Duke e ndihmuar familjen, ai e ndihmon edhe atdheun

0
517
Zymer Mehani - Fadil Curri dhe Florim Beqiri (në mes)

Shkruan Zymer Mehani

(Shkrim për mikun tim dhe të librit, z. Florim Beqiri, librashitës, me rastin e botimit të librit të tij të parë “Koha që nuk kthehet më” (Ditar i tij si librashitës), Prishtinë, 2019)

Florim Beqiri, një emër tashmë i njohur nga shumë lexues kryeqytetas, mik i libri dhe yni, tash e 20 vjet, me kujdes të veçantë dhe me përkushtim gjithnjë është në shërbim të lexuesve si librashitës, që veprimtarinë e tij e zhvillon në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës. Me vite të tëra, ky dashamirës i librit, bëri punën e librashitësit në të ftohtit e dimtit dhe në vapën përcëlluese të verës, në ditët e vjeshtës me stuhi e shi, në ditë pune e në vikende, asnjëherë pa u ndalur.

Pra, ky njeri, punën e tij e bëri në kushte kurrfare, por dashuria për librin prore i dha forcë dhe vullnet që të jetë në shërbim të lexuesve dhe kësofare duke e ndihmuar familjen, doemos e ndihmoi edhe atdheun. Themi kështu duke u bazuar në faktin se te z. Florimi shumë shtresa lexuesish: nxënës, arsimtarë, e sidomos studentët prore gjetën zgjidhje, ngase te stenda e këtij librashitësi, ata gjetën librat dhe literaturën e kërkuar, të cilën ndodhte që të mos e gjenin në libraritë e kryeqytetit, e madje as në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të Prishtinës.

Unë Zymer Mehani, si mik dhe bashkëpunëtor i z. Florim Beqirit jam vetë dëshmitar kur te stenda e tij afrohej studenti kosovar, z. Florimi me këmbëngulje gjente zgjidhje për kërkesat e tij rreth literaturës së kërkuar, ngase tek ai parësore ishte që t’u ndihmojë studentëve, për të cilët shpesh më thoshte:

– Prof. Zymer, këta (studentët) janë e ardhmja e kombit.

Këto ditë Florim Beqiri e botoi librin e tij të parë: “Koha që nuk kthehet prapa” (ditar i tij si librashitës), në të cilin shpalos dromca kujtimesh nga më të ndryshmet, që posa t’i lexosh, do të të kaplojnë emocionet. Unë po ndalem në faqen 112 të librit në fjalë, ku me admirim dhe sinqeritet të thellë z. Florimi ka ravijëzuar portretin tim, duke më bërë nder të veçantë dhe personazh të rëndësishëm të librit të tij.

Ja se çfarë ka shkruar z Florimim miku im i vlerave të larta njerëzore dhe kombëtare e kulturore:

“Zymer Mehani. Pasi që çdo ditë e kam ditë pune, ditët, datat fare nuk kanë ndonjë rëndësi për mua. Megjithatë e kuptoja se jemi në ditët e para të muajit, kur pranë shtëpizës sime të librit vinte profesori i gjuhës shqipe, Zymeri. E dija se e kishte marrë pagën dhe e dija dashurinë e tij që kishte për librin. I dija edhe cilat libra i kishte interes t’i blinte; e dija se kurrë nuk do të kërkonte të bënte Pazar për çmimet e librit, që i caktoja unë. E dija se më çmonte njëjtë ashtu si librat, për të vetmën arsye se i donte librat me zemër dhe mua më njësonte me to.E dija se shpeshherë do të blinte më shumë sa që kishte para me vete. E dija se pastaj me një përulje do të më pyeste kur mund të paguante pjesën e mbetur. E dija se saktë në atë ditë do të shlyente borxhin e mbetur.

E dija se ai në bibliotekën prej mijëra librash kishte investuar para të mëdha. E dija se raftet e librave i kishte për qejfi. E dija se mblidhte secilin botim gramatike, fjalori gjuhësor, koleksionues si asnjëri tjetër i letërsisë për fëmijë. E dija se kur para nxënësve do të shpjegonte për shkrimtarët: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, Jeronim de Rada, Migjeni… ai në klasë, në tavolinën e tij, do të vendoste kompletin e librave, e të gjithë nxënësit do t’i shihnin veprat me sy e me shqisën e të dëgjuarit do të dëgjonin ligjëratat e profesorit (Zymerit).

Zymeri ndodhte të paguante për një libër shumë të madhe e në të njëjtën kohë të më dhuronte falas dhjetëra, qindra libra. Nuk kisha mundësi ta kundërshtoja apo të kërkoja çfarëdo marrëveshje tjetër, bëhej fjalë për zemërgjerësinë e tij. Zemra nuk mund të preket! Ky është Zymeri, djali nga Llapi, dashuria e të cilit për librat është e veçantë. E di se kur ndonjëri nga studentët dëshpërimisht në kërkim të fundit të librit të nevojshëm do të pyeste se mos gjendet në librarinë time, ndonjërit nga ata që do t’i telefonoja së pari do të jetë Zymeri. Ndodh ta ketë edhe nëse e ka, do t’ia japë secilit student pa asnjë shpagim…”

Z. Florim Beqirin e falënderojmë nga zemra, që më bëri personazh të rëndësishëm të ditarit të tij.
Zoti ju bekoftë, miku im me familjen tuaj!

Podujevë, më 15 gusht 2019