Dy intelektualë disidentë brilantë shqiptaro-amerikanë: Prof. Arshi Pipa dhe Mons. dr. Zef Oroshi

0
1173
Zef Oroshi - Arshi Pipa

Klajd Kapinova

Prof. Arshi Pipa (1920-1997) dhe Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989), janë dy intelektualë gegë eruditë cilësorë të kalibrit europian dhe amerikan; njëri nga qyteti antik Shkodra, ndërsa tjetri gegë stoik dhe largpamës nga Mirdita zëmadhe e Oroshit, të Kapidanve Shtatë Shekullor të Mirditës (emër i cili, permendet në histori qysh nga viti 1416), të pamposhtur nga Perandoria Xhihadiste (Caliphate 1517-1924) Islame Otomane (1299-1923) dhe Dulla komunist (1941-1990) ish kolonë ardhacak osman i vendosur nga pushtuesit shumë shekullor në Gjirokastër…

Pipa-Oroshi, ishin miq të ngushtë të idealeve antikomuniste, patriotë konservativë për gjuhën dhe kulturën gegë, lëvrues të palodhur të gjuhës së ëmbël shqipe gegë, që flet ¾ e popullsisë shqiptare në trojet etnike iliro – dardane.

Për më tepër dr. Oroshi ishte nxënës dhe adhures i madh i patriotit dhe burrit të madh të shtetit shqiptar dom Ndre Mjedës (1866-1937) dhe mbeti krenar si sekretari i fundit i Abacisë së famshme Mirditës (1316-1967), Abat Preng Doçi (1846–1917), tuj ken sekretar i Abacise në kohen e imzot Gasper Gjinit Abatit te fundit te Mirditës…

Mbas vdekjes së Imzot Pal Doçit, Papa Benedikti XV emnoi Imzot Zef Gjonalin nga Kashnjeti, Abat të Mirditës, në vitin 1921 e emnoi ipeshkëv dhe qe shugurue në Romë. Mbas tij e mori sundimin, tue qenë zgjedhë ipeshkëv i Mirditës, Imzot Frano Gjini, e pushkatuen në Shkodër me 14 mars 1948. Nga gushti i vitit 1951 Vikar i Përgjithshëm emnohet Imzot Lec Sahatçija me ndeje në Gëziq.” (“Abacia e Mirdites”, Gjush Sheldija (1902-1976). Shënime historike rreth Abacisë së Mirditës).

Oroshi dhe Pipa, u arratisën nga rregjimi hienave dhe dëshmuan në Europën Perëndimore dhe SHBA me shkrime dhe fakte Gjenocidin komunist në vendin e mjerë të shqiponjave.

Ata dokturaturat e tyre nuk i mbrojtën në kohën e komunizmit në Shqipëri, duke sharë apo mallkuar intelektualët laikë dhe klerin katolik pararendës diturakë, që kishin kryer studimet në universitetet e famshme të Europës, sikurse bënë shumë ish profesorë dhe doktorë të kohës së diktatorit Hoxha, por në auditorët e universiteteve më të famshmete Europës…

Pipa e Oroshi, nuk lejonin që në takimet e intelektualëve dhe nacionalistëve antikomunistë në SHBA të valvitet flamuri i diktaturës komuniste të Dullës me yllin komunist.
Të dy ishin miq dhe shokë të ngushtë të gegut brilant prof. Ernest Koliqit – Ministrit të Kulturës, ose babait të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë.

Në Kosovë, sikurse edhe në Shqipëri asnjë shkollë, institucion kulturor apo shkencor nuk ka emnin e Koliqit (ka më duket kolegj me emrin e tij, nëse jo më shumë /AÇ), por shumë qendra kanë emrin e ekstremistit fetar islam Erdoganit dhe të shumë sulltanëve otomanë (emrat i vendosin ata që i hapin shkollat, jo shteti, kështu që duhet katolikë me hapë shkollë me emrin Koliqi, se muslimanët e të majtit nuk e bëjnë… /AÇ), që e kanë shtypë këtë popull fatkeq për shumë shekuj me radhë, duke vazhduar t’i shpërlajë trurin me injorancës dhe mungesën e identitetit arbëror edhe në kohën modern të ditëve tona…

Mons. dr. Oroshi, falë vizionit pastër dhe larpamësisë së tij themeloi dhe drejtoi këtu në SHBA revistën “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), që vijon të botohet edhe sot në New York në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.

Prof. Pipa konsultohej me dr. Oroshin për shumë tema dhe shkrime në gjuhën gegë, për kulturën e pasur gegë, historinë e lavdishme, figurat e mëdha kombëtare, të para dhe mbas Rilindjes Kombtare, etj.

Poligloti Pipa, botoi shumë artikuj në revistën Jeta Katholike Shqiptare dhe ishte një nder bashkpuntorët më të ngushtë të kishës katolike shqiptare Zoja e Kshillit t’Mir (sot Zoja e Shkodrës, në Hartsdale New York).

Mons dr. Oroshi, kur u arratis nga ferri burg i Shqipërisë komuniste, dhe qendroi për 8 muaj në malet e Mirditës, ku, u caktua nga nacionalistët antikomunistë të maleve të Mirditës si komandanti shpirtnor dhe moral i të gjithë grupeve të rezistencës me armë në dorë. Gjatë ditëve të rezistencës, edhe pse ishte në një pozicion të sigurt, ai u qëllua nga një plumb, që e goditi në gushë…

Nacionalisti i përbetuar antikomunist Oroshi, sikurse kujtojnë bashkëkohësit e tij, u shpëtoi jetën në male dy nacionalistëve mirditorë, të cilët e kanë kujtuar dhe dëshmuar me respekt dhe mirënjohje këtë akt heroik, gjatë takimeve mes miqve të tyne në New York.

Edhe profesor Pipa u arratis nga Shqipëria, menjëherë mbas viteve të vështira të burgut dhe ferrit të Dullës.

Grupi i intelektualëve të shquar dhe të paharruar gegë, si: Porf. Karl Gurakuqi, prof. Ernest Koliqi, prof. Arshi Pipa, mons dr. Zef Oroshi prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjecaj O.F.M., dhe disa të tjerë, që asokohe jetonin në emigracion në Itali dhe SHBA, ishin dhe mbetën bërthama e ajkës së intelektualeve më të shquar të kulturës dhe letrave shqipe, që për fat të keq po lihen me qëllim në heshtje, në vendlindje edhe në ditët tona.

Dr. Oroshi, të gjithë librat, qe shkroi dhe botoi i la si pasuri kombëtare në gjuhën gegë, ashtu sikurse edhe prof. Pipa të gjithë librat, dorëshkrimet dhe botimet e tjera publicistike i bëri në gjuhën e bukur gegë.

Pipa, Oroshi, etj., që kanë jetuar dhe punuar në SHBA në rininë e tij kanë studiuar në shkollat katolike në Shkodër, duke marrë kështu një kulturë solide pro perëndimore.

E përbashkëta tjetër e këtyre dy intelektualëve të shquar gegë, është se të dy si Pipa dhe Oroshi, ishin denuar me vdekje nga rregjimi komunist ateist, fanatik i Dullës. Ky fakt është zbuluar nga një listë, që ndodhet në Arkivin të Shtetit në Tiranë, një kopje e së cilës ka qarkulluar kohët e fundit edhe në New York.

Për mons. dr. Zef Oroshin, në SHBA janë shkrur dhe botuar me sukses tre libra dinjitozë, voluminozë dhe seriozë dhe asnjë libër deri tani nuk është botuar në Shqipëri apo studiuesit mirditorë.

Për më shumë dy prej librave jëtëshkrimorë kushtuar mons. dr. Zef Oroshit, janë shkruar në New York nga studiuesi shqiptaro-amerikan, publicisti Tomë Mrijaj, që njëherazi shoku më i afërt i bariut tonë shpirtot apo prelatit të shquar të kishës katolike shqiptare Zoja e Këshillit të Mirë.

