nga Auron Tare, 5 Korrik 2020 – Peizazhe.com
Hyrja redaksionale
Materiali që po botojmë në vijim, i përgatitur nga studiuesi Auron Tare, i kushtohet një teme sa me rëndësi, aq edhe delikate: marrëdhënieve të intelektualëve shqiptarë të mërgatës me agjencitë e huaja të inteligjencës, gjatë viteve 1945-1990; dhe konkretisht, peripecive të dy figurave përndryshe qendrore të kulturës shqiptare anti-totalitare të atyre viteve, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, të kapur midis Shilës së armiqësisë nga Tirana, dhe Haribdit të së gjithë atyre që kërkonin ta rrëzonin pushtetin e Enver Hoxhës.
Auron Tare, që ka hulumtuar dosje arkivore të Sigurimit të Shtetit të RPSH-së, CIA-s dhe agjenturave të tjera të huaja, i sjellë lexuesit një numër provash origjinale dhe të tërthorta, të bashkëpunimit edhe të Camajt, edhe të Koliqit, me këto agjentura; të gatishmërisë së këtyre dy figurave të shquara të kulturës shqiptare për të ofruar informacion dhe shërbime të tjera, përkundrejt mbështetjes, edhe financiare. Dokumentacioni sa i rrallë aq edhe origjinal, i sjellë në këtë studim, ndihmon për të kuptuar më mirë natyrën e interesit të qarqeve të caktuara të shërbimeve të inteligjencës – nga ato jugosllave (UDB-ja) te CIA, shërbimet italiane, ato gjermane dhe të tjera – për veprimtarinë e shqiptarëve dhe të organizatave të tyre në mërgim.
Materiale të tilla, të cilat me siguri do të vijnë duke u pasuruar dora-dorës, që hapen arkivat e shërbimeve të fshehta në Perëndim, shtrojnë edhe pyetjen se sa të përgatitur janë historianët, njerëzit e kulturës dhe publiku në Shqipëri dhe në Kosovë, për t’u përballur me një informacion të tillë dhe sidomos me një ftesë të tillë për t’i parë problematikat e Luftës së Ftohtë përtej manikeizmit që ka sunduar mendimin tonë kritik kombëtar dhe debatet për këto çështje deri më sot. Sikurse shtrojnë edhe pyetjen tjetër, njëlloj të rëndësishme, nëse duhet ta ndajmë dhe sa duhet ta ndajmë biografinë publike dhe private të figurave të shquara të letërsisë dhe të kulturës shqiptare nga vepra e tyre dhe kontributi i tyre mirëfilli kulturor.
Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, sikurse të tjerë intelektualë shqiptarë të denoncuar si armiq ose edhe thjesht të shpërfillur nga institucionet totalitare të Tiranës, e panë veten nën trysninë e të gjithë atyre sponsorëve “kulturorë” që ishin të interesuar për shërbimet e tyre jo detyrimisht kulturore; ngjashëm me kolegët e tyre në Tiranë dhe në Prishtinë, që shpesh mbijetuan si figura publike vetëm nëpërmjet gjithfarë kompromisesh politike me shtetet përkatëse, edhe policore edhe totalitare. Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në Shqipëri, funksiononte si mashë e regjimit totalitar, për t’i disiplinuar këta “ndihmës të Partisë në edukimin komunist të masave punonjëse”, duke marrë pjesë lirisht edhe në censurimin e tyre dhe denoncimin e tyre si armiq të pushtetit; por kultura shqiptare sot ka arritur ta mbajë veç veprën e autorëve të shquar të asaj periudhe, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e të tjerë, nga koncesionet e tyre politike dhe bashkëpunimi me regjimin totalitar.
Ishte në vetë natyrën e Luftës së Ftohtë, që interesat politike të dy kampeve do të përthyheshin, në lëmin kulturor, si përpjekje – shpesh të suksesshme – për komprometimin dhe rekrutimin e figurave të kulturës dhe të intelektualëve përkatës. Përpjekjeve titanike të KGB-së sovjetike, për të shfrytëzuar shkrimtarët dhe artistët me bindje të majta në Perëndim dhe për t’i përdorur këta si vegla të politikës sovjetike u kundërviheshin përpjekjet, jo më pak titanike, të CIA-s amerikane dhe agjenturave të tjera, për të krijuar pështjellim social dhe kulturor në Lindje, nëpërmjet financimit të atyre figurave kulturore, intelektualëve, ikonave dhe celebriteteve, që rinia e vendeve ish-socialiste i shihte dhe i admironte si heronj të lirisë, ose që besohej se mund të luanin rol kyç në kundërshtimin e frymës pro-sovjetike, pro-komuniste dhe pro-totalitare.
