Dy poezi nga Albina Idrizi

0
2396
Albina Idrizi

Albina Idrizi

Dhe, ja ku jam

Me një faqe të re
Që, përballë meje
Hapet si pasqyrë.
Në mua, gjithmonë
Një ëndrrimtare e ndrojtur
Brenda dashurisë,
Një fëmijë i trembur
Brenda nënës,
Një lexuese e etur
Brenda poezisë.
Si të shpjegohet ndryshe
Se ende u besoj përrallave,
Qaj sa herë më kujtohet një “jo”
Që mu desh tu them fëmijëve,
Dhe jam e bindur
Se personazhet e librave
Ekzistojnë me të vërtetë.
Ja pra, ku jam
Me një faqe të re,
E lumtur nga ajo
Që lexoj në fytyrë.

“””””””””””””””””””””

MOS HARRO TË MË ZGJOSH NESËR

Nesër, kur hëna të na ketë kthyer shpinën,
Dhe pëshpëritjet e ëmbla prehen
Mbi jastëkun e zhubrosur
Me aromë pjeshke,
Mos harro të më zgjosh!
Mund të zgjatet ëndrra
E të më shpiej diku larg,
Shumë larg teje,
Në një botë krejt tjetër.
Dhe, kushedi, mund të më pëlqejnë
Të tjera lule,
Të tjera këngë,
Të tjera valle.
Asgjë nga parfumi i vjetër.
Diku ku flitet pa fjalë.
Ku dëgjohet pa zë.
Ku e qeshura e njërit
Rimon me gëzimin e tjetrit,
Dhe e qara me hidhërimjn e tij, poashtu.
Diku, ku mund të shtrihem mbi bar
E të vështroj retë.
Degëve të kacavirem
Si ketrushe e egër.
Të shetis zbathur nëpër shi
Dhe krejt çfarë kam dashur
Gjithmonë, tjetër.
Ndaj, të lutem
Mos harro të më zgjosh nesër!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar