DRAMA SHQIPTARE E TJETËRSIMIT NË ROMANIN “PASARDHËSIT” TË MUHARREM BLAKAJT

0
617

Prend BUZHALARevista Drini12 Mars 2018

Recension

(Romani “Pasardhësit” i Muharrem Blakajt)

Kur lexojmë romanin “Paraardhësit”, mendja na shkon te letërsia që paraqet trajta e ndryshme të totalitarizmit, këtij despotizmi modern, që e realizon pushtetin me anën e terrorit, qoftë ky komunizëm apo fashizëm, pikërisht për faktin pse përpiqet të kontrollojë të gjitha aspektet e jetës, dhe ta shkatërrojë secilën qelizë të lirisë, të lirisë së individit e të një kolektiviteti. Përgjithësisht njerëzimit. Madje, të shkatërrojë zakonet, traditat, kombin, gjuhën, po edhe vetë artin, poezinë, muzikën. Urinë popullore etj etj. këso punktesh tematike ngërthen mjaft ky roman, që të sfidon me tematikën dhe leximin e tij.

Dhe me tematikën e tillë letërsia jonë është marrë vazhdimisht. Po ashtu, dihet se në qenien e pushtuesve, qofshin ata serbë, otomanë, apo të tjerë; tirania nuk njeh asnjë ligj, dhe ku sistemi qeveriset nga terrori pushtues. Nga ana tjetër, gjatë gjithë historisë, këta pushtues, dhe ideologjitë e sotme imperialiste, edhe religjionin arrijnë ta shndërrojnë në mjet imperial, për sundim e zotërim shpirtrash.

Lënda e tjetërsimit: sipas rrëfimit modern
me nuancime psikologjike e tension ngjarjesh

Prozatori Muharrem Blakaj është i njohur në prozën e sotme shqiptare pse merret pikërisht me këto fenomene të pushtimit, sikundër janë romanet “Misioni sekret” (“Rozafa”, Prishtinë 2004) e që e trajton temën e intrigës poushtuese serbe në Kosovë në vitet e paraluftës, apo me romanin ”Thesaret e humbura” ( St. Gallen 2005) që merret me grabitjen e trashëgimisë sonë nga pushtuesit serbë diku në gjysmën e parë të shk XX), apo e romanin “Atentat brenda germës L”, roman (St. Gallen 2007) që merret me përpilimet e krimit policisë së fshehtë serbe për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, dhe së fundmi, me romanin “Paraardhësit” (Prishtinë 2009 dhe 2018)

Ashtu sikundër ideologjitë totalitare manipulojnë me pakënaqësinë e qytetarëve të thjeshtë për të ardhur në pushtet, me anë të ideologjisë zyrtare, të drejtuar nga një hierarki e kontrolluar e policisë terroriste me sistem mbikëqyrjeje; ashtu sikundër vlen vetëm e vërteta zyrtare dhe kush bie ndesh me të, ai përndiqet, vritet, dëbohet apo terrorrizohet; të tilla na paraqiten edhe ideologjitë fetare, të cilat, kur shndërrohen në armë të grupacioneve të tilla politike apo edhe të imperializmit ideologjik fetaro-politik, për sundim, përdorin të njëjtat metoda.

Romani “Pasardhësit” trajton pikërisht përpjekjet për ta instaluar një ideologji të tillë të imperializmit fetar për supremaci politike. Sikundër dihet, shqiptarët, sado që kanë përqafuar religjione si krishterimin (ortodoks, katolik apo dhe protestan), apo islamizmin, kanë arritur që t’i ndërtojnë jo vetëm formulat e veta mbifetare e mbikrahinore, sikundër është shqiptaria; por edhe t’i shqipatrizojnë e asimilojnë kombëtarisht religjionet. Prandaj, është krejt i natyrshëm dhe jo i huaj një besim mysliman tradicional, që ka dhënë kontributin e vet kulturor, kombëtar dhe përparimtar, nga njëra anë, po edhe respektimin e traditave shqiptare, apo duke respektuar dhe laicizmit modern shtetëror, nga ana tjetër. Por autori merret edhe me rrymat e reja tjetërsuese nga kjo traditë, që depërtojnë pas luftës në Kosovë.

Perandoria otomane kishte arritur që për pesë shekuj të na shkëpusë nga djepi ynë evropian, me ideologjinë shtetërore të saj, islamizmin; të na e sakatosë e shkatërrojë zhvillimin tonë, ta ndërpresë këtë zhvillim në fushën e arsimit, ekonomisë, në fushën kulturore e fetare; në fushën urbane e qytetëruese; të fusë besimin tjetër, kodin tjetër, tejet të prapambetur, juridik, të fusë një mënyrë tjetër të jetesës (shumëfish më të prapambetur); të fusë parime tjera morale, duke e shkatërruar aq sa ka mundur, mënyrën e jetës popullore arbërore-shqiptare; por me fitimin e pavarësisë këto përpjekje ishin shembur për dhe; tashmë në skenën e historisë ka përpjekje të ethshme që të ringjallen fantazmat e së kaluarës, për ta rrezikuar edhe njëherë në të gjitha nyjat identitetin tonë kombëtar, shpirtëror, dhe kulturor, dhe, gjithsesi, edhe identitetin fetar tradicional mysliman shqiptar.

Nëse për pesë shekuj rresht ky komb ishte detyruar të përjetojë emigrim masiv shqiptar, nëpër Evropë (Evropa gjithmonë ishte vendstrehim yni, ashtu si është edhe sot); nëse pushtuesi i djeshëm kishte arritur të ndryshojë pamjen e organizimit të jetës qytetare, me vendosjen e administratës osmane, me vendosjen e kazermave; me kthimin e këtyre qendrave në kazerma ushtarake e në qendra fetare aziatike të prapambetura; tashmë zgjimi i e asimilimi i konvertimit në islamin gjoja burimor, synon që, në lëmin e kulturës të prishen thesaret më të çmuara, të së kaluarës kulturore, që në jetën shoqërore të futen jo vetëm pykat e diversitetit fetar brenda BESIMATRËVE ISLAMË, por kësisoj, të krijohen kushte për përçarje e shpërbërje të kombit shqiptar (injorantët e sotëm duan të thonë se nuk paska pasur komb…).

Në fakt, autori na i jep veprimet e një mercenarizmi fetar të mveshur me bindje e nënshtrim të plotë për terror, nënshtrim, vrasje e frikë.

Nëse nën sundues të ndryshëm erdhi ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe, i shkrimit shqip, i arsimit shqip dhe i çdo gjëje shqiptare; trajta e sotme, e tillë, e ideologjisë së djeshme, do të përfshinte sferën ideologjike, politike, administrative, gjuhësore, madje, edhe njëherë gjuha shqipe shpallet mallkim me shkronja të mallkuara.

Nëse nën sundimin otoman kolonizimi otoman ndikoi në shtrirjen e islamizimit; me fise të egra aziatike, me vendosjen e garnizoneve me jeniçerë; a nuk veproi shumëfish më keq vetë Serbia me Marrëveshjet me Turqinë moderne, për t’i shpërngulur në vitet ’30 e ’50 dy herë shqiptarët për ë Turqi, nën firmën “turq”!?

Nëse sundimi turk ata që nuk pajtoheshin a kundërshtonin këto rregulla, shpalleshin armiq të shtetit; me urdhrat që mbështeteshin në sheriat e në Kuran; e ku Feja u vendos mbi shtetin; atëherë cilat synime politike i shpall ideologjia e re që ka bosht tematik pikërisht romani i Balakajt?

Modeli i romanit kriminalistik

Teokracitë janë të tilla kudo, qofshin ato në Azi, apo Evropë.