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

Prof. Arshi Pipa, ishte një ndër profesorët më të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe qarqet e përzgjedhura intelektuale universitare amerikane. Ai ishte njëherazi kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra (1912) dhe editor i gazetës Dielli (1909).

Prof. Arshi Pipa lindi në Shkodër, në një familje intelektuale të qytetit antik.
Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938.

Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve.
Pipa, diplomohet për filozofi, në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Ai dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku, ligjëroi letërsinë italiane.

Më 1936 me poezinë Në lamën e luftës fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja katolike Cirka. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën Morali dhe feja tek Bergson.

U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në licetë shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit.

Në vitin 1944 drejtoi revistën Kritika, botuar nga Myzaferi.
Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit Bota e Re, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.

Ai mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi.
Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Pasi u arrestua miku i tij Hysen Ballhysa më 4 dhjetor 1946, Pipën e arrestojnë më 27 prill 1947 dhe pas tyre u arrestuan edhe Preng Kaçinari me poliglotin Pashk Gjeçin.

Pipa u akuzua se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist” dhe se vijonte punën me studentët e vet, duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie.

Pipa u burgos dhe vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Artizanati i Tiranës, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi Libri i Burgut.

Familjen e shpërngulën disa herë, derisa në nëntor 1949, bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë deri në vitin 1958.

Nga burgu në Atdhe, doktor filozofie në SHBA

Disidenti Pipa emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1959. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel në New York.

Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në Kolegjin e Arteve të Lira (verë 1961 dhe 1962).

Prof. Pipa, ka qene pedagog i gjuhës italiane në Universitetin Kolumbia, në vitet 1961-1962, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira…

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-1966 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-1964 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley.

Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake.

Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).
Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement” (Lëvizja për fjalën e lirë), dhe arrin të bëhet kritik i paanshem i poltikës.

Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-1969), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968).

Prof. Pipa arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane.

Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë – diplomat për master dhe disertacionet e PhD, u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij.

Ai ka dhënë mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve frënge dhe italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij.

Me daljen në pension, u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motrës, ku, edhe mbyll sytë…

Editori prof. Pipa
Prof. Pipa, shquhet për veprimtari botuese në larmin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore.

Në vitin 1944, kur Shqipërija vuante nën pushtimin e huaj, në një moshë të re nxori revistën Kritika Letrare, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë ate gjithnjë më vonë, kur do të shkruajë veprat madhore në këtë fushë.

Në faqet e revistës ravijëzoheshin kulmet e letërsisë e të kulturës shqiptare si Noli, Konica, Migjeni.

Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetur edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkruar për Konicën e dëshmon atë si një kritik të kategorisë së parë.

Në vitet 1945-1946, qe anëtar i redaksisë së revistës Bota e Re. Më 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik Telos (Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botoj në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike.

Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i rëndësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike.

Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në atë të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si: A. Pipa, M. Camaj, Peter Prifti, Anton Logoreci, Adrian Klosi, A. Vehbiu, Feime Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Ëilfried Fridler.

Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë.

Së bashku me shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur malësor prof. Martin Camaj ishin disidentë, që punuan në mërgim dhe që dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë dhe publicistikës.

Pothuajse çdo vit ka heshtje rutinë ndaj figurës së madhe të intelektualit të shquar prof. Arshi Pipa.

Kjo për faktin e keq, se institucionet kulturore, letrare dhe kulturore në Shkodër (Bashkia e qytetit), Tiranë (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), etj., vazhdojnë të sundohen nga ish përfaqsues të rregjimit komunist, të cilët kanë pushtet kudo, duke vazhduar ta urrejnë kritikun e pafalshëm të tyre prof. Pipën, për inerci të diktatorit dhe diktaturës së largkjoftit të Dullës së Gjirokastrës. (S’e kanë hallin te komunizmi që i organizoi e te Dulla, o Klajd, hallin e kanë se kështu kanë qenë gjithmonë, shikojnë vetëm bythën e vet! Refero Fishtën për kohën e Zogut, para Dullës, si ishin shqiptarët? Si pleshta, që nuk bëhen bashkë… E si janë sot? Si në kohën e Fishtës e Zogut… Dulla i mblodhi dhe atë e urrejnë, se ishte shqiptar e jo i huaj, të cilin shqiptarët e respektojnë më shumë, se e kanë ende autoritet të huajin, jo shqiptarin… /AÇ)

