DORA – poezi nga Faslli Haliti

0
537
Faslli Haliti

FASLLI HALITI

DORA

Dora hapet,
Mbyllet.
Dora
Kap,
Lëshon,
Jep dhe merr,
Vë dhe heq pranga,
Lidh dhe zgjidh zinxhirë,
Vë dhe heq litarin,
Godet dhe përkëdhel,
Ngul dhe shkul,
Ngre dhe shemb;
Mbiell dhe korr,
Hap e mbyll dyer.
Dora lan
Dora lyen;
Dora lan dorën,
E majta lan të djathtën,
E djathta të majtën,
Të dyja lajnë njera – tjetrën;
Dora
Është flori,
Dora është topuz;
Ndan dhe bashkon
Dora, pykë,
Ndan dhe çan.
Dora pajton,
Dora bëhet grusht,
Bëhet pëllëmbë, qëllon,
Të lë pesë gishta në faqe
Dora përkëdhel;
Dor flet me gishta,
Flet pa gramatikë,
Pasintaksë,
Pa morfologji,
Pa gabime ortografike, ortoepike,
Dora bën dhe çbën çdo gjë.
Dora
Autore e çdo vepre,
Autore e çdo ndërtimi,
Autore e çdo konstruksioni,
Autore e çdo shembjeje, shkatërrimi,
Dora firmos lindjet dhe vdekjet,
Dora
Fut dhe nxjerr,
Mbërthen e zbërthen,
Ndez dhe shuan;
Gris
Dhe arnon,
Ngjit
Dhe shqit,
Qep dhe shqep,
Zbardh dhe nxin.
Njeriu s’bën dot pa duar.
Vetëm Zoti bën dhe çbën.

Të bëhet tha Zoti!

Dhe u bë.
U bë dita, nata
Qielli, dielli, hëna,
Yjet.
U bë toka dhe ujërat,
U bënë erërat, breshëri, vetëtima, rrufeja…
U bënë kafshët, shpendët,
Hidrikët , reptilët, mikroorganizmat, viruset.
Edhe çudibërësi i përrallës i thotë mbretit si një zot virtual:
Unë e shëroj djalin tënd madhëri.
Nëse më gjendet një kostum
Që të mos jetë prerë me gërshërë,
Të mos jetë qepur
Me gjilpërë,
Të mos ketë asnjë pullë.

Vetëm Zoti dhe përrallat presin dhe qepin pa duar…

PARADOKS

Ti me sy të kaltër, një jetë të tërë
S’paske parë
Dritë,
Diell
Kaltërsi.

Po unë i verbri që një jetë të tërë s’pashë errësirë me sy ?

KA

Ka xixa
Që xixëllojnë
Ka shkëndija që shkëndijojnë,
Ka shkëndija që shkreptijnë flakë
Ka shkëndija që s’e ndezin eshkën, fitilin
Por ka dhe xixa dhe shkëndija që s’bëhen zjarr
Ka dhe zjarr që djeg, po s’ngroh
As në dimër, në acar….