Muharrem Blakaj ka prirjen që romanet e tij t’i thurë sipas poetikës së romanit kriminalistik, duke e shikuar jetën drejtpërdrejt në sy, me thesarin e rrëfimeve e të veprimeve që t’i dhuron ajo. Domethënë: lëndën letrare ai e formëson sipas kërkesave të rrëfimit moderne me fije të forta realiste, me të gjitha nuancimet psikologjike, me tensionet e ngjarjeve që të mbajnë pezull deri në fund, me rrjedhat narrative dhe me përshkrimet e jashtme e të brendshme të botës së personazheve.

Sado që na duken të njohura skemat e romanit të tillë kriminalistik (me kriminelin a vrasësin serik që kryen krime fshehur; megjithatë, ndërthurja e romanit me personazhe të ndryshme, e mbërthen edhe tensionin narrativ të ngjarjeve që nga faqja e parë e deri në të fundit. Romanet e zhanrit të tillë, në letërsinë tonë janë të pakët.

Poetika e tensionit narrativ shkallëzohet dhe përligjet kapërcimi i karaktereve nëpër shumë pengesa, ku dhembja e tragjikja shumëfishohen dhe ku veprimi a mosveprimi e kanë haraçin e tyre: duke shkatërruar çerdhet e qeta familjare, dhe duke i shndërruar ato në tragjedi të shumta. Feja është mjeti më i zakonshëm për tjetërsim.

Nëse tregimtari nënkupton shkrimtarin si prozator, narratorët te kjo vepër janë pjesë përbërëse e romanit, ndryshe nga jo pak romane ku personazhi i tillë është bartës i rrëfimit dhe bartës i pikëshikimit të brendshëm dhe ndërlidhës mes lexuesit e ngjarjeve e përjetimeve që zhvillohen në vepër; atëherë të tillë, në këtë roman, janë të gjithë rrëfimtarët që dalin të shumëzuar te një unë narrativ. aty rrëfejnë Zejnebja dhe Hafizi, që të dytë kanë fate tragjike, e para, për shkak të dashurisë së saj të sinqertë kundruall personazhit kryesor Kurtit që arabizohet dhe mohon komb dhe traditë, gjuhë, zakone dhe besimin tradicional islam dhe i dyti, Hafizi, që, për shkak të bindjeve të tij tradicionale, vritet e zhduket.

Një tjetër temë universale e veprës është ajo apokaliptike, ku, në fund, bota e personazhit përfundon në ferr a në xhehenem, me gjithë profetët e saj.

Struktura tematike dhe bota e ideve

Romani përbëhet nga njëzeteshtatë njësi tematike që ndërlidhen natyrshëm në strukturën tematike-narrative. Nis me një prolog, që shenjëzën temën qendrore:

“Kur myslimanët me devocion t’i përmbushin urdhrat e Allahut e të kthehen në kohën e xhahilisë për t’u takuar me paraardhësit e devotshëm (salaf-u-salih), bota do të fillojë të lëvizë prapa. Dielli do të lindë në perëndim e do të perëndojë në lindje. Nuk do të ketë më lindje, vdekje, fëmijëri, rini e as pleqëri; koha nuk do të ecë as para, as prapa. Bota do të mbetet pezull, përgjithmonë, në jetë të jetëve, deri në ditën e kiametit.”

Mandej te secili kapitull ka një tekst në kursiv, që mund të lexohen si pretekste apo intertekste të romanit e që janë sinteza reflektimesh, gjithnjë në frymën e brendshme të veprës:

“Me mundim u ngjita në shpellën Hira. Po prisja Xhibrilin. Nuk erdhi. Më mori gjumi. Si nur i Allahut zbriti nga qielli. Me zë rrufeje me tha: „Ti nuk je beduin. Lëkura jote nuk e ka ngjyrën e shkretëtirës. Zërin tuaj nuk e kupton I Madhërishmi. Je i huaj? Allahu nuk i do të huajt. Ik! Ik! Ik!…“ Më doli gjumi.”

