Dy ministra nga Kosova

0
585

Arben Çokaj

Kosova e fitoi lirinë dhe pavarësinë me një dashuri të madhe për Shqipërinë e bashkimin kombëtar. Por duket se ky entuziazëm i kohës së okupimit serb, kur Shqipëria ishte ideal për Kosovën e shqiptarët jashtë Shqipërisë, tashmë ka perënduar… Kosova u bë një shtet i pavarur, dhe zhvillimet politike e shoqërore në Shqipëri e Kosovë krijuan dy realitete të reja për popullin shqiptar, në të dy shtetet përkatëse. Bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve u rrit, por bashkë me afrimin, erdhi edhe ripozicionimi. Iku në një farë mënyre periudha e romantizmit, dhe filloi prakticiteti…

Ndërsa për popullin e Kosovës në përgjithësi, dashuria për Shqipërinë ende ekziston, për elitat drejtuese të Kosovës, politikanët e disa drejtues mediash, etj. kjo dashuri është më shumë përfituese e pragmatiste… Kryeministri shqiptar, Edi Rama bëri sot një riformatim të kabinetit të qeverisë, ku ndër tjera, dy nga ministritë kryesore të vendit, atë të jashtme dhe të arsimit, ua la në dorë dy shqiptarëve me origjinë nga Kosova, Gent Cakaj e Besa Shahini. A i meritojnë postet ata? Rama beson ashtu. Unë e përshëndes këtë zgjedhje të Ramës. Kjo ka edhe një kuptim të pamohueshëm patriotik, që duhet të përkrahet nga të dyja qeveritë shqiptare. As e vë në dyshim, se dy ministrat nga Kosova, janë të aftë, se ndryshe Rama nuk do i kishte zgjedhur për drejtimin e ministrive përkatëse.

Por ajo që duhet parë me interes, është edhe fakti se nuk ka asnjë reagim negativ apo diskriminues në shoqërinë shqiptare, nga ky emërim. Dhe uroj të vazhdojë kështu, që ministrat e zgjedhur të vlerësohen sipas punës, e jo sipas gunës. Pra, të mos paragjykohen si të ardhur nga Kosova dhe uroj e shpresoj, që të dy të përzgjedhurit të qëndrojnë në lartësinë e duhur të postit të tyre, që të mos na zhgënjejnë. Pasi ata tashmë nuk përfaqësojnë vetëm veten aty, është një vlerësim i madh personal për ta, por duhet ta konsiderojnë këtë privilegj ashtu si e meriton, si një rrugë që duhet shtruar për këmbim të njerëzve elitarë në mes Kosovës e Shqipërisë, për interesat drejtuese të vendit!

Uroj që këtë tendencë pozitive dhe afruese të qeverisë Rama, të fillojë ta aplikojë edhe qeveria Haradinaj në Kosovë, e kështu të vazhdohet edhe në të ardhmen. Pasi kjo është një nga mënyrat më të mira, të afrimit mes nesh, mes shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, në nivelin më të lartë të drejtimit të shteteve tona. Kështu gradualisht mund të vijmë edhe drejt bashkimit kombëtar.

Por në këtë kontekst, nuk duhet lënë mënjanë një fenomen jo fort i këndshëm, që ka ndodhur në Kosovë, me reagimet negative, që kanë qenë diskriminuese edhe për shkak të origjinës nga Shqipëria, të politikanes dhe gazetares së njohur Alma Lama, e cila u shkarkua nga puna, pa asnjë motiv kohëve të fundit, si ambasadore e Kosovës në Itali. Alma Lama është një njeri me kulturë e dinjitet të lartë, një personalitet politik i dobishëm për Kosovën e më gjerë. Ajo e bëri mjaft mirë punën e saj dhe dha një kontribut të vlefshëm, kudo ku u zgjodh. Atëherë përse e shkarkuan?

Përse në Kosovë, presidenti Thaçi nuk e përmbajti veten, paksa, në marrjen e një vendimi të tillë? Përkundrazi. Alma u shkarkua nga disrespekti apo diskriminimi, që presidenti Thaçi dhe më gjerë, treguan dhe tregojnë për shqiptarët nga Shqipëria. Nëse do sugjerohej Alma për ministre e jashtme e Kosovës, ta zëmë, si do të dukej histeria kolektive në politikën, mediat dhe shoqërinë e Kosovës? E pra, jam i bindur, se po u hodh në referendum, populli i Kosovës, më parë do të zgjedhte për ministër të jashtëm në Kosovë, Alma Lamën se Behgjet Pacollin…

Por kjo që ndodhi me Almën, qëkur u emërua si ambasadore e Kosovës në Itali, nuk është vullneti i popullit të Kosovës, që e vlerëson në fakt punën e saj, por është vullneti i disa kalkulimeve banale, që bëhen në kurriz të Kosovës nga drejtuesit politikë të saj. Të cilët duhet të ndihen të presuar vazhdimisht nga vullneti i popullit, që e përfaqësojnë! Se ka shumë rëndësi, që për postet e caktuara, të zgjidhen njerëzit e duhur, përndryshe nuk respektohen sa duhet institucionet përfaqësuese e politike të vendit.

Personalisht e vlerësoj punën e qeverisë Haradinaj në Kosovë dhe rolin patriotik si burrë shteti i vendosur, të kryeministrit Haradinaj. Edhe pse Shqipëria e Kosova kanë halle të mëdha, dhe punët e qeverive tona nuk vlerësohen se janë në nivelin e duhur. Ka shumë kritika dhe me të drejtë. Por vullneti është mirë të jetë, që krahas punës së mirë, të gjenden edhe njerëzit e duhur, për drejtimin e punëve, të ketë edhe një fuzion të natyrshëm të figurave e drejtuesve, deri në rangjet më të larta të drejtimit të shtetit, në të dy qeveritë tona, mes Shqipërisë e Kosovës, të cilat mund të vlerësohen të dobishme për shoqërinë! Qeveria shqiptare ia mbylli gojën patriotëve të Kosovës.

Reagimet e disa mediave në Kosovë, kur Alma Lama u emërua ambasadore, por sidomos edhe tani që ajo u shkarkua nga posti i saj, pa ndonjë arsye profesionale, duke u penguar të kryente mandatin e saj 4 vjeçar si ambasadore, kanë krijuar një përshtypje mjaft negative, jo vetëm te Alma, por edhe tek ne të tjerët, që i ndjekim me interes zhvillimet politike në Kosovë, dhe nuk gjejmë argument të arsyeshëm për ketë veprim të presidentit Thaçi, por as të disa mediave grindavece në Kosovë. Përpos asaj se disa drejtues politikë e mediatikë në Kosovë, janë patriota të shtirur, të ndikuar vazhdimisht nga qarqet serbe, dhe kanë një ndjenjë falsiteti në marrëdhënie me Shqipërinë dhe shqiptarët nga Shqipëria. Po del e qartë me këto akte, se Shqipëria e do realisht Kosovën, më shumë se Kosova Shqipërinë… Faktet po flasin vetë, pasi përfaqësuesit e popullit, po veprojnë kështu!