Duket se po lëvizim sadopak në përmirësimin e kullimit të tokave bujqësore.

0
794

Gjovalin Gjeloshi

Nevojat janë të ngutshme dhe ndërhyrjet duhet të shkojnë gati në kufinjtë e emergjencës, por mundësitë tona modeste janë shfrytëzuar në maksimum.

Mbi 15 mijë ha tokë në bashkinë tonë kanë nevojë për pastrim të kanaleve si të dyta edhe të treta kulluese. Agjensia e kullimit në bashki, e krijuar vitin e kaluar me vendim të veçantë të KM, ka në dizpozicion një numër minimal të mjeteve dhe fondeve për të përballuar të gjithë këtë volum punimesh. Prej dy eskavatorëve me kapacitet të lartë që u bënë transferim nga Bordi i Kullimit (Ministria e bujqësisë), në pronësi të bashkisë, njëri prej tyre për difekte të rënda pothuaj të pariparueshme, nuk ka punuar as 20 ditë të marra të gjitha së bashku gjatë kësaj periudhe 10-mujore.

Eskavatori i dytë, i mbajtur mirë teknikisht, (megjithëse i vjetër), për meritë të manovratorëve me eksperiencë dhe të përkushtuar për punën, përjashto ditët që mjeti ka
kryer shërbimet për difekte të rastit apo riparime të planifikuara, ka kryer volumin më të madh të punimeve të përgjithshme të bëra gjatë kësaj periudhe. Në këta 10 muaj e në
vazhdim, ky mjet po punon pa pushim në pastrimin e thellimin e kanaleve kulluese kryesisht të dyta, në fushën e ish kënetës së Kakarriqit. Në këtë zonë shtrihen fshatrat Balldre i Ri, Torovicë, Malecaj, Koljakaj e pjesërisht edhe fshati Balldre i Vjetër.

Gjatë kësaj periudhe për të arritur në këto shifra punimesh, na kanë ardhur në ndihmë edhe dy eskavatorë të vegjël, pronë e ish komunave, të cilët i administron Agjensia e Kullimit e Ujitjes në Bashki. Ardhja e një eskavatori të ri, megjithëse pas shumë muaj premtimesh prej qeverisë, i dha një impakt të ri ritmit të punimeve. Duhet thënë se i njëjti volum punimesh që është bërë vitin e kaluar për një periudhë 6-mujore, këtë vit u realizua në katër muaj.

Agjensia e Kullimit në përbërje të drejtorisë së bujqësië, pyjeve e zhvillimit rural, ka bërë një studim të përgjithshëm dhe ka përcaktuar nevojat që kanë Njësitë Administrative në pastrimin e thellimin e kanaleve kulluese. Por nevojat janë njëra anë: ato janë të shumta në të gjithë sipërfaqen e tokave që disponojmë dhe të papërballueshme për t’i kryer në kohën e duhur e kësisoj të plotësohen kërkesat e fermerëve, të cilat në shumë raste bëhen me këmbëngulje. Ne, të gjendur përballë volumeve të mëdha të punimeve në kullimin e tokave bujqësore, jemi përpjekur të bëjmë maksimizimin e renditjes së prioriteteve.

Dy janë frontet prioritare që janë vlerësuar gjatë kësaj periudhe: Njësia administrative Balldre dhe ajo Zejmen. Me fjalë të tjera jemi përqëndruar në zonat ku shtrihen tokat me probleme më të mëdha për tepricën e lagështirës. “Këneta e Kakarriqit”, “Këneta e Treshit apo Spitenit” akoma nuk janë harruar në të folmen e banorëve të këtyre anëve. Ndaj edhe
puna jonë këtu është përqëndruar. Nga 60 km kanale të thelluara, 31 km janë realizuar në Njësinë Administrative Balldre, kryesisht në ish-kënetë dhe 19 km janë thelluar e pastruar në Njësinë Administrative Zejmen, në fshatrat Spiten e Tresh, kryesisht. Pjesa e mbetur është realizuar në fshatin e Ishull-Shëngjinit.

