Klajd Kapinova
Dom Anton Kçira, ka lindur dhe rritur në një mjedis të ri gjakovar, ndonëse mbiemri që ai mban është një fshat malor në Pukë të Shqipërisë nga ku e kur kanë ardhur të parët e tij në Kosovë? Ata që qysh herët e lanë vendlindjen, lagjen Nikaj të Kçirës në Pukë.
Nga burimet që i dërgohen Vatikanit asokohe del se vetë fshati Kçirë nuk kishte më shumë se 18 shtëpi me gjithsej 158 frymë dhe që të gjithë ishin të krishterë të ritit katolik.
Ai lindi në 1939, në Gjakovë. Ai erdhi në jetë në prag të Luftës Dytë Botërore, ku kaloi një fëmijëri shumë të vështirë.
Asokohe familja e tij me tradita shqiptare bënte një jetë mesatare. Ajo ishte një familje shumë e përparuar katolike gjakovare, në të cilën gjithmonë kultivohej dashuria dhe respekti për Atdheun dhe devocioni tradicional fetarë shumë shekullor katolik.
Pashko Kcira, babai i dom Antonit deri me shpërthimin e Luftës II Botërore ishte kryetar i komunës në Vogovë, duke qenë i nderuar dhe respektuar nga të gjithë vendasit e zones. Ai falë kulturës dhe përgatitjes bashkohore dallohej për korrektësi, ndergjshmeri, mikpritje, bujari dhe shumë tipare te tjera fisnike etnike shqiptare.
Por posti i lartë I kryetarit, si drejtues i administratës së zonës nuk zgjati shumë, sepse fillimi dhe koha e vështirë e Luftës së Dytë Botërore do ti merrte haraç shumë të rëndë. Gjatë fëmijërisë së tij, Antoni i vogël përjetoj vështirësitë e panumërta dhe tmerret e përgjakshme të viktimave të pafajshme, gjatë kohës së Luftës.
Shkollën fillore e filloi në Brekoc, në fshatin Moglicë, ku nëna e tij u shpërngul detyrimisht bashkë me katër fëmijët e vegjël, për të siguruar kafshatën e gojës. Komunistët kryefamiljarit Pashkos asokohe ia kishin konfiskuar pa mëshirë të gjithë pasuritë, si: shtëpinë në Gjakovë dhe tokën në fshatin Moglicë.
Për Antonin e vogël jeta në këtë fshat ishte tepër e vështirë. Mjerimi, ishte bashkëudhëtare në atë periudhë tmerri.
Nëna e tij fisnike, hoqi shumë keq për ti rritur, ushqyer, veshmbathur dhe shkolluar fëmijët, në ato kushte shumë të vështira mbijetese ekonomike. Më i madhi nga fëmijët ishte 15 vjeç, ndërsa Antoni 7 vjeç.
Në atë kohë në fshat nuk kishte mësues. Me kalimin e viteve gjendja filloi të përmirësohet, mbasi babai Peshko Kçira doli nga burgu. Komunistët vazhdonin, që të mos e shohin me sy të mirë, familjen Kçira, duke i organizuar lloj-lloj kurthesh, për t’a hedhur në greminë familjen Kçira.
Pashko për 24 vjet kishte punuar, me ndershmëri, për ti shërbyer popullit të të tij të shumëvuajtur, pa i shkaktuar asnjë njeriu shqetësime dhe as më të voglen padrejtësi.
Babai i dom Antonit, ishte i gjatë si lisat e bjeshkëve kreshnike, serioz, mikpritës, bujar, i dhembshur, fjalëpak, një njeri i rrallë, fetar i devotshëm dhe shumë i gatshëm për sakrifica, ashtu sikurse edhe nëna e tij fisnike shumë e përvuajtur.
Edukata atdhetare e fetare, të cilën prindërit i dhanë vazhdimisht Antonit të vogël dhe prirja e tij qysh fëmijë për thirrje të brendshme shpirtërore për Zotin, bënë që tek ai të lind dëshira e madhe ti shërbyer Zotit, gjë e cila u bë realitet shumë vite më vonë, në rininë e tij, kur ai vesh petkat e meshtarit.
Gjatë periudhës së kolektivizimit të bujqësisë dhe heqjes së pronës private (sipas modelit bolshevik rus, të kolkozeve dhe solkozeve, shënimi im K.K.), përsëri dom Antonit ia burgosën babanë, sepse ai nuk pranoj të futej në kooperativën komuniste.
Pas lirimit të tij të dytë, duke parë se komunistët nuk do t’ia ndanin kurrë të zezat familjes Kçira, ai u shpërmgul nga Gjakova në Shkup.
Edhe vendbanimi i ri kishte vështrirësit e veta. Në rrethin e ri nuk njihte njeri. Dom Antoni kujton: “Ashtu siç e kishin babanë halë në sy, me siguri se po të kishim vazhduar të jetojmë në Kosovë, bolshëvikët do të na kishin zhdukur, gjatë operacioneve famëkëqia të Rankoviqit të mbledhjes së armëve.”