Dokumentet që sjell Auron Tare në studimin e vet dëshmojnë bashkëpunimin edhe të Koliqit, edhe të Camajt, me agjenturat dhe shërbimet e informacionit, për veprimtari jo-kulturore edhe individuale edhe të organizuara që, mes të tjerash, synonin edhe përmbysjen e regjimit të Enver Hoxhës, nëse ishte nevoja, edhe me armë. Megjithatë, nuk na rezulton të provohet gjëkundi përfshirja e tyre në veprimtari kriminale të mirëfillta, as në denoncime dhe luftëra të tjera internecine mes shqiptarëve të diasporës. Prandaj edhe vlerën historike të kësaj përpjekjeje do ta shihnim, para së gjithash, te normalizimi i figurave të tilla, përballë përpjekjeve zyrtare – jo gjithnjë të sinqerta dhe mirëfilli kulturore – për t’i shtuar këto, si shenjtorë të rinj, në kalendarin e përditësuar kombëtar të shqiptarëve.
Ashtu ndoshta edhe do të bëhet e mundur që publiku, në vend që të lexojë për jetën e Camajt dhe të Koliqit, të fillojë të njihet me veprën e tyre të pasur dhe të shijojë atë çfarë vlen më shumë, në trashëgiminë e tyre kulturore, gjithë edhe duke pasur parasysh – çfarë duhet theksuar – se një pjesë jo e vogël e veprimtarive kulturore të mërgatës shqiptare në vitet e Luftës së Ftohtë, përfshi edhe revistat dhe botimet ku angazhoheshin seriozisht Camaj dhe Koliqi, mbaheshin në këmbë me financime të rregullta nga shërbimet e inteligjencës, nga CIA e tutje; ashtu mbase edhe do të shpjegohet kriza strukturore e institucioneve të tilla, pas rënies së Murit të Berlinit.
Dëshmitë e reja historike që sjellë Auron Tare, për marrëdhëniet e këtyre dy figurave të mërgatës shqiptare me politikën dhe shërbimet agjenturore mund të ndihmojnë, tërthorazi, edhe për të kuptuar sa e vështirë në mos edhe sa poshtëruese ka qenë mbijetesa publike për intelektualët, në vitet e Luftës së Ftohtë; përballë trysnisë shkallmuese nga mokrat e rënda të interesave strategjike globale dhe nevojat totalitariste të regjimeve policore, që të flaknin në burg ose edhe të likuidonin edhe për mosbindjen më triviale.
Ndryshe nga propaganda e dikurshme totalitare në Shqipëri, që i paraqiste figura të tilla si “të shitura” te “qarqet antishqiptare”, mu në kohën kur u kish vënë çizmen në zverk figurave intelektuale në vend; ndryshe edhe nga disa tundime propagandistike të sotme, njëlloj trashanike, për t’i heroizuar figura që për së gjalli kurrë nuk pretenduan të profilizoheshin dhe të adhuroheshin si heronj të kombit, ne tani duhet të jemi në gjendje t’i gjykojmë faktet me mendje të ftohtë dhe të orientohemi përballë të vërtetave historike, çfarë edhe do të na lejojë të ruajmë dhe të pasurojmë vlerat kulturore të traditës, duke i ndarë ato nga banaliteti i së keqes politike.
Vërtetësinë e provave dokumentare që sillen në këtë vështrim e garanton vetë personaliteti qytetar, serioziteti dhe profesionalizmi kërkimor i autorit Tare, i cili e ka pajisur punimin e vet me një aparat të tillë identifikues, që do t’i lejojë studiuesit e ardhshëm t’i verifikojnë burimet me lehtësi. Nga ana tjetër, le të mbajmë parasysh edhe se jo çdo “fakt” që përmendet në dokumentet autentike të agjencive të inteligjencës i përgjigjet realitetit – në kuptimin që e vetmja e vërtetë e garantuar, për një informacion që del në një dosje të CIA-s, është që CIA e mbante atë informacion për të besueshëm. Lexuesi do të jetë megjithatë në gjendje, nëpërmjet referencave të kryqëzuara të cilat gjithashtu përmbahen në studim, që të krijojë një ide të plotë për realitetin historik të marrë në analizë, përtej horizontit vizual të agjentëve specifikë dhe informatorëve të tyre.
I jemi mirënjohës autorit Auron Tare, që zgjodhi Peizazhe të fjalës për ta botuar hulumtimin e vet, me shpresën se revista jonë do të ofrojë forumin e përshtatshëm, si edhe herë të tjera, për debatin dhe komentet.
Klikoni në lidhjen më poshtë, për ta hapur studimin në formatin PDF:
DRITËHIJE NË HISTORI: MARTIN CAMAJ DHE ERNEST KOLIQI TË PANJOHUR – AURON TARE
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi i materialit dhe shpërdarja e tij me rrugë elektronike. Autori Auron Tare dhe Peizazhe të fjalës e vënë këtë studim falas në dispozicion të lexuesve, edhe pse përgatitja e tij i ka kushtuar autorit, por edhe revistës sonë, shumë orë pune të mundimshme. Arsyeja kryesore që materiale të tilla kaq të kushtueshme për t’u prodhuar shpërndahen megjithatë falas, të paktën sa i takon politikës editoriale të Peizazheve, është se ne refuzojmë t’i lejojmë zhonglerët e fondeve dhe të mbështetjes financiare, që të përcaktojnë çfarë duhet botuar, në këto vite të obskurantizmit, gënjeshtrës publike, manipulimit të kujtesës kolektive dhe induktimit të injorancës. Lexim të mbarë!