Që në këtë ndërtekst apo paratekst, autori sugjeron temën e madhe të tjetërsimit. Është një shqiptar me emrin Kurt Lula që ka shkuar në Lindje të mesme për t’u shkolluar, dhe, për t’iu kthyer paraardhësve të tij burimor të besimit islam, ai duhet të mohojë komb, gjuhë e madje edhe racë:

“Në vend të emrit e mbiemrit të pakuptimtë Kurt Lula tani mbaj emrin e ndritur islam Abdallah Abdul Mutalib. Në vend që të jem shqiptar, jam shndërruar në mysliman; dhe në vend që të flas shqip, tani flas gjuhën e bekuar të Allahut xhel-le shanuhu. A ka gjë më të bukur në jetë se të komunikosh me Allahun në gjuhën e Tij? E të mos flas për rrobat treçerekëshe të devotshmërisë që kam në shtat.”

Vendi i shqiptarëve quhet Kafiristan, kurse ato të kthyera në besim, quhen Nuristan. Kur ky personazh kujton të kaluarën e tij në vendlindje, të duket sikur në këtë ballafaqim ogurzi të botëve, të trandet e të zbulohet jo vetëm qenia e tjetërsuar nga qenia e tij e dikurshme kombëtare, por sikur ringjallet e dikurshmja me magjinë e saj të fëmijërisë, loti i dikurshëm, sikur do të rikthehet rrënjëve të tij të familjes e traditës, nënës së tij dhe dashurisë së tij të parë, Zejnebes. Kthimi i tij në vendlindje nuk është kthim te rrënjët identitare, por kthim te rrënjët e tjetërsimit, e që përfaqëson ato shtresa të tjetërsuara shqiptare që e kanë braktisë kujtesën historike kombëtare dhe të identiteti evropian, që janë mbërthyer në danat vdekjeprurëse të vetëharrimit e të përdhosjes së ndërgjegjes shqiptare. Madje që në fjalinë e parë tjherklsohet ky vetëharrim:

“I dhënë pas studimeve, nga njëra anë, dhe pas shtegtimeve për kalitje e përzgjedhje, nga ana tjetër, dalëngadalë kisha filluar ta harroja imazhin e vendit tim të dikurshëm.”

Kjo kreaturë shëmtimi i ka shkëputur të gjitha lidhjet me kodin moral të të parëve, me identitetin shpirtëror e me mënyrën popullore të jetesës shqiptare. Përmes akteve të këtij vetëharrimit të qenies kombëtare, përvijohen pamje të shumta të trajtave të dhunës: të dhunës fizike, shpirtërore, kulturore dhe fetare: për të rekrutura të rinj në anëtarësinë salafiste. Ky kthim në vendlindje, që shpërfaq njeriun e tjetërsuar, haset në në takimin e oarë me nënën e tij, me të cilën nuk përqafohet sepse është haram që të përshëndetesh me një femër. Ja si e prezanton këtë skenë rrëfimtari:

“– Si je, o bir? – me pyeti pasi më ishte afruar aq afër, saqë e kisha të vështirë t’i shmangesha përqafimit të saj.

– Mirë jam, moj nënë, mirë, po pse bën kështu si e çmendur? – i thashë në gjuhën e bekuar të Allahut dhe i zgjata duart para për të penguar afrimin e saj drejt meje dhe për t’iu larguar përqafimit të saj haram. Kur pashë se nuk kishte kuptuar se çfarë i thashë, i fola ashpër në gjuhën e saj haram. U step. Përvajshëm e me lot në sy zgjati duart drejt meje. Butësisht m’i grishi pak gishtat, duke thënë:

– Po më ka marrë malli, o bir! Shumë kam vuajtur… nga skamja, nga sëmundjet, nga vdekjet e njëpasnjëshme, që i kapluan këto troje! Eja futu brenda, se paske mërdhirë! – tha më në fund dhe u nis para.”

