Doli nga shtypi libri “Njeriu dhe autonomia e vlerave” i Marjan Sebaj-Sopi

0
525
Marjan Sopi - Njeriu dhe autonomia e vlerave

Shkruan autori i librit: Marjan Sebaj-Sopi

Me recenzues Dr. Mons Lush Gjergji, doli nga botimi libri i Marjan N. Sopi “Njeriu dhe autonimia e vlerave”. me tema të përzgjedhura nga morali shoqëror. Ky libër me vlerë si dhe edhe gjashtë tituj të cilët i ka botuar sivjet autori Sopi, janë kushtim: Shën Jeronimit ilir (347-420) përkthyes i Biblës, Dijetar i Kishës, me rastin e 1600-vjetorit të vdekjes së tij.

Këtu ju sjellim shkrimin e recenzuesit lidhje me librin në fjalë: “Njeriu dhe autonomia e vlerave” Prishtinë, 2020

Shqyrtimi dhe zbërthimi i Marjan N. Sopi, “Njeriu dhe autonomia e vlerave”, është edhe një kontribut i çmuar për t’u ballafaquar me vetveten dhe me të Vërteten historike, aktuale, si dhe për të jetuar dhe punuar për një të ardhme sa më të mirë. Vepra ndahet në dhjetë kapituj, njësi, duke u nisur prej analizës së gjendjes aktuale shqiptare, veçmas të Kosovës, nën prizmën dhe dritën e historisë dhe të ardhmërisë.

Të vjetrit kanë thënë: “Historia është mësuesja e jetës”. Dhe ashtu është dhe duhet të jetë gjithnjë. Shumë njerëz e citojnë apo thonë këtë të vërtetë, por pak e kuptojnë dhe zbatojnë. Tjerët thonë: “Historia është nëna e jetës”, sepse nga ajo lindim dhe rrjedhim si njerëz, familje dhe shoqëri, Popull, Kishë, bashkësi, dhe prej saj nuk mund të shmangemi, mos të them të lirohemi lehtë.

Dikush, sidomos për ne Shqiptarët, tha: “Historia është njerka e jetës”, sepse ajo na ka shkelur, anashkaluar, mohuar, gati edhe asgjësuar, ka qenë e pamëshirshme, si “njerka” për fëmijët bonjakë, Kjo është, po ashtu e vërtetë për ne, por vetëm pjesërisht, sepse së pari ne e kemi përbuzur lashtësinë, autoktoninë, krishterimin tonë të stërlashtë ilir që nga koha apostolike, duke ia mohuar vetvetes rrënjët, djepin, zanafillën, historinë dhe jetën para-sllave dhe para turko-otomane-islame. Ky lloj “amputimi” shpirtëror dhe kulturor, apo shkëputja e zinxhirit ilir, arbëror dhe shqiptar, na kushton gjithnjë, dhe çka është edhe më zi, rrezikojmë të tashmen dhe ardhmërinë tonë, sepse mbesim pa Mësuese dhe pa Nënë.

Mos ta harrojmë kurrë parimin e shenjt: “Pa histori nuk ka as ardhmëri”.

Marjan N. Sopi niset në këtë shkrim nga kjo pikëpamje, na “rehabilitimi i së keqes”, që unë do quaja “idealizimi” i së keqes turko-otomane dhe serbo-sllave, si një lloj vetëvrasjeje në vazhdimësi, apo mbyllje e syve, mendjes dhe zemrës para fakteve dhe ndodhive historike.
Kreu i tretë i këtij botimi mund të sintetizohet kështu: ikja prej vetvetes dhe të vërtetës, apo si thotë popull ynë “s’po na zë vendi vend”, jetojmë si pa “krye”, nën ndikimin dhe “sundimin” e të tjerëve, së keqes, bile disa thonë se jemi edhe “popull i mallkuar”.
Unë një gjë e di dhe besoj thellë: Zoti nuk e mallkon asnjë njeri, popull, askënd.

Po ndoshta “tradhtia”, ndaj historisë, gjaku i pafajshëm nëpërmjet gjak apo hak-marrjeve, tash edhe ikja apo braktisja, boshatisja e tokave stërgjyshore, na përndjekin dhe shqetësojnë, mos të them na “mallkojnë” kudo.

Marjan N. Sopi e trajton ateizmin në pikëpamje të ndryshme, teorike, ideologjike, politike, deri te agnostike, materialiste dhe praktike, me dëme shumë të mëdha, në humbjen e vlerave dhe të virtyteve, pa të cilat jeta “pësohet” nga hedonizmi, indiferentizmi, konsumizmi, relativizmi që janë “diktatorët” e kohës tonë kinse të “lirë”.

Këto dukuri, që janë pasoja e mëkatit, dëbimi i Zotit- Dashuri dhe Vëllait apo Motrës-Njeri, do të thoshte Nëna jonë Tereze, e tjetërsojnë njeriun e ditëve tona, duke ja marrë “shpirtin”, për të jetuar një jetë gati vetëm fiziologjike dhe biologjke, pa psikë dhe pa shpirt.

A thua gjithçka qenka keq e zi?
Jo, assesi. Njeriu, si person, individ, pjesë e familjes dhe shoqërisë, ka potencial të jashtëzakonshëm, mund dhe duhet ta bëjë një kthim rrënjësore, të jetë vetvetja, për t’ua mundësuar edhe të tjerëve këtë gjë, nëpërmjet bisedës, dialogut dhe komunikimit, apo me përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi për gjetjen, vijimin, rritjen dhe zhvillimin e të mirës së përbashkët.

Ku gjendet kjo e mirë e përbashkët?
Në dy brigje të një lumi të përbashkët, që mbështetet në të Vërtetën dhe në Dashurinë.
Marjan N. Sopi e falënderojmë për këto mendime dhe porosi jetësore dhe aktuale, ndërsa lexuesit i ftojmë që, të shikojnë jo vetëm me sy, të mendojnë jo vetëm me arsye, por të gjitha këto mendime, përsiatje, shkrime, këshillime t’i pranojnë dhe jetësojnë me zemër-dashuri.

Sivjet, në 1600-vjetorin e vdekjes së Shën Jeronimit ilir (347-420), përkthyes të Biblës, Dijetar të Kishës, po i përkujtoj tri thënie të tija për ne:

“Unë jam mësuesi më i keq për vetveten”.
“E vërteta është e hidhët, ndërsa mangësia trajtohet si ëmbëlsirë”.
“Dera e çdo vesi është hidhërimi, urrejtja”.

Dr. Mons. Lush GJERGJI