Doli nga botimi numri 14 i revistës për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore Malësia, në Podgoricë, Mali i Zi, i cili në mënyrë tematike i kushtohet poetit tonë kombëtar, At Gjergj Fishtës, me rastin e 148–vjetorit të lindjes së tij. Në këtë numër kanë bashkëpunuar autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Brukseli, sikurse janë: Nikë Gashaj “Hyrja”; Prof. Dr. Zef Mirdita ”Atë Gjergj Fishta, kolos i mendimit dhe i letërsisë shqipe”; Prof. Dr. Lush Culaj ”Gjergj Fishta dhe çështja kombëtare”; Prof. Dr. Vebi Bexheti “ Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit në veprën ”Lahuta e Malcís” të Gjergj Fishtës”; Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi “Fishta- personalitet profetik i kulturës shqiptare”; Prof. Xhelal Zejneli “Homeri shqiptar-Gjergj Fishta”; Prof. Dr. Alfred Çapaliku “Dy poezi të Gjergj Fishtës për Anton Xanonin”; Prof. Dr.Anton Nikë Berisha“Gomari – Viska i Babatasit”, kryevepra satirike e Fishtës”; Prof. Dr. Artan Haxhi”Persiatje mbi prozën e Fishtës”; Prof. as. Dr. Orjeta Baja “Stilema të nivelit sintaksor në veprat epike të Atë Gjergj Fishtës”; Prof. as. Dr. Kolë Tahiri ”Popullariteti i “Lahutës së Malësisë” në trojet shqiptare gjatë periudhës së monizmit komunist”; Don Viktor Sopi“At Gjergj Fishta, ushqyes dhe pastrues i kulturës shqiptare”; Dr. sc. Ismail Doda “Figura e Oso Kukës në “Lahutën e Malcís” të At Gjergj Fishtës”; Ndue Ukaj ” Martin Camaj për poezinë fishtjane”; recensione: Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri ”Roli i eposit heroik shqiptar në krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës”(Dr. Jakup Sahiti, Roli i letërsisë popullore në krijimtarinë letrare të Gjerg Fishtës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2009, 485f.); Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri “Eposi heroik shqiptar i Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë”(Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, “Onrufi”, Tiranë, 2007, 244 f.); Thënie për Gjergj Fishtën: Dhurata Myrtollari.
Sikurse e kemi cekur më lartë, motivimi i drejtpërdrejtë i kushtimit tematik të revistës Malësia, është 148-vjetori i lindjes së Fishtës, mirëpo arsyet pse një numër të veçantë të revistës sonë po ia kushtojmë këtij shkrimtari, studiuesi dhe patrioti kombëtar janë më të mëdha, ndërmjet të tjerash, në veçanti po i nënvizojmë:
Së pari, motivimi i nxitjes së botimit është studimi më i thelluar i jetës dhe veprës së Fishtës, i cili në periudhën e sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet vjet nga mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Luginë e Preshevës. Kjo ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.
Së dyti, ka të bëjë me vlerën e madhe artistike të veprimtarisë letrare të Gjergj Fishtës e, në veçanti, të kryeveprës “Lahuta e Malcís”. Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër, është nxjerrur nga jeta e pasuria shpirtërore e popullit shqiptar (Martin Camaj). Kot mundohen Grekët e sotëm – thonte Faik Konica – të gjejnë në letërsin e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.
Së treti, kontributi jashtëzakonisht i madh i Gjergj Fishtës si kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (Bitoli i sotëm- Maqedonia e Veriut), më 1908.
Së katërti, rëndësia e madhe e tij si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919 -1920.
Së pesti, në zgjedhjet e qershorit të vitit 1921, Gjergj Fishta zgjedhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Prandaj, është me rëndësi angazhimi i tij politik për përfaqësimin dhe artikulimin me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.
Së gjashti, merita e madhe e Fishtës, për mbrojtjen cilësore të interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave njerëzore të vëllezëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjesëtar i delegacionit shqiptar në konferencat ballkanike:1930 në Athinë,1931 në Stamboll, 1932 në Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.
Së shtati, kontributi i madh i Fishtës si bashkë themelues dhe antar i Shoqërisë letrare “Bashkimi”, në Shkodër, më 1899, qëllimi i së cilës ishte zgjimi kombëtar i popullit me anë botimesh në gjuhën amtare.
