj familjeje. Agatën e donte si nënë dhe si gjyshe.
-Po ç’janë këto që thua moj nënë, ti do rrosh të martosh edhe djalin e Thomait, do t’i ngjash nënës tënde.
-Nuse, asaj nuk i dihet. Ardhja është diçka që e ke mbjellë dhe e pret, po ikjen na i kanë fshehur në një libër që ne nuk e shohim. Këtë nuk kemi pse e shpërfillim, kjo është njëlloj për të gjithë njerëzit e këtij dheu…Jemi vdekëtarë, e kemi marrë këtë dënim që me Evën dhe Adamin që mëkatuan. Sipas teje, për mua do bëhet përjashtim? Bij të vdekjes jemi të gjithë.
Katera nuk e kundërshtoi, vetëm i tha :
– Ke të drejtë, veçse them që duhet të presim të vijë edhe im shoq. Edhe ai duhet ta dëgjojë atë porosi, që të kujtojë Thomanë, nëse ti nënë nuk do të jesh më këtu.
Agata ra dakord me vërejtjen e të resë.
Kur erdhi Llambi, ata sapo ishin futur në kuzhinë dhe Katera po shtronte tryezën.
Ai e përqafoi të birin, i uroi ditën e lindjes, pastaj i tha qetë :
– Pa dil shiko se kush po të pret atje, përjashta.
Thomai i vogël mblodhi supet, po i ati i bëri shenjë të dilte. Dhe ai doli. Bashkë me hapat e atyre këmbkave të vockla, u dëgjua edhe një britmë gëzimi. Agata dhe Katera mbajtën vesh. Pa një çast heshtjeje britma e djalit u përsërit, po këtë herë, bashkë me zërin, hyri në shtëpi edhe vogëlushi vet, që mbante në krahë një qingj të vockël, me flokë të gjatë e të bardhë si bora. Thomai nisi të rrotullohej së bashku me qingjin nëpër kuzhinë. Fëmija po shprehte lirshëm, pa marrë parasysh që mund të shqetësonte të tjerët, gëzimin e tij për këtë dhuratë që e pat ëndëruar dhe i ati ia kish premtuar për ditëlindjen. Këto janë gëzimet e një fëmije të rritur në një ambient të varfër fshati: të thjeshta, po të çiltëra dhe të ndjera thellë në shpirtin e tij akoma të parënduar nga prapësitë e jetës. Pastaj, si u lodh së rrotulluari e të këcyeri nëpër dhomë e koridor, djali donte ta çonte jashtë, në oborr, po e gjyshja, që e spikati mëdyshjen dhe keqardhjen e tij që do të ndahej nga shoku, i tha
– Mund ta mbash sa të duash, derisa të biesh për të fjetur.. Ai ka vendin e tij të gjumit. Do ta çoj unë.
Vogëlushi harroi kësisoj që kish ditëlindjen dhe iu përkushtua vetëm shokut të tij të ri. Edhe kur u ulën rreth tryezës, ai e mbajti qingjin në prehër Dhe çuditërisht kafshëza e vogël rrinte për bukuri, as lëvizte, as blegërinte. I shihte njerëzit e shtëpisë me radhë pa ia bërë syri tërr, sikur të ishte rritur mes tyre prej kohësh. Është çudi, si kafsha e kupton dhe e ndien dashurinë dhe mirësinë e njerëzve dhe i pranon ata, siç e pranojnë edhe ata atë.
– Do t’u jap një lajm të gëzuar – tha papritur Llambi, që deri atëhere i ishte gëzuar edhe ai kënaqësisë së të birit për dhuratën që i kish sjellë. Të dyja gratë u kthyen nga ai.
– Mbreti i ka çuar Parlamentit që të shqyrtojë ligjin për Reformën Agrare, që la përgjysmë Fan Noli në njëzetekatrën. Më duket se do bëhemi edhe ne me tokë. Thonë që do të ndajnë një pjesë të tokave të bejlerëve.
Agata e kundërshtoi. E shoqja i tha :
– Dhe ti e beson këtë?
– Më thanë që e kanë shkruar gazetat.
– Mos u ngop me lugë të zbrazur – e këshilloi e ëma – Nuk i lenë kollaj tokat bejlerët.Dhe nuk ma do mendja që Mbreti ta gjejë forcën të ndeshet me ta.
Burri i pa të dy gratë me habi; ato ishin në një mendje, kësisoj e la bisedën përgjysëm.
Kur ishin në të mbaruar të ngrënies, Agata rinisi porosinë që kish dashur t’i jepte Thomait të vogël para se të vinte Llambi.
