Foto: Naime Gjongecaj në Samitin E Diasporës, me miq, vëllezër, motra, nëna që duan dhe kontribuojnë për Kombin. Diaspora gjithmonë është mbështetëse dhe zëri i Kombit tonë kudo në Botë
Intervistë me znj. Naime Gjongecaj, kandidate e Partisë LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, numri 18, në Tiranë
Naime Gjongecaj e quan politikën një mjet për t’iu shërbyer njerëzve dhe jo siç ka ndodhur këto tridhjetë vjet që partitë e vjetra e kanë kthyer në një mjet për t’iu shërbyer klaneve rreth tyre. Ajo vjen nga shoqëria civile dhe ka treguar se di të jetë pranë njerëzve në nevojë, zëdhënëse e zërit të tyre të dobët, që ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Në këtë intervistë ajo bën përgjegjëse për gjendjen e shqiptarëve klasën politike tridhjetëvjeçare dhe rrëfen sfidat e përballjet e saj në emër të një politike tjetër, që të jetë një mundësi ndryshimi real dhe jo fasada të keqpërdorura propogandistike, siç ka ndodhur tash e tre dekada.
– Çfarë ju shtyu të përfshiheni në politikë, duke garuar në një parti të re?
– Unë jam qytetare e këtij vendi dhe çdo ditë prek hallet dhe nevojat e njerëzve, trishtohem e ndihem keq nga varfëria dhe mjerimi që është ulur këmbëkryq në shumicën e familjeve shqiptare. Sigurisht që fajtori nuk është anonim, por klasa politike tridhjetëvjeçare, që ka menduar vetëm për interesat e një rrethi të ngushtë njerëzish rreth e rrotull tyre. Thënë ndryshe, partitë e vjetra janë mëkataret e mëdha, sepse e kanë ngushtuar nivelin e përfaqësimit përgjithësisht në figura të konsumuara dhe me “rrezonacë” të dobët me publikun, dhe nga ana tjetër, në këto vite kanë bërë batërdi mbi pasurinë dhe resurset publike të këtij vendi.
Në këto rrethana, të qëndrosh indiferente unë e quaj mëkat dhe mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë këtij realiteti të trishtë është të merresh me politikë, të jeshë pjesë e partive të reja, që janë formuar si reaksion ndaj kësaj kënete tridhjetëvjeçare, ku kutërbojnë ujërat e ndenjura të politikës së vjetër. Këto parti do t’i japin fund këtij tranzicioni të vrazhdë e primitiv dhe do të mundësojnë çarjen e rrethit vicioz ku e ka futur vendin politika e vjetër.
Ndaj jam kandidate e Partisë LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, numri 18 në Tiranë, parti që vërtet nuk është provuar në garat elektorale, por është një parti e intelektualeve të ndershëm dhe profesionistë të zotë, e njerëzve të thjeshtë që janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë e ardhjes së një demokracie reale, parti e zgjimit të shpresës së shqiptarëve. Ndaj dhe ftoj të gjithë votuesit, të majtë e të djathtë, të qendrës apo pa përkatësi politike, të më votojnë, sepse do të jemë realisht një zë i fortë i tyre në Kuvendin e Shqipërisë, që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
– Na thoni diçka për origjinën, cila është Naime Gjongecaj?
– Unë jam nga Bajram Curri, Tropojë dhe jam lindur në Burrel më 21.07.1963, aktualisht jetoj në Tiranë. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, ku gjyshi im Ukshin Deli Gjongecaj i Krasniqes ka qenë ndër ndërtuesit e parë të kanaleve vaditëse, veprimtari e shquar për të cilën mban dhe emrin “Heroi i Punës”. Për shkak të talentit dhe dhuntive të tij të veçanta në këtë fushë, është cilësuar nga ekspertët e kohës si “inxhinieri me diplomën në gur” si dhe mban titullin “Qytetar nderi” i Tropojës.
Unë që në fëmijërinë e hershme jam rritur me nje edukatë familjare model, krenare për shtëpinë tonë që ishte një sofër e shtruar buke e bese, pajtimi e vëllazërimi. Gjatë eksodot biblik të shqiptarëve të Kosovës nga llava e represionit serb, familja ime ka kontribuar në sistemin e vëllezërve dhe motrave kosovare, në kohën e luftës 1999, kur nga Kosova martire u larguan për t’i shpëtuar makthit përndjekës të genocidit millosheviçian qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës.