Jeta e re në një mjedis po shqiptar, do të bënte që familja Kçira të njihet me miq të rinj. Në Shkup, ata krijuan një rreth të ri, me duke iu përshtatur kushteve të reja, vendit dhe njerëzve atje.
Pranë gjimnazit Liria të Shkupit mbaroi shkollën 8-vjeçare, të mesmen dhe prej ku pastaj u regjistrua për të vijuar studimet e larta në Fakultetin e Teologjisë, në qytetin Gjakovo të Sllovenisë. Atje ai u diplomua në Teologji në vitin 1967, ku dhe u shugurua për meshtar.
Ai u caktua meshtar në fshatin Bishtazhin, në periferi të Gjakovës dhe më pas shkoi tu shërbej malësorëve të Gucisë, ku qëndroi një vit. Prej andej e caktuan famullitar në fshatin Gllogjan të Pejës, ku për gati 20 vjet i shërbei popullit të tij, duke e ndarë fatin me ta (në të mirë e në të keq) qoftë si meshtarë, ashtu edhe si njeri i thjeshtë.
Ndërsa nga shtatori i vtit 1989 e caktuan të shërbej në Detroit të SHBA-së, përsëri midis njerëzve më bujarë dhe kreshnikë që ka shqiptaria, pikërisht malësorëve fisnik nga Malësia e Madhe, të cilët përbejnë shumicën dërmuese të famullisë atje dhe të mbarë komunitetit shqiptar të Michigan-it në SHBA, ku gjendet edhe sot, që është në pension.
Kur dom Antoni u diplomua në Teologji në vititn 1967, familja u shpërngul në Amerikë. Kjo u bë për arsye të sigurisë së familjes së tij, për ta ruajtur nga përndjekjet e vazhdueshme dhe hija bolshevike, që e ndiqte hap pas hapi, mbasi familjen Kçira.
Ata e konsideronin familjen Kçira të rrezikshme për komunizmin. Në këtë situate pa shpresç për një jetë normale familja Kçira njeri mbas tjetrit u detyruaan të emigrojnë në SHBA.
Dom Antoni bëri vizitën edhe tek trualli i katragjyshërve në Pukë, dhe për nder të tyre edhe me kërkesë të këshillit të kishës atje dhuroi për banorët shuma të mëdha dollarësh, për ndërtimin e shtëpisë së Zotit, që e kishte shkatërruar komunizmi i zi.
Dy vjet më vonë, me 13 tetor të vitit 1995, dom Antoni merr pjesë në përurimin e kishës së re, duke i lënë banorëve shqiptarë një monument të rëndësishëm historik fshatit të të parëve të tij.
Për 51 vjet me radhë dom Anton Kçira larg Atdheut përtej Oqeanit Atlantik kontriboj pa ndëprerë dhe pa u lodhur për fenë dhe besimtarët e tij, që fati e jeta e vështirë në vendlindje i bëri të emigrojnë në ShBA.
Shumë dekada më parë dhe deri tani, nëse shohim bilancin pozitiv, del se dom Antoni kontriboj dhe po jep edhe tani që është në pension gjithçka për kishën, besimtarët, gjuhën shqipe, tubimet politike për çlirimin e Kosovës martire (1999 nga trupat e NATO-s, të drejtuar nga SHBA), tubimet me intelektualët për krijimin e qendrave kulturore, ndërtimi i kompleksit të ri brenda ambienteve të kishës për emigrantët etj.
Duke hulumtuar për përgatitjen e këtij studimi, del se për dom Anton Kçirën, kanë folur dhe shkruar gjatë 50 vjetëve të meshtarisë shumë gazeta, revista, kanale televizive amerikane dhe shqiptare në Kosovë dhe tash 28 vjet në Shqipëri.
Për personalitetin e tij gjithnjë në rritje kanë ndikuar shumë faktorët si: aktiviteti i dendur pranë kishës katolike në vendlindje dhe diasporë qysh në moshë të re, shkolla e mesme (jeta në seminar) dhe shkolla e lartë, pasi kryen shërbimin ushtarak, sikurse edhe miqtë e shumë meshtarë bashkëvëllezër në Krishtin, të cilët një pjesë tyre janë bërë gjatë jetës meshtarake si ipeshkvij, kardinal në disa vende të Ballkanit e përtej saj.
Për t’i ardhur sa më shpejt në ndihmë popullit të tij që vuante nga plagët e mizorëve serb, ai kërkonte që përmes televizionit amerikan të tregonte se Serbia po zhduk pa të drejtë një komb të lashtë sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës.
Ndër të tjera, dom Antoni i kryesuar nga një delegacion shqiptaro – amerikanë të Detroitit si: Kisha e shën Palit dhe kisha Zoja e Shkodrës në New York, u nisën me 13 shtator 1997 në Indi, për të marrë pjesë në varrimin e Nënë Terezës, kësaj humaniste të madhe të të gjithë botës, që me të drejtë bota e thirri Nënë dhe sot është shenjtëruar nga Papa Francesku si Shën Tereza e Kalkutës.
