DEMOKRACIA NË VEPRIM: DORA E DJATHTË LAN TË MAJTËN

0
486
Arben Çokaj - pikturë

Arben Çokaj

Nëse komunizmi ishte shtet i egër, ai nuk ishtet shtet i drejtë dhe i suksesshëm. Pse? Sepse forcoi dhe la në pushtet vetëm njërin krah, të majtën. Persekutoi dhe ekzekutoi të djathtën, nacionalizmin shqiptar.

Shteti demokratik ka pluralizëm partiak, është një unitet mes dy krahëve, të majtë dhe të djathtë! Nuk është shtet perfekt, aspak e lehtë të gjendet ekuilibri, këtë po e shohim edhe në Shqipëri, dhe nuk është e lehtë as të bësh shtet demokratik. Duhet kuptuar se opozita është pjesë legjitime e shtetit, por jo domosdoshmërisht e pushtetit.

Nëse gjërat funksionojnë brenda një logjike të caktuar, duke respektuar ligjet dhe rregullat e përbashkëta, atëherë demokracia si sistem, ka treguar se ka sukses më të madh, se sistemet e tjera politike, edhe pse perfeksioni nuk mund të arrihet kurrë.

Në Shqipëri bëhet fjalë për funksionim, e jo për perfeksion. Por demokracia jonë as të funksionojë nuk mundet si duhet, sepse të dyja palët në konkurrencë politike me njëra-tjetrën, priren më shumë drejt dukjes se drejt qëllimit dhe e kanë mendjen me marrë pushtetin, për me vjedhë shtetin, e jo për ta bërë atë! E ky është problemi jonë!

Politikanët shqiptarë nuk e njohin mirë filozofinë politike të demokracisë. Nuk e njohin mirë as filozofinë politike të shtetbërjes, se po ta njihnin, do të frenoheshin sado pak në vulgun e tyre të paarsyeshëm për rrëmujë e destruktivitet. Do të vetë-përmbaheshin.

Politikanët shqiptarë mundet gjithashtu të mos e dinë, ose nuk u intereson të dinë, se paratë që përdoren në politikë dhe nga politika, sjellin e krijojnë konflikte. Kurse paratë që përdoren nga biznesi, krijojnë zhvillim e vende pune. Këtu fillon edhe konflikti tek ne, se paratë ka 28 vjet që këtij vendi ia merr dhe ia thith politika, prandaj kemi konflikte sociale tek ne, që po vijnë e bëhen antagoniste.

Prandaj politikanët tanë duhet ta dinë, se po nuk e lejuan paranë të përdoret nga biznesi e nga populli, por e uzurpojnë për vete e për qëllime politike, ata janë duke e dënuar këtë vend me moszhvillim, me dështim dhe me konflikte të përhershme, për të vijuar me ikje të vazhdueshme të shqiptarëve nga ky vend, të forcës punëtore dhe të njerëzve, që besojnë se diku tjetër mund të jetojnë më mirë dhe mund të ketë të ardhme më të mirë se këtu, duke përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave!

Vendi ynë është një vend i mrekullueshëm, por lukunia e babëzia, si dhe mosfunksionimi i shtetit, po e dënon këtë vend e këtë popull me degradim, po e bën këtë vend të pajetueshëm!

Demokracia alternohet me votën e lirë, por palët hajdute në politikën shqiptare, nuk i besojnë njëra-tjetrës dhe nuk ka si të ketë mirëbesim. Mosbesimi mes palëve në politikën shqiptare, çon në mosmarrëveshje dhe kjo është përçuar te secili shqiptar. Shoqëria jonë ka humbur ndjeshëm besimin te njëri-tjetri; rrjedhimisht ka humbur edhe besimin te politikanët dhe te shteti shqiptar. Kjo tregon se demokracia jonë ka patur efekt të fuqishëm centrifugal, largim nga vlerat e përbashkëta.

Por në demokraci, dora e djathtë lan të majtën dhe anasjelltas. Duhet pra mirëbesim, dhe respekt për njëri-tjetrin, pavarësisht pikëpamjeve politike, pavarësisht interesave.