Dom Nikoll Kaçorri
108 VITE PAVARËSI
Në historinë e shpalljes së pavarësisë zë një vend të merituar nderi atdhetari mendje ndritur me shpirtë të lartë atdhedashurie Dom Nikoll Kaçorri. Kontributi atdhetar i Dom Nikoll Kaçorri ishte përcaktues në Shpalljen e Pavarësisë. Me guximin,trimërinë e zgjuarësinë e tij Dom Nikoll Kaçorri vullnetarisht e shoqëroi Ismail Qemalin në rrugën e tij për në Shqipëri. Ishte Dom Nikoll Kaçorri ai që priti delegacionin e atdhetarve shqiptar në Trieste më datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Por sulmet e ushtrisë serbe po afroheshin dhe nuk kishte siguri që të zhvillohej në Durrës Kuvendi Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë.
Kur Ismail Qemali, zbriti në Durrës u prit me nderime dhe i siguruar nga Dom Nikoll Kaçorri, si ndër njerëzit më të besuar për kurorëzimin e ngjarjes me përmasa historike dhe të shumëpritur për popullin shqiptar, në kushtet e një vendi të pushtuar prej 5 shekujsh.
Atdhetari shquar Dom Nikoll Kaçorri më 28 nëntor të vitit 1912 ishte delegat i Durrësit, dhe mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi Dokumentin e Pavarësisë me siglën “Kaçorri”.
Firmë e dytë, mbas Ismail Qemalit, ishte Dom Nikollë Kaçorri. Dom Nikoll Kaçorri bashkëpunoi me Ismail Qemalin në përgatitjen, hartimin dhe realizimin e një plani të studiuar mirë në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm. Ishin ndarë detyrat në mes dy figurave kryesore të Kabinetit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, që ishin Ismail Qemali dhe Dom Nikoll Kaçorri, ku i pari do të punonte me kancelaritë e huaja për të siguruar përkrahjen e nevojshme në njohjen e mëvetësisë së shtetit shqiptar, ndërsa i dyti do të kishte administrimin e jetës brenda vendit.
Në Kuvendin Kombëtar midis delegatëve që kishin mbërritur në Vlorë, kishte pasur kundërshti dhe dilema për ta shpallur pavarësinë më 28 nëntor 1912, por atdhetari Dom Nikollë Kaçorri ishte ngritur në këmbë përpara të gjithëve dhe nga brenda veshjes kishtare ka nxjerrë armën që mbante me vete (e ka vënë mbi tryezë) duke thënë:
“Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!”.
Kjo ishte një postulat i lirisë dhe dinjitetit shoqëror të shqiptarisë. Këto thirrje u bënë himn për të gjithë pjesëmarrësit. Dom Nikoll Kaçorri ishte në krah të Ismail Qemalit jo vetëm me penë e dituri, por dhe me armë në dorë.Në Kuvendin e Pavarësisë, Dom Nikolla Kaçorri u emërua zv. kryeministër në qeverinë e parë të përkohshme.
Me emrin e Dom Nikoll Kaçorrit, meshtarit të Pavarësisë, lidhet një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira njëherësh të historisë sonë kombëtare. Megjithë kontributin e madh në shpalljen e Pavarësisë dhe funksionimin e të parës qeveri shqiptare, emri i tij ishte lënë në hije gati në harresë dhe nuk i ishte dhënë merita që i takonte. Në Diktaturën e egër komuniste sllaviste staliniste emri i tij përmendej formalisht, ndërsa vetëm në vitet e fundit pas 100 vjetorit të Pavarësisëfigura e tij u vendos në panteonin e lavdisë kombëtare duke ndërtuar buste dhe vendosjen e emrit të tij të ndritur në shkolla.
Dom Nikoll Kaçorri u lind në fshatin Krej-Lurë vitin vitin 1862, të cilat kanë një histori të denjë si gjithë Lura, Dibra e shqiptaria. Ai rridhte nga një familje, me babain katolik, ndërsa nëna me besim mysliman, dhe ishin modeli i bashkëjetesës fetare. Falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u shkolluar, djaloshi ra në sy t’arkipeshkvit të Durrësit n’atë kohë, i cili gjatë një vizite në Lurë, duke parë shkathtësinë, inteligjencën dhe zgjuarsinë e tij, u kujdes që ta arsimonte… Dom Nikoll Kaçorri kishte mbaruar më 1884 studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Në vazhdimësi kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë, duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa i asaj kohe e kishte nderuar me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”.
Ishte emëruar Ipeshkv dhe kishte nisur me pasion për të kryer me përkushtim detyrën e lartë ipeshkvnore. Kishte nisur , ishte ndër të parët në organizimin e shoqërive patriotike atdhetare, duke vlerësuar si problem primar edhe arsimimin në gjuhën shqipe. Gjatë 1905 – 1907 kishte drejtuar kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Kishte armatosur popullin kryendritës me 500 armë, Me këtë veprimtari atdhetare në bashkërendim me atdhetarë të tjerë i kishte paraprirë shpalljes së pavarësisë, duke luftuar me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Dom Nikoll Kaçorri kishte marrë pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më vonë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit,
Atdhetari shquar Dom Nikoll Kaçorri nuk i kishte shkëputur asnjëherë lidhjet me çetat kryengritëse, sidomos ato që vepronin në zonën e Kurbinit dhe në Malësitë e Kthellës, ku përfshihej edhe vendlindja e tij, Lura. Edhe pse kërcënohej jeta e tij e kishte vazhduar veprimtarinë atdhetare me trimëri. Ai me një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, – të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht dhe turqisht, të dytët greqisht, – porosiste:
“Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”.
Atdhetari trim Dom Nikoll Kaçorri nuk u ishte trëmbur kërcënimeve të pushtetarëve ottoman,që vazhdimisht e përndiqnin,sepse kishte krijuar lidhje të qëndrueshme me popullin. Popullsia myslimane e Durrësit dhe e Shijakut, edhe pse e ndërsyer kundër tij nga turqit, nuk e tradhtoi kurrë, po përkundrazi, e kishte mbështetur,mbrojtur shpesh edhe me armë.
Valëvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë më 28 nëntor 1912 ka kontributin e jashtzakonshëm të atdhetarit të flaktë Dom Nikoll Kaçorri, cili së bashku me atdhetarë të tjerë kishte përgatitur terrenin për të pritur Ismail Qemalin duke bërë një punë kolosale dhe në krye të organizimit të situates së brendshme për Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë ishte Dom Nikoll Kaçorri
Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit, Dom Nikollë Kaçorri së bashku atdhetarë të tjerë emigroi në Austri, ku qëndroi tre vjet në Vjenë derisa vdiq më 29 maj 1917, nga një sëmundje e rëndë nga mushkritë. Ishte varrosur më 2 qershor 1917 në Varrezat Qendrore të Vjenës. Eshtrat e këtij atdhetari të shquar e meshtari të lirisë e Pavarësisë, u kthyen në atdhe pas gati një shekulli më 9 shkurt 2011
Nderime kujtimit të personalitetit të ndritur të shpalljes së Pavarësisë, Dom Nikoll Kaçorri!
Qatip Mara,
Nju Jork, 27 nëntor 2020