DUA T’PUTH, KOSOVË – poemë e disa poezi nga Zymer Mehani

0
2399
Zymer Mehani, portret

ZYMER MEHANI

DUA T’PUTH, KOSOVË

1.
Emrin kur ta thërras
Shqipet fluturojnë
Ngjiten në lartësi

Kur ta shkruaj vargun
Lulëkuqet lulëzojnë
Për mua e për Ty

Kosovë atdheu im-
Flamur kuqezi
Ylber i qiellit tim

2.
Ti je
Kështjellë
qëndrese
shekullore

Dhe ishe
Tempull
bese
stërgjyshore

Ke mbetur
Prehër
i rrahur
nga rrufeja

Dhe je
Këngë
e kënduar
në suksese t’ reja

3.
Lulëkuqe je prore
Plisbardhë n’histori
N’ qiellin tënd të kthjellët-
Flamur Kuqezi

-Asnjë bukuri
S’shëmbëllen me Ty…
Bijtë tu kështu thanë
Që për Ty u vranë

4.
Ti je nëna ime
N ‘ zemër m’ mbete peng
Sikur n’ tela t’çiftelisë,
O lulja e Shqipërisë!
Kam një dashuri
T’ruajtur veç për Ty!

Ti je imja nënë,
Besën ta kam dhënë
Se për ty jap kokën,
Pasha diell dhe hënë!

Se ti, moj lulëkuqe
Kuqezi Flamur
Gjithmonë je shqiptare
Kala gur mbi gur.

Sa herë kënga t’k’ndohet
Dashuria m’ shtohet
T’ ma falin dhe botën,
Për ty e lë kokën!

5.
Ti je fushë e paanë
Lulëkuqet ku tunden
Asnjëherë dallgë dhe rrebeshe
Moj mbretëreshë s’të mundën

Fushë e gjerë-je Kosovë kreshnike
Si n’ vargje të këngës
Për të qumësht e dashuri
Na dha zemra e nënës

Nëpër fusha, male e brigje
N’çdo cep-lapidarë
N’qiellin tënd valon i lirë
Flamuri Shqiptar.

Kosovë, moj nënëlokja jonë
Me kullat me gurë
Gjaku i bijve të ka hije
Te Shqipja n’Flamur.

Kosova-e jona plagë
Që nuk do trazim
Për të jetën çdo shqiptar
E fal me gëzim.

6.
Në fushat tua t’gjera
Armiku kaloi
Çdo gjë u mundua
N’gërmadhë ta shndërrojë

Në viset e tua
Vdekja u përgjak
Armiqtë t’u vërsulën
Ti s’u pate hak

N’kullat tua t’forta
U ndje fuqia e trimit
Armiqtë në ty kaluan
Me karvane t’ krimit

Ti prapë s’u dorëzove
Kokëlartë drejt në qiell
Ke zemër shqiptare
Rrofsh e qofsh përherë

7.
Në fushat e paanë
Të Kosovës si det
Lulëzojnë lulëkuqet
Ashtu si n’legjendë

Dhe emri u shkruhet
Me ngjyrë e hare
U këndohen këngët
Shqip në epope

Ato janë buzëqeshja
E kuqe e Kosovës…
Dhe na flasin shpesh
Për ndodhitë e kohës

Lulegjak – në lashtësi
Lulegjak-për mua e ty
Rriten me kokë n’qiell
Gjer në përjetësi

8.
Dua t’i këndoj këngët
Për trimëritë e tua
E në ballin tënd
Dua t’ puth, Kosovë!

Këngët dua t’i këndoj
Me zë shumë të lartë
Që të ushtojnë kudo
Në lug e në shpat

Të këndoj për Ty
Trimërinë tënde t’ artë
Të këndoj gatitu
Si ushtar para Flamurit
KOSOVË qofsh e fortë
Si Kala e Gurit!


MBUROJË PATE KRAHË VIGANËSH

(Ti, Atdhe!)

Sa furtuna të çmendura
Pamëshirshëm të rrahën
Sa dallgë të tërbura
Askurrë nuk të ndalën

Sa shekuj të rëndë robërie
I barte në shpinë
Për gjuhë, flamur e atdhe
Mbolle dashurinë

Sa gjokse e grushte burrash
T’mbrojtën me madhështi
Mic Sokoli, Adem Jashari-
E jona lavdi

Sa lulëkuqeve u ranë petalet
Nga erërat e stuhitë
Sa pëllumbave iu këputën krahët
Për liri dhe dritë

Sa ninulla kënduan nënat
Për bijtë tu flori
Sa petrita e shqipona
I fale për liri

Besën tënde kur e lidhe
E mbajte me çdo kusht
T’gjithë armiqtë seç i dërrmove
Me t’çeliktin grusht

N’histori udhëtimesh t’gjata
Ishe kështjellë qëndrese
Mburojë pate krahë viganësh
Para çdo pengese.



