DUHET TË RREZIKOJË KOSOVA – TË KETË NJËHERËSH EDHE KRYETARIN EDHE KRYEMINISTRIN MARIONETA…!?

0
1169
Thaçi - Haradinaj - Veseli

Marrë për botim nga inxh. Abdulla Begolli (Gjermani) – nga Gjin Musa

Dilemat për “shoqërimin” në mes të Hashim Thaqit dhe oficerit francez Arnaud Danjean

Bashkatdhetari veteran Rexhep Halimi, që punonte e jetonte në Cyrih të Zvicrës, kishte një dhunti racionale për t’i identifikuar edhe bashkëveprimtarët. Duke jetuar i vetëm në Cyrih, me pagë të mirë në SBB (trenat e Zvicrës), ai në banesë i kishte shpesh parazitët Xhavit Haliti, Hashim Thaqi dhe të tjerë, të cilët po ia trajtonin banesën si çajtore. Në atë banesë e kishte pas mysafir edhe francezin Arnaud Danjean, të cilin Hashimi ia kishte prezantuar si shok kursi të gjuhës gjermane. Por Rexha, në dukje naiv, fillon të dyshon në atë shoqërim, meqë Arnaud po e merrte në pyetje si hetues, dhe jo thjesht si shok i Hashimit. Dhe prandaj e dyshonte si agjente të ndonjë shërbimi sekret francez. Qysh atëherë ai ma pat dhuruar vizitkartën e Arnaudit. Meqë nuk e quajta me rëndësi, nuk e ruajta.

Gjatë Konferencës në Rambuje nga një diplomat operativ pyetëm nëse e njihja “shokun” e Hashimit me emër Arnaud Danjean, i cili gjithandej po e shoqëronte Hashimin në Kështjellë. Unë iu përgjigja se është shok i Z. Thaçi. Ai shprehu habinë: “si qenka e mundur me qenë shok Z. Thaçi me një oficer të shërbimi inteligjent francez…!?” (perifrazimet e lira).

Një tjetër ditë, dy-tre ditë para përfundimit të Konferencës në Rambuje, më takojnë dy diplomatë operativë, që duhej të ishin në shërbim të Wolfgang Petritsch (Petriç). Ata paksa me tone kërcënues me folën: “Z. Hashim Thaçi nuk po guxon me firmos marrëveshjen nga frika hakmarrëse e komandantëve të UÇK-së, të cilët po i influenconi Ju dhe Z. Sabri Kiçmari…” U irritova dhe ju përgjigja: “Komandantët e UÇK-së nuk janë banditë, ata respektojnë përfaqësimin e Delegacionit të Kosovës. Z. Thaçi po kamuflon komandimin e Z. Arnaud Danjean, oficer i shërbimit sekret ushtarak francez, i cili gjatë gjithë kohës po e mban Z. Thaçi nën kontroll”. Hapën sytë dhe njëri prej tyre me tha: “Mos vuan nga sindromi i teorisë se komplotit…”

Ditën e parafundit të Konferencës pata rast ta përshëndes Z. Joschka Fischer, Ministrin e jashtëm të Gjermanisë, gjatë daljes nga konferenca e shtypit. I fola, duke iu prezantuar me emër dhe mbiemër, anëtar i partisë se tij dhe shqiptar nga Kosova. Më qortoi rëndë pse nuk po e nënshkruanim marrëveshjen, duke m’u gërmuar: “Mos po mendoni se ne nuk kemi besë, por vetëm Ju? Pse nuk po nënshkruani?”

I tregova se Hashimin nuk po e lejonte shërbimi sekret ushtarak francez, i cili ia ka vu mbi kokë të tij një epror. Shprehi habi, duke thënë:
“U dashka të merremi vesh me francezët!?” I thash se vetëm ai shërbim po e komandon Hashimin për refuzim, përndryshe gjithë Delegacioni është për nënshkrim.

Në Samitin famëkeq botëror, që u mbajt në qershor 1999 në Këln të Gjermanisë, nën patronatin e qeverisë gjermane, me ra ta takoj Z. Arnaud Danjean. Në atë samit fatkeqësisht gjermanët rikthyen rusët në vendimmarrje për Kosovën.
Me telefonuan që të siguroj hotel për Hashimin, i cili po vinte në atë samit. Mu tek ti telefonoj Hotel “Maritim”. U thashë se më duhet suitë për kryeministrin nga Kosova. Pa hezitim me treguan numrin e dhomës dhe me thanë të shkoj të kryej formalitetet.

Doli se atë hotel e kishte marrë me qira qeveria gjermane për kryeministra të shteteve. Po aty ishte vendosur edhe Kancelari Schröder. Personeli i hotelit besoj se vërtet Kosova kishte kryeministër, prandaj aq lehtë me caktuan numrin e dhomave.

Kur erdhën Hashimi, më duket me Bilall Sherifin, patëm pak problem në aeroport të Këlnit/Bonit. E ndaluan Hashimin. Telefonova në Ministri të jashtme. Intervenuan. E lejuan të hynte.

