DOMINON E KEQJA PËRMES PADITURISË…

0
356
Arben Çokaj - pass foto bw

Arben Çokaj

50 intelektualë, që i dinë punët i duhen Shqipërisë, për t’ia treguar rrugën drejt suksesit. Por nuk i ka!

Kur e sheh sistemin e mendimit këtu tek ne, secili drejtues politik krijon një rreth njerëzish që njeh, e nuk shkon më tej. E nëse janë disa intelektualë, aq më mirë. Por në përgjithësi drejtuesit tanë kanë komplekse të fuqishme e të pavetëdijshme të pamjaftueshmërisë së vlerave. Kjo i bën që të shmangin e shtyjnë çdo njeri të zgjuar e të ditur, që të mos i hijezojnë, e të rrinë për vete si shembull i dijes ose kaposhizimit të tyre.

E keqja në shoqërinë tonë është se edhe shtresa intelektuale i ka këto komplekse e nuk di të bashkëpunojë për ta drejtuar këtë shoqëri, për ta futur në binarë atë. Pastaj intelektualët nuk është patjetër të merren me politikë, se punët e përditshme edhe i shterpizojnë…

Ata mund ta japin ndikimin e tyre përmes akademive apo instituteve apo katedrave universitare e shkencore. Por duke qenë se paratë e pakta që ka ky vend i thithë të gjitha politika, në këtë kontekst egoist, nuk mbeten para edhe aq për veprimtari tjera.

Pastaj nuk shoh edhe aq atdhedashuri tek klasa politike apo intekektuale e vendit tonë e më gjerë. Kush na lidh ne me njëri-tjetrin atëherë? Cili është interesi jonë, emëruesi i përbashkët? Kombi, nacioni. Për shkak të apatisë fetare, nuk e kemi këtë ndjenjë edhe aq të zhvilluar si shoqëri.

Jemi komb i trembur, në ikje e arrati të përhershme nga piskamat arabe. Na kanë marrë përpara horrat e kriminelët, me të cilët bashkëpunon edhe politika, nga të cilët përfiton përmes punëve të liga e të paligjshme.

Mjerë ai popull që s’i bën zap horrat e vet – thoshte pak a shumë At Zef Pllumi. Ne si shqiptarë nuk kemi krijuar ende një trupë njerëzish të ditur, që ta dominojnë marrinë tonë kolektive, që me rregulla të arsyeshme ta dominojnë e drejtojnë sjelljen e pavetëdijshme të popullit tonë!

Prandaj kemi ende tendencë drejt vetë-shkatërrimit, se sa ngjizjes e krijimit si komb!

Publikuar edhe te Rrjetat.Com