Kam punuar në arsim 14 vite, me një shkëputje të shkurtër kur erdha në Tiranë, për të vijuar më tej kontributin në drejtim të shoqërisë civile. Kam mbrojtur Diplomën Bachelor në Mardhënjet Ndërkombtare, më pas kam punuar për tetë vite në bashkinë e Tiranës dhe kam mbi shtatë vite pune me organizata dhe shoqata humanitare në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Në vitin 2019, në kohën e tërmetit, kam ndihmuar me ushqime dhe kontribute të tjera mjaft qytetarë të prekur nga tërmeti, si dhe në sistemim e disa qytetarëve në Tiranë dhe Kosovë.
Jam anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në USA, vlerësuar me stimuj nderi e mirënjohjeje nga organizata humanitare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, jam anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane me qendër në Neë York, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
– Çfarë mendoni se ka shkuar keq në këto tre dekada, cilat janë çështjet më të mprehta dhe plagët më të rënda të këtij tranzicioni?
– Kudo që të prekësh në këtë realitet të vrazhdë ku jetojmë është një plagë më vete. Ndotja urbane, kaosi urban, dëmitimet e traditës dhe kthimi i kryeqytetit në një kullë gjigande, vjedhja dhe zhvatja e pasurisë publike, varfëria ekstreme e shtresave më të këputura të shoqërisë, dobësimi dhe shkuarja drejt varfërimit e shtresës së mesme, pagat dhe pensionet nën nivelin e optimalitetit jetik, mungesa e ujit, dritave, çmimi i lartë i ujit, energjisë, karburantit etj, janë vetëm disa nga këto plagë. Plaga më e madhe është ajo që iu ka bërë qytetarëve të këtij vendi politika e vjetër: vrasja e shpresës se ky vend do të bëhet, shpopullimi thuajse masiv i vendit, sidomos nga të rinjtë, zëvëndësimi i meritokracisë me partitokraci etj. Ne synojmë të jemi një zë ndryshe, të ndikojmë fuqishëm që të niset shoqëria shqiptare në një start të ri, drejt një shoqërie të vërtetë demokratike, më të drejtë e më të përgjegjshme për fatin e çdo individi.
– Pse mendoni se duhet t’iu votojnë qytetarët?
– E para, sepse unë përfaqësoj një parti të re, që nuk ka asnjë lidhje me strukturat e errëta të së kaluarës komuniste (siç kanë tre partitë e vjetra) anëtarët dhe drejtuesit e të cilës nuk kanë vjedhur dhe nuk kanë bërë zullume me paratë dhe pasuritë publike të këtij vendi, që janë njerëz me integritet të lartë moral, intelektualë të formuar dhe profesionistë të zotë.
Së dyti, sepse unë vij nga Tropja, një trevë ku fjala ka peshën e malit dhe po e fole atë duhet ta mbash me çdo kusht e me çdo çmim. Unë nuk premtoj as rrugë, as punë, as drita e ujë 24 orë, pasi këto janë premtuar e ripremtuar dhe nuk janë mbajtur premtimet. Unë premtoj që telefoni im do të jetë ditë e natë, njëzet e katër orë hapur për qytetarët, do të jemë me ta në çdo betejë për të drejtën, nëpër spitale kur janë të sëmurë, nëpër institucione kur kërkojnë punë, kur kërkojnë shkollim për fëmijët dhe të drejta të tjera. Unë dua vetëm që t’iu shërbejë njerëzve, të mund të përkujdesjem ndaj shtresave në nevojë të shoqërisë, të punojë me shumë përkushtim për të bërë më të mirën e mundshme, në shërbim të komunitetit, nevojave të tyre jetike, sidomos ndaj hallexhinjve, kësaj shtrese të zbuluar sociale që jeton në skamje e mjerim.
I ftoj gjithë qytetarët e Tiranës të më votojnë mua, të votojnë nr.18 të Partisë LËVIZJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, pasi përparësia ime, nëse ulem në Kuvend, do të jetë mbrojtja e shtresave në nevojë, mbrojtja e grave të dhunuara dhe fëmijëve pa prindër, mbrojtja e të gjithë atyre që janë me të drejtën, duke ofruar mbështetje të veçantë për të mundësuar që këto shtresa të gëzojnë mbështetje të fortë ligjore dhe integrim të plotë në shoqërinë shqiptare.
Dërgoi për publikim, Dugagjin Hata, gazetar