DOLI NGA SHTYPI LIBRI, “KUR FLASIN ZEMRAT…”

0
1770
Kur flasin zemrat - Murat Gecaj

Nga SHB “Edlora”, me drejtor Ing. Vladimir Kallupi dhe administratore Edlira Kame.
Kushtuar 62 femrave shqiptare, poete e shkrimtare, artiste dhe veprimtare të njohura.

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Në vazhdim të librit tim, “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015), duke marrë pjesë në përurime të ndryshme të botimeve nga krijueset tona, sidomos në Tiranë, por dhe duke zhvilluar biseda me to, kryesisht përmes Interteit dhe duke publikuar recensione për librat e rinj, u bë një sasi jo e vogël shkrimesh të tjerë, në këtë drejtim. Kështu, mendova që këto shkrime t’i tuboja në një libër të dytë, tashmë me një emër tjetër, pra “Kur flasin zemrat…”, i cili ka 248 faqe. Për botimin e tij, pata mbështetjen dhe ndihmën e disa krijueseve dhe të SHB “Edlora”, me drejtor ing. Vladmir Kallupi dhe administratore Edlira Kame, të cilët i falënderoj përzemërsisht!.

2.
Me qëllim që lexuesi të krijojë një përfytyrim më të saktë për këtë libër të ri, shkurtimisht, po u njoh me përmbajtjen e tij, sipas pjesëve, që ai ka.

Pas një Hyrjeje të shkurtër, që kam bërë vetë, është pjesa e parë, “Krjuese të talentuara”. Konkretisht, në gjini të larmishme publicistike, aty kam shkruar për këto autore: Albana Ponari (Milano), Vojsava Nelo (Tiranë), Pranvera Gjoni (Belgjikë), Luljeta Gjosha Pashollari (Tiranë), Albulenë Shaqiri (Vushtrri-Kosovë), Alma Sian Feruni (Vlorë), Bukurie Bushati (Gjermani), Dëshira Haxhi (Greqi), Donika Çela (Itali), Drita Lushi (Tiranë), Eglantina Mandia (Kanada), Eltona Lakuriqi (Tiranë), Ermira R. Jusufi (Vushtrri-Kosovë), Genta Kaloçi (Tiranë), Juliana Janku (Berlin), Klaudia Malaj (Tiranë), Kozeta Zylo (Nju Jork), Lumturi Plaku (Itali), Lumturi Ymeri (Tiranë), Lumturi Vladi (Tiranë), Manushaqe Toromani (Tiranë), Margarita Stoja (Itali), Mina Çaushi (Tiranë), Oltjona Selamaj (Itali), Seli Murati (Kanada), Shqipe Hasaj (Zvicër), Vjollca Ajasllari-Koni (Austri), Vjollca Miftari (Fier), Xhemila Adili (Kërçovë), Xhiliola Lamaj (Vlorë), Zyba Hysa (Tiranë) dhe Violeta Librazhdi-Kadzadej (Tiranë).

Në pjesënë e dytë, po duke vijuar me poete e shkrimtare, janë botuar dy shkrime, për poetet Reshida Çobo (Kaliforni) dhe Merita Gjoni-Gjoka (Tiranë), nga i ftuari special në këtë libër, publicisti e studiuesi Sejdo Harka.

Në pjesëën e tretë, “Shkrime me tematikë të larmishme”, flitet për: Klaudia Malaj (Tiranë), Mimoza Meta-Kraja (Shkodër), Dhimitra Misrasi (Greqi), Luljeta Avdiu-Cura (Ulqin), Reshida Çoba (Kaliforni), Majlinda Nana Rama (Fier), Arta Zeneli (Tiranë), Servete Kastrati (Kosovë), Anila Kaja (Itali), Nerina Toçi (Siçili-Itali), Brikena Kadzadej-Zavalani(Tiranë), Bardha Niklekaj (Tiranë), Ganimete TJhaçi (Athinë), Merita Gjoni-Gjoka (Tiranë), Jolanda Lila (Tiranë), Enkelejda Kondi (Francë) dhe Vezire Mezini-Gjiraku(Tiranë).

“Mesazhe të ndryshme”, në pjesën e katërt, janë nga: Donika Çela (Itali), Brunilda Mara (Nju Jork), Saranda Iseni (Suedi), Enkelejda Kondi (Francë), Lida Lazaj dhe Eli Kanina (Tiranë), Entela Duraj (Tiranë), Gena Pjetërgjokaj (Tiranë), Adelina Gina (Nju Jork), Teuta Halilaj (Londër) dhe Albana Ponari (Itali).

Pjesa e pestë, “Gjithnjë të nderuara dhe të paharruara”, ka shkrime për të ndjerat: Nazmije Pasholli (Dibër), Qamile Dervishi (Tiranë) dhe Valdete Duraku-Meta(Shkodër).

Në vend të Jetëshkrimit të autorit, është botuar Biseda e zhvilluar në Radio-Kontakt, nga Blerina Rizvanolli.

