Dy bica të uritur (II)

0
409
Gazmend Papa

(Pjesa e dytë)

– Pse çmenden kështu, pse zbrazen… e kanë nga robëria e vet e përhershme, apo u dhemb mos dituria, i bën varrë përbrenda etja për t`u shfaqur !?
– Vrasin çdo gjë, të ndihen të plotfuqishëm, vetë t`i tregojnë me gisht ujit nga të rrjedh. Mbështillen me këmishët e të çmendurit, të prera e të qepura nga padroni i vjetër, e – jashtë vetes, shpërblejnë libra të pabotueshëm, veten e emërojnë anëtarë të jurisë! Shpërblimin ia shkruajnë autorit e monedhat i fusin në xhepat e vet të pafund. Kanë etje të tmerrshme të varfërisë. Kaq vjet lehin në hënë në orgji! Artin e kthejnë me vjet prapa në kohë, e këpusin, e lënë thellë në natë!
– Ndoshta i ka verbuar ëndrra e padronit?
– Jo, kanë sy.
– Sy kanë ndoshta, por nuk kanë fuqi t`i lëvizin gjërat nga pikon drita?
– As nuk e duan një gjë të tillë. Ndihen rahat vetëm në errësirë. Nuk pajtohen me fatin të mos ndihen zot në vetminë e vet. Drita i qet nga loja… Krijojnë vetëm lëvizje të mbytura kaherë në natë. Hije, trillime, imitime… Nuk kanë fuqi për asgjë tjetër, as zemër, as urti. Ka kohë e kanë shitur shpirtin. Për një vagëllimë të etjes së tyre ndërtojnë hendeqe, ngrehin kurthe!
– E askush t`i ndalë?!
– Kush? Fëmijët?! Ata, të vegjël, i shikojnë për çdo vit të njëjtë- cunga, që nuk gjethojnë. Më mirë të mos gjethojnë,të mos degëzojnë sesa të nisin ndonjë tharje të vjetër të zanatit të tyre. Fëmijët shikojnë të nemitur. Ua shikojnë fytyrat e plakura, nga të cilat u vjen të vjellin, e heshtin. I mbyllin veshët të mos kapin çfarë dëgjojnë. Në këtë mënyrë shpërfaqin mllefin, urrejnë…
– E urrejnë dhe artin, natyrisht!
-Ec. Mund të vonohemi… Koha ikën. Nuk na pret dot.
– Xhesy është aty me IbKa-un, gjithnjë.
– As njërit e as tjetrit pena nuk u ecën! Veç të jenë aty prezent – po, patjetër. Për të futur në grusht ca monedha. Vetëm ato e shpërfaqin krismën e tyre.
-Ndoshta dhe pushka u shkrep!
-Cila? Ata dhe pushka. Zot!
-Mos e hidh poshtë këtë mundësi?!
-Shurdh dhe ajo!
-Mos, ore!
-Dy shërbëtorë, dy të verbër dhe pa udhë. Me mallëngjim e dhembje për samarët e vet që kaherë i humbën, me ikjen e padronëve të tyre.
-E tash?
– Tash… ja, e vrasin artin. Vetëm pse arti krijon forma të reja, udhë të reja, të cilat ata pa fanarët e ndezur nga padronët e tyre nuk mund t`i ecin…
-Ndiej ftohtësi, por dhe zjarr në të njëjtën kohë.
-Pse hesht, pra.
-E ti, pse!?
Ecnin ftohtë. Ndiqnin udhën, mbi të cilën binin copëza ulërimash mitike, apo mistike. Vështirë të kuptoheshin, e avull nga goja u ikte. Nuk bënte kaq ftohtë, sa të ecnin drunjtë dhe ngrirë. Ecnin, megjithatë. Të arrinin në orën letrare, në të cilën s`i kishte ftuar askush. Ai shikoi prapa në kohë e hapësirë e nuk mbeti pa bërë një grimasë, me të cilën shfaqte habi. – Ku ike, – ia bëri ajo. – Ika ca në kujtim, – belbëzoi ai. – Atje, në kohë ika, ky IbKau-u e nisi përpëlitjen e vet në redaksinë e kulturës, ende pa e mësuar ndopak ecjen në publicistikë. Me urdhër të DuRi e caktuan redaktor të GB, MR,EB, MR, VSH, AP…
Ai t`i prijë GB, MR, EB,MR, VSh, AP…zot!
ZeÇe e dresonte, ia mësonte A-Zh-në e ecjes?! Në të gjitha udhët!
E ai, asgjë tjetër veç, i ngrehur përballë vetes… shikohej në pjesën më të madhe në pasqyrë. I bëhej sa vinte e rritej.