Heshtje varri. Asnjë fjalë nga institucionet e Tiranës, por as ato lokale, në Shkodër, të vetëquajtur nga e kaluara si “djepi i kulturës”.

Ai do të botojë poezi dhe kritika. Në vitin 1944, edhe pse në moshë fare të re, ai bëhet botuesi i revistës letrare Kritika, një nga më të rëndësishmet e kohës së vet, në të cilën ai botoi traktate për kritikën letrare, përse duhet dhe a kemi.

Përveçse botoi kritika të autorëve të ndryshëm të kohës, ai vetë mori në shqyrtim veprat e Nolit, si dhe ushtroi kritikën e kritikës, duke u përballur me të tjerë kritikë, si në rastin e Mitrush Kutelit. Pena e tij prej kritiku ishte goditëse dhe nuk do të kalonte pa u vënë re.

Por ky udhëtim nuk do të zgjaste shumë. Me vendosjen e pushtetit popullor, Kritika, ashtu si edhe gjithë simotrat e saj, u mbyllën.

Në prill të vitit 1946, Pipa u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti për dhjetë vjet (1946-1956) në burgjet dhe kampet e punës në Durrës, Vloçisht, Korçë, Tiranë, Burrel etj. Atëherë lindi edhe libri me poezi Libri i Burgut.

Pasi del nga burgu, arratiset në vitin 1958 dhe vendoset përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse nuk e pati të lehtë, ia doli të bënte atë që dinte të bënte më mirë, të jepte mësim në universitetet më të dëgjuara të SHBA (Kolumbia, Kalifornia, Minesota etj.), si dhe të shkruante e të botonte poezi, estetikë, filozofi dhe kritikë letrare.

Ka shkruar “Lundërtarë”, “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana”, pak të njohura nga lexuesi shqiptar, si dhe “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

Disa vite më parë u botua vepra e tij filozofike “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun”, shkruar në gjuhën italiane në burgun e Burrelit, në vitin 1955. Ndërkaq ka ende shumë për t’u botuar dhe njohur për Arshi Pipën. (Revista Kens, Pipa – Epus, Numër Special, 2017)

Mllefi kundër Professor Emeritus Arshi Pipës në mediat e “djathta” në vendlindje
Miku im shkodran Bep Kuqani ish i burgosuri politik, njëkohsisht ish-bashkëvujtës me të ndjerin prof. Arshi Pipa, para se të ndërroi jetë këtu në New York, më dhuroi dorëshkrimin e tij mbi prof. Arshi Pipën.

Ai ndër të tjera, me një shqetësim të madh më shprehu indinjatën e tij ndaj gazetës gjoja të “djathtë” me emrin e cuditshëm 55, (të informatorit të Sigurimit, Fahri Balliu /AÇ) të datës 4 tetor 2002, që çirret se përfaqson nenin 55 të agjitacion e propagandës të ish Kushtetutës së Shqipërisë të kohës së komunizmit, që e mban vetën të “pavarur”, kundërkomuniste e rrjedhimisht e spektrit të djathtë, t’i lejojë vetës botimin e shkarravinave të tilla, plot mllefe dhe urretje kundër një disidenti të mirëfilltë kunërkomunisti dhe përsonaliteti të madh si prof. Arshi Pipa.

Kështu nën titullin: “Hetim i ri për vrasjen e Mehmet Shehut”, gazeta 55 synonte të njolloste padrejtësisht një ndër figurat më të mëdha e më të pastra të disidencës komuniste, që mund të quhet me të drejtë krenaria e kësaj desidence, jeta dhe vepra e të cilit e kanë nderuar dhe do t’a nderojnë gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët e kudondodhur, sepse e tillë ka qenë e do të mbetet figura e të mirënjohurit Profesor Emeritus Arshi Pipa.