LULËKUQET E TUA

Tash e një mijë vjet
Me shpirtin ndër dhëmbë
T’goditën e t’rrahën
Stuhi e fërfëllëzë

Ngrica pate n’ gjak
N’zemër plagët ke
Dhe në shpirt acar
I Shqipes- atdhe

Ti ece me kohërat
Kundër pate erërat
RrEbeshet, furtunat
T’i shuan Pranverat

Tash e një mijë vjet
Shqipe në Bajrak…
Lulëkuqet eTua
Ende pikojnë gjak


NËNË TEREZËS

(Me rastin e shenjtërimit)

Nënë Terezë,
O e Madhja Nënë!
Ti ngre zërin
Ngrihesh n’ këmbë:

– Fëmijët bukë duan,
Duan dashuri.
– Ata kanë nevojë
Për mua, për ty.

Ata duan paqen
Jo dhunën, as tmerrin
Ata duan dritën
Jo skamjen, as terrin

Nënë Terezë, moj rreze
Shpëtimi dhe shprese
Me trup t’vogël fare
Por me zemër t’madhe

Bamirësia, Nënë
Nga zemra t’buron
Dashuri për njerëzit
Botës i dhuron

Kjo botë e pabesë
Herë prishet,
Herë digjet
Ndokund luftime,
Ndokund diskutime.

– Fëmijët duan bukë,
Duan dashuri!-
Ngre zërin e thua:
– Ndihmo, o njeri!

Prizrenin e lashtë
Shkupin ilirik
Prishtinë e Tiranë
I bekove, NËNË

Shenjtërimi Yt
Shqiptar’t po i nderon
Zgjohu Kastriot
Kombi po feston

Buzuku e Budi
Bogdani dhe Bardhi
Po thonë-Nënë Terza
Fytyrën na zbardhi

Je e madhe, Nënë,
Bijë e Kombit tim,
Bota shumë të do,
Jetë e mot nderim!


PËR TY, LIRI !

Shtatëmijë e shtatëqind vjet
T’kemi pritur Ty
Por Ti s’di ku mbete

Shtatëqind e shtatë shekuj
Me gjak të ujitëm
Por Ti s’di ku trete

T’pritëm t’dal’sh nga dheu
Nga deti a nga qielli
Ty moj RREZE DIELLI

T’pritëm të të sjellë era
Flaka apo zjarri
Shumë t’priti shqiptari

Ti s’mbine nga dheu
Nga qielli me fërtymë
Por nga gjaku ynë

Ty s’të solli era
Por flaka e zjarrit
E gjaku i shqiptarit


NËN RROTAT E TUA

Moj e ëmbla jetë
Si pelim e hidhur
Shekuj dhe epoka
Për qerre i ke lidhur

Nën rrotat e tua
Koha rrëshqet zvarrë
Peshë bartin me vete
S’di ku treten vallë

N t’rëndat rrotat tua
Epokat kalojnë
Me hapa të breshkës
T’ stërlodhur çalojnë

Ecë para me hapa
E kurrë s’kthehesh prapa


TRADHTIA – SI HIJA

Ngado që të shkoni, kot e keni
Ngado që të ikni, të mundur jeni
Hap pas hapi do t’ju ndjek si hija
Askund s’do t’ju lërë shteg tradhtia

Prandaj mirë mendoni, deputetë
Ju që na përfaqësoni në Kuvend
Të vendosur, mbrojeni tuajin vend
Mos u trembni, punoni me mend

Mos u ngutni, t’sigurtë qitne hapin
Hop! Mos bëni pa e menduar trapin
Assesi n’ shpinë mos qitni barrën
Se pastaj do ta bartni marren

Deputetë, atdheut dilni zot
T’jeni gati sikur dje, dhe sot
N’dëm t’atdheut mos veproni dot
Mos u ndani, por qëndroni tok

Deputetë, nëse keni frikë
Apo trembeni, ju mungon guximi
Në çdo mënyrë, nëse do të lajthiteni
Përgjithnjë ju do të koriteni

Mirë mendoni edhe çelni sytë
Mos t’ju rrejnë, t’ju mundin dredhitë
Kujdes t’keni se bëheni tradhtarë-
Tradhtia- si hija, s’ju ndahet gjer n’varr

Kudo që të jeni, ngado që të shkoni
Sa të jeni gjallë, sa do të jetoni
Gjithsecili tradhtarë do t’ju thotë
Do të rroni me turp në këtë botë

Prandaj logjikoni, me guxim shqiptari
Më mirë atdhetar se sojli tradhtari
Po ju them, guxim n’Parlament
Se përndryshe as kund s’keni vend


CILI JE?