Gati-gati i tillë!
Kaq,a?!
Ndërkohë ikën nga redaksia emrat e njohur, ndërsa DuRi e tërhoq IbKa-un në KK dhe e uli në karrigen e shefit për Informim!
Ç`qe kjo?!
E stolisi me grada të ministrit komunist! Ky të përpilonte dosje për ata që s`jepeshin dot. Mes tyre e ka pësuar dhe JuGr…
E ky e bënte, s`refuzonte dot!
Kush do ta refuzonte DuRi-in!
Ndal, ecën larg në kohë… ndoshta!
E nisa kujtimin larg të arrija afër, të ndalesha te redaktori i prozës në Revistën “Verbi”. Ai i shkruante kryeredaktorit të revistës “e kqyra me qyke t`zorit kete prozen e Ib-it… boll kiamet me e lexue po veq rrshqita mbi te pa e dite e kuptue per cka po flet… thoshe ti tani “b s…” – po b lule kunrej kti fare hajvani… po nejse e korrektova vec pak, botoja… k.rr.” Redaktori e shtypë sustën në kompjuter gabimisht e i arrin IbKa-ut ky vlerësim, e – siç është mësuar te jetë gjithnjë i pranishëm në orët letrare të Karvanit për fëmijë, ai del jashtë vetes. Këlthet. “Mua,a?! Mua,a?! Mua,a?!” Kjo gërvallje nga binte e përsëritej me jehonë gjithnjë e më shumë ngjante në pallje gomari… e, e tillë, m`i mbushte veshët! Ajo tundi kokën me një qeshje të hidhur. Ai ndjeu shtrëngim në kraharor. Ulën kokat. Ecnin dorë për dore, afër njëri tjetrit dhe në të njëjtin çast ndienin zbrazësi, mungesë, mall… ishin kaq larg. Gjysmë- gjysmë me njëri tjetrin dhe po kaq pa njëri tjetrin. Ndërmjet flakës dhe ujit të ftohtë dhe nuk digjeshin dot as nuk ngrinin. Dy trupa që bënin përpjekje të lidheshin në një e kaq shumë iknin nga njëri tjetri: i ndante etja, i ndante ëndrra, i ndante afshi… i bashkonte etja, i bashkonte ëndrra, i bashkonte afshi! Ecnin. Ajo vinte nga ai e ai ikte, ai vinte nga ajo e ajo i afrohej e kot, kurrë nuk takoheshin. Mbi ta vetëtima shkruante vinjeta moderne, të pakuptimta-të egra, por të bukura, të cilat megjithatë lidheshin në ndonjë pikë brenda tyre. Çdo gjë ngjante në diçka të pa rëndomtë. Përmes kalonte udha plot gunga, plot gjole gjaku dhe gjurmë zjarri ,e përbri varre të vogla e të mëdha. Kujtimi i lidhte me luftën, me varrat, me djegiet, me vrasjet…. A mund të harronin?
-Pse i mbylle sytë?
-Të harroj më lehtë!
-Jo…
-Çfarë jo!?
-Asgjë nuk harrohet!
-Asgjë.
-KShF është i AgDe, është i atyre që kanë zemër. Ja, dhe tash dëgjoj nga thotë Ai, KShF do të frymojë vetëm me fjalët-lule të tyre, që pikojnë nga zemra, gjithnjë në përpjekje të krijohen forma dhe lidhje të reja, pena të reja, të kapërcehen tmerret, plagët, humbjet, katrahurat… të harrohet ndopak ajo që ndodhi!?
-Ka mbetur tash vetëm kujtimi për tërë këtë!
-Kujtimi mund të ik e të kthehet. Vetëm koha jo, ajo nuk kthehet kurrë!
– Koha jo, veç gaxha, po.
– Ja, pra. Papritur majë fjalës arrin gaxha! I shqetësuar. I besoi tërë jetën fjalës dhe ajo tashmë e mban gjallë, nuk e lë për asnjë çast të harrohet.
– Veç inskenon… Ku është ai? Askund!
-Vetë the t`ia kesh ndierë praninë.
-Fjala i merr frymë përmes kohës.
-Vijnë pranverat, dallëndyshet. Lumit i kthehet lejleku, – do të dëgjohet dhe VeKa.
-Shkoi i ri…
-Veçse la flakë të përjetshme, shpirt të pavdekshëm të fjalës.