Disidenti Pipa, Apostull i Demokracisë
Për disa dekada në SHBA, Boston dhe New York, në drejtim të gazetës Dielli, organ i Federatës Panshqiptare Vatra, kanë vepruar personalitete të shquara në lëmin e atdhetarisë dhe të gazetarisë shqiptare, sikurse shkruan editori Anton Çefa.

Kështu njeri pas tjetrit editorë të Diellit, sipas radhës kanë qenë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni P. Hristo, Andon S. Frashëri, Andrea D. Elia, Nelo Drizari, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço.

Më vonë, në vitet 1990-1994, gazeta ka kaluar në duar të ndryshme. Në vitin 1990: Din Derti; 1991: prof. Arshi Pipa (korrik, gusht-shtator); Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, me asistencën e Tahir Deskut (tetor-nëntor); prof. Arshi Pipa (dhjetor); 1992: prof. Arshi Pipa (janar, shkurt, mars, prill, maj-qershor); Agim Karagjozi, Gjon Buçaj (korrik-nëntor) ; 1993: Agim Karagjozi (janar-qershor, korrik-tetor, nëntor-dhjetor); 1994: Agim Karagjozi (janar-shtator); Anton Çefa (tetor-dhjetor 1994 deri në numrin e fundit korrik-dhjetor 2006) etj.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me Vatrën dhe Diellin. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i Diellit.

Shqetësimet e tij për gjendjen e Vatrës, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në Dielli, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në Diellin e 28 shkurtit, 1987.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i Vatrës, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh.

Ai e mori kryesinë e Vatrës me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së Vatrës, dhe kreu shumë punë me vlerë.

Prof. Pipa si arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar, i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste.

Mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989)
Tomë Mrijaj - Monsenjor Zef Oroshi

Oroshi, është ish qendra e Mirditës, që ka gdhendur faqe të ndritura në historinë e popullit shqiptar.

Ata që bënë historinë e Mirditës ndër shekuj, ishin kapedanët ose Dera e famshme shtatë shekullore e Gjon Marka Gjonit dhe abatët, veçanërisht imzot Preng Doçi, ku, pasardhësit e të cilit jetojnë ende në afërsi të Rubikut. Abati, u shkollua në Shkodër dhe Itali. Shërbeu si misionar për shumë vjet në Kanada dhe Kalkuta (Indi). Më pas ringriti Abacinë e Oroshit. Ishte njëri, ndër figurat kryesore, që bëri shumë për të zhvilluar Mirditën dhe vendosur rregull në jetën e malësorëve të asaj ane.

Abati i shquar, kishte shpesh tendenca të forta pavarësie nga otomanizmi islamik de-shqiptarizues.

Ai, ishte njeriu, që kishte ngritur një platformë të kjartë me bosht të theksuar politik, për krijimin e një Principate në Mirditë, duke u përpjekur, për t’a vënë atë në jetë.

Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur gjithmonë me dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar.

Kanuni i Lek Dukagjinit (i mbledhur dhe kodifikuar më vonë nga atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1874-1929), ishte një nevojë e domosdoshme, për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të Veriut, në të cilën, ka zënë vend në histori Mirdita, me qendrën e saj të hershme Oroshin.

Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në tokën e kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.

15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër.

Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.

Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur të Jezuitve në Shkodër.

I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe.

Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të të riut.

Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit.

Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e madhe të Zotit.

Fjala e Zotit, është fjala e popullit
Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit.
Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohsisht sekretar të tij të përkushtuar, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat sufragane).

“Edhe në jetën baritore, ai s’ka pushue kurrë pa përfitue nga përvoja, kur ka pasë shembuj të shkëlqyeshëm.”

