DREJTËSIA VJEN NË VEND VETËM ATËHERË KUR NDESHKOHËN SHKELËSIT E LIGJIT!

0
437

Letër e hapur për opinion nga një i burgosur

(Kjo letër me erdhi në adresën time nga një i burgosur i Burgut të Dubravës, i cili kërkon që emri i tij të mbetet anonim. Letra me erdhi në dorëshkrim. Ky shkrim shpreh pikëpamjet e letërdërguesit). (dibran fylli).

Sa herë që shkruaj, mundohem të jem sa më i drejtë që mundem. Shpreh mendimin tim të bazuar në fakte e argumente, në dëshmi reale dhe pa ndonjë pretendim, pra fjala është për të zezat, të bëmat, lëshimet e shkeljet ligjore që kanë ndodhur e po vazhdojnë të ndodhin në Burgjet e Kosovës, sidomos në atë të Dubravës.

Me këtë letër të hapur për opinionin e gjerë po i drejtohem Organeve të Drejtësisë dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili ditë më parë emëroi, apo iu imponua ta emëroi Këshilltar S.Z. (lexo Vrëmçi), i cili le që ka një të kaluar aspak të mirë, por që nga koha kur ai u emërua drejtor i Burgut të Dubravës, shkatërroi çdo gjë, shkeli ligje, bëri e lejoj shumë të zeza duke arritur deri të e papara ndonjëherë që të thotë se ai është zot i burgjeve e pashai i të burgosurve. Dhe, me këtë rast duhet pyetur, edhe Organet e Drejtësisë edhe Kryeministrin; A vjetrohet krimi? dhe nëse jo (e unë jam i sigurt se jo) atëherë a e njohin këta se kush është dhe kush ka qenë S.Z.?

Ky hiqnjeri, i pozicionuar në krah të unmikianëve, gjatë kohës sa ishte drejtor në Burgun e Dubravës, në vitin 2003, (më 4 shtator) gjatë një proteste humbën jetën 5 të burgosur, apo më mirë thënë i mbytën me dajak, si dhe u lënduan rënd e lehtë mbi 73 të burgosur tjerë, dhe për gjithë këtë ngjarje tragjike, askush nuk dha dorëheqje, askush nuk u përgjigj para drejtësisë e as u suspendua, në të kundërtën, jo kohë e gjatë nga kjo ngjarje tragjike, nga propozimet e këtij far S.Z. filluan gradimet e atyre që morën jetë njerëzish.

(Pse kjo heshtje kaq qyqare e institucioneve të Kosovës? Shpresoj se heshtja s’do të zgjasë, të paktën për hir të Hamzës, Mentorit, Sinanit, Ardianit, Hasanit e shumë e shumë viktimave tjera të tragjedisë së 4 shtatorit 2003 në burgun e Dubravës…),
(Për këtë, atë kohë kanë qenë të informuara: Departamenti i Drejtësisë, Institucionet e Kosovës, KMDLNJ në Prishtinë, Zyra e Ombusds Personit në Prishtinë dhe Zotëriu Adem Demaçi).

Disa rreshta nga ditari i një të burgosuri
5 shtator 2004, ora 07:30
Orët e para të ditës se kobshme të 5 shtatorit ishin më të vështira se tymi e flaka, rrahjet e fyerjet e stupcaxhinjëve… Në gjithë Kosovën u komunikuan lajmi për vdekjen e 5 vetave në Burgun famëkeq të Dubravës. Dubrava mallkuar qoftë! E përjetoj masakrën për të dytën herë!

Në hallën plot me halle filluan të dëgjohen zëra nga më të ndryshmit. Një i burgosur, jo fortë larg thoshte; ”O Zot, po kjo s’është e vërtet…Mentorin e kam shok…!” Tjetri aty afër vazhdonte; ”Po unë e kam parë Hamzën shëndosh e mirë deri në daljen e Pavijonit…. jo, jo s’mund të jetë e vërtet”… Kjo mund të mos besohet nga dikush që s’e ka përjetuar tragjedinë. Po kush pati aq zemër guri që mundi ta privojë nga jeta Ardianin e hasretit…!? Këso fjalësh fliteshin derisa lajmet komunikonin vdekjen tragjike të Hamzës, Ardianit, Mentorit, Sinanit dhe Hasanit. Ndoshta këto lajme, për dikë që i dëgjonte nga jashtë mund të mos jenë të besueshme. Ata nuk janë të ngulfatur nga tymi, as të djegur nga flaka. Ata lavdi paçin!, janë të privuar nga jeta me stupca, që kishin mbetur nga e kaluara komuniste…. Krimi s’mund të fshihet. Unë vetëm një pyetje kam për opinionin: A mund të digjet njeriu në qelinë e pa djegur…?!