-Gjithnjë flasim për fjalën…
Të dy ngjanin në diçka monumentale. Përreth iknin e vinin ëndrra me trotinete. Ajo heshti ca, më pastaj i rrëzoi flokët për fytyrë. E shqetësuar i kërkoi gjurmët në Gur e nuk gjet shenjë kund. I pikën dy pikë lot. E mbështeti kokën në ëndërr. Kot ia kërkonte tjetrit dorën në ajër. Ai qeshte. Çfarë bën? – i thoshte. -Tërë kohën më ke për dore. Ajo ikte prej ëndrrës e bënte përpjekje të hynte prapë në ëndërr. Lotët i rridhnin çurg. Ky bërryl i rrugës e vriste mes dy sysh. E sytë i rridhnin lot e gjak. Ai – gjysmë i ngrirë, ecte pa fjalë. Ngjitej mjegullës së trilluar. E ndiqte veten e vetja nuk i shfaqej askund aty. Për kurriz të kodrës, ndërmjet shpirtit të shitur dhe mjerimit të artit që e krijojnë zbrisnin ata të dy, njëri ia shkelte gjurmët tjetrit. Bënin përpjekje të krijonin art. Ai i shikonte hijet e tyre nga shpina dhe merrte të zhdukej, të mos i takonte dot! Më shumë i pëlqeu të vdiste sesa t`u ngjante. Ikte, ikte.
-Pse ik, prej kujt ik, – i tha ajo.
-Jo, unë e ndjek veten… të qëndrojë në fotografinë e vënë ndanë librit të përshtypjeve të atyre që ende kanë lot të qajnë, e ndjek veten të qëndrojë nën fjongo të zezë …
-E do veten të vdekur?
-Ashtu?
-Kthehu e ec me mua. Preki dhe ndiej gjërat! Kthehu e hyr në radhë t`iu japësh pak zemër atyre që e marrin; tashmë presin t`ia përjetojnë muzikën fjalës!
– Ata presin t`ia hetojnë mendimin fjalës.
-Aty, para nesh kanë arritur dy bic-ët!
-Secili e kërkon shkallën që të shihet në fotografi!
-Ja pse gjithsecili bën përpjekje të shkrep… – tha ajo.
– Ai që shkrep lë gjurmë.
– Kush do t`i lexojë gjurmët. Çdo gjë secili e nis nga fillimi!
-Vjen koha e ndërrojnë gjërat. Vjen! Secili të kuptojë sa i vlen gjurma.
Ajo e mori prapë për dore tjetrin e eci. Hamendej, në cilën anë të iknin. Një ble i flokut ngjyrë kalliri i ra përmidis ballit. Buzëqeshi. Një dritë e çelur fytyrës vinte e i bëhej gjithnjë më me kuptim, gjithnjë më e prekshme, më e kristaltë; buzëqeshje që i ngjet vetëtimës. Një pikturë që hidhet në pëlhurë dhe aty mbetet të jetojë me gjithësinë e vet të gjallë, me mrekullinë e vet të përhershme. Me frymën e shpirtit të krijuesit, me duhmën e afshin e ngrohtë, rrahjen e krahut të zogut nga vjen e shkon qiellit të pafund…e degëzuar në pamje të vetëtimës.
-E bukur.
-Kush?
-Vetëtima, de.
-E bukur dhe kaq e pakapshme.Kaq e thellë, kaq e degëzuar dhe kaq e qartë.
– Unë e lexoj qartë, gjithnjë!?
-Kjo ndodh!
– Ndodh. Pa macen minjtë heqin valle!
– E kujtoj çastin e ikjes së AgDe. I mbylli sytë , iku… natyrisht, tash luhen vallet!
– Nuk e harroj këtë dhembje!
-Dhembja shuhet.
-Jo, ai iku … veç la gjurmë.
-Ai iku… – shpërtheu zëri kaq i ashpër sa copa të qiellit binin mbi shesh. Ky zë, me kaq jehonë, arriti dhe te shërbëtori i tij i çalë e aspak besnik . Ai përgjaku këmbët të arrinte ndër të parët ta lëpinte ndonjë asht, siç qe mësuar nën robërinë e përhershme. Figura e AgDe qëndronte në ajër, qeshte e qeshte me vërsuljet që i bënin për t`ia marrë hijen, për t`ia vjedhur nënshkrimin. E njihte secilin, nga shpinat i njihte, nga kurthet e tyre, nga buzëqeshjet e akullta, nga ecjet e tyre të drunjta. Tepër mirë i njihte. Çfarë janë në gjendje të bëjnë për pak gjë.
-Xhesy dhe ashtu gjithnjë ecte nga i thoshte ai që i jepte të hajë.
– Pse, i verbër është ai.
-I verbër në besimin e vrasësit verior!
-Kaq i pa vete është!?