Prej 1940-1942, p.sh. shërbeu si sekretar i Abatit të Mirditës n’Orosh, Imzot Frano Gjinit, të cilin e admironte për drejtimet e këshillat qi jepte, për elokuencën e tij bindëse e për pervujtininë e dinjitetin fetar e kombëtar qi e praronte.

Si në dhomën e pritjes dhe zyrën e Abatit, ashtu edhe në zyren e sekretarit të tij, Dom Zefi, kishte varë pikturat e patriotit në za, Abat Preng Doçit.

Nji ditë i vjen nji mik prej Shkodre Imzot Gjinit, dhe kur ve re se titullari i abacisë nuk kishte asnji pikturë, i kthehet Dom Zefit, tue e prozhmue: “Po si more Dom Zef, s’ia paskeni gjetë nji pikturë edhe Monsinjor Gjinit!?

Per te mos e ngushtue priftin e ri, Monsinjor Gjini, i pergjigjet me të shpejtë: “Kur të vdes un, në qoftëse e meritoj, do t’ma venë pikturën krah për krah me Abat Doçin; përndryshe do të mbajnë vetëm t’Atijën. Si dihet Monsinjor Gjini, u ba martir e dha shumë ma tepër se Abati i “surgjenum” për mase 20 vjet.

Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.

Kryqin, që kishte në qafë nuk e la në kishë, por e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës.

E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet më të vështira me qindra emigrantë, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha drejtimet, deri sa ai vetë kaloi në jetën e pasosun…

Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë.

Në ditën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe shkon në Beograd.

Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.

Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër.

Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Me të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.

Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano Gjinit.

Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali.

Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje.
Sikurse kujtojnë miqët e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar të Amerikës.

Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.

Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi.

Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste.

Studiuesi dr. Pjetër Pepa, saktëson: “Natyrisht, kleri katolik, që kishte qenë historikisht urë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Europës, që kishte kulturën perëndimore, kishte miq në Perëndim e bashkëpunonte me Perendimin, sa herë e lypte çështja kombëtare dhe fatet e atdheut, ishte gjithnjë kundër orientalizmit dhe e luftoi atë, me të menduarin, mënyrën e jetesës, administratën e veprimtarinë shoqërore e prapë, gjithsesi ishte në epiqendër.

Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik (1953-1954).

Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolikë.

Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës gegë veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh.

Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit.

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane.

Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpjegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik.

Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmbëngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.

Kujtimet e hidhura
Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkëatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku, proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte, ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…

Kështu, krimineli me nofkën sadisti i pamëshirshëm, i quajturi famkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës dom Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun e Shkodrës, sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.

Editorët e botimeve kulturore të kohës, me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm me tematika të ndryshme.

Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…

Kështu, në një letër që prof. Ernest Koliqi, i shkruan nga Roma imzot Oroshit, ndër të tjera nënvizon: “Ju falena nderës për letër. Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin. Shndet e punë të mbara.

Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar si antar i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike si klerik jezuit.

Edhe sot komuniteti katolik shqiptar në New York dhe rrethina, meshtarin aktual (një prift dioçezan) të Urdhërit Jezuit dom Pjetër A. Popaj, shpesh e thërret si frat.

Malësorët tanë, kanë pasur e ruajnë ende një respekt të veçantë, për antarët e Urdhërit të shën Françeskut (shek. XIII), në Veri të Shqipërisë, të cilët, me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për popullin, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, në ndërgjegjën e kombit shqiptar ndër shekuj.

Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në New York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.

Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë.

Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Qirilit, në Saint Mark’s Pace, New York.

Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.

Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe – Atdhe – Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.

Kisha e re, qëndroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë dhe amerikanë.

Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe tre komisione te formuara nga ata.