– Ti e njeh ligjin e pashkruar e të shenjtë të familjes sonë – iu drejtua ajo të birit.
Llambi e shikoi , jo pa habi. Ç’i ishte shkrepur të ëmës tani? ” Epo, do ketë ndonjë porosi, nga ato që jep gjithmonë, kur mendon se po i vjen fundi!”
Ajo nuk po ia shqiste vështrimin.
– Babai yt nuk ishte kur ti bëre tetë vjeç, dhe ty nuk guxoi njeri të të porosiste që djalit t’i vije emrin e tij. Kësisoj emri
u harrua për një brez. Për ne duhet të ishte mallkim, po ky nuk ndodhi, lavdi Zotit të Plotfuqishëm që komandon mbi ne!
Plaka u ngrit në këmbë dhe bëri kryqin Edhe të tjerët e pasuan. Atë çast Thomai i vogël e la qingjin përtokë dhe kafshëza po i shihte ata me habi. Veç nuk u tremb. Kur djali u ul sërish në ndenjëse, ai iu hodh në gjunjë dhe u struk si më parë tek ai.
Agata iu drejtua të nipit :
– Porosia është edhe për ty. Je akoma i vogël, po duhet ta ngulësh në tru si gozhdë trari këtë që do të them. Ne kemi ardhur nga malet e Pindit, nuk jemi grekë, edhe pse flasim greqisht. I pari fëmijë që lindi kur katragjyshët tanë u ngulën këtu, u quajt Pindar, për të mbajtur në kujtesë vendin nga kishin ardhur. Që atëhere, ky emër përsëritet e trashëgohet nga gjyshi te nipi nëpër breza. Është një lloj betimi që nuk duhet të shkelet. Kur lind një fëmijë, gjyshi mbjell një pemë në oborr dhe kur ky fëmijë bëhet tetë vjeç, gjyshi e porosit, që kur të bëhet baba, pasi të martohet, djalit duhet t’i verë emrin Pindar. Kësisoj, sot Thomai yt u bë tetë vjeç. Në mungesë të gjyshit, këtë porosi po ta jap unë. Djali i Thomait duhet të quhet Pindar.
Vogëlushi po e ndiqte të gjyshen, bërë i tëri sy e vesh. Llambi e njihte këtë zakon, e pat dëgjuar edhe nga dajua i tij dikur.
– Sipas kanunit, unë duhet të të them : Mos harro! dhe po sipas kanunit, ti do t’i thuash nipit tënd : Mos harro ! Porosia duhet të kalojë nëpër breza pa u shkëputur, siç ndodhi me ty Llambi.
Djalit të vogël i bëri përshtypje diçka. I mori leje të gjyshes, nëse mund ta pyeste.
– Në lidhje me porosinë mos më pyet për asgjë- ia ktheu ajo prerë- Këtë do ta mbash mend mbi të gjitha të tjerat që do mësosh në jetën tënde, sepse kjo të tregon rrënjët nga ke ardhur këtu.
Vogëlushi Thoma qeshi.
– Nuk e kisha fjalën aty – sqaroi ai- Do të pyesja pse fjalët ” Mos harro” janë në gjuhën shqipe, kur ne zakonisht flasim greqisht?
Agata nuk e la të kalonte pa u vënë re mençurinë e të nipit.
– Sepse, siç erdhëm ne këtu, atje ku jetonim më parë erdhën disa familje nga Moreja që flisnin greqisht. Atëhere bashkëjetesa na detyroi t’i përdornim të dy gjuhët. Me kalimin e viteve, duke qenë të mbyllur në ato male, larg të tjerëve, nisëm të flasim një gjuhë të përzier, po jo tërësisht greqisht. Këto dy fjalë të kanunit të familjes sonë, tregojnë edhe nga kemi ardhur ne dhe që kemi folur një gjuhë ndryshe nga kjo që flasim sot.
Thomai i vogël u duk i menduar. Një hije e lehtë i rëndoi ballin, po i shkëlqeu shikimin në sytë e zgjuar.
– Domethënë ne nuk jemi grekë, siç na thonë ata të fshatit tjetër?
– Jo, jemi vetëm greqishtfolës. Të parët tanë quheshin arbër ose albanë.
Vogëlushi u kujtua për qingjin, që mesaduket ishte përgjumur në ngrohtësinë e gjunjëve të tij.
– Po këtij si t’i flas, shqip apo greqisht?- pyeti.
Agata qeshi.
– Foli si të duash, foli shqip, ai do të kuptojë. Vetëm mba mënd kanunin tonë të trashëgimit të emrit Pindar. MOS HARRO! – i tha ajo shqip.