Dy ngjarje kulturore në përvjetorin e rënies së Jasharëve

0
522

Zymer Mehani

Në kujtim dhe nderim të Familjes Jashari, në nderim të komandantit Adem Jashari, sot, më 5 mars 202, në Prishtinë u organizuan aktivitete kulturore.

Në ora 10.30, në Institutin Albanologjik të Prishtinës u zhvillua një aktivitet kulturor, i organizuar nga poeti z. Rudi Berisha, kryetar i KL “Zahir Pajaziti”. Në kuadër të këtij aktiviteti u përurua edhe numri 3 i Revistës Shqiptare “Albania Shqipëri Natyrale” numër tematik, që i kushtohet Adem Jasharit.

Takimin e hapi z. Rudi Berisha, me kumtesën “ Gjelbërimi i lisave në mars, u kthye në beteja dhe në gjak të dëshmorëve në Prekaz-Drenicë” Ai ndër të tjerash tha: “Rrugëtimi nëpër shtigjet e atdheut nëpër kohë nuk ka munguar nga shumë atdhetarë dhe trima të atdheut tonë të Dardanisë (Kosovës). Rruga ka qenë shumë e vështirë. Më e vështirë ka qenë të bindësh vetvetën për një luftë të armatosur dhe për fitore kundrejt një force, që vërtet ishte e madhe, por ishte pushtuese; ishte më e madhe në numër, por i mungonte forca dhe morali; ishte kriminale dhe përballë i dolën trimat me ideale dhe me moral të fortë, me një vizion të qartë, ngase bënë luftën për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të çliruar atdheun, për t’i sjellë lirinë vendit; ishte kjo luftë për të larguar çizmen e krajlive dhe paramilitarëve serbë, që po e mbanin të robëruar Dardaninë (Kosovën) prej vitesh.

Kur e mund frikën me atë madhështi dhe me atë vullnet që dëshiron të fitosh për atdheun, për tokën tuaj, është shumë e lehtë të bëhesh luftëtar dhe të kthehesh në dëshmor të atdheut.
Si të mos e bindësh vetvetën, kur shikon çizmen armike duke të nënçmuar e poshtëruar dhe duke të të rrahur mu në pragun e shtëpisë, si dhe të vie në vatër, kur do ai, si një mysafir i paftuar, të futet në shtëpinë tuaj dhe të rrah në sy të fëmijëve, në sy të nënave dhe të motrave tuaja?!…

Gjaku, nderi dhe trimat e kullës së Drenicës, në Prekaz nuk e lejuan këtë poshtërim. “Më mirë të vdekur sesa të dorëzuar”. Kështu ishte përgjigjja e Familjes Jashari nga Prekazi i Drenicës.

Në ato shtigje afër maleve, poshtë asaj fushe të mbushur me lule, në atë kohë e tokë të pushtuar dhe të robëruar nga armiqtë tanë shekullorë serbo-sllavë, nga armiqtë tanë të përbetuar që të djegin, të vrasin dhe të masakrojnë çdo shqiptar, dolën në ballë trimat e idealit, që ishin duke rilindur bashkë me rrezet e diellit, të lindur bashkë me lisat e maleve të gjelbëruar, në marsin e gjakut dhe të lirisë.

Armiqtë tanë serbë menduan se me forcë të artilerisë do ta shtypnin rezistencën e armatosur shqiptare në Prekazin e Drenicës, por ne shqiptarët, pas çdo rënie lindim më shumë, pas çdo vdekje ringjallemi më të fortë, pas çdo lufte bëhemi më të bashkuar se kurrë. Familja Jashari është simboli i rezistencës, i qëndresës dhe është shkollë dhe akademi në vete , si dhe shembull i mirë se si luftohet, si mbrohet atdheu, si luftohet duke kënduar me qetësi, me dashuri dhe me vullnet të hekurt për çlirim dhe për liri të atdheut.

Të gjithë ne duhet të shkojmë në shkollën dhe në akademinë e Prekazit; të gjithë ne duhet të ndiemë frymëzim, posa të shikojmë shkollën dhe akademinë, që sot e gjithmonë është dhe do të mbetet kulla e Familjes Jashari, e cila ka mbetur muze dhe vetë e vërteta për luftën e lavdishme të burrave dhe të grave nga Familja Jashari. Kjo kullë është vendluftimi i shqipeve të atdheut. Familja Jashari, me udhëheqësin tonë, sypatremburin dhe syshqiponjën Adem Jashari, bashkë me kullën qëndrestare është dhe do të mbetet e vërteta, që do t’i verboj[ armiqtë tanë, sa herë të mendojnë dhe ta shikojnë këtë kullë.

Te kulla e Adem e Hamëz Jasharit kanë shkuar në vizitë miliona njerëz. Aty na pret Familja Jashari, me kryefamiljarin Rifat Jashari, Familje që ka derdhur shumë gjak dhe që është meritore më shumë se të gjithë ne për lirinë e atdheut. Por sa të thjeshtë janë, sa pak fjalë kanë! Vërtet ata që bëjnë vepra të mëdha në nderim të atdheut, ata nuk flasin shumë. Pse të flasin, kur e gjithë kulla mban gjurmë të plumbave, mban peshën e rrobave me gjak të Familjes Jashari. Aty edhe magjja e miellit ka një histori për ta treguar për betejën dhe nderin e Familjes së ndritur të dëshmorëve të Jasharajve.

Por ne thuajse të gjithë jemi goxha të ligj, ngase këtë kullë e kemi lënë në mëshirën e fatit. Është rrezik që këto gjurmë do të na rrënohen. Aty, afër kullës qëndron portreti i Adem Jasharit, që shumë pak i ngjan komandantit tonë. Aty, edhe ky bust është grisur dhe ka filluar, ashtu në heshtje të rrënohet.

Ne të gjithë njëherë apo më shumë e kemi vizituar Prekazin, Drenicën. Në atë fushë të bukur me gjelbërim të barit janë varret e Familjes Jashari. Aty takon persona, nga më i vjetri deri te më i riu. Ata janë liria dhe drita e ajri për ne. Ata janë aty duke vështruar rrugët tona se si janë katandisur me përçarje dhe me të ligat e shumë prej nesh. Ata janë liria, të cilën disa individë të pandërgjegjshëm që nga çlirimi i atdheut, e përbuzën, e shkelën dhe e vranë. E mohuan dritën e ardhmërisë me padituri, e errësuan dritën e diellit me lakmi për pushtet dhe për të qenë “të fortë” dhe të pasur, E rrënuan artin e luftës dhe çdo gjë që jipte ndriçim për atdhe. Por mos harroni se të fortët e dëshmuan veten në luftë. Të fortë janë vetëm ata që derdhën gjakun për çlirim dhe për liri të atdheut. Të ndriturit janë dëshmorët e Jasharajve dhe të gjithë të rënët, martirët e dëshmorët për atdhe të çliruar…

Me pesë, gjashtë e shtatë mars të vitit 1998, duke mbrojtur kullën, atdheun, duke bërë rezistencë e qëndresë, ranë dëshmorë duke kënduar dhe luftuar burra, gra e fëmijë nga Familja Jashari për të mos vdekur kurrë. Ata ranë që ne sot të shijojmë lirinë. Ata u flijuan dhe u sakrifikuan me vetëdije të plotë për çlirim të atdheut.

Të nderuar motra dhe vëllezër,

Nuk jam zëri i kritikës dhe i rrugës për të panjohurën, por jam zëri i të vërtetës dhe i ruajtjes së gjurmëve dhe i gjakut të dëshmorëve. Kjo është ajo që ne të gjithë mund ta bëjmë.

Miq të dashur të fjalës së shkruar poetike,

Ju falënderoj edhe kësaj radhe që bashkë me Klubin Letrar “Zahir Pajaziti” rrugëtuat nëpër shtigjet e atdheut, në kullat e dëshmorëve të Familjes Jashari, të kullave dhe betejave të përgjakshme të burrave dhe të grave, të fëmijëve të familjes më të ndritur të Adem e Hamëz Jasharit në Dardani (Kosovë). Familja Jashari meriton të nderohet deri në qiell, edhe për gjakun që ia fali atdheut për lirinë tonë, edhe për thjeshtësinë, prandaj meriton çdo lëvdatë dhe nderim.

Ne të gjithë shkruesit e letrave shqipe jemi shumë të vegjël përballë gjakut dhe rrobave të përgjakura të dëshmorëve, por ne jemi zëri i arsyes për të gjurmuar dhe shkruar, si dhe për të arkivuar historinë e përgjakur të lavdisë së betejave dhe faqeve të lirisë sonë. Ne duhet që pasardhësve tanë t’u lëmë gjurmët e gjakosura në pllakën e të vërtetës, pa i lakuar shkronjat me emocione, por të shkruajmë me lapsin e logjikës, me ngjyrën e gjakut të dëshmorëve, kësaj radhe të Familjes Jashari, me gjakun e komandantit tonë të madh, Adem Jasharit.

Nderime veprës madhështore të Familjes Jashari! Nderime dhe respekt luftës së lavdishme të Adem e Hamëz Jasharit!
Nderim dhe ruajtje Kullës së Familjes Jashari!
Zoti ju bekoftë juve dhe gjithë popullin shqiptar !”

Pastaj fjalën e mori Akademik Hakif Bajrami me kumtesën “Nga Shkolla Kombëtare e Prekazit deri në Çlirim”. Ai tha: “Për ta gjetur rrugën e re për ta çliruar kombin, Adem Jashari me shokë e panë të nevojshme se duhej lexuar shumë, se duhej mësuar në çdo çast. Ky fakt do të mësohet gjatë qëndrimit për ushtrime ushtarake në Akademinë “SKËNDERBEJ” në Tiranë. Kuptohet, mësuan te profesorët patriotë dhe shkencëtarë të akademisë prestigjioze. Pikërisht për këtë, gjeneratës së Adem Jasharit i duheshin njohuri të plota mbi luftën guerile, e cila nga mësimet në Akademinë “Skënderbej” në Tiranë u kthye në luftë speciale. Në lidhje me këtë, luftën speciale Komandanti Legjendar Adem Jashari filloi ta avancojë duke u mbështetur, jo vetëm nga leksionet speciale, jo vetëm nga literatura profesionale ushtarake, por edhe nga tradita e ndritur e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899), nga trimëria e Ahmet Delisë, e Hasan Prishtinës, e Kamer Loshit, e Azem Bejtës, e Ramë Vllasës, e Osman Pollatës, e Dan Derocit, e Shaqir Igrishtës, e Ilaz Raçakut, e Bajram Currit, e Nazim Gafurrit, e Luftës antifashiste të Emin Durakut, e luftës antifashiste dhe antiçetnike të Shaban Palluzhës, e luftës politike të NDSH-së, të LRBSH-ADEM DEMAÇIT e deri te Tahir Meha (1981).

Adem Jashari duke e begatuar traditën e luftës për liri, e lidhi politikën e Adem Demaçit dhe të NDSH-së në rrafshin horizontal dhe vertikal, duke e bërë luftën e drejtë tredimensionale: lartësia, gjerësia dhe gjatësia e saj e begatuar me moral të pashterur, se nuk i vërsulet askujt që nuk është violent ndaj atyre që luftojnë për liri, pasi që ishte proklamuar se atdheu-Kosova më nuk duron robëri.

Adem Jasharit -komandant i një ushtrie në themelim i interesoi deri në përkushtim politika e Komitetit, Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, nga e cila mësoi për luftën e drejtë dhe rolin e demonstrimit popullor, me theks të posaçëm për Demonstratat shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera të robëruara më 1968. Adem Jashari mësoi se Demonstratat e viteve 1981-1989 e kishin një mision civilizues, sepse e nxirrnin popullin nga letargjia dhe nga politika e diferencimeve dhe e forconin bindjen se çlirimi i Kosovës kërkon sakrifica sublime, duke shtuar se ideologjia nuk mundet të kryejë punë aty ku kërkohet të flasë gryka e pushkës. Adem Jashari në Akademinë “Skënderbej” dhe nga rrethi shoqëror me të cilin jetonte në Shqipëri, sidomos, mësoi se okupatori serb po i ushtronte dy politika robërie ndaj shqiptarëve: me një anë po vriste ushtarë shqiptarë nëpër kazermat e tyre, në anën tjetër po vriste demonstrues në demonstrata në kontinutet. Lidhur me këtë, vrasja e Jusuf Gërvallës me shokë, vrasja e Enver Hadrit, vrasjet e të rinjve dhe të rejave në vijim në Kosovë, janë një alarm se kombi duhet të zgjohet. Dhe kur të ngritet “opinga dhe hosteni, të huajit nuk do t` i mbetet ma vendi.”

Adem Jashari afroi rreth veti një forcë të organizuar djalërie të cilët ishin të dëlirë, sepse prindërit e tyre kishin një shkollë, që lirisht mund të quhet se kishte për “kryeqytet” Prekazin. Së këndejmi, lufta e Tahir Mehës për Adem Jasharin dhe për ushtarët e tij, ishte pikë dhe përgatitje për një luftë të programuar dhe të komanduar, gjithnjë të drejtë në çdo aspekt. Së këndejmi, Adem Jashari ishte i udhëzuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare, që do ta komandojë, nuk guxon të jetë kundër civilëve që jetojnë me bindje se të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë. Adem Jashari nuk ka bërë luftë selektive. Çdo dhunues të lirisë, qoftë ai sllav apo shqiptar, duhet ta ndiejë peshën e luftës, prej të cilës kishte krijuar bindje se shteti dhe politika koloniale e atij shteti okupator do të dalin humbës të dyfishtë.

Adem Jashari kishte mësuar në Akademinë “Skënderbej” në Tiranë se ngritja në kryengritje don përkrahje gjithëkombëtare. E kur të sigurohet ky qëndrim në masë absolute, paralelisht me këtë, duhet jo vetëm përkrahja verbale, por edhe materiale e miqve që do të sigurohen me luftën tonë politike dhe shkencore, duke shpjeguar të drejtën shqiptare, si e drejtë edhe imediate, edhe e domosdoshme deri në pashmangshmëri.

Historia e UÇK-së gjatë viteve 1992-1999, gjithnjë e më shumë po merr përmasa të gjera në lëminë e hulumtimit të shkencave të historisë, të filozofisë, të politologjisë, të sociologjisë, të diplomacisë, të gjeostrategjisë, të etnopsikologjisë dhe të organizimit në përgjithësi. E tërë kjo për faktin se u themelua një ushtri që nuk kishte kazerma, nuk kishte banka, nuk kishte fabrika armatimi, nuk kishte shtete të fuqishme që e përkrahnin në fillim. Historikisht pra, UÇK-ja e ka ndarë mendimin për luftën, sepse kjo ushtri u krijua posaçërisht për të bërë luftë speciale. E lufta e saj e drejtë do të quhet substancialisht NEOLUFTË, për dallim nga PALEOLUFTA.

Në PALEOLUFTË çdo gjë zhvillohet me qëllim. Ai qëllim ishte që vrasjet në mes palëve ndërluftuese të jenë sa më të mëdha, por që fundi të sjellë jo vetëm fitore ushtarake, por edhe politike, duke krijuar njëfarë MITI religjioz, duke i thurë kryeheroit “veprime” imagjinare.
Në NEOLUFTË qëllimi është (i palës që bën luftë të drejtë) që vrasjet të jenë sa më të pakta në numër, në mënyrë që fundi i saj të merret me çështje të viktimave, me çështje të humanizmit të kundërthënieve. E vërteta, për herë të parë (ata që bëjnë luftë të drejtë) në histori, fitimtarët nuk janë më uzurpues të industrisë së kotë, siç janë reklamat për ndonjë luftë të re. Por çdo popull i robëruar me NEOLUFTË, vihet në shans dhe në shembull që drejtësia demokratike e jo totalitarizmi, qoftë i majtë, apo i djathtë-pra të dy ekstremet t’i fryjnë xhepat e tregtarëve të armëve. Neolufta është pra një filozofi që mund t`i FAKTUROHET Adem JASHARIT si parathënie e zbritjes së njeriut nga “ajri në tokë”, për t` u këndellë truri i çdokujt se EDHE TJETRI që nuk është si Ti, ka të drejtë në jetë, ka të drejtë në çlirim ekonomik.

Me fjalë tjera, Ushtria Çlirimtare e Adem JASHARIT i ka humanizuar vlerat e luftës, sepse nuk vret e nuk dhunon civilë, gra, fëmijë, pleq, plaka, njerëz pa armë në dorë. Me fjalë tjera, Adem JASHARI nuk i kishte rrokë armët me shokë shumë, për ndonjë aventurë. Aventurën ia fakturon okupatorit-BEOGRADIT, që nuk po dallonte mjete duke vrarë e dhunuar civilë (duke synuar spastrim total që shënoi në kulmin e luftës edhe GJENOCID), sepse nga Kosova u detyruan të shpërngulen 985655 civilë, duke u shpërndarë në të katër anët e botës. Pra gjenocidi nuk mund t’u përshkruhet rreth 14.000 të vrarëve, por as 1. 500.000 të zhvendosurve civilë (shqiptarë) nga shtëpitë e tyre. E vërtet Adem Jashari dhe familja e tij famëlartë kishin pësuar më shumë, sepse ishin vrarë e masakruar. Edhe më saktë, okupatori për të humbur gjurmë, kishte filluar të bartë kufoma nëpër Serbi, për t` i varrosur aty dhe andej kah nuk do të dihej më kurrë.

Lufta e Adem Jasharit në anën tjetër kishte adresë, kishte mision e jo fikson që të vrasë këdo që i del përpara. Mu për këtë okupatori dhe agjenturat e tij, në bazë të dokumenteve, u PËRKUJDES që t’i vrasë disa figura të njohura shqiptare, krejt me qellim që të mbeten ENIGMA, pale mos do të fillohet lufta qytetare ndër shqiptarë, e cila është më e egër se lufta klasike-paleolufta.

Lufta e UÇK-së dhe e Adem JASHARIT e ka edhe një çështje dalluese nga ajo që bëri okupatori. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe e Adem Jasharit nuk rrënoi ura, nuk dogji shtëpi, as arkiva e biblioteka, nuk rrënoi objekte të kultit, nuk lëshoi qoftë edhe një plumb mbi objektet që e përfaqësojnë okupatorin, sepse shqiptarët dhe serbët janë fqinjë. Pra shqiptarët si autoktonë mendojnë të jetojnë në trojet e veta, pra nuk rrënojnë asgjë, por okupatori që e ka të qartë misionin dhe fiksonin provon që mos të mbetet asgjë pa u dëmtuar duke proklamuar edhe stilin e luftës për “ TOKËN E DJEGUR DHE PA SHQIPTARË”.

E kush e ktheu jetën në “tokën e djegur dhe pa shqiptarë”?! Vetëm lufta e drejtë e UÇK-së dhe kur t` i shtohet kësaj edhe fuqia ushtarake e NATO-s që u rreshtua në anën e Adem Jasharit dhe ushtrisë së tij, atëherë fitorja e saj është e dëlirë si hëna e plotë, si dielli që shndritë gjithësinë.

Në fund shumë është folur për karakterin e atyre që e lëshuan Kosovën (nga Presidenti me familje e deri te qytetari i rëndomtë) dhe atyre që sakrifikuan dhe mbetën, qoftë në varre. qoftë duke i ndërruar vendstrehimet, por kurrë Kosova me UÇK-në në ballë duke vlerësuar se kemi të bëjmë me një dallim cilësor të veprimit. E veprimi i Adem Jasharit dhe familjes së tij që u bë shembull i luftës, nuk mund të përshkruhet tani për tani vetëm me fjalë, sepse pavarësia e Republikës së Kosovës vlen më tepër si në kohë ashtu edhe në kuptimin tredimensional: lartësi morale, gjerësi jetësore dhe largësi kohore, sepse koha nuk vdes kurrë, mësa Adem Jashari me familje, as për ne e as për civilizimin, sepse mbetet katakomb edukimi për njeriun aktiv dhe liridashës-lirindërtues.

Lufta e Adem Jasharit me familje ishte një neoreferendum, që njeriu t’i besoj[ vetes dhe armës së tij mbrojtëse, t`i besojë fuqisë së tij civilizuese, që janë në dobi të kohës, e cila nuk vdes kurrë.
Pra Adem Demaçi, Adem Jashari dhe UÇK-ja janë një projekt civilizues tredimensional, që rrezaton si dielli. T`ia japim BESËN shqiptare këtij projekti se do ta kujtojmë këtë vepër e nuk do ta lëshojmë nga zemra dhe mendja kurrë, deri sa të ketë jetë mbi tokë.

Respekt dhe përkulje para dëshmorëve të kombit dhe veprës sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Neoluftës!”

Prof Dr. Sadri Rexhepi u paraqit me kumtesën “d Adem jashari ishte dhe mbeti njëri nga heronjtë më eminentë në dardani (Kosovë)”, ku veç tjersh tha: Adem Jashari ishte dhe mbeti njëri nga heronjtë më eminentë në luftën e fundit shqiptaro-serbe në vendlindje dhe atdhe dhe ndër emrat më të shquar të zhvillimeve historike me karakter kombëtar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në ish-Jugosllavinë avnojiste dhe titisto-rankoviqiste, në fund të shekullit të kaluar. Derisa shqiptarët njësoj si nën SKS, (mbretërinë serbo-kroate-sllovene), ashtu edhe nën Jugosllavinë komuniste të Pasluftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1966 dhe pas vitit 1981 deri në qershor të vitit 1999 përjetuan lloj-lloj masakrash në forma të ndryshme gjenocidale.

Ahmet Deliu, Azem Bejta, Shaban Palluzha, Tahir Meha me familje, po edhe Shaban Jashari si mësues që ishte, ishin udhërrëfyes të Adem Jasharit. Kah fundi i dekadës së nëntë dhe fillimi i dekadës së dhjetë të shekullit të kaluar, ishin vite shumë të rënda, në kohën më kritike të vlimeve më të vrullshme politike në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, si fillim vitet e 90-ta, kur edhe populli shqiptar po unifikohej në një për liri dhe çlirim kombëtar, në mesin e atyre që shkuan në Shqipëri për ushtrime ushtarake, me qëllim që më pastaj të inkuadrohen në grupet guerile të Kosovës, ishte ndër të parët edhe Adem Jashari. Në atë kohë ndodhën shumë zhvillime të ndryshme historiko-politike në territoret e banuara me shqiptarë në Jugosllavinë komuniste të Pasluftës së Dytë Botërore në sytë e diplomacisë evropiane.(…)

Ky fenomen madhor kombëtar, ende i patrajtuar në mënyrë meritore, erdhi si nevojë e plotfuqishme dhe u bë argument i patejkalueshëm i cili falë ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe angazhimit të popullit shqiptar në Kosovë, e detyroi Serbinë të largohet nga Kosova pas luftës shqiptaro-serbe 1998-1999, ku printe heroi legjendar Adem Jashari.

Figura më vezulluese e gjithë këtij akti hyjnor dhe suksesi të mahnitshëm mbarëkombëtar, pa dyshim ishte dhe mbeti Adem Jashari, i cili vinte nga një familje e ngritur kombëtarisht, e arsimuar dhe me tradita patriotike, që nderoi atdheun dhe kombin nëpër kohë me bijtë e saj të lavdishëm.

Tradita e atdhetarisë së pinjollëve të kësaj familje, jo vetëm se vijoi pandalshëm dhe me besnikëri të pafund, por shkëlqeu edhe më fuqishëm në të katër cepat e Arbërisë, kur në momentet më të shënuara historike të zhvillimeve politike në Kosovë, Adem Jashari ishte personaliteti më i shquar luftarak i kohës në vendin tonë. Në koordinim me Zahir Pajazitin dhe Sali Çekun, i mori vullnetarisht mbi vete dhe përgatiti personalisht të gjitha përgatitjet luftarake të nevojshme, për secilën fazë të ndryshimeve, që ishin planifikuar të ndodhnin veprimet luftarake në Kosovë, kontributi dhe bëmat e të cilit, sot e përgjithmonë, na bëjnë që para emrit dhe veprës së Ademit Jasharit si luftëtar, të përkulemi me respektin dhe pietetin më të lartë të mundshëm njerëzor e kombëtar.

Por, le t’i kthehemi edhe një herë kronikës së jetës dhe veprës së heroit Adem Jashari. Ademi u lind më 1955, në Prekaz dhe ishte djali i vogël i Shaban Jasharit, një burrë atdhetar dhe baba e prind i denjë i luftëtarit të shquar të kësaj familje të mirënjohur, nga ky fshat me tradita kombëtare.

Shkollimin fillor ai e mbaroi në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në Mitrovicë. I rritur në oda burrash, ku në vijimësi takoheshin personalitete të shquara dhe emrat më të njohur të kohës, si Tahir Meha me shokë, nga të cilët gjithmonë flitej e debatohej deri në orët e para të mëngjesit për tema të mëdha kombëtare, për fatet e atdheut dhe për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Edhe për Shaban Jasharin, nga aty, liria e shqiptarëve dhe pavarësia u shndërruan në ideal të jetës së tij personale.

Ndjenjat patriotike e shtynë Ademin që qysh i ri t’u bashkohej grupeve guerile luftarake, i cili fitoi me vepër, me besimin dhe në mesin e dhjetëra të rinjve tjerë, që në vitet e 90-ta u emërua komandant i përhershëm i UÇK-së, të cilën pozitë ai, do ta respektonte gjatë gjithë jetës së tij, apo më mirë të themi, deri në vdekjen e tij heroike, më datën 5 mars të vitit 1998.

Falë zgjuarsisë së veçantë, përkushtimit kombëtar dhe interesimit të flakët për atdhe dhe çështjen shqiptare, edhe pse i ri në moshë, nga ajo kohë, me pëlqimin e babë Shabanit, Adem Jashari u bë edhe ushtar i tij, i cili me pushkë në dorë si luftëtar i denjë i çetës, mori pjesë në të gjitha betejat dhe përpjekjet patriotike, në ballë të të cilave qëndronte Adem Jashari në trevën heroike të Drenicës martire, të përgjakur disa herë radhazi. Veprimtaria kombëtare e Adem Jasharit ra shpejt në sy të pushtuesit dhe të mercenarëve shqipfolës, ndaj duke qenë i përcjellur dhe i përndjekur politikisht nga okupatori serb, si shumë shqiptarë tjerë atdhetarë nga Kosova, edhe ai u detyrua të bëjë rezistencë nëpër fshatra të ndryshme të Drenicës heroike. Kështu që sapo kishte arritur të 35-at e jetës, në kulmin e dimrit të vitit 1991, ishte rrethuar shtëpia e tij nga forcat paramilitare serbo-çetnike, por pas një rezistence shpëtoi mirë, bashkë me familjen e tij të dashur dhe u detyrua të bëjë përgatitje më të mira në rast të ndonjë sulmi tjetër.

Për fat të keq, me gjithë aftësitë e tij luftarake të veçanta që kishte, përndjekja nga pushtuesi, lufta dhe gjendja nën okupimin serb, ia pamundësuan Ademit, që t’i çonte deri në fund zhvillimet luftarake dhe dëshirën që të arrinte piedestalet e larta çlirimtare, siç kishte ëndërruar gjatë ushtrimeve ushtarake, sa ushtronte në Shqipëri.

Vetëm falë vullnetit të tij të çeliktë dhe prirjes për arsimim me çdo kusht, bëri që përveç njohurive ushtarake që kishte fituar gjatë shërbimit ushtarak në Armatën Jugosllave, ai afër vetes të afrojë edhe shumë persona për t’i ndihmuar në rrugën e lirisë.

Shkathtësitë dhe trimëri, si dhe njohja me shokët, me të cilët që kish qenë në ushtrime, bënë që Adem Jashari, jo vetëm të mbetej legjendë, por përmes vetëflijimit të vet të vullnetshëmj, me porosinë e tij të shkruheshin dhe niseshin drejt shumë ambasadave botërore qindra telegrame, për t`ua bërë të ditur edhe Fuqive të Mëdha dhe vendeve të huaja qëllimet e kryengritjeve shqiptare, njohjen me shkaqet e luftës dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, kudo që mundej dhe arrihej, edhe përmes kanaleve diplomatike nga Evropa deri në Amerikë.

Ishte koha kur Kosova ende kishte trima të tillë, të cilët as në moshë të shtyrë si Bacë Shabani nuk e lëshonin pushkën nga dora dhe gjithnjë ishin të gatshëm të vdisnin për atdhe, ndaj në mënyrë që këmba e ushtrisë pushtuese serbe, të mos arrinte të mbante të pushtuar për jetë atdheun tonë të dashur, i dolën përpara dhe i zunë pritën në caqe të ndryshme, të cilave iu bashkuan edhe dajallarët, po edhe disa fshatarë të asaj ane, duke u shkaktuar ndonjë humbje trupave pushtuese serbo-malazeze dhe duke i përzënë me turp jashtë kufijve të Kosovës hordhitë agresore jugosllave. Megjithatë në mars të vitit 1998 ai bashkë me familje barrikadohet në shtëpinë e tij dhe nuk e ndërpren rezistencën derisa vritet bashkë me anëtarë të familjes, e ku vriten edhe disa mysafirë dhe disa të afërm të tij.

Së këndejmi, Adem Jashari është frymë, është kontribut, është simbol, është vlerë e rëndësishme e historisë së re moderne dhe e shqiptarësisë jo vetëm të Kosovës, por të mbarë kombit shqiptar.”

Me poezi dhe pika artistike u paraqitën edhe poetet Minire Rukovci e Naxhije Doçi dhe aktorët Dibran Fylli e Xhevat Limani.

Gjithnjë në frymën përkujtimore të 5 marsit 1998, kur në Prekaz u flijuan 56 anëtarë të Familjes Jashari, edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës mbajti akademinë letrare-artistike “ORA E LIRISË”, ku me poezi u paraqitën rreth 40 poetë nga e tërë gjeografia shqiptare. Juria profesionale, në përbërje: Dr. Emin Kabashi, Dr. Flora Brovina dhe Dr. Shyqri Galica, unanimisht për poezinë më të mirë ia dha çmimi letrar “ADEM DEMAÇI” poetes Trëndafile Molla.