Dora e mjekut asht si dora e Zotit

0
339
Dr. Mark Mirashi

Kushtue hyllit të kirurgjisë Dr. Mark Mirashi.

Nga Pjeter Logoreci

Shkodra ka kenë gjithmonë qyteti që ka lindë, e djepi që ka përkundë gjeni e talente të shumë fushave, si në art e kulturë, ashtu dhe në sport e shkencë. Figura që nderuen emnin e vet, por edhe të Shkodres, me dijet e punen e tyne, burra e gra që sakrifikuen vite nga jeta e tyne në shërbim të qytetit e komunitetit. Njëni ndër kto personalitete madhore ishte kirurgu shkodran Dr. Mark Mirashi, të cilit, në shenjë mirënjohje, ja kushtoj ktë shkrim.

Qysh fmijë, pata ndigjue nga familjarët e mij, lavde e nderime për Dr. Federik Shirokën (që ishte kushëri, bashkëmoshatar e shok me djemtë e Logorecve), por ma vonë kto lavde u flitshin për Dr. Markun, të cilin, atyne, jua kishte këshillue Dr. Shiroka, i cili kishte kuptue që studenti Mark Mirashi do të ishte e ardhmja e kirurgjisë moderne.

Rastisi që në vjetin 1990 të isha pacient i repartit të kirurgjisë së Spitalit në Shkoder ku njoha dhe pata kontakte me të gjithë personelin e mrekullueshëm, e ndër to edhe me Dr. Mark Mirashin.

Nga pamja e jashtme, Dr. Marku, të krijonte përshtypjen e një burri autoritar dhe të disiplinuem. Fliste pak e i premë dhe kishte një paraqitje të përkryeme, mbasi mbante gjithnji kravatë mbi këmishën e bardhë apo boj qielli. Kur e njoha, Dr. Marku ishte në pension, por për nevojat e spitalit, vazhdonte të punonte në repart me “orar të reduktuem”, pothuajse 10 orë në ditë.

Flitej shumë për kirurgun e talentuem Mark Mirashi, si nga kolegët ashtu edhe nga pacientet, për aftësitë e intuiten e tij në profesion, për kurajon për të sjellë teknika të reja në operacionet që bante, tuj shpëtue jetë të pashpresa. Ishte i vlerësuem edhe nga profesorët e tij apo nga mjekët ma të mirë operatorë të Tiranës.

Po kush ishte Dr. Marku, ky burrë e profesionist i nderuem i Shkodres?

Mark Mirashi lindi në një familje qytetare shkodrane, me 25 marc 1929. Ishte i biri i Kol Mirashit (njihej edhe si Kol Shiroka), që ishte zejtar, burrë me kulturë të gjanë dhe shumë i njohtun, si aktor, në skenat e shoqnive teatrore të kohës në Shkoder. Marku mësoj dhe mori edukatë e kulturë në shkollën e Jezuitve, deri sa, për t’ju ba krah familjes, për arsye ekonomike, u detyrue ta ndërpresë, tuj mbarue vitet e fundit të maturës në shkollën e natës.  Mbas maturës ju kushtue profesionit të infermierit, që e mësoj në kursin shtetnor të infermierisë në vjetin 1946/1947 dhe tuj punue në Sanatoriumin e Shkodres.

Për të plotsue dijet e veta në profesionin që e donte shumë, vendosi të ndjekë Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomue në vjetin 1960. Mbasi kishte kuptue që pasioni i tij ishte kirurgjija, u specializue në kirurgji të përgjithëshme. Si mjek i ri kirurg, u emnue nga shteti në Spitalin e Peshkopisë, që u ba si shtëpija e tij, mbasi tuj kenë specialist i vetëm, punonte gjithë kohës, pa orar, që të mbulonte të gjithë atë krahinë me nevoja e kërkesa të mëdha.

Në Peshkopi, ku punoj 10 vjet, e njihnin të gjithë, e për banorët e atyne zonave, Dr. Marku ishte një hero i heshtun, me kontribut të paçmuem, me zemër të madhe e mjeshtër në profesion.

Siç më tregonte ma vonë, të shumtë ishin rastet kur detyrohej me ndërhye në kushte të veshtira pune, në ndonjë aksident, ndonjë traumë apo plagosje që ndodhte në zona të largëta malore, ku ishte e pamundur levizja e ambulancës. Shpesh detyrohej të ecë disa orë deri tek i sëmuri. Kishte rastisun që, për të shpëtue pacientin, ishte detyrue ta “operonte” me urgjencë edhe jashtë në rrugë, nën driten e fenerëve të ambulancës.

Mark Mirashi u kthye si kirurg në qytetin e tij të lindjes në vjetin 1972 dhe  punoj në Spitalin e Shkodres deri sa doli në pension. Si kudo ku punoj, edhe këtu, ai solli mendyra të reja e teknikë bashkëkohore kirurgjije. Si në jeten e përditëshme, ashtu edhe para çdo oparacioni që planifikonte, lexonte literaturë të huaj mjeksore lidhur me teknikat që do përdorte në sallë. Ai ishte poliglot dhe i apasionuar për gjuhët e huaja. Zotnonte mirë gjuhën italiane, franceze, angleze, gjermane dhe ruse.

Nji herë, gjatë nji bisede, më tregoj për nji “mrekulli” të bujshme të vjetit 1987, kur ai kthej në jetë, nga vdekja klinike, nji 18 vjeçar:

Mbas pune, kur shkova të marr biçikleten, që e mbyllshe te morgu i spitalit, vërejta aty trupin e nji të riu. Instinkti i mjekut më bani të afrohem e ti prek venen. Punojsi i morgut më tregoj që e kishin sjellë të vdekur nga një thikë në zemër. Nga prekja ndjeva një rrahje të dobët pulsi dhe kuptova që ka një shpresë të fundit. Vendosa me e dergue në sallë ku mbasi i hapa gjoksin,  fillova t’i masazhoj zemren me të dyja duert deri sa ajo filloj të rrahë përsëri. Djali 18 vjeçar u kthye në jetë dhe mbas kontrolleve e vizitave disa ditore që i bana, u normalizue.

“Kurr mos e nenvleftëso doren e mjekut, se asht si dora e Zotit”, – më thoshte,- për të më dhanë kurajo, mbasi edhe unë  gjindesha në reanimacion.

Perveçse nji kirurg i mirë, Dr. Marku ishte një intelktual i kompletuem e me kulturë të gjanë. Njihte mirë historinë, filosofinë si dhe klasikët e letersisë botnore.

Dr. Mark Mirashi punoj 52 vite në shërbim të njerzve, me nji përkushtim të pashoq, tuj tregue se asht YLLI i kirurgjisë në Shkodër. Janë qindra pacientë që i falenderohen mjeshtrisë e talentit të njeriut të mirë Mark Mirashi, ashtu sikurse dhjetra mjekë e studentë që mësuen profesionin prej tij.

Mark Mirashi vdiq në moshen 82 vjeçare, me 22 prill 2011, për tu vendosë në pjedestalin e njerzve ma të shquem të Shkodres e Shqipnisë.

Vjenë, me 16.12.2020