(Bacë Adem Demaçit)

Je një trim
Syshqiponjë
I betuar
N’flamur tonë

Je dhe lis
Degashumë
Qëndrestar
Në furtunë

Je dhe yll
Që ndriçon
Anembanë-
Galaksion

Je pëllumb
Në fluturim
Deshe paqen
Pa mbarim

Je dhe dritë
Me rreze t’ arta
Gjeraqinë-
Shqipe me flatra

Je dhe këngë
N’tel t’lahutës
Gisht gatitu
N’çark të pushkës

Je dhe lumë
Që gurgullon
Për atdhe
Jetën jetëson

Je dhe bjeshkë
Majeborë
Djalë i popullit
Burrë arb’ror

Je dhe besë
Fjalë e artë
Krenari
Për gjithë shqiptar’t

Je dhe vuajtje
Për flamur
Qëndrestar
Në furtunë

Je dhe kullë
E fortë prej guri
Dhe kala
E zemër burri

Je luan
Për timin fis
Të rri bukur
I bardhi plis

O Shqiptar
E bir shqiptari
Je për komb
Margaritari


ATDHEU

Atdheu në zjarr
Ne tym e flakë
Flamur kuqezi
I ngjyer me gjak

Atdheu-këngë
Sot në liri
Atdheu-jetë
Plot ngrohtësi

Atdheu-mal
E det i thellë
Atdheu-lulëkuqe
Me kokë lart në qiell


TI, O SKËNDERBE!

Rroke shpatën
N’Kala t’Krujës
Shembe një lubi
Një kulçedër me shtatë koka
Një Perandori
Korre ëndrra pashallarësh
Dhe shekujt me pallë
Padishahë dhe jeniçerë
I grive palë-palë
Përkrenarja me dy brirë dhie
Bukur t’rri mbi kokë
Për lirinë e kësaj Arbërie
Me shqiptarët –tok
N’gjoks Flamurin Kuqezi
N’luftëra çlirimtare
Shpatë e rëndë shënoi lavdinë
N’historinë shqiptare



PËR TY, ATDHE

S’mund të rri pa t’thënë një varg
Se ty t’kemi DASHURI…
S’mund të rri pa ta shkruajt emrin
N’timen poezi

S’mund të ndalem pa t’thënë këngën
Lot m’shkojnë nëpër faqe
S’mund t’duroj pa ta shkruajt emrin
Në të miat vargje

S’mund të hesht e mos t’përmend
Tënden histori
Kryetrimin Skëndërbe-
E jona lavdi

S’mund ta ndal të zemrës vrull
Mori Shqipe malit
S’mund t’mos puth tëndin Flamur
Të Ismail Qemalit

Jo, jo s’mund ta ndali veten
O Atdhe i shtrenjtë
Pa i këndu’ Adem Jasharit
Prekazit të Shenjtë

S’mund të ndalem dot pa shkue
Porsi Gjeraqina
T’u bëj nderin dhe respektin
Vëllezërve Haradinaj
S’mund të stepem, më vlon gjaku
Me vrull të Petritit
Të përulem para t’madhit
Zahir Pajazitit

Saherë lapsin marr në dorë
Vargjet t’i rendis
Mendja m’fluturon në Vlorë
N’Shesh të Pavarësisë

Asnjëherë s’munda të shkruaj
Vjersha e ditare
Për pa m’ikë si vetëtimë mendja
N’Krujën legjendare

Kurrë nuk munda t’shkru’j një fjalë
Në t’miat fletore
Për pa thënë diçka për Lezhën
Besëlidhjen Malësore

Saherë vargun e ndërtova
Mendja m’thotë “Ndal, mik”
– Lart’so n vargje dhe në këngë
Prizrenin historik

S’munda kurrë t’i ndal dëshirat
Që flut’rojnë vrik
Ty atdhe t’pafsha t’BASHKUAR
O DJEP ILIRIK


S’ISHTE SI NE

(Dëshmorit të kombit, Nexhmi Llumnica-Komandant GJONI-i!)

Për t’atdheut liri të pushonte kurrë s’ donte
Në majë heshtash, shigjetash e thikash të prehta
Jeta e çelikoste si k’to maja e shkrepa

Thellë në të tijin shpirt,
Ç’ e plagoste robëria e rëndë e atdheut
E për liri kishte mall t’madh,
Zemër-Prometheu
E spiunonin dhe e përgjonin përherë, pa ndërprerë
Shpesh me fjalë të përzgjedhura e çonin gjer n’qiell
Sepse hipokritët e tradhëtarët si korbat vërtiteshin në erë
Dhe donin ta plandosnin për tokë me mllef e tmerr
Por ta thyenin e shkatërronin s’mundën asnjëher’!