Ndërsa në njësit e tjera administrative janë bërë punime të papërfillshme që nuk e kalojnë gjatësinë e nga 0.6-1 km, si në Blinisht, Shënkoll apo Kolsh e Dajç.
Në muajt në vijim, përveç njësive ku janë kryer volumet kryesore të punimeve në kullim, do
të përqëndrohemi në njësinë administrative të Shënkollit, të Blinishtit e Dajçit si dhe në Kallmet ku nuk kemi kryer asnjë ndërhyrje.

Nga përvoja e deritanishme, lipset një bashkëpunim më i frytshëm i njësive administrative
me drejtorinë e bujqësisë në bashki, për të krijuar kushte pune që eskavatorët të mos
kenë pengesa. E themi këtë, sepse kemi patur jo pak raste kur vet fermerët, të interesuarit dhe përfituesit e parë të këtij shërbimi, kanë qenë vetë pengesa në kryerjen e punimeve: dikush ka mbjellur pemë anës së kanaleve dhe ato për 20 e kusur janë bërë trungje të
mëdha që as forca e eskavatorit nuk i shkul dot nga rrënjët. Të tjerë kanë pretendime deri edhe te vendi se ku do të hidhet sasia e dheut që del nga thellimi i kanaleve?!, etj, etj. Pa bërë fjalë pastaj për masivet e mëdha të ferrave që kanë zaptuar kanalet, duke rritur ndjeshëm kostot e pastrimit të tyre. Këto pengesa duhet t’i kapërcejmë me mirëkuptim, por edhe me punën e vetë fermerëve.

Një gjë duhet të kuptohet: vetëm toka
është private, kanalet kulluese janë publike dhe në shërbim të të gjithëve. Ato as nuk mund të mbyllen apo mbillen dhe rrugët e lëna enkas për t’u shërbyer kanaleve të dyta kulluese nuk mund të zaptohen.

Koha për të kulluar tokat


Drini Mars 2017

Prej ditësh një numër banorësh të fshatit Trush të rrethit të Shkodrës, protestuan dhe akuzuan bashkinë e qytetit të tyre si dhe ministrinë e bujqësisë, nëpërmjet drejtorisë së saj rajonale, për padrejtësinë (sipas protestuesëve), që iu bë duke i dhënë me qira një sasi toke
prej më shumë se 260 ha, një kompanie turko-maqedonase që merret me kultivimin dhe
tregëtimin e orizit. Arritja e protestuesëve, mendoj unë, qe sjellja në vëmendje të organeve
shtetërore, si atyre vendore edhe qëndrore, se pronësia ende e papërcaktuar mbi tokën bujqësore, është shkaku i mosmarrëveshjeve të herëpashershme (jo vetëm rasti i Trushit) të fermerëve ose më mirë me thënë, i pronarëve të vjetër shqiptarë me personat fizikë apo juridikë vendas apo të huaj që tentojnë të marrin guximin të investojnë në bujqësinë e Shqipërisë së trazuar.

Klima mosdashamirëse që u krijua pas vitit 1990 për ish pronarët e tokave bujqësore, e filluar qysh nga ligjëvënësit shqiptarë në fillim të këtyre viteve, vazhdon të manifestohet edhe sot nga zyrtarë të vegjël e të mëdhenjë, në forma nga më të ndryshmet: tokat e lira mund t’u jepen me qira edhe të huajve, por jo t’u kthehen pronarëve; mund të abuzohet me to duke i ndarë edhe sot me ligjin 7501 e shpëndarë tapi alla-demokratiko-socialiste, por jo t’u jepen pronarëve, mund të falen e të jepen me një euro, por jo të shkojnë te i zoti; mund të vidhen e stërshiten sa nga njëri abuzues te tjetri, por jo t’u jepen atyre të cilët demokracia i xhveshi nga pronat. Tokat bregdetare të Shqipërisë nga Velipoja e deri në Butrint: male e moçale, këneta me xunktha e kashtë, mund të ndahen prej kadastrave tona si toka bujqësore, por ato nuk mund t’u jepen si kompensime pronarëve që ligji 7501, “si delja e zezë” në të gjithë grumbullin e ligjeve të Europës postkomuniste, ua mori tokën dhe e ndau për frymë/popullsie.

