DRITA LUSHI, NË LIBRIN “KUR FLASIN ZEMRAT…”

0
1737

Foto: Drita Lushi

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Ndërmjet shkrimeve për 62 poete e shkrimtare, artiste e veprimtare, në librin tim të ri, “Kur flasin zemrat…”(fund dhjetori, 2016), është dhe ai kushtuar krijueses Drita Lushi. Titulli i tij është, ““Dashuria çel në prill” dhe lulëzon gjithë vitin””. Konkretisht, së pari, aty flitet për një vëllim me tregime të saj, botuar në vitin 2013. Megjithëse me detyrën e farmacistes dhe, atëherë, me banim në qytetin e vogël ët Librazhdit, ajo hartoi dhe botoi vëllimin me 18 tregime, të titulluar “Dadhuria çel në prill…”.

Më parë, ajo kishte botuar vëllimin poetik “Ëndërr…”(2012). Prandaj redaktoi i librit me poezi, D.Gjergji ka arsye që shkruan, në hyrjen e tij: “Drita merr prej vjershërimit dhe e i futë në prozë: ndjenjën, emocionin, ritmin e të rrëfyerit, sinqeritetin e komunikimit me lexuesin, kulturën e të shkruarit, ritmin e frazës dhe, sidomos, sinqeritetin e të shprehurit të ndjenjave”.

Ashtu siç kam nënvizuar në librin tim, titulli i këtij libri, nga Drita Lushi, sikur përmbledh gjithë përmbajtjen e tregimeve të saj. Në tërësi, autorja ua ka kushtuar ata prindërve të saj. Kështu, në tregimin e parë, me titullin “Vals, me të bardha” ia ka kushtuar babait. Vëmendjen e lexuesit e tërheq tregimi vazhdues, “Shtatë ditë”, pra sipas ditëve të javës: “Dita e pare…” etj. Ngjarjet e tregimit, “Gjerdani më i bukur”, Drita i ka vendosur në qytetin e Gjakovës (Kosovë).

Kur flasin zemrat - Murat Gecaj

Duke e shfletuar më tej këtë libër, gjejmë tregimin “Vendim i vështirë”. Që në fillim, lexojmë këto radhë grishëse të autores: “Kishte ditë që s’po mundja të flija krejt e qetë. Një ndjenjë, që s’e kisha provuar më parë, më kishte bërë të mendoja thellë dhe shpesh nuk e linte gjumin të më afrohhej. Pavarësisht se ishte diçka e bukur, më kishte pushtuar aq shumë, sa më dukej vetja “e mbytur” në gëzim. Po kështu, kishte përfshirë dhe mendimet e arsyetimet e mia, shpeshherë të tepëruara…”.

Lexuesit mund t’i interesojë, se për çfarë flet utorja, në këtë tregim. Fjala është për një vajzë mbi 30-vjeçare, e cila ishte mbyllur në “guaskën” e saj dhe nuk i interesonte se çfarë bëhej për rreth. Nuk ia tërhiqte vëmendjen asnjë mashkull. Të gjithë i dukeshin njëlloj?! Por ngjarjet e treguara më tej, të tërheqin me rrjedhën e tyre. Atë e dërguan me shërbim në një qytet tjetër dhe atje, pa e paramenduar, gjeti shokun e vërtetë të jetës, Gjergjin. Ndjenjat e tyre u bashkuan dhe në pragun e vitit të ri, vajza e dikurshme “indiferente”, iu përgjigj propozimit të tij, që festën ta kalonin së bashku…

Të bukur janë dhe tregimet tjerë të këtij libri, si: “Trëndafilat”, “Adhurimi”, “Sekreti”, “Shi”, “Sytë”, “Sara” dhe deri te më i fundmi i këtij vëllimi, “Dy etyde”(Baticë dhe zbaticë”). Pra, asnjë tregim nuk është me titullin, që ka tërë ky libër, “Dashuria çel në prill”?!

2.
Por krijuesja Drita Lushi njihet më tepër nga lexuesi, me krijimtarinë poetike të saj. Kështu, siç përmenda në fillim, ajo ka botuar vëllimin me poezi, “Ëndërr…”(Tiranë, 2012), të cilin ia ka kushtuar së bijës, Jenlës. Ndërsa dy vjet më vonë, atë me titullin, “Flirt”(Tiranë,2014), i cili përmban 114 poezi.

Megjithëse Drita nuk ka studiuar për letërsi, thurë vargje të bukur. Ajo e ka gjetur frymëzimin e saj në jetën familjare, në natyrën e magjishme, te ndjenjat e çiltëra njerëzore të dashurisë etj.. Prandaj dhe poezitë e vëllimit të parë kanë, kryesisht, këtë tematikë. Të tilla mund të përmendim: “Pikat e shiut”, “E dielë shkurti”, “Flokët e dashurisë” etj.

Te poezia “Trokitje pranverore”,ajo shkruan: “Dhe tre,/dhe katër/dhe dhjetë cicërima zogjësh;/ pranvera qenka rrugës:/Po dal ta pres,/eja dhe ti me mua!” Ndërsa në një poezi tjetër, me gazmendin e një stine të re, kur natyra i gjallëron të gjithë njerëzit, lexojmë këto radhë: “Sot u putha me pranverën,/shëëëët, ju lutem, mos tregoni,/kur t’na shihni sërish bashkë,/lojën tonë do ta kuptoni…”.

Por, në poezitë e këtij vëllimi, na tërheqin e na mbeten në mendje edhe ato kushtuar: gjyshes, babait e nënës ose së bijës. Të tilla janë ato me titujt: “Planetet e dashurisë”, “Dikush më besoi zemrën”, “Dy buzë”, “Do t’ më mungosh”, “Dashuri tokësore” e “Valët e shpirtit”, por dhe “Në zërin tënd”, “Do të dua përsëri”, “Natën e mirë, qyteti im” dhe “Puthmë!”.

…Në mbyllje të këtyre radhëve, e përshëndesim dhe e përgëzojmë krijuesen Drita Lushi, për botimet e deritanishme! Gjithashtu, jemi të bindur se, përsëri, do të lexojmë prej saj krijime të tjerë, gjithnjë e më të arrirë.

Tiranë, 3 shkurt 2017