Dy ish presidentë me “karton të kuq”

0
159
Berisha - Meta

Mentor Kikia

Nuk ka asnjë dyshim që Ilir Meta do të shkarkohet nga detyra e Presidentit të Republikës. Gjykata Kushtetuese nuk ka gjasa t’i bëhet krah presidentit, duke patur parasysh rrethanat politike dhe diplomatike, në të cilat gjykatësit do të marrin në shqyrtim vendimin e parlamentit.

Ky do të jetë precedenti i parë në historinë e shtetit shqiptar. Por historia është tjetër gjë dhe në këtë rast, ajo që na intereson është aktualiteti dhe e ardhmja.

Së shpejti ne do të kemi një ish president të shpallur non grata në SHBA dhe një ish president të shkarkuar për shkelje të kushtetutës, mes të cilave edhe per përplasjen diplomatike me SHBA. Pavarësisht nëse janë të ligjshme apo jo këto arsye, ky do të jetë, pa dyshim, fundi politik i dy bashkëpunëtorëve të vjetër. Me një vendim shkarkimi në dosje, Ilir Meta nuk do të mund të rikthehet si aktor me partinë e tij.

Por, a do të jetë ky fillimi i fundit të “gardës” së vjetër në politikën shqiptare?
A do ta vazhdojë ky “aksion” politiko-diplomatik për të larguar nga skena të tjerë politikanë, që konsiderohen problematikë dhe që vota ka treguar se nuk i largon dot?

Kjo është ajo që shqiptarët, në fakt, duan të shikojnë të ndodhë. Dhe duhet pritur për të parë hapat e radhës. Ajo që dihet tashmë është se dy prej aktorëve më të rëndësishëm të politikës së këtyre tri dekadave morën nga një karton të kuq.