Kur Hashimi me Bilallin u ngjitën në dhomë për të lënë valixhet, unë u ndala t’i pres në holl. Kur papritmas mu paraqit Z. Arnavud Danjean. Mu drejtua: “Z. Kelmendi, erdhi Hashimi?” Unë nuk e njihja. E pyeta kush ishte. Mu prezantua se është shoku i Hashimit…

U ulëm. I shpjegova se e njihja si emër dhe si oficer francez… Qeshi. Më tha se Hashimi i kishte rrëfyer shumë për mua dhe se me respektonte shumë, e truke të ngjashme të agjentit.

E pyeta ku e ka takuar për herë të parë Hashimin. Mu përgjigj, në kurs të gjermanishtes në Cyrih. Ia ktheva, të mos me tallej, meqë vetëm për kurs një ushtarak francez nuk shkon nga Parisi në Cyrih…

Biseda jonë eskaloi në grindje. Në ato momente zbriti Hashimi. Na gjeti duke u grindur. Mu drejtua: “Shef, nuk ke nevojë të shqetësohet, e kam vetëm shok të mirë…” Ia ktheva: “U sqaruam, Hashim Thaçi i Brojes shok me ushtarak i shërbimit sekret ushtarak francez. Kësaj pune i ka dal tymi moti!” Ia tregova edhe kartëvizitën, që sapo ma kishte dhënë Arnaud. Nuk i erdh mirë. Ma kërkoi ta shihte. Nuk ia dhashë, sepse dija se nuk do të ma kthente.

Ndoshta në fund të vitit 1999, ose në gjysmën e parë të vitit 2000, të banaku i Hotel Grandit Z. Bardhyl Mahmuti po fjaloseshin me Z. Arnaud Danjean. U afrova për të ndërhy. Bardhyli po eksplodonte dhe prandaj po e shante. Atë sherrnajë e keqkuptova si angazhim shantazhues të Arnaudit, për ta tjetërsuar partinë që po udhëhiqtë Bardhyli, për t’ia dorëzuar Hashimit…

Dhe ndodhi ai komplot, duke e zhbë PPDK dhe duke formuar PDK-në.

* * *

Atëherë dhe tani nuk kam mund të sqaroi dilemën, nëse shërbimet serbe e kishin kontaktuar Arnaudin me Hashimin!? Mundësi tjetër nuk duhet të kishin pas.
Atëherë dhe tani, ai shërbim ushtarak francez është filoserb, pavarësisht politikes franceze, që kamuflon veprimet e shërbimeve…

* * *

Shteti ngjan me korporatë, që ka bord e drejtor. Kur drejtori ose kryetari i bordit nënshkruajnë kontratë me korporata të tjera, krejt të punësuari me e kundërshtuar, nuk pinë ujë. Kontrata për palë është ligj (qysh nga e Drejta Romake)! Edhe kryetari dhe kryeministri i shtetit, kur firmosin kontrata, nuk zhbëhen edhe nëse hallakatet gjithë popullata…
Duhet të rrezikojë Republika e Kosovës, të ketë njëherësh edhe kryetarin edhe kryeministrin marioneta…!?
Komisioni hetues pralamentar do të duhej të hetonte “shoqërinë” e Hashimit me francezin Arnaud…

* * *

FRAGMENTE NGA KARRIERA PROFESIONALE E ARNAUD DANJAEN
• 01.11.1994 – shtator 1998 si pjesëtar i Shërbimit sekret ushtarak të Francës (Direction Générale de la Sécurité Extérieure / DGSF), Arnaud ka udhëhequr ekipin për monitorimin e konflikteve në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë (siç i kamuflojnë ekipet e spiunazhit shtetet e fuqishme).
• Shtator 1998 caktohet shef i stafit (të agjentëve) për “krizën” në Kosovë. Në këtë cilësi angazhohet në Konferencën e Rambujesë për ta “këshilluar” Hashim Thaqin (kryetar i delegacionit të Kosovës).
• Në vitet 2000 – 2002 ka shërbyer si këshilltar në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të sigurisë së jashtme, Jean-Claude Cousseran.
• Në vitet 2002 – 2005 angazhohet me shërbim në Gjenevë, në Përfaqësimin e Përhershëm të Francës në Kombet e Bashkuara.
• Nga maji 2004 deri në shkurt të vitit 2005 angazhohet në Kosovë në shërbim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë (PPJS) Përbashkët, Havier Solana. Atë mision i udhëhiqte një diplomat spanjoll, i ngarkuar për të koordinuar politikat evropiane dhe veprimet diplomatike ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë të Kosovës.
• Nga shkurti 2005 – mars 2007 angazhohet në kabinetin e ministrit të jashtëm francez, Mishel Barnier, si një këshilltar për çështje të Ballkanit. Ka vazhduar këtë përgjegjësi me të pasardhësit të tij, Filip Dust-Blazi.
• Nga marsi 2007 fillon karrierë politike publike (siç plasohen politikanët nga shërbimet sekrete në shtetet e fuqishme) dhe arrin deri edhe të parlamentar i Parlamentit të BE-së.

/Ibrahim Kelmendi