Ja sesi e përshkruan, Mark K. Shkreli, atmosferën festive të asaj dite gëzimi, për të gjithë bashkëatdhetarët, në faqet e revistës me të njëjtin emër, tek përcjell raportin:

Saloni, megjithse me 400 vende, kje tepër i vogël, për të pranue të gjithë ata që dëshirojshin të merrshin pjesë në këtë solemnitet. Mbramjen madhështore e zamadhe me praninë e tyne dhe mysafirët e grishun, për ketë rast e nderonin ndër të tjerë (mbasi drejtori i ynë, At Zef Oroshi dhe kryetari i mbramjes z. Fran Sokoli, morën vendet e veta) edhe: Dr. H. Begeja, përqafsues i Ballit Kombëtar, z. Ago Agaj, përfaqësues i B.K.I., Dr. Rexhep Krasniqi, president i K.Sh.L., z. Imam Isa Hoxha i New York-ut, z. Peter Chickos, president i Vatrës, imzot Gustav Schultheoss, Vikar Episkopal i Bronx-it dhe perfaqësues i Eminencës Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut; Imzot Stefan Lasko, ipeshkëv i Kishës Orthodokse Shqiptare n’U.S.A.; Dr. Anthony Athanas, ish-Kryetar i Vatrës dhe përkrahës i çdo të mire shqiptare; Dr. Çesk Ashta, Kryetar i L.K.Sh.; z. Sami Çaushaj, i Org. Balli Kombëtar; Dr. Arnold, i shkollës Mjeksore “Eistein” Bronx; Dr. Brown, Drejtor i Projekteve Shëndetësore në Fordham Misericordia Hospital; Dr. Athanas Gegaj, editor i gazetës “Diellit”.

N’ora 5 mbas dreke, kryetari i darkës z. Fran Sokoli, shpalli fillimin e programit. Zonjusha shqiptare Lume Juka, këndoi Hymnin Kombëtar amerikan dhe atë shqiptar. Mbasandej lexuene referatet z. Ndoc Vulaj, n/kryetar i L.K.Sh.A. dhe z. Pashko Deda, antar i të njajtës. Hymnet dhe referatet kjenë të pershëndetuna me duartrokitje të zjarrta.

Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë.

Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të Kishës dhe në fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të krishterë e jokrishterë.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe.

Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët.

Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.

Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes, për pesë vite me radhë.

Monsinjori ishte tepër energjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo detyre, që merrte përsipër.

Don Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”.

Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte.

Për nga kultura e pasur dhe e gjerë, ai kishte përherë në zotërim, një thellësi e pastërti mendimi logjik.

Mbas Koncilit II Vatikanas (1967), mesha e shenjtë, u caktua me dekret papal asokohe të mbahet jo në gjuhën tradicionale latine, por në gjuhën respektive të çdo populli, që ushtron besimin katolik.

Eshtë bërë traditë në çdo shtet, për meshtarët, kur emërohen si barinj shpirtëror në shtete të ndryshme të botës, duhet të flasin gjuhën e popujve që u shërbejnë me sakramente e çojnë meshën në kishë.

Në këtë mënyrë, kuptohet dhe përjetohet më kjartë domethënia e doktrinës së krishterë.

Mbas 40 viteve (2007), papa Benedikti XVI, ka shprehur orientimin (sërisht me dekret papal), për t’u kthyer tek tradita e herëshme kristiane.

Tashmë mesha, po mbahet në gjuhën e hershme tradicionale latine, për të qenë më pranë kohës së hershme, kur krishterimi u bë si fe zyrtare në botë.

Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar predikimin e tij (homelinë) në kishë.

Si njeri me kapacitet human dhe mjek i mirë me ilaçet shpirtërore të Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.

Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë dhe aktivistë të palodhur bashkëatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.

Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i bashkatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan New York.

Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjeda
Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937).

Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991).

Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda.

Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.
Mjedja dhe nxënësi i shkollës e adhurues i tij, kleriku emigrant imzot Oroshi, kishte miqësi me klerikët shqiptarë të besimeve fetare.

Dom Ndre Mjeda e prifti Oroshi, ishin për dialogun ekumenik me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera.
Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston.

Për frymën e shëndosh në takimet ekumenike (midis kishave të krishtera), sikurse mësojmë nga studiuesi i rrymës shkencore të mjedjaologjisë prof. dr. Mentor Quku, “…autoriteti i Mjedës, në këtë drejtim ishte absolut. Personaliteti i poetit, shihej si njeriu më i përshtatshëm në të gjitha rastet kur lindëte nevoja për dialog.

Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.

Kështu papa Pali (Paul) VI (1963-1978) e Patriarku i Konstantinopojës Atenagora I (1886-1972) me origjinë arvanitas, që jetojnë në Greqi, në takimin e tyre në vitin 1964 në Tokën e Shenjtë, u munduan t’i afrojnë zemrat e të krishterëve të ndarë (shkizma) në vitin 1054.

Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë.

Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.
Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i thellë poliedrik i poetit dom Ndre Mjedja shumë vite më parë.

Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.

Në revistën 3 mujore të përkohshme të komunitetit katolik shqiptar në New York, ai do të shkruaj artikullin me titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes.

Ashtu sikurse për dom Mjedjen e madh dhe bariun në emigracion imzot dr. Oroshin, “…feja dhe atdheu janë dy nocione, të cilat, nuk ishin në raporte përjashtuese me njeri-tjetrin. Në çdo rast kudo dhe kurdo kishte vend për të gjithë… Devocioni fetar është brenda vetëdijës së Mjedës sëbashku me atdhetarizmin e flaktë. Ata nuk mund të përjashtonin njeri-tjetrin, sepse ashtu ishin dimensionuar; ata flinin bashkë brenda Mjedës

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për atdhelindjen.

Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit.
Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.

Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.

Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri.

Dr. Oroshi, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju.

Toma, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u ngrit në këmbë, më buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtitë sëbashku me mua.

Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh.

Prelati ynë më pyeti:
I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?
Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijën. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?

Unë iu përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria. Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzeqeshje shumë e gëzuar.

U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E vraftë Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me zemër e dashuni.

Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës.

Ju drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij planeti.

Librin tuaj të shqipëruar: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…

Është thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo.

Këtë e dëshmojnë objektet e panumërta arkeologjike: skulpturë, pikturë, letrare, vepra të ndryshme arti të shpërndara anekend vendlindjes; dhe këtë e dëshmon në veçanti një histori e larë me gjakun e tij në shekuj.

Ai, iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare.

Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsakaluara arsyeja që kleri katolik, u gjet i pari në shenjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse benë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e shpërtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi. “Për të ripërtërirë lulëzimin e humbur, do të duhen dekada të tëra mundi dhe djerse, sepse brenda kësaj gërmadhe tragjike e do të thoja katastrofike, gjendet rinia e jonë e ikur në vendet e huaja, ndoshta për të mos u kthyer më.” (Don Ndoc Nogaj, “Shtypi Katolik Shqiptar 1991 nëntor 2001”, Shkodër, 2001, f.6)

Të sjellësh ndër mend dhe të rreshtosh figurat e mëdha jo vetëm kulturore fetare, pot edhe morale, jo vetëm klerikale, por thjeshtë katolike, të kulturës së një vendi shumë të lartë është imperativi i çdo njeriu, që ka për zemër brumosjen e botës shpirtërore të fëmijëve e të rinjve tanë, ku kisha me shtypin e saj ka qenë një fanar drite, jo vetëm në lëmin fetar por edhe atë kulturor e atdhetar.

Kjo gjë duket e kjartë sapo të hapësh një antologji letërsie, qysh prej viteve 1934-1944, 1945-1990, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme diturie ndër shekuj, por edhe brymosën tokën e shenjtë në vendlindje me gjakun e tyre martir.

Janë pikërisht Urdhëri i Jezuitëve, ata që zënë një vend nderi në publicistikën shqiptare. Qysh në ditët e para ata u ndeshën me Perandorinë e “pathyeshme” Osmane, duke ndërtuar Seminarin dhe Kolegjen Saveriane në Shkodër më 1870, sollën në qytet, pa përfunduar ende mirë insitutet e mësipërme, një Shtypshkronjë “E Zojës së papërlyeme”, duke filluar pas pak edhe botimin e së përkohshmes “Elçija e Zemrës së Krishtit” (mars, 1891), me shpenzimet e vetë kuvendit.