Dy poezi nga Alma Zenellari

0
2347

Alma Zenellari

FRYMËZIM

Në ç’trill e ngjyen penën tënde,
në ç’botë misteresh, fantazish,
në penën tënde ndjej lëkundje,
shpërthime magmash dashurish.
Me penën tënde jam pikturuar,
mirazh, mister, si muza jote,
si ëngjëlldjall që s’fle, rri zgjuar,
një Mona Lizë që s’hesht në mote.
Unë s’jam prej ajrit, as prej erës,
nga botë e yjeve nuk vij, as ngjaj,
unë jam burim që lind prej tokës,
si magmë shpërthej nga barku i saj.
Unë jam nga tokë e përvëluar
nga dhê i ngjeshur dhe i fortë,
aty ku erërat shkumëzojnë,
dhe ëngjëjt nuk e zbusin dot.

ME PA TË DREJTË

Edhe sa kohë do heshtësh zemër,
thonë largësinë e tret dashuria,
edhe sa kohë do më pik malli,
brinjëve si ulkonjë, ulërin vetmia.

Me mijëra herë më vret kjo heshtje,
ringjallem prapë me mijëra herë,
kur nëpër gërma shpirtin ma nis,
sinjale jete zemra rimerr.

Ndoshta të dua me pa të drejtë,
me pa të drejtë shpirtit, kërkoj të të mbaj,
dhe pse e di që s’më perket.
unë lotët zemrës, vështirë t’ia thaj.

Edhe sa kohë, edhe sa kohë,
nga dhimbja klithka dashuria,
edhe sa kohë do më pik malli,
brinjëve si ulkonjë, ulërin vetmia.