Dy poezi nga Nikolin Sh. Lëmezhi

0
933
Nikolin Sh. Lëmezhi

Lutje Zojës së Bekuar

Shenjtja Mari e Nazaretit,
Nënë e Bijve të Tu.
Nga lartësitë e Qiellit,
na shiko këtu!

Eja në shtëpitë tona,
të heshtura e të varfëra,
të ndërtuara mbi male,
të ndërtuara ndër ara!

Kalo në ato familje,
tashmë të shpërngulura,
nga fshatrat tona,
për ditë më të bukura!

Rizgjo në zemra të grave,
të jenë nëna plot gëzim,
dhe burrave jepu forcë
e dijen për edukim!

Ndihmo të rinjtë,
të zbulojnë në Ungjill,
praninë e Jezusit,
Bariut të Mirë!

Të besojmë të sëmurët,
njerëzit e papunë.
Ndali duart e atyre,
që derdhin gjak e dhunë!

Ndihmo qeveritarët,
të kenë përgjegjësi!
Të punojnë për Vendin,
me shumë dashuri!

Frymëzo politikanët,
në këto kohë të vështira,
që bashkë të punojnë,
për ditë më të mira!

O Zojë e Këshillit të Mirë,
Ti Pajtorja jonë!
Shtrije dorën tënde,
shpëto Kombin tonë!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 23.06.2019


Amaneti im

Kur të vdes,
ju lë si amanet,
që mbi varr
të mos shkruhet
emri im,
por ky epitaf:
«Ka dashur
të jetë i mirë
edhe me ata
që e kanë bërë
të vuajnë!».

Se mbi këtë tokë,
ky ka qenë për mua,
më i madhi
ngushëllim.

Nikolin Sh. Lëmezhi
Blinisht, më 29.06.2003


21 Marsi është Dita Botërore e Poezisë

Me këtë rast dua të ndaj me ju këtë poezi:

Të falem, o Zoja e Shqipërisë!

Të falem, Mbretëreshë e qiellit,
Yll që kurrë s’perëndon,
Trëndafil që gjithmonë lulëzon,
në malet e fushat tona!

Këtu, plot me mirësi,
na takon e na mirëpret,
Ti zemrave u flet,
mes lulesh e dëborave.

Shpreson, dashuron e beson,
nga majat më të larta këtu,
lartësohet drejt Hyjit kështu,
i lodhuri këmbësor.

Nga këto maja, Ti ki kujdes,
mbi vendin tonë, o Nënë,
se nga gërmadhat ku qe zënë,
kokën tashmë po ngre.

Të falem, o Zoja e Shqipërisë,
Pajtore e gjithë njerëzimit!
Ti burimi i Shpëtimit:
Lutu, lutu sot për ne!

O Zojë e Këshillit të Mirë,
nga Shenjtërorja jote e Shkodrës
jepja, Nënë, bekimin botës,
në këtë kohë kaq të vështirë!

Bijtë e tu tashmë kudo,
të thërrasim njëzëri ne:
Nga kjo provë “Kolerë e re”,
Zoja e Shkodrës na liro!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 21.03.2020