Të dy qeveritë, si e majta si e djathata; si demokratët edhe socialistët, edhe kur erdhën në pushtet për herë të dytë, nuk lëvizën prej llogoreve që zunë në gushtin e vitit 1991, dhe në programin e tyre për bujqësinë deklaruan se “nuk ka asnjë ndryshim në ligjin e tokës”. Por shqetësimi im, i deklaruar edhe para udhëheqësve më të lartë të këtij vendi ka qenë dhe mbetet: mirë pajtohem, po pse nuk u zbatua ky ligj? Pse nuk u vunë përpara përgjegjësisë zyrtarët që abuzuan me ndarjen e tokës, kryesisht në zonat bregdetare të vendit, por edhe kudo tjetër. Pse në Shqipëri u lejuan dy standarte në ndarjen e tokave bujqësore:
një për zonën kodrinore e malore, pronarët e të cilave shkuan në kufinj të vjetër me marrëveshje të plotë, pa pyetur se çfarë shkruan ligji i tokës dhe në zonat fushore, pronarët që formuan kooperativat bujqësore me tokat e tyre, nuk u patën në konsideratë.

Shteti kishte të drejtë të ndante tokën e vet me komisione të shoqëruara prej policëve, që në të vërtet nuk e kishte të pakët (tokat e përftuara pas vitit 1945 ishin më shumë se sa ato që u trashëguan në Shqipëri), por jo tokën që shtetasit e këtij vendi e kishin blerë me “napolona me gjel”, siç e njihte populli arin që ishte në qarkullim monetar. Sepse kam bindjen, se po të zbatohej ligji i tokës me korrektësi dhe komisioni qeveritar i tokës bashkë me të gjitha komisionet e ndarjes së tokave në piramidë, nuk do të abuzonte në tjetërsimin zërave kadastral të tokave, do të gjendeshn shumë mundësi e mënyra për të kënaqur sado pak edhe ish pronarët, ata që me pronën e tyre krijuan pronën e grupit ose kooperativën bujqësore dhe sot nuk do të ishim në gjendje të papërcaktuar pronësie.

“Ne kemi 25 vite që e punojmë këtë tokë – deklaronin fshatarët e Trushit në protestë, – sot
vjen një firmë turke dhe e merr me qira me 1 euro për metër katror. E kemi trashëguar tokën nga të parët tanë.
Meqë shteti kërkon t’ia japë një të huaji, më mirë po e marrim ne. Po kërkojmë diçka tonën, kjo tokë ka qenë gjithmonë e jona. E kemi shfrytëzuar për kullota dhe për mbjelljet e stinës, kryesisht të drithit. Nëse ajo i jepet kompanisë turke, mbetemi pa tokë dhe nuk do kemi ku t’i kullosim bagëtitë”.

Në këtë shkrim ne nuk do t’i japim rrugë gjendjes pronësore të tokës së lirë të Trushit, as të dhjetra ha të tokave të tjera anekënd që janë përdorur nga fshatarët bashkarisht prej vitesh edhe kur nuk kanë ekzistuar dokumentet e pronësisë. Po ministria e bujqësisë, ku i paska dokumentet që vertetojnë pronësinë e saj? Kush është burimi i pronësisë së kësaj toke? Po ministria e mbrojtjes, që ka toka në pronësi në Lezhë apo rrethe të tjera, kush ia dha, me ç’të drejtë mund t’i përdorë ajo si të dojë, t’i japë edhe me qera, kur pronarët e saj janë gjallë? E citojmë edhe një herë, se toka mund të jetë pronë e shtetit vetëm kur ato janë të përftuara nga puna që ka bërë vet shteti, si bonifikimet etj, por jo tokat të cilat kanë krijuar pronën e grupit në kohën e komunizmit.

