Nga MUSTAFA V. SPAHIU
DRITARET E DITËS
Kaherë i kam hapur dritaret e ditës,
Për to ende s’është rrëfyer bukuria.
Enigmën e luleve e ruan veç saksia;
Flora zezë t’bëhet me rreze t’dritës.
N’dritaret e ditës t’verbërit shërohen,
Gugashët e bardhë ua sjellin kujtesën.
Loçkës së zemrës e selisin shpresën,
Secili me diejt’e vetë vrik krekëzohen!
Dritaret e ditës e hijeshojnë shtëpinë,
Gurrës s’mendimit ia mbrojnë lirinë –
Nëse lind trishtimi dig’e kanë stolinë.
Poezia buzagaz ia dhuron shkëndinë,
Dritaret e ditës hapur jetës së paepur;
Sysh t’pavenitur kohërave pa u tretur!
E mërkurë, 12 maj 2021, në
Dardaninë Ilire
ME BUZAGAZ TË PRAGUT
Për çdo agim zgjohem i kurorëzuar,
Çdo shteg jete hapat mua m’i pret…
Turpi juaj istikamesh nuk më vret –
Shpresës së fjalës kaherë i drejtuar.
Heqamësh e kam zharavën e gjakut,
Dalë krenar me buzagaze i stolisur-
Mbi gjysmëshekulli poezinë e nisur,
Me bekime Nëne në hapin e prakut!
Nafakën e vocërr – balsamin e gjeta,
Me stinët e mia sa herë që takohem;
Nuk di si të mburrem, as t’krenohem!
S’cytem pas trofeve – or, tungjatjeta!
Nga vendlindja ime pres vetëm uratë,
Në shesh betejash – dua për t’u matë!
E martë, 11 maj 2021, në
Dardaninë Ilire
MOSHËS (PA) PARË
Djalëri e parë me peng sikur harrimi,
Shtigjesh i nisur – bërshem i vetëm!
Bredhje vargjesh saktë (s) i gjetëm;
Tevona s’di ku gjendet – fundfillimi?
Pika, pika mbushet grykës përcika,
– Më ka shëmbëllyer në një mënyrë,
Në e parë kurrë pa ndërruar fytyrë
Dhe kjasinat m’i dhurojnë disa cirka.
Idhnak ndërgjegjës’ime mbërthehem,
As sharja, as mëria nuk më varfëron!
Përfitimet s’i nxjerr as ndonjë demon;
Tempujve rrall’e tek, Zotit i rrëfehem!
Mosh’e parë – gurëkala – pa thadrim,
– Feniksin e këngës mos e shkrumoni!
Rrezen e ashtit s’duhet ta njimitoni, e
Conglat këmishës t’marrin mugullim.
Po m’futët n’amforë ajo do t’pëlcasë
Si kripë gurshkëmblashtë vë n’dorë,
Melhem i qëndresës meriton kurorë,e
Kohërat me njëra-tjetrën le t’kërcasë!
E hënë, 10 maj 2021, në
Dardaninë Ilire
NË FUND TË RANISHTËS
Erdhën e ikën kapronjtë e shqetësuar,
Sumbllat e djersës dridhen në ballë, e
Bënin gara pa këmbë thellë në zallë –
Pas xixëllonjash lumenjt qenë tërbuar.
Në fund t’ranishtës beft pikoi kometa!
Guri e belb’zon zjarresh ngushëllimin,
Dedali me dyll e shpikte – fluturimin! –
I biri u ngatërrua nëpër gjalmat e veta!
Ranishtës hetoi dhembjen e krahrorit,
Mahnitur mbeti – lulja e bukur e prillit!
Zjarri e akulli (s) janë miqët e diellit,as
N’ankth përgjumët cirk’e qumështorit;
Ranishtja i ka etjet zhuritje për blerim,
Luzmës’erës dita vjen e para në agim.
E mërkurë, 12 maj 2021, në
Dardaninë Ilire
PENGU IM I BLERIMIT
Një shpresë m’ngashnjen në brigje,
Për fron t’madhtisë kam lindur vonë!
Udhëtimi i lashtisë flet si gjithmonë;
Shpresa tjetër m’i apollon do shtigje.
Ylberet më falin – kolorin e durimit…
Pezhishkës n’bigë ia shoh do lot, e
Koka ime thinjur plaket motpërmot;
Ndriço bebza ime në fije t’blerimit!
Ecin prore t’etura brezritë, kabilet [1]
Robinson s’jam – krejtsisht i vetmuar;
Vegëzen e fatit e çthurri me dy duar.
Në harqe urash flamujt tunden hilet,
Jam yll’i pafikur kurrë lumë i lodhur
Zgjuar blerimit-blertë kudo ndodhur!
E martë, 11/12 maj 2021, në
Dardaninë Ilire