- Nga takimi i përfaqësuesve të federatave FNAI Itali e FSHSHG Greqi
Për ne që po merrnim avionin nga Athina për të shkuar në Itali në takimin me përfaqësuesit e federatës FNAI, emocionet filluan që në aeroportin e kryeqytetit grek. Dikush nga kolegët tanë vuri një foto të grupit tonë në fb nga momenti i pritjes në aeroport përpara nisjes. Pas pak minutash dikush nga miqtë tanë në Itali e vuri atë foto në faqen e Federatës FNAI në përcjellje të urimit të mirëseardhjes.
Një gjest i thjeshtë, por që na krijonte që në nisje ngrohtësinë e mikpritjes. E kjo është diçka e bukur, që ne shqiptarët e kemi në traditë, të trashëguar brez pas brezi. Atë ngrohtësi do ta ndjenim më konkretisht kur zbritëm në aeroportin e Bergamos, ku përfaqësues të FNAI-t, Petrit Aliaj, Ndue Shabaku e Ardit Aliaj na prisnim me dy makina. Takim i përzemërt si midis vëllezërish e motrash, një kafe e shpejtë mirëseardhjeje dhe pastaj udhëtim përmes pejsazhesh piktoreske italiane për të arritur në vendin ku do të bëhej takimi.
* * *
Për ne që prisnim ardhjen e grupit pëfaqësues të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG), emocionet dhe angazhimet kishin filluar që disa ditë më përpara, për organizimin e takimit. Pas kontakteve të vazhdueshme në internet dhe bisedave online midis presidentëve e drejtusve të tjerë të federatave, kishte ardhur momenti që të bëhej një takim përfaqësuesish midis të dy palëve. Ishte caktuar data e me kalimin e ditëve e orëve gjërat duheshin parë deri në detaje. Meqenëse mysafirët do zbrisnin në Bergamo e po nga ai qytet do niseshin pastaj për në Athinë, u mendua që takimi të zhvillohej në një pikë turistike jo larg Bergamos.
U zgjodh një hotel në Peschiera, në brigjet e liqenit piktoresk të Gardës. E drejt tij u nisën të shtunën pasdite drejtues të federatës e të shoqatave të saj, por edhe aktivistë të thjeshtë, që nga Fermo, Pesaro e Bolonja, Reggio Emilia, Mantova e Milano, Brescia, Riva del Garda e Padova. Me dëshirën për të njohur nga afër vëllezërit e motrat emigrantë që vinin nga Greqia, për të folur mbi problemet e përbashkëta, për të shkëmbyer përvojat përkatëse në punën e bërë në interes të emigrantëve, në mbrojtjen e traditave, gjuhës e kulturës kombëtare edhe në dhe të huaj etj. Që në momentet e takimit në oborrin përpara hotelit, ato duar të shtrënguar ngrohtësisht e me buzëqeshje të përzemërta, tregonin se distancat gjeografike ishin shkurtuar e bashkëpunimi midis dy federatave po fillonte në mënyrë vëllazërore.
* * *
Një sallë e zbukuruar hijshëm, ku flamuri shqiptar sikur shpalosej enkas për të treguar bashkim, na mblodhi së toku e ende në emocionet e përshëndetjes, filloi hapja e takimit të drejtuar nga anëtari i Presidencës së FNAI-t dhe kryetar i komisionit të informacionit, Petrit Aliaj. Zëvendëspresidenti Hamit Çorrogjafi përshëndet, duke iu uruar mirëseardhjen mysafirëve nga Athina dhe mbarëvajtje në zhvillimin e takimit. Pastaj presidentët përkatës bënë një paraqitje të punës e veprimtarive të zhvilluara nga Federatat në Itali dhe në Greqi e të programeve që kanë në vazhdimësi të këtij viti. U theksua që emigrantët tanë jetojnë e punojnë në dy vende ku është përqëndruar pjesa më e madhe e monumenteve arkitekturore e thesareve artistike e kulturore të të gjithë globit.
Kjo është njëfarë privilegi, por edhe impenjim për njohjen sa më të mirë të këtyre pasurive, për të arritur në një integrim më të plotë e të natyrshëm të emigrantëve në jetën e të dy vendeve e për të ditur për të përcjellë e ruajtur sa më mirë në këto vende identitetin tonë kombëtar, vlerat sado modeste por për të cilat jemi krenarë në fushën e kulturës, arteve, historisë e gjuhës sonë amtare, kostumet e bukura popullore, vlerat e cilësitë shpirtërore, që secili i ka bartur me vete edhe në emigracion, si shprehje e dashurisë dhe mallit për Atdheun.
Aty u sollën përvojat përkatëse të punën së bërë nga shoqatat në përbërje të federatave për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, për aktivitetet kulturore e letrare, për festimin e ngjarjeve historike me rëndësi kombëtare, për peticionet drejtuar parlamentit e institucioneve shtetërore lidhur me të drejtat dhe kërkesat e ndryshme të emigrantëve etj. U fol, bie fjala për grigliatën poetike e promovimet e shumta të librave nga krijuesit shqiptarë në Itali, apo për shfaqjen e “Kostandini e Doruntina” në shqip e greqisht dhe recitimi i vargjeve të Pashko Vasës në shqip e greqisht në Greqi etj.
Diskutantë si Ana Preka e Festim Zaçe (zëvendës president i FSHSHG), Klodian Cami e Erio Korani, Amarda EkmeKçiu e Enida Shuli, Erida Çela Perlala e Shkëlqim Danaj, Shezo Bushi e Tonin Nikolli, Anila Kaja e Ardit Aliaj e plotësuan më së miri panoramën e punës së bërë nga dy federatat dhe theksuan nevojën e bashkëpunimit midis tyre për probleme e drejtime me interes të përbashkët. Lidhur me këtë nga të dy presidentët e Federatave u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi. U zgjodh edhe një komision i përbashkët pune për koordinimin e këtij bashkëpunimi. Për Federatën FNAI u zgjodhën Klodian Cami në detyrën e kryetarit të komisionit, Anila Kaja e Erio Korani. Për Federatën FSHSHG Brikena Qamo në detyrën e sekretares, Amarda Ekmekçiu e Stavro Alikaj.
Ky takim, i pari i këtij lloji pas 25 vjetësh emigracion, siç theksoi presidenti Edmond Guri, ka një rëndësi të veçantë dhe i hap rrugën një bashkëpunimi të nevojshëm e frutshëm midis dy federatave e edhe më gjerë midis emigrantëve në të dy vendet, por edhe në vende të tjera. Kjo do të bëjë që diaspora të bëhet edhe më aktive në jetën e vendit tonë, duke shtruar probleme e kërkesa, por edhe duke dhënë ndihma siç është bërë, por që kërkon rritje të mëtejshme, me investime, ndihma humanitare etj.
Atmosfera vëllazërore e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, që përshkoi takimin, u bë edhe më e ngrohtë në darkën e shtruar në restorantin “Le pergole” (Pjergullat) në afërsi të liqenit. U desh vetëm një çast që Festim Zaçe e grupi i të dy palëve pranë tij të niste si nën zë këngën e bukur vlonjate “Nën portokalle” dhe atmosfera e këngëve tona popullore pushtoi tërë sallën.
Pa humbur kohë Erio Korani e Ardit Aliaj instaluan impiantin e zërit dhe me CD nga kompiuteri filluan të transmetonin muzikë shqiptare. Atëherë ambienteve të restorantit u përhap vallja e bukur popullore shqiptare dhe grupe-grupe thuajse të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në valle. Klientët e tjerë në lokal, italianë, gjermanë e austriakë shikonin në fillim me kuriozitet e pastaj me simpati e edhe duke shoqëruar me duartrokitje ritmin e valleve tona. Shkëlqim Danaj e Shezo Bushi më se një herë do ta gjenin sintoninë në interpretimin e isove të bukura labe.
Atmosfera ishte e tillë sa dukej sikur të dy grupet njiheshin prej vitesh e jo veç prej disa orësh. Valle e këngë, ngritje dollie sipas traditës, dalje në fotografi sëbashku, shkëmbime librash e kujtimesh e bëjnë mbrëmjen të paharrueshme. Në një moment Festim Zaçe del përpara e nis të recitojë poemën “O moj Shqypni” të Pashko Vasës. Është një interpretim befasues, që fut në emocione të thella e që meriton duartrokitjet edhe të klientëve jo shqiptarë, të cilët mbase nuk kishin kuptuar asnjë fjalë por vlerësonin interpretimin.
Pastaj sërish vallja. Mes valltarëve futen edhe kamerierët e punonjës të tjerë të shërbimit të restorantit, që i kërcejnë bukur vallet tona e habitjes sonë momentale i përgjigjen në shqip: “Ne jemi kosovarë”. E atmosfera ndizet akoma me shumë e bëhet më vëllazërore. Orët kalojnë. Klientët e tjerë ka kohë që kanë ikur e tashmë vëllezërit kosovarë e mbajnë lokalin hapur vetëm për ne. Por edhe për veten e tyre nën mallin e këngës e valles shqipe.
Kishte kaluar ora dy e natës kur u ngritëm për të shkuar në hotel, kur rrugës dikush nga pala e Athinës thërriti: Nuk ka gjumë sonte. Ne nesër do ikim…Kaq u desh dhe iu hipëm makinave për të bërë një shetitje turistike në qytetin magjik të Sirmiones e pranë kështjellës së bukur të tij në mes të liqenit. Mbrëmja është e bukur, rrugët të qeta pas lodhjes nga lëvizja e papushuar e turistëve të shumtë gjatë gjithë ditës, dikush i bën shërbimet e fundit dyqanit para hapjes përsëri në mëngjesin që afron. Dritat e qyteteve përreth liqenit reflektohen në ujin pasqyrë, sa duket sikur yjet kanë zbritur në tokë për ta bërë edhe më romantike një natë si kjo.
Mëngjesi vjen shpejt e duhet vajtur drejt aeroportit. Ngrënia e mëngjesit dhe kafeja sëbashku, ndonjë foto e fundit e mbetur si merak, përqafime edhe më të ngrohta se sa disa orë më parë dhe përshëndetja me duar në largim me fjalët: “Ju presim në Athinë”…
Elona Kataro, gazetare, Athinë
Ndue Lazri, gazetar, Bolonjë