Të duket sikur gjithçka fillon te një ëndërr a vegim. Te ky vegim ëndrre nis edhe besimi, ideologjia e tij. Prandaj, metaforikisht, menjëherë te kapitulli i dytë ligjëron ë veten e parë “Ëndrra”. Është një rrëfim i antropomorfizuar, ku ëndrra merr tiparet e përfaqësimit të një mendësie e ideologjie totalitariste. Te kapitulli i tretë “Kumti” edhe njëherë[ kemi këtë ndeshje dramatike gjithë tension tz dy botëve, të borës së imamit shqiptar që i dërgon letër Kurtit me emër arab. Ja një ndeshje e tillë:

“– Mendimi im i drejtë, që mbron gjuhën, traditën dhe kulturën e popullit tim, nuk është mëkat, as tradhti ndaj Allahut xhel-le shanuhu. Mëkat është të futësh përçarjen mes besimtarëve. T’i nxitësh kundër njëri-tjetrit për qëllime përfitimi. Të përkthesh libra të shenjtë në gjuhë të huaja duke ua mohuar metodat e tyre drejtshkrimore, duke ua mohuar kulturën popujve të tjerë të besimit islam se gjoja ata nuk na qenkan myslimanë të vërtetë, me një fjalë, të bësh apologji për atë që në të vërtetë nuk e meriton. Prandaj po bëj çmos që ta pengoj depërtimin e atyre rrymave që po shkatërrojnë jo vetëm islamin, por edhe jetën e shumë besimtarëve të pafajshëm duke i futur në luftëra të përgjakshme kundër grupeve dhe fiseve shiite a sunite, safi a maliki rufainj a salafinj.

Të yshtur dhe nën trysninë e disa pseudodijetarëve siç jeni ju, po i hanë kryet njëri-tjetrit duke vrarë gra e fëmijë, duke sulmuar vendet e shenjta të islamit, xhami e mektebe. Vrasësit po sulmojnë me thirrjet „Allahu ekber!“, kurse viktimat e tyre po vdesin me lutjet „Allahu ekber!“. Allahu ju udhëzon kështu? Unë nuk dua të jem pjesë e këtyre ndarjeve, nuk dua që populli im të infektohet me viruse të tilla, nuk dua që populli im paqedashës, tolerant, i mirënjohur për mikpritje e bujari, të jetë viktimë e përçarjeve sektare orientale. Me një fjalë, dua ta ndaj kulturën nga feja. Ne duam vetëm besimin islam e jo traditat e kulturën pagane arabe, – ia ktheu pa pikë turpi Hafizi.

– Populli juaj është infektuar, është i sëmurë rëndë që prej kohësh, i nderuar Hafiz. Ilaçi i vetëm për shërim e shpëtim është Kurani Kerim. Ne jua sollëm. Boshnjakët dhe iliridasit e morën. Pa pasur frikë se po nxjerr në pah ndonjë sekret, ata po përgatiten për luftë të shenjtë kundër besimtarëve të pavërtetë islamë dhe kaurëve të pafe, kurse ju po tregoheni tepër kryeneç.

– Doza e tepruar nuk e shëron sëmundjen, zotëri Abu al Khaleed, por e keqëson. Prandaj myslimanët, që ju po përpiqeni t’i shëroni me mbidozë, i keni kthyer në kancer të rrezikshëm në trupin e sfilitur islam duke i armiqësuar në fillim me njëri-tjetrin e pastaj me gjithë botën e qytetëruar. Pasha Zotin, do ta shkatërroni islamin dhe do të dështoni me turp!”

Këso ballafaqimesh ndeshim deri në funs trë romanit. Prandaj ky kulm dramatik jepet te kapitulli me totalin “Vrasësi”, ku ndëshkohet me vrasje tinëzare Hafizi shqiptar, për shkak të qëndrimeve të tij fetare e kombëtare. Çerdhe një veprimi të organizuar kriminal bëhet një mejhane, ku thuren fijet e krimit. Përshkrimi letrar i vrasësit, përmes autorrëfimit, bëhet me përpikëri, për t’i dhënë veporiemt e tij makabre:

“Kjo nuk është vrasja e parë që bëra. Të gjithë të tjerët që kam vrarë deri më tani, përveç Ismajlit mendjemadh, kanë qenë të panjohur. Fytyrat e tyre i kam takuar vetëm dy herë në jetë. Një herë para vrasjes dhe herën tjetër pas përpëlitjeve të fundit të jetës. Prandaj nuk i mbaj mend.