Ligji 7501, “Fenomeni turk” në Trush dhe kostoja e amullisë së pronësisë mbi tokën, Kompania turko-maqedonase “Levidiagro” përbëhet prej 80% të kapitalit nga Turqia dhe 20% nga Maqedonia. Fabrika e përpunimit të orizit është e vendosur në zemër të Koçanit, një qytet i njohur në Maqedoni për përpunimin e orizit, duke pasur parasysh faktin se 8.000 ha tokë në këtë zonë janë të përshtatshme për prodhimin e orizit. Fabrika është e pajisur plotësisht me makineri të reja dhe pajisje të importuara nga Turqia.

Qëllimi i kompanisë është që të krijojë një marrëveshje bashkëpunimi me fermerët më të mëdhenj dhe shoqatat e fermerëve, që prodhojnë oriz dhe mbështeten plotësisht nga shoqata me makineri moderne, fara me cilësi të lartë, plehra dhe herbicide.
Këto ditë, në drejtorinë e bujqësisë së bashkisë së Lezhës u paraqit admnistratori i kësaj kompanie, Ali Sazer, i cili u takua me fermerë dhe përfaqësues vendor të fshatrave. Objektivi është që të mbjellë minimumi 100 ha oriz në një zonë të përqëndruar të Lezhës.

Duke gjykuar për rajonizimin e kësaj bime përpara vitit 1990, sektori i bujqësisë në drejtorinë përkatëse të bashkisë, e orientoi biznesmenin në fjalë për zonat se ku mund të mbillej kjo kulturë, pasi të ishte arritur marrëveshja me fermerët që i disponojnë këto toka. Në strukturën e bimëve bujqësore që mbilleshin në Lezhë, ka qenë edhe bima e orizit. Disa zona si: Kakarriqi, Barbulloja, Blinishti, Zojsi, Gramshi apo Pirajt mbillnin nga 60 deri në 120 ha oriz. Disa prej këtyre fushave, përsëri mund të përshtaten për kultivimin e kësaj bime, nëse leverdia rezulton e dyanshme: për kompaninë turko-maqedonase dhe fermerët e zonave të cilëve u ofrohet kjo mundësi bashkëpunimi.

Përveç marrjes së tokave me qira, kompania në fjalë shpreh gadishmërinë edhe për të ndihmuar fermerët e zonës me farëra të zgjedhura apo plehra të përshtatshme, nëse ata duan ta kultivojnë vetë orizin në tokat e tyre.

A mund t’i kthehemi mbjelljes së orizit në Lezhë?
Koresp. i “Drinit” pavarësisht se nuk ndryshon thelbin, ai nuk është tabu. Kur vjen puna për të ligjëruar abuzimet, ndryshohen zërat kadastral pa asnjë vështirësi. Ndërsa kur diskutohet që tokat e lira, të pandara të shkojnë tek fshatarët që i kanë përdorur prej vitesh si prona të përbashkëta apo të veçanta, i referohemi ligjit.

Para disa ditësh, përfaqësuesit e një kompanie italiane u paraqitën pranë bashkisë Lezhë me kërkesën për të investuar në një sipërfaqe të konsiderueshme kodrinore në mbjelljen e arroreve: arrë e lajthi – deri në 600 ha po të ketë, na thanë. Synimi i kompanisë ishte te tokat shtetërore ose pronë e bashkisë.

E orientuam biznesmenin (donte të shihte tokat nga afër dhe të merrte kampione për analiza agrokimike e pedologjike) në zonën e komunave të Dajçit dhe Blinishtit. Por çfarë ndodh?
“De jure” ato kodrina të bukura të Dajçit e fshatrave të tjera përreth, janë të patrajtuara me ligjin e tokës. “De facto” ato janë të ndara jo vetëm në imagjinatën e atyre fshatarëve që i kanë përdorur gjithmonë, por edhe konkretisht.

E njëjta situatë është edhe në mjaft toka kodrinore të zonës së Blinishtit. Atëhere cila është gjendja e pronësisë së tyre? Sa do të ndikojë kjo amulli në pronësinë e këtyre tokave në “frikësimin” e investitorëve të huaj apo vendas?
Kush i siguron ata se, siç i ndodhi kompanisë turke me fshatarët e Trushit, nuk i ndodh çdo investitori me pretendentët për pronësinë në zonat e tjera?

Kjo është një kosto që kushton mjaft në zhvillimin e integruar të bujqësisë. Që frenon inisiativën, edhe kështu të pakët, të disa kompanive të huaja për të investuar.
Shtetet socialiste, e aq më tepër ky yni, patën shumë prona në kohë të tyre. Në ekstremitetet e privatizimeve, nuk lanë asgjë për veten. E tash duan të mbajnë “për bishti” një dyzinë tokash djerrishte e nuk u jepen atyre që i kanë patur gjithmonë: ose pronë të fshatit ose të individëve të veçantë.

Kjo pronësi është e ngulitur thellë në memorien e banorëve. Edhe pse kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë, akoma vazhdojnë të njihen me emrat e pronarëve të tyre: ograjat, zabelet, djerrishtet, kodrat etj, dhe ne nuk kemi pse e vemë në dyshim pronësinë. Asnjë shqiptarë nuk e pranon që ta marrë qoftë edhe me qira prej shtetit a bashkisë, as turku e as italiani ograjën apo djerrishten e tij. Me qira apo me kontratë pranon ta japë vetëm ai vetë pronën e tij.

Nëse vlera fillestare e marrjes me qira të tokës së Trushit (siç e raporton vetë ministria e bujqësisë), ishte rreth 4.3 milion lek (të reja), që i bie vetëm 16 mijë lek për një ha apo 1600 lek një dy, kjo do të thotë se nuk është respektuar vlera reale e tregut të dhënies me qira të tokave për zonën tonë e cila shkon deri në 4 mijë lek një dy ose 40 mijë lek/ha. (Natyrisht, gjithmonë do të shesësh apo japësh me qira me çmime të ulta kur toka nuk është e jotja).

Nga takimet që kemi pasur edhe në Lezhë me përfaqësues të firmës turko-maqedonase (po bëhen tentativa që të arrihet marrëveshje me fermerët e atyre zonave ku më përpara vitit 1990 është kultivuar bima e orizit), vihet re se ata nuk kanë dijeni për tregun e qirasë së tokës së paku në zonat tona. Ky treg ka funksionuar vitet e fundit, pasi një numër fermerësh kanë guxuar të krijojnë ferma të mëdha duke marrë toka me qira prej atyre që kanë emigruar ose së paku prej atyre që nuk preferojnë ta punojnë vetë tokën. Qiraja e tokës në këtë rast është më shumë se sa dyfishi i qirasë me të cilën ministria e bujqësisë ia ka dhënë tokën e Trushit, kompanisë turke?!

Që të mos jemi më përpara fenomeneve të tilla si me turqit në Trush, që na kushtojnë tash e më vonë, a nuk duhet ta kthejmë vëmendjen më shumë ndaj qartësimit të pronësisë mbi tokën bujqësore, tokë kryesisht të asaj kategorie që është refuzuar apo nuk është trajtuar me ligjin “Për tokën” dhe të mos i lëmë si djerrina apo ugare pa zot, kur ato e kanë të zotin e tyre: bashkësinë e fshatit ose individë të veçantë.