Edhe kjo ndodhi në burgjet e Kosovës!
S.Z. dhe disa nga stafi i tij (lexo argatët e djallit), si; B.B., R.S., A.K., Vëllezërit, H.H., K.H. e S.H., pra të bijtë e të ashtuquajturit N.U., pastaj A.R., I.H., A.M. e disa matrapaz tjerë që nuk dihet për cilin shërbim punojnë, por këtu një dihet dhe është e sigurt, në shërbim të shtetit të Kosovës jo, pra shumë prej tyre janë përgjegjës për tragjedinë e ndodhur në Burgun e Dubravës, dhe mos të harrohet e keqja e këtyre matrapazëve, të cilët punonin nën menagjimin e S.Z., kur brenda burgut, e çka është më e keqja në duart e të burgosurve ordiner janë gjendur edhe armë zjarri, thika e mjete tjera të rrezikshme, me të cilat janë rrezikuar oficerët e burgut dhe disa herë ka pasur edhe arratisje nga burgjet e Kosovës, siç është rasti i B.B, Grupit të B.K e etj. Dhe, për të gjitha këto nuk pati suspendime e as u kërkua përgjegjësi nga askush, me përjashtim të suspendimit të oficerit XH.T., mbikëqyrës i njësitit të transportit, i cili kishte rrezikuar jetën që ta para ndalonte arratisjen e B.B nga burgu.

Pra ky tipi “Vremçi”, që dikur, në kohën e okupimit serb ishte “komandir i burgjeve”, e tani në kohën kur është dashtë të jepte përgjegjësi për të bëmat e tij gjatë asaj kohe, ai nga unmikianet gradohet dhe vjen deri aty sa të bëhet drejtor i burgut e më pas me bekimin e vendorëve edhe drejtor i burgjeve, dhe, ky tipi mori ligjin në dorën e tij dhe filloj të shkarkoi e të gradoj kë të dojë e si ja bënte qejfi, madje edhe atë që e kishte kthyer gjykata në vend pune, ky far “Vremçi” i bënte dredhitë e veta dhe nuk merrte parasysh as vendimet e Gjykatës (kjo ka ndodhur me suspendimin e A.U dhe 25 oficer tjerë dhe gradimin e S.H, A.LL. e shumë tjerëve që i shkonin për qejfi të tij).

Nëse e shikojmë dhe pse jo ta hetojnë organet kompetente, gjendjen momentale të Burgjeve të Kosovës, atëherë drejtësia do të vinte në vend, sepse mendoj dhe jam i sigurt se çelësi i të gjitha të zezave ka qenë S.Z., i quajtur “Vremçi”, i cili në vend që të kërkohet llogari për keqmenaxhim, ai tipi emërohet “këshilltar”.

Burgjet e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje më të keqe se tani, madje as në kohën e kaluar, krejt kjo si pasojë e keqmenaxhimit të tipit që tani quhet “këshilltar”. Këtu duhet një hetim real, i paanshëm dhe i drejtë që e gjithë kjo e zezë të del sheshit dhe përgjegjësi i krejt kësaj të zeze të del para drejtësie, vetëm atëherë do të ishte kthyer besimi të drejtësia dhe të fillonte përmirësimi i shkatërrimit që la pas ky matrapaz i quajtur S.Z.-“Vremçi”…

-Herën tjetër përshkrimi në tërësi i ngjarjes tragjike të 4 shtatorit 2003!
-Emrat e urdhërdhënësve dhe e atyre që morën jetën e të burgosurve!

P.S.
Të mos publikohen!
Emrat e njohur vetëm për redaksinë: S.Z. (Sokol Zogaj), A.U. (Agim Uka), S.H. (Sami Halitaj), A.LL. (Armend Llapi), B.B. (Burim Basha), B.K. (Bedri Krasniqi), XH.T. (Xhafer Tafili), B.B. (Burim Buleshta), R.S. (Rasim Selmani), A.K. (Aga Koliç), H.K.( Hysni, Kadri), e S.H. (Sami Halitaj), N.U. (Nezir Ujka), pastaj A.R. (Agron Rexha), I.H. (Izet Halitaj), A.M. (Aldeta Maraj)