– “Apelin e 215 intelektualëve shqiptare” , të ndërpriten vrasjet e pambarim mbi qenien shqiptare në Kosovë, XheSy refuzoi ta nënshkruante .
-…të mos ia ndalë ujin padroni i vjetër!?
-I ka kërcënuar dhe disa nga nënshkruesit e Apelit me flakje në rrugë dhe me burgosje.
-Është frikësuar për karrigen e kryeredaktorit, në Entin e Teksteve,ulur aty me dekret të pushtetit! Ai, për të mbetur shërbëtor besnik serbo-komunist ende e ruan me xhelozi librezën e kuqe në gji.
-E i njëjti ende endet me fanarin e padronit mes nesh.
-Për asnjë çast ata nuk ngelin pa qenë besnikë!
-Pse lejohet kjo marrëzi?
-Ende dikujt i duhet. Për këtë gjë ia kanë gjetur dhe punën, pa ia njohur ritmin dhe pa e merituar fare. Ky krimb!
-Ky krimb…
-Në kohën më të vështirë për mua e ty ka sjellë dëme të mëdha në shumë rrjedha; ka anatemuar dhe flakur krijimet më të mira të shkrimtarëve shqiptarë për t`u krijuar hapësirë atyre të gjuhës tjetër. Ka arritur deri aty sa ta birësojë hija serbe!
– Ky krimb…
-E kanë dresuar gjithherë t`i shërbej padronit. Kreu punë të ndyra për ta… Për këtë, ndërkohë e caktuan të vinte në “Rilindje” në kolltukun e kryeredaktorit, ku e priste miku i shpirtit IbKa-u. Ama aty nuk i shkrepi. Maksi e ndali! Atëherë, me bisht nën shalë, e keqja i shkoi në derë Entit për botimin e teksteve shkollore, më vonë në Librin shkollor, ku e tregon fytyrën e vet të dytë!
– Ka shumë fytyra ky?
– Ka.
– Gjarpër…
– Tash i helmon fëmijët me vjet në shkolla dhe krijuesit e Shqipërisë, që i besojnë verbër!
-Me të gjitha fytyrat ende ecën!
– Pikërisht!
-Ecën dhe ende frymon në Ent?
-Hija që e ka sjellë aty nuk e lejon të ikën!
-Do t`i shërbejë zotit të vet-djallit, tash e gjithnjë.
– Nën trysninë komuniste të programit të përgatitur nga ai, shumëçka shqipe shpallet e ndaluar, hiqet nga librat. Të rinjtë përndiqen, vriten nëpër rrugë!
– Ky qenka për burg e jo të jetë në ballë të KSHF?
-Me kreacion letrar e shkencor të një nxënësi të dobët të shkollës së mesme.
-Kush e mban të tillë?
-Ende i duhet dikujt, e ja! Mbetet aty, në krye të KSHF e në Ent.
-Veç pse është butak!
-Pse është vetë nata!
-Ky tmerr… e mbahet për kombëtar.
– E, në të vërtetë, natyrisht, është Shërbëtor!
-Shërbëtori tërë jetën mbetet i njëjtë.
-Ai është për të gjitha kohët samar!
-Duhet të lajmërohet për piraterinë… për këputjen e rrjedhës penave të ndritshme!
– Mbikëqyrjen e veprimtarisë dhe aktiviteteve të shoqatave për administrim kolektiv do të duhej ta ndjek Ministria e jo ta shpërblejë!?
-Do të duhej, por – kot! E bëri analfabetin e letërsisë anëtar të jurisë për vlerësimin e librit për fëmijë e të rinj…
-Prapë ia del të notojë!
-Kot!
– Ai e ai tjetri, frerët i kanë larg, te i njëjti padron!
-Oh, zot! A do të lirohemi ndonjëherë nga hijet që e tradhtojnë veten?!
-Në të gjitha rastet shqiptari është kthyer kudër vetes… E falëm Shën Naumin, e falëm Çamërinë, e falëm kufirin këtu e atje e aty dhe mbetëm kaq sa ta kërcejë me kalë Gjeto Bsho Muji!
– Veç një pëllëmbë Kosovë!
