Skicë:
Nga: Murat Gecaj
1.
Nuk ishte hera e pare, në këto vitet e fundit, që kolegu e miku ynë i përbashkët, Fuat Memelli, të kthehej në Shqipëri, nga Bostoni, ku jeton familjarisht. Para disa ditësh, përmes e-maileve, ne e mësuam një lajm të tillë të mirë, prandaj të gjithë i uruam mirëseardhjen në vendlindje. Siç na tregoi ai sot, vizitën e parë e bëri në Sinicën e Korçës, e cila e tërheq si një magnet i fuqishëm, ngado që udhëton nëpër botë. Se është vendlindja e vetë, aty i ka rrënjët e pushojnë në përjetësi paraardhësit e tij. “Ndërsa takimin e dytë mendova ta bëja me ju,-u shpreh Fuati, me atë buzëqeshjen e çiltër të tij.-Dëshiroja të biesdonim në një rreth të ngushtë miqësh krijues e të çmalleshi;m me njëri-tjetrin…”.
Për këtë tubim, nga Fuati, mbrëmë morëm njoftim të gjithë ne: Unë, Përparim Hysi, Lida Lazaj, Vulllnet Mato, Eli Kanina e Albert Zholi. Kështu, “në vendin dhe orën e caktuar”, pra në një lokal modest, në afërsi të ish-shkollës pedagogjike të kryeqytetit, ne u takuam dhe u përqafuam përzemërsisht me njëri-tjetrin. Siç pritej, të parin gjetëm aty “sebepçiun”, pra Fuat Memellin, me një çantë në krah, të cilën asnjëherë nuk e ndanë nga vetja.
2.
Pasi u rehatuam në atë lokal e bëmë porositë për mezet, por dhe për pijet: verë, raki e birrë, e falënderuam përzemërisht Fuatin, i cili çdo vit bëhet nismëtar për takime të tilla. Bile, para pak vjetësh, në një rreth më të gjerë kolegësh e miqësh, ai festoi këtu edhe ditëlindjen e tij.
Ende pa pushuar pak, pasi ngritëm dollinë e parë për shendetin e Fuatit dhe gjithë të tjerëve, Përparimi ose Papi, siç e thërasim më shkurt, ia mori këngës. E pasuan, pastaj, vetë Fuati, por dhe Eli, Vullneti e kështu me radhë. Ndërsa më “i prapambeturi” isha unë, se nuk dija as t’i shoqëroja ata, formalisht! (ha,ha). Fuati bëri shaka e pyeti nëse do të këndoja, po të kishim aty një çifteli…Por, për fat të keq, as atë vegël nuk e mësova asnjëherë?!
Kështu, vazhduam të ngrinim dolli, por dhe këngët nuk kishin të sosur. Duke kujtuar një vizitë timen, të shumë viteve më parë, në krahinën e Gorë-Oparit, ku rrethanat më detyruan të isha “dollibash” e të ngrija dolli, u thashë miqëve se dëshiroja ta ngrinim një të tillë, të veçantë, për mikun tonë të përbashkët, Fuat Memelli. Sigurisht, të gjithë e miratuan këtë gjë. Pastaj, unë i dhurova atij një stilolaps, me shqiponjën në të, ndërsa Fuati na shpërndau të gjithëve nga një stilolaps, secili me ngjyrë të veçantë. Më “e vogla” ndër ne, Eli, shpejtoi që t’i dhuronte atij një libër të saj me poezi, duke i bërë shënimin përkatës.
Në ato çaste, fjalën e mori edhe Vullneti, i cili na kujtoi se reportazhet e Fuat Memellit, kur ai punoi në Radio-Televizionin Shqiptar, mbahen mend sot e kësaj dite, për pasqyrimin aq bukur të natyrës dhe të jetës shqiptare, sidomos në fshat. Ndërsa, për fat të keq, askush nuk është kujtuar që ta vlerësojë lart këtë punë të tij, duke e nderuar me ndonjë dekoratë ose titull, si psh “Mjeshtër i Madh”?! Ndoshta, i takon ndonjë shoqate joqeveritare, si psh ajo “Devolli”, që të bëhet nismëtare për këtë gjë.
…Gjatë qëndrimit në atë mjedis të këndshëm, por dhe kur dolëm jashtë, ne bëmë disa fotografi me aparatet tona, që t’i kemi kujtim të paharruar. Me këtë rast, një punonjës i lokalit e shkrepi disa herë edhe aparatin tim. Ndër to, zgjodha dy foto, të cilat po ia bashkëngjes kësaj skice modeste, edhe pse nuk janë aq cilësore.
Duke u ndarë me njëri-jetrin, të gjithë e falënderuam Fuat Memellin, që u bë nismëtar të na bashkonte sot dhe uruam që, përsëri e përsëri, të takohemi bashkë, gjithnjë vetëm për të mira e gëzime!
Tiranë, 27 maj 2016