Ai tha një meshë dhe u lut shumë për Shenjtneshën me gjak shqiptari, së bashku me të gjithë shqiptaro – amerikanët e tjerë, duke e ndarë pikëllimin së bashku.
I palodhur dhe me dashuri për shqiptarët dhe vendlindjen, kudo gjendet dom Antoni sot. Përvuajtëria e spikatur, modestia dhe thjeshtësia, janë tipare që i zbulon në fytyrën e tij të qetë.
Dom Antoni, u shërbeu shqiptarëve të Amerikës për disa dekada. Gjurmët e punës së tij, gjenden në zhvillimet e jetës kulturore e fetare të shqiptarëve në mërgim, duken qartë.
Kisha e shën Palit në Rochester Hills (Detroit, MI), e ndërtuar para 16 vitesh me nismën e meshtarit të palodhur dhe të pamposhtur dom Anton Kçira, e cila me të drejtë mund të thuhet se është vepra e besimtarëve bujar malësor dhe e tij.
Nën drejtimin e meshtarit Kçira, besimtarët e kishës së shën Palit, kanë dhuruar qindra mijëra (mbi 1 milionë dollarë ndihma), gjatë dhe pas luftës, për viktimat në Kosovë, përveç ndihmave për rimëkëmbjen e kishave dhe fesë në Shqipëri, që dolën të shkatërruara nga lufta e ftohtë.
Filluan të bashkohen rreth tij të gjithë. Në vitin 1990, një grup atdhetarësh të frymëzuar nga dhimbja u morën vesh me dom Antonin se si të përhapnin një kushtrim në popull që të mund të ndihmojnë popullin në Kosovë, që po vuante nga rregjimi serbo-sllav.
Gjurmë të veprimtarisë përkushtuese fetare e atdhetare të dom Anton Kçirës, janë gjithashtu përmendoret e Skënderbeut dhe shën Nënë Terezës, në hyrje të oborrit të kishës.
Ato përçojnë vlerat e një kombi, veçanërisht, kur tërheqin vemendjen e kalimtarit të panjohur, i cili, kur i sheh s’mund të rrijë pa u interesuar e pyetur: E kujt është kjo kishë e madhe?
Këto janë konkretizime të nismave largpamëse të dom Anton Kçirës në krye të kishës. Janë gjurmët të ngurtësuara, që ai lë pas, ndërsa largohet për t’u shlodhur.
Një drejtues mund t’i udheheqë të gjithë, por nuk mund t’i kenaqë të gjithë. Edhe rruga e dom Antonit në krye të kishës, nuk ka qenë e shtruar, vlerëson me reportazhin e tij gazetari i Zërit të Amerikës Astrit Lulushi.
Patrioti dhe bariu i mirë i grigjës së vet, ka ndihmuar me strehime dhe ushqime, me mijëra të shpëngulur dardanë, gjatë eksodit biblik drejt shtetit amë, për t’i shpëtuar makinës ushtarake shfarosëse serbe, ku, unë kam qenë dëshmitar okular, në shumë qendra të sistemit të tyre, pranë kishës katolike, në qytetin e Shkodrës.
Të gjithë ne, që jetojmë dhe punojmë prej shumë vitësh në Amerikë, e dimë se pa inisiativën dhe mbështetjen e pakufishme të këtij meshtari të përkushtuar, për Fe e Atdhe në Detroit, qysh nga viti 1989 dhe deri më 2011, nuk do të ishin bërë shumë mitingje, demostrata, grumbullime fondesh për çeshtjen shqiptare të Dardanisë, ndihmen e pakursyer direkte për Shqipërinë, popullin e masakruar martir dardan në vitin 1999, kur dihet, se ky klerik patriot, ka qenë “persona non grata”, për ish Jugosllavinë titiste asokohe, si i perndjekur, për t’a vrarë me gjithe familje.
Dom Antoni, është i vetmi klerik në gjithë historinë mbarëshqiptare, që ka bekuar armët dhe luftëtarët e lirisë të Batalionit Atlantikut, drejt Dardanisë.
Historia, është mësuesja dhe nëna e pagabueshme, që ka folur dhe do të flas serisht me gjuhën reale të fakteve, për punën e madhe dhe jetën në përkushtim të kombit dhe fesë, që ka bërë gjithnjë, I Perndershmi me përvujtëri dhe modesti dom Anton Kçira.
Me nismën e këtij misionari dhe shqiptari të madh, erdhi në ShBA monumenti madhështor i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, epoka e të cilit është më e lavdishmja në historinë tonë, është elementi më i qenësishëm i krenarisë sonë kombëtare.
Të gjithë kombet e qytetëruara në botë, i përjetësojnë figura të tilla si dom Anton Kçira, duke i renditur me nderim dhe respekt në xherdanin e yjeve të pashuara, në Panteonin e Nderit Kombëtar.
Falëminderit!
Shënim: Kjo kumtesë e shkurtër është lexuar nga studiuesja zonjusha Leonora Laçi, në Simpoziumin Trojet e Arbërit, që i zhvilloi punimet në Gjakovë, më 1 Gusht 2018.