Ecnin me nga një sy në të kaluarën, me syrin tjetër në të ardhmen. E tashmja nuk ekzistonte. E tashmja ngjante në shtjellë. Kjo, që e ndiejmë dhe tash, pak nga Rahoveci e pak nga Maja e Sylevicës, pak nga Llapi e pak nga Përdrinia, pak nga rrasat e gurit të Drenicës e pak nga udha që shpien askund. S`e kemi të re ecjen dhe arritjen askund, përpjekjen e kotë në këtë udhë me gunga, gjarpërore. Me eshtrat e nënës në karro, me varrat e etërve në shpinë. Ecim të arrijmë. Ecim ende pa arritur të kthehemi, për hir të vatrës, për tiktakun e zemrës. Udhës nga vdes e zgjohet një sy gjysmë i verbër në Dumnicë, një sy tërë i tharë i verbër në Rugovë. Me vrasjet e reja në Çabrat, me masakrat në Gjakovë. Me lotët e ngrirë, të pëlcitur në Mitrovicë, me rrjedhje të Ujnait dhe me Nëntokën e artë të Stan Tërgut me derdhje vetmie para atit të kryer, me nënshkrimin të vet, të njeriut të vetëshpallur mbret. Ecim, udhës gjarpër.
-Udha i ka fajet.
-Udhë qorre.
-Jo, udhë në natë.
-Udhë e lidhur nyje, udhë natë me karvanë hajdutësh, mashtruesish…
-Jo, udhë gjarpër.
-Udhë pa kokë.
-Kokë ka. Tru nuk ka…
-Ka tru,ka, por gjaku është prishur… qelbet. Ja – dëgjoje, kam shkruar diçka për këtë akrobacion, tërësisht ndërmjet krijesës që ec në katër këmbë dhe tjetrit që s`e njeh udha dhe verbër e sjell nga lashtësia, krejt pa prejardhje, pa ndjenjë – pa sy, pa veshë, pa gjuhë të artikuluar. Prania e tyre i ngjet qenit,ujkut, hienës nga ulërijnë midis shkretëtirës së verdhë të zallit, vetëm me ndonjë kaktus dhe me hënën e bardhë lart. Çirren të çartur nga e kafshojnë tjetrin e në secilin ag zgjohen tërë gjak! Dëgjoji.
-Lëre. A ndërron ndonjë gjë po t`i dëgjoj nga gërvallen?
-Jo, nuk ndërron, por dëgjoji. Dëgjoji!
– Fol. A është ky koment për rrjedhën?
-Rrjedha është e vjetër dhe e re. Është një kolonë. Njëshkolonë. Me IbKa-un e XheSy-në e HyMa-tën në krye. Lidhrat e shpërblyer nga ky i fundit as kanë shtrirje, as kanë thellësi, as kanë krye.
– Kjo është kritikë!
– Nuk është as kritikë, as reportazh, s`është as tregim. Është një përzierje, “He të shitoftë zana!”, kaq e panjohur deri më tash. Vetë personazhet e kanë krijuar, siç u kanë diktuar hijet…
– Hijet?
– Ashtu… Hijet,po. Hijet e atyre, të pa trup e kokë ! E keqja e madhe është të mos ketë asnjëri gjak, të tre janë veç herë maçok e herë tjetër malok.
– Lëri. Bien me fytyrë në jashtëqitjen e vet!
– Kush i duron derisa të bien?
– Koha i ka krijuar, mungesa e vetvetes, e vetëdijes…
– Në çdo pyll ka cunga. Jetojnë nga vdekja e vet! Krijojnë kohë krimbi!
– Krimba! Morra të P.!
– Atëherë, lëri në atë P. e dëgjoje një nga poezitë për Janusin. Për hije-dritën që i ndërlidh me njëri tjetrin në etjen të pashtershme, vetëm ata të ngjiten deri te kroi, vetëm ata të pinë. E as është kroi i tyre as uji i tyre! E as kurrë nuk do të arrijnë, njëri i çalë e tjetri me shuplakat grusht, i plotfuqishëm vetëm mbi hijen e vet të shqyer! Dy palaço, dy bic të uritur në natë…
– Lëri de, në atë pellg, e lexoje poezinë!
– Është poezi për natën, për hijet që zhgërryejnë dritën…
– S`e kanë ndoshta qëllim të vrasin?
– Vrasja nuk ecën vetëm një udhe.
– Këtë nuk ta kuptoj?
– Poezinë ndoshta do ta kapësh. Dëgjoje…

i çalë kaq pa udhë i turresh hënës
në librin e canës varrtar me kryq
bic në mjegull mallkon gjirin e nënës
me shërbëtorin duRi e me `i kërriç

vjen nëpër zbrazësi hutuar në natë
i fik yjet në mëngjes i qan me lot
e leh leh e leh aty ku han kaq pa fat
i ik vetes e ndjek veten krejt kot

xhesy palaço i humbur në pasqyrë
krimb në shkronja zvarritesh në hi
kujt i ngjet xhesy krijesë pa fytyrë

ec i lidhur me ibka-un i çalë në natë
s` të dhemb pse artin e vret në gji
pa yll e atdhe dehur në shtrëngatë