Së teti, Fishta u emrua në vitin 1902 drejtor i Gjimnazit Françeskan në Shkodër, i cili qysh prej themelimit të tij në vitin 1861 drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në shkollë bëri shtiemen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri. Shkolla e P. Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarvet, ku në mbrëmje mbledhshin djelmoshat e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga goja e Mjeshtrit t’idesë kombëtare Gjergj Fishtës. Pranë kësaj shkollë Fishta formoi dhe një grup amatorësh Teatri, e me këta çfaqi herë mbas here copa të ndryshme, të përpiluara prej tij, në Salonin e vogël t’oborrit të Shkodrës, të cilin ai vetë, me shijen e vetë të pashoqe, e ndreqte, e mirsonte, e pikturonte – mbasi duhet dijtë- se ishte edhe një piktor i mirë. Kështu pra populli i Shkodrës pati fatin të kishte në gji të vet, qysh prej vitit 1907, një teatër – mund t’a quajmë – kombëtar.
Këto çfaqje, gjithmonë me subjekt shqiptar, ngjallën një entuziazëm në zemrat e të gjithëve dhe emeri i P. Gjergjit u bë ylli i rinisë. U krijue një brez i ri me shpirt e me zemër shqiptar, fanatik i çështjes kombëtare.
Në vitin 1923, Shoqnija “Rozafat” organizoi në Shkodër një ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë ekspozitë Fishta paraqiti 24 copë piktura origjinale të tij të punura me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.
Së nënti, Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin formuan “ Komisin Letrare”, në Shkodër, më 1916, e cila kishte për qëllim me i vë themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.
Së dhjeti, duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet themelor se shtypi âsht arma mâ e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti mâ i përdorshmi për t’i çelë syt popullit, Fishta themeloi revistën letrare, filozofike dhe diturore “Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi dhe drejtoi gazetën politike- letrare ”Posta e Shqypnis”. Përveç këtyre, për një kohë të gjatë drejtoi dhe revistën: “Zâni i Shna Ndout”.
Së njëmbëdhjeti, nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Së dymbëdhjeti, ndjenja e borxhit ndaj këtij vigani dhe personaliteti të madh të kulturës kombëtare. Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzëmërt i këtij populli.Ai ka qenë figura emblematike e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj, ai është nderi dhe krenaria e shqiptarisë. Ai e meriton këtë nderim dhe vlerësim. Është një botë e tërë çi e ka nderuar si të tillë, çi e ka cilësuar si poetin më të madh të kombit shqiptar.
Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të pashlyeshme, por jehuen edhe në botën letrare të jashtëme, tue e bë të njoftur emrin shqiptar ndër rrethet intelektuale të botës së qytetëruar.
Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroi Mbreti i Austro-Hungarisë me Rilterkreuz (1912), Papa Piu XXII me Medaljen e Meritimit(1925), Parija e Përgj. e Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929) , mbreti i Turqisë me dekoratën Mearij kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën Foenix(1931).
Fishta, më 1939 u zgjedh anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve. Kryetari i kësaj Akademi, Luigj Federzoni në telegramin që i dërgoi Ernest Koliqit si Ministër i Arsimit të Shqipërisë në rasën e vdekjes së poetit, me 30 dhjetor të vitit 1940, ndër të tjerat u shpreh: Akademia e tyre humbi një ndër pjestarët e vet më të shkëlqyeshëm.
Eqrem Çabeja thekson: vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruaj gjer sot jeta shqiptare.
Lazgush Poradeci thote: Fishta është shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar. Ndërsa, Karl Gurakuqi u shpreh: Shqipërinë e deshti aq fort sa qe gjáll e për të cilën shkrîni krejt jetën e vet. Shqipënia qe ideali i tij, për tê punoi, për tê vuajti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit. Për tê pat këndua:
Dersá t’muendem me ligjrue
E sá gjall me frym’un jam.
Kurr, Shqipni, s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’ përmend’ kam!
Prandaj, emri i tij do të duhej të shkruhej me germa të artë në historinë kombëtare.
Në këtë numër të revistës “Malësia”, autorët, punimet e veta përgjithësishti kanë përgatitur enkas për këtë rast. Prandaj, shpresojmë se përmes këtij botimi do të japim një kontribut të vlefshëm për njohjen sa më të plotë të veprës dhe të personalitetit të Fishtës.
Gjithashtu me këtë publikim dëshirojmë të nxisim studiuesit për hulumtime, analiza, shqyrtime dhe vështrime të mëtejshme shkencore mbi kolosin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, Gjergj Fishtën.
Nikë Gashaj, themelues dhe kryeredaktor i revistës Malësia (e-mail: [email protected])