Ka kohë që e kam ndërprerë numërimin e vrasjeve, dhe këtë për shkak se pata dëgjuar se një mëkat janë vrasjet e dy mëkate numërimi i tyre. Por nuk është aspak e vërtetë se bëj gjynah. …

Këto pamje më mundonin shumë, sidomos përpëlitjet e fundit, që nuk më shqiteshin nga mendja, sepse më bëhej sikur shpirti nuk po u dilte atyre, por mua. Si çdo profesion që njeriu e mëson dhe ia përshtat qenies së tij, ashtu edhe vrasjet mësohen dhe përshtaten.”

Te kapitulli “Hutbe” ai nxjerr bnë pah qëllimet e kësaj lufte, që bëhet jo për atdhe, komb e familje, por për Allahun e të dërguarin e tij. Gjithçka që bën e vepron Kurti, e bën në mënyrën e tjetërsuar, amdje edhe një dasmë e organizon në mënyrën arabe, ku kërkon respektimin e martesave profetike, ku ke të drejtë të martohesh me të afërmit e gjakut. Dyfytyrësia e veprimit makabër, zbulohet te dy kapituj të tjerë, siç janë “Dyfytyrësia” dhe “Falja e xhenazes” (“Eh, kështu na mëson feja jonë e ndritur: ndryshe të veprosh e ndryshe të mendosh.”)

Në roman jepen edhe skena të haremit, të blerjes së femrave me prostitucion të fshehtë, madje dhe skena të dhunimit ëq gjejnë arsyetime në librin e shenjtë!

Elementi shqipfolës që e ka të rrëgjuar identitetin shpirtëror dhe kujtesën historike, përfaqësohet e personifikohet edhe përmes personazheve të tjerë, kurse personazhe shqiptare, po të të njëjtit besim, ppërfgqëspojnë të tjera vlera humane, njerëzore, civilizuese.

Trajtimi e zbulimi i karaktereve dhe i aspekteve të jetës historike, shoqërore, kulturore, fetare e politike shqiptare bëhet shkallë-shkallë, si një shpalim i ankthshëm aktesh të një drame tragjike. Me veprimet e tij të shëmtuara, imperialzimi fetar i tjetërsimit synon për të vrarë e zhdukur gjithçka të mirë te njerëzit.

Tipat e narracionit plural në ich-forma

Nëse në teorinë moderne të narracionit, rrëfimi i tillë quhet herë si një Unë autorial apo dhe Unë fiktiv, atëherë nuk do mend se Uni autorial qëndron jashtë botës letrare, e që përbën pikëshikim e jashtëm.

Rrëfimi në veten e parë, pra, ndryshe nga prozatorët tjerë, këtu sjell një risi; struktura e tillë narrative e Ich-formës, vë raporte më të ngushta, më reale e më objektive me përmbajtjen e veprës, kësisoj, lexuesi vë lidhje direkte, më intime me ngjarjet e karakteret, vë një amrrëdhënie më të ngushtë. Nëpërmes vizurës së tillë ku narratori është subjekt që subjektivizon rrëfimin, që organizon veprimin, komenton ngjarjet dhe veprimet e qëndrimet e të tjerëve. Nëpër mes trajtës së tillë të rrëfimit krijohet një frymë më autentike e ngjarjeve, krijohet distanca e nevojshme objektive e shkrimtarit ndaj lëndës së trajtuar, për të mos u shndërruar në roman në roman të tendencës apo të antitendencës.

Sido që të jetë, ky roman nxit jo vetëm kureshtjen, po edhe guximin krijues e intelektual. Në letërsinë bashkëkohore jemi mësuar të lexojmë romane “heretike”, sia to të Saramagos, Umberto Ecos apo Kazanzaqisit, që tajtoojnë tematikën e krishterë, apo si ato të Salman Rushdies që tematizon botën orientale. Por të mos harrojmë, bota moderne tashmë e ka çliruar mendimin prej prangave të ndalesave dhe herezive.

Mars 2018