Duhet bërë së pari Ribashkimi Shpirtëror, pastaj Ribashkimi Kombëtar

0
687
Durrës - vijojnë kërkimet në zonën e ish-kënetës

Zymer Mehani

(Me shkas)

* * *

Tragjedia e shkaktuar nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë s’do mend se u prit me dhembje nga tërë bota përparimtare përgjithësisht e në veçanti nga bashkëkombësit shqiptarë kudo që jetojnë ( në vetë Shqipërinë, në Kosovë, në Çamëri, në viset shqiptare në Mal të Zi, në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, në viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe kudo në diasporë).

Ne shqiptarët e Kosovës s’bëmë asgjë të jashtëzakonshme vetëm se jemi duke e kryer obligimin që na takon ndaj vëllezërve Shqiptarë të Durrësit e Thumanës dhe të vatrave që i dridhi tërmeti katastrofal. U pa mirëfilli se reagimi institucional ishte në kohën e duhur.

Njësitet elitare të specializuara për katastrofa natyrore nga radhët e Ushtrisë dhe të Policisë së Kosovës me një disiplinë të paparë ndërhynë kudo ku u kërkua prej tyre për kërkim-shpëtim të personave që pësuan. Edhe plaku i moshuar, edhe gruaja 75-vjeçare u solidarizuan me vëllezërit shqiptarë….madje edhe pacientët me sëmundje të rënda dhe vogëlushët 5 a 6 vjeç me vullnetin dhe çiltërsinë e shpirtit të tyre lodrat dhe kursimet modeste të tyre ua dedikuan bashkëmoshatarëve të tyre të vatrave të tragjedisë së tërmetit…

Bisneset, konfesionet fetare, shoqëria civile përgjithësisht ishin në gjendje gatishmërie për ofrim të ndihmës çfaredo qoftë, jo për mburrje e krekosje, porse gjaku ynë shqiptar është i njëjtë dhe kjo është vetëm obligim që kemi ndaj njëri-tjetrit…Na kujtohet viti 1999 kur dyert e nënë Shqipërisë u hapën për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, të cilët armiku shekullor i dëboi nga vatrat e veta…

Ne i respektojmë institucionet e shteteve tona, si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë.Po ashtu edhe ca gabime që po bëhen…ca keqpërdorime në menaxhim të të mirave materiale etj. etj… nuk na lënë përshtypje, sepse këto dukuri janë shfaqur e do të shfaqen në çdo shoqëri, pa marrë parasysh nivelin zhvillimor ekonomik të tyre… E vetmja kërkesë jona është që mos ta bëjmë qimen tra, sepse edhe në këtë situatë që ndodhen shqiptarët, kemi çfarë të shkruajmë (për gjëra të mira…). Duhet bërë së pari ribashkimi shpirtëror, pastaj Ribashkimi Kombëtar.