3.
Këtu poshtë, po vendosim “Hyrjen” e shkurtër, që kam publikuar për këtë libër:

“NDËRIME E RESPEKTE, PËR TË GJITHA KRIJUESET DHE VEPRIMTARET TONA…

Siç mund ta ketë vërejtur ndonjë lexues-e i (e) interesuar, vitin e kaluar, pra më 2015, botova librin ”Për ju, krijuese”. Në të, u përfshinë shkrime modeste, për 91 poete e shkrimtare, artiste e veprimtare të njohura. Ato janë nga Shqipëria e trojet tona amtare, por dhe nga ngulimet e shqiptarëve nëpër botë, si në shtetet e ndryshme të Evropës, por dhe në Amerikë e Kanada. Shkrimet ishin të gjinive të larmishme, si: Biseda me krijueset, recensione të botimeve të reja, shënime nga përurimet e librave të tyre etj.

Përgjithësisht, libri në fjalë u mirëprit, gjë që u pasqyrua, në shtyp e në Internet dhe me bisedat e zhvilluara në radio të ndryshme. Gjithashtu, më kanë dërguar mesazhe urimi e falënderimi disa krijuese. Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve të këtyre radhëve, po shënoj këtu vetëm këtë më të fundit, që ma dërgoi Alma Sinan Feruni. Ja, çfarë shkruan ajo: Jeta, kaq e bukur!… Sot mora dhuratë, librin “Për ju, krijuese”, shkruar nga ju, mik i mirë e i papërtuar, prof. Murat Gecaj…

Të falënderoj nga zemra, për dhuratën aq të bukur, në prag Krishtlindjesh dhe Vitit të Ri 2017. Është një buqetë lulesh aromëmira, në livadhin jetë, nga të magjishmet, poetet e shkrimtaret dhe mësueset, nëpër vite. Margaritare, rubine, smeralde, diamande, perla e yje të pafund aty, mes mikeshave të mia, që kanë thurur vargun e shpalosur ndjenjat kohe, me aq mjeshtëri… Të falënderoj nga zemra, duke të shprehur mirënjohjen time!… Ndihem mirë, që ky libër u shtua në bibliotekën time… Falënderime të përzemërta dhe përqafime, nga Vlora bregdetare!…”

Por, nga ndonjë krijuese, u shtrua edhe pyetja: ”Pse, këto ishin krijueset ose artistet më të zgjedhura a më të rëndësishme shqiptare?” Siç është sqaruar më parë, por po e nënvizoj edhe për këtë botim të ri për disa krijuese, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare tonat, nuk kam bërë ndonjë përzgjedhje të tyre. Në të dy librat, shkrimet flasin për disa, nga qindra krijuese tonat të talentuara, që kam patur rastin e kënaqësinë t’i njoh ose të lidhemi përmes Internetit. Sigurisht, janë dhe mjaft të tjera, që e meritojnë të përgëzohen për krijimet e tyre, në gjini të ndryshme të letërsisë dhe artit, për punët e mira, që bëjnë dhe veprimtaritë e bukura, që zhvillojnë, kudo që ato ndodhen.

Një gjë e kam merak ta theksoj edhe në këto pak fjalë hyrëse, në këtë botim të ri. Shprehi kënaqësinë e veçantë, se krijueset e artistet tona dhe veprimtaret e palodhura shqiptare, po i shpalosin dukshëm talentet e tyre të mrekullueshme dhe më ngjajnë si një ujëvarë, që zbret me vërtik nga bjeshkët e larta dhe hyjnë natyrshëm në mendjet dhe zemrat e lexuesve tanë. Prandaj, me plot gojën, i përshëndes, i uroj dhe i përgëzoj, sinqerisht, për çdo arritje të tyre, si në letërsi, arte e veprimtari të ndryshme jetësore. Se, kështu, ato dëshmojnë dhe e afirmojnë veten, pjesë shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, si për vullnetin e papërkulshmërinë ndaj çdo gjëje, për shpirtin e butë e të pastër, për ndjenjat e larta të atdhedashurisë e mirësisë njerëzore.

Pa u zgjatur, veçanërisht, i përshëndes nga zemra dhe u jam mirënjohës, të gjitha autoreve krijuese dhe veprimtareve, që janë bërë pjesë e këtij libri të ri, i cili do të shkojë në duart e lexuesve, me rastin e Vitit të Ri 2017. Do të veçoja, këtu, bashkëpunimin dhe ndihmesën, që kanë dhënë për botimin e këtij libri, krijueset: Albana Ponari (Milano-Itali), Lumturi Vladi (Tiranë), Oltjona Selamaj (Itali), Drita Lushi (Tiranë) e Luljeta Avdiu-Cura (Ulqin)…. Gjithashtu, falënderoj Edlira Kamen, administratore e SHB ”Edlora”!

Në mbyllje, dëshiroj që t’i uroj nga zemra të gjitha femrat tona krijuese, artiste e veprimtare, kudo që ato ndodhen, me dëshirën që të kenë përherë:

Shëndet të mirë, mbarësi e begati, gëzime e lumturi, vetjake dhe familjare!
Nderime dhe respekte të veçanta, për të gjitha ju! Nga: Murat Gecaj, Tiranë, dhjetor 2016”.
…Lexuesit e interesuar, librin “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, 2016), e gjejnë në kioskën “Librari: Art-Sport-Kulturë“, pranë hyrjes kryesore të Bibliotekës sonë Kombëtare.

Tiranë, 16 janar 2017