Nga Jahja Drançolli
Në ditën e sotme, më 1 qershor të vitit 1455, pas rrëthimit dyzetëditor kishte rënë Artana. Në pushtimin e saj mori pjesë dhe sulltan Mehmedi II, një ndër perandorët më të shquar të Perandorisë Osmane, i cili kishte gjunjëzuar dhe Kostandinopojën, qendrën e Perandorisë Bizantine. Atëbotë, në krye të këtij qyteti të lirë e autonom ishte Llesh Spani, një arbër që doli nga dera e kryezotërinjëve Spani. Pas rënies së qytetit dhe fortifikatës së Artanës, një pjesë e qytetarëve do ta braktisin vëndin për të migruar në Republikën e Venedikut, Raguzës, në mbretërinë e Hungarisë, shtetin e Ankonës, e në ndonjë vend tjetër.
Në një mal të vogël ndërmjet Prilepnicës dhe Krivarekës, rreth 40 km. në Juglindje prej Prishtinës, ruhën edhe sot rrënojat e qytetit dhe fortifikatës së Artanës (Nuovomonte, Nuovabarda, siç e quanin venedikasit, raguzanët dhe italianët përgjithësisht; Nyeuberghe, sipas sasëve gjermanë; Novo Brdo, sipas gjuhëve sllave). Në mbështetje të dokumenteve të zbuluara deri me sot, Artana, respektivisht Novobërda, me këtë emër për herë të parë e ndeshim në vitin 1319. Ngjashëm me topinimin e përmendur më sipër e ndeshim qytetin dhe fortifikatën në fjalë dhe në një kartë botërore të quajtur “Il Mappamondo të shestuar nga venedikasi Frat Mauri rreth vitit 1450 (sot ruhet në Biblioteca Nazionale Marciana di Venezia). Është fjala për toponimin Nuoua Barda i shoqëruar më miniera të arit dhe të argjendit (fosse oro et arçento). Kështu e quanin qytetin dhe fortifikatën pothuajse të gjitha burimet e shek. XV, madje dhe duke potencuar çdo herë pasuritë e minerave të qytetit, që prodhonin rreth 600 kg ari, si dhe rreth 7 tonelata argjend në vit.
Nga kjo qendër e madhe, përkatësisht nga fortifikata dhe vendëbanimi të pasur me miniera janë ruajtur deri me sot pjesë të mureve, kullave mbrojtëse, si dhe ndonjë gjurmë nga themelet e ndonjë godine. Vetë fortifikata, e cila përbëhet nga Qyteti i Epërm dhe Qyteti i Poshtëm është ndërtuar në kodër. Mirëpo, nënkalaja shtrihet në kodra, në Lindje dhe Juglindje prej qytetit, terësisht deri te miniera nën malin e Madh.
Qyteti i Epërm është ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës (rreth 1100 m), ndërkaq nën te, në drejtim të perëndimit, shtrihet qyteti i Poshtëm me bazë formë lepeze. Qyteti ka qasje vetëm nga pjesa lindore. Nga pjesët të tjera, pjerësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës. Në pjesën lindore, terreni sërish gradualisht ngritet dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël në platon e epërme, të së cilës gjendën rrënojat e një kishe të madhe mesjetare.
Qyteti i Epërm gjashtëkëndësh i ngritur në majë të kodrës, më gjashtë kulla të mëdha e masive të radhitura, dominon mbi tërë luginën. Nga Qyteti i Epërm, në drejtim të veriut dhe jugut kalojnë muret e larta të Qytetit të Poshtëm, të cilat mbarojnë me nga një kullë, të cilat në drejtim të perëndimit lidhinin në formë të harkut murin e madh të qytetit.
Qyteti i Epërm, nga ana e jashtme në drejtim veri-jug ka 50 m. Ndërkaq, në drejtim lindje-perëndim, 45 m. Qyteti i Poshtëm, në drejtim veri-jug zotëron 180 m. Ndërkaq në drejtim lindje-perëndim, së bashku me Qytetin e Poshtëm zotëron 95 m. Rreth Qytetit të Poshtëm, paralelisht me murin mbrojtës perëndimor, është gjendur hendeku, i cili ka shërbyer për nevoja të mbrojtjës së qytetit nga sulmet e para. Hendeku sot është tërësisht i mbuluar nga dheu, si dhe nga gurët e mureve të rrënuara.
Qyteti i Epërm zotëron gjashtë kulla. Kulla lindore dhe perëndimore janë me bazë këndrejtë, ndërkaq të tjerat janë katërore. Kulla lindore për shkaqe të dimensioneve ca më të mëdha dallohet nga të tjerat. Përveç kësaj, si kullë banimi, ajo është e vetme e mbyllur në drejtim të pjesës së brendshme të Qytetit të Epërm. Kullat e hapura me siguri për ngjitje lartë deri te sipërfaqet e mureve kanë përdorur shkallë druri. Meqë, të gjitha murët e kullave dhe pjesët që lidhën mes vete, në pjesët e epërme të tyre janë në gjendje rrënoje, është vështirë të caktohet lartësia dhe forma e mirëfilltë e tyre. Megjithatë, është gati e sigurtë se, qyteti është murosur sipas dispozitave të kohës, pra ka pasur edhe dhëmbëza për mbrojtje në pjesën e epërme të murit. Kulla perëndimore, gjithashtu me bazë këndëdrejtë por me dimensione më të vogla, dallohet nga kullat të tjera sipas kryqit të madh nga breça e kuqe në pjesën perëndimore në drejtim të Qytetit të Poshtëm.
Muret e mëdha që i bashkojnë kullat e Qytetit të Poshtëm me atë të Epërm, nuk janë ruajtur askund në trashësinë e tyre të parë. Në disa vende ato janë rrënuar deri në nivel të tokës (terrenit). Muri mbrojtës harkor perëndimor, është rrafshuar në lartësi të nivelit të sotëm, që në shikim të parë jepë pështypje të një muri mbajtës. Më tepër është rrënuar kulla veriore e Qytetit të Epërm, por ende mund të caktohet forma e saj: më bazë të katërkëndëshit të drejtë me kënd të formësuar nga veriu. Kulla jugore ka për bazë këtërkëndëshin jo të rregulltë me një kënd të mprehtë në drejtim të jugut. Këtë kullë e konsiderojm për pjesë më e ruajtur të Qytetit të Poshtëm.
Në murin ndërmjet Qytetit të Epërm dhe të Poshtëm gjendet një kalim këmbësor i ngushtë në formë harkore. Hyrja e dytë në Qytetin e Poshtëm gjendet në anën juglindore me mur mu afër Qytetetit të epërm. Është fjala për një derë të madhe për karroca., e cila të shpie drejtëpërsedrejti në qytet. Në Qytetin e Epërm të shpie nga Qyteti i Poshtëm një rrugë e ngushtë këmbësore që mbaron me një hark. Ky kalim gjendet ndërmjet kullës perëndomore me kryq dhe kullës në jug prej saj.
Pjesa e brëndshme e Qytetit të Epërm është ngujuar me gurë, që kanë rënë nga murët dhe kullat përreth. Në Qytetin e Poshtëm, nën shtresën e tokës, dalin mbetjet e ndërtimeve. Gjithashtu, ato ndeshën edhe mu në afërsi ku gjatë mesjtës ishte tregu i Novobërdës (Artanës).
Gjatë ndërtimit të fortifikatës së Novobërdës (Artanës) është përdorur kryesisht guri gëlqeror nga gurorët vendore. Për kënde të mureve dhe të dyerëve është përdorur breça e kuqe e mbyllur. Murosja është bërë me gurë të thyer dhe suva prej zalli e zhavorri. Breça është punuar në katrore të drejta për kënde.