DOLI NGA SHTYPI ROMANI “MISTERET E KOHËS” AUTORE, ELHAME GJYREVCI

0
669
Elhame Gjyrevci - Misteret e kohës

Nga Hysen Ibrahimi1, redaktor i librit.

Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Në romanin e titulluar “MISTERET E KOHËS”, lexuesi do të vërejë vetëdijen e qenies njerëzore në rrugë të gabuar, por edhe të atyre që ndihen përgjegjës për identifikimin e këtyre ngjarjeve për t’i eliminuar, mundësisht, në tërësi, edhe me sakrificën e tyre të skajshme. Autorja Elhame Gjyrevci, përmes këtij romani tejet kuptimplotë, i jep rëndësi me të drejtë kohëve, shfaqjes konkrete e humanizmit njerëzor dhe me sukses të plotë i afrohet botëkuptimit të vetëdijes kombëtare njerëzore.

Autorja për mrekulli arrin që, këtij romani, me personazhet e përzgjedhur e tejet të qëlluar, t’i japë aureolë2 të ekzistencës reale midis fenomeneve të përgjithshme dhe njeriut.

Kështu, autorja e bindur se përmes romanit mund të arrijë shkëlqyeshëm të zbërthejë mistere të kohës, enigmave të botës së dukshme. Rruga e zbërthimit të këtij misteri të kohës autoren Gjyrevci e shpie drejt identifikimit të ngjarjeve me kohën përmes romanit “MISTERET E KOHËS”.

Në roman hasim, në shumicën e ndodhive, kur autorja dominon fiksimin e saj të qartë roleve të Drenit, Zikos, Milotit dhe Erës, pa anashkaluar edhe rolet e tjera përcjellëse, që shumë herë kanë një rol tejet të rëndësishëm, sikurse humanizmi i madh i familjes së Malit. Këtu autorja fiksohet në roman, ku pjesën më të madhe të roleve (përjashtuar njerëzit e prostitucionit, krimit dhe drogës), me veprimet e tyre krijon personazhe të njeriut tonë nëpër histori.

Raportet në fillim shoqërore dhe më vonë vëllazërore të Drenit dhe Zikos, në roman sjellin si dëshmi për raporte të ngushta kur arrin t’i krijoj shqiptari, “kur do dhe kur di”.

Rruga e mistershme e personazheve, shpesh nga frika, fut në kokën e tyre disonanca3 të tingujve jashtëtokësorë, paradokse4 të padëshiruara.

Romani “MISTERET E KOHËS” i autores Elhame Gjyrevci, jo vetëm që zbulon ngjarje të dhimbshme, ato të kohës nëpër të cilën po kalojmë, por kryekreje autorja qëndron besnike për t’i zbuluar këto tema tabu të jetës konkrete, veçanërisht duke u ballafaquar për çdo ditë me to, kudo nëpër trojet shqiptare, tema këto kur personazhet e këtij romani: Dreni, Zikoja, Miloti, Mali, Tomori, Xha Rizai, Nënë Biba, i diskutojnë shumë herë dhe të zhgënjyer thellësisht në udhëheqësinë shqiptare, të pazotë dhe të korruptuar deri në fyt.

Madje, këtij romani, mund t’ia japim një sharm tejet të veçantë, duke përzgjedhur figura studentore, siҫ janë personazhet në të vërtetën kohore, që merren me esencën e jetës, duke rënë pre e padrejtësive, por nga emocionet e tyre atdhedashëse dhe humane, fuqishëm iu kundërvihen këtyre mistereve të kohës.

Sidoqoftë, vizioni i autores përmes këtij romani ka për qëllim ta përshkruajë të kaluarën dhe të tanishmen në këto kohëra e që i hasim mjaft mes veprave kriminale. Ndaj, me të drejtë znj. Gjyrevci, si vizion për të mos ndodhur këto krime në të ardhmen, si probleme kyҫe që e shoqërojnë popullin tonë, duke sjellë kultura aziatike që aspak nuk kanë të bëjnë me traditën dhe kulturën shqiptare, sjell mesazhin se nga duhet shkuar dhe ku janë vlerat tona kombëtare, duke arritur të punësohen shqiptarët edhe në NASA.

Krejtë në fund, mund të themi se autorja ka arritur, përmes këtij romani tejet artistik, t’i shkrijë mallkimet e fjetura, që nxjerr njeriun e jetës së krimit dhe e veçanta në anën tjetër për mrekulli nxjerr njerëzit atdhedashës të të gjitha trevave shqiptare, të arsimuar dhe të ngritur në shkallë të lartë intelektuale dhe njerëzore, që ia duan të mirën kombit të tyre SHQIPTAR.

Referenca:
1. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, autor dhe bashkautor i 18 veprave letrare e publicistike, redaktor, recensent dhe opinionist e dhjetra veprave, Suedi, mërgatë dhe troje etnike shqiptare.
2. Shkëlqimi i madhështisë, i lavdisë ose i nderimit, që rrethon dikë a diçka. Aureola e lavdisë (e fitores). I rrethuar me një aureole. Krijoj një aureolë rreth dikujt. I heq aureolën dikujt.
3. Tingëllim jo i harmonishëm i dy a me shumë tingujve të njëkohshëm ose të njëpasnjëshëm, që të vret veshin; grup tingujsh që nuk tingëllojnë bukur së bashku; prishja e harmonisë së tingujve.
4. Mendim që bie në kundërshtim me atë që dihet a që është pranuar përgjithësisht si e vërtetë; ide pak e çuditshme në vështrimin e parë, që duket se bie në kundërshtim me arsyen e shëndoshë, por që mund të jetë e vërtetë.