Edhe me gurë shpesh e gjuanin, e qëllonin
Pastaj e fshihnin dorën, më besoni!
Bënë e ç’nuk bënë, as mendja s’jua thotë
Sepse dëshironin t’ia prishnin trutë në kokë
E t’mos mendojë për komb, as për shokë.

Prore u mësua me vrazhdësi, ashpërsi
Se ai nuk shëmbëllente me mua, as me ty
Jeta e kish mësuar t’qëndrojë n’vështirësi
Kish fuqi t’jashtëzakonshme, ish ndryshe disi!

Nga të ëmblat fjalë dhe lëvdata prekej dhe rëndë plagohej!
Dhe prej përkëdheljesh të ngrohta prore vetëm lëndohej!
E kur e shanin dhe shpifnin për të a përhapnin thashetheme,
Çuditërisht, përherë i fortë bëhej, si kala me bedene!

Edhe po ta shponin e grisnin me hushta e shpata,
Edhe po ta vrisnin e ta mbysnin me armët e gjata
Veç t’vërtetën e thoshte pandërprerë ky burrë,
Për të u sakrifikua e s’u dorëzua kurrë!

Sot në të historisë kombëtare i skalitur
Shkëlqen i Tiji emër – KOMANDANTI GJON
Monument i gjallë në çdo zemër qëndron
I kombit arbëror Dëshmor i lirisë
Për Kosovën Trime Kurorë e lavdisë

Heu, Nexhmi Llumnica, i Skënderbeut stërnip
i shpejtë si rrufeja, zemërfortë çelik
E munde një Perandori, në t’ 81-shit Pranverë
Në Ushtrinë Çlirimtare u rreshtove me nder
Bëre luftë o vëlla për t’shtrenjtën liri
Gjaku Yt qëndron n’Flamur Kuqezi
LAVDI, O DËSHMOR – E JONA LAVDI!


SYSHQIPES

(Dëshmores Ylfete Humolli-t)

Flokët ia ledhatonte e freskët një erë
Kur plagët e kombit lëngonin pa ndërprerë

Përherë gati ishte kushtrimi kur jepej
Ngrihej për Kosovën asnjëherë nuk stepej

Seç e ngriti zërin për t’lirin ATDHE
Kërkonte LIRI dhe një jetë të re

Porse gjakatarët me t’bishës tërbim
E këputën LULEN hiq pa hezitim

Ia prenë ëndërrimet shpersat ia këputën
Por, jo, jo barbarët SHQIPEN dot s’e mundën

Gjer në përjetësi trimëresha u ngrit
Për Kosovën nënë kurrë s’lu’jti qerpik

Sot te lapidari- plot lule dhe kurorë
Lavdi t’qoftë YLFETE bijë e DHEUT ARBËROR


PO TË MOS ISHIT JU

(VËLLA E MOTËR DËSHMORË, YLFETE E MENTOR HUMOLLI)

A do të ishim kaq të lirë
Po të mos ishit Ju

A do ta gëzonim sot lirinë
Po të mos qëndronit Ju

A do të ishte KOSOVA shtet
Po të mos flijoheshit Ju

Gjaku Juaj u bë dritë-
E jona liri

Lumë si nëna që Ju lindi
Për ne – KRENARI

Si dy Shqipe fluturuat
Përjetësinë fituat


NËSE DONI TA DINI

Nëse doni ta dini
Dashuri imja cila është
Pyetni lulëkuqet e Kosovës.
Pyetni kullat me gurë
E Shqipen në Flamur

Dashuria ime cila është
Nëse doni ta dini
Pyetne këtë tokë me varre
këto fusha dhe male
E Shqipërinë e Madhe

Nëse doni të dini
Për dashurinë time të shenjtë
Pyetne gjuhën, nderin,
E këtë atdhe të shtrenjtë


ARMIQTË

Në mugëtirë arritën
Me një tjetër gjuhë
Me të tjera veshje
Me litar e hu

Arritën një natë
Të bëjnë dhunë kudo
Këngët na i bënë vaj
Lojën tmerr pastaj

Në mugëtirë arritën
E gjuhën s’ua ditëm
Shpinën s’e përulëm
Në gjunjë s’u përkulëm

Me grushtat çelik
Me heshta, terlik
Me kobure, thika
U dolëm në prita

Ngado i dërrmuam
I vramë, i copëtuam
Me turp i dëbuam
Nga kanë ardhur, shkuan