DOLËN NGA SHTYPI EDHE DY VËLLIME TË THESARIT KOMBËTAR 5 e 6

0
1174
Thesar Kombëtar 5

Pas një pune të mundimshme u arrit që të botohen edhe dy libra të tjerë 5 dhe 6 të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”, përmbajtja e të cilëve është e përkushtuar kryesisht aktivitetit të pasur të mërgimtarëve tanë në këtë vend të largët

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Komuniteti shqiptar në Suedi ishte jashtëzakonisht mirë i organizuar dhe dha kontribut të madh në sensibilizimin e situatës së rëndë në kohën e okupimit klasik nga Serbia, në grumbullimin e mjeteve në Fondin e Trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret”, mbajtjen e familjeve në Kosovë, në shërimin e të sëmurëve dhe zgjidhjes së shumë vështirësive në të cilat gjendej populli i Kosovës dhe së fundi edhe me pushkë në dorë luftoi për çlirimin definitiv të Dardanisë.

Planifikohet të botohen shumë libra I gjithë ky sukses i mërgatës shqiptare këto ditë u kurorëzua me veprën voluminoze, përkatësisht të numrit të pestë dhe të gjashtë të librave të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani”, Suedi (SHSHASH) i titulluar “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, që doli këto sot më 16-06- 2016, nga shtypi. Hysen Ibrahimi, kryetar i kësaj shoqate dhe njëherit njëri ndër më të përkushtuarit për të dalë në dritë edhe këta dy libra të radhës, shprehu kënaqësinë e tij se u arrit synimi për të përfunduar me sukses këtë punë të rëndësishme për komunitetin e këtushëm shqiptar.

Ai, me këtë rast përkujtoj se “SHSHASH ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, e themeluar në vitin 2011, deri më sot me një punë të përbashkët dhe me përkushtim të anëtarëve dhe veprimtarëve të tjerë ka nxjerrur në dritë katër libra me rreth 2800 faqe. Librat mbajnë titullin ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” dhe kanë numrat 1, 2, 3 4. Këto ditë u botua edhe numri 5 dhe 6 i Thesarit Kombëtar të kësaj mërgate të cilat kanë afro 1100 faqe.

Librat ”Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të shqiptarëve të cilët në shtetin suedez u angazhuan aq shumë për të dhënë kontributin e tyre për çlirimin e vendit dhe për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sipas Hysen Ibrahimit është planifikuar që të botohen shumë libra të kësaj natyre sepse ka aq shumë veprimtari sa që nuk do të këtë problem në grumbullimin e materialeve, të cilat ruhen me kujdes në ”arkivin” e veprimtarëve shqiptarë.

Shