Dy poezi nga Alma Zenellari

0
1891

Alma Zenellari

SHPRESË…

Shkëndija jete gjithmonë kam kërkuar,
lutjet i kam nisur gjer tek retë,
por fati thonë në yje është i shkruar,
qiejve i firmosur nga rrufetë.

Ti erdhe i vetëtimtë,
mbi sy një yll m’u ndez,
Trokite brenda meje dhe pikturove shpresë…

Blerimin pikturove për shpirtin tim dhuratë, yjet mbi ne, mbi fatin tonë pikuan, Lëndina dashurie, diku një diell të zjarrtë, Ylbere ndezën ngjyrat dhe ëndrrat zbukuruan.

Kaq kohë s’kërkova fat, fat tjetër në këtë jetë.
Besova shpirtit, zemrës që rreh si e marrë, Në botë askujt s’ia fala atë që të përket.
Shpresën ti mban gjallë dhe ndez të njëjtin zjarr.

(i vetmi yll për mua, e vetmja ëndërr, i vetmi far)

TINGULLI QË NDJEK

Diku jashtë, përtej kohës sime
ndjej një tingull të ri
e dëgjoj, e ndjek
gati si frymë vibron mes ajrit.
ngjitet lart, kap qiellin, shpon yjet,
zbulon gjinj të rinj hënor’
Diku atje mes reve
prek fyejt e ëngjëjve ulur mbi pantheon, prek tinguj melodi, harqe unifikues, një simfoni e tërë hyjnore zbret, rrëshqet thellë zemrës dhe më magjeps.
Jam diku…, diku
pjalmoj poret e shpirtit me melodi,
jashtë realitetit
jashtë dhe brenda kohës sime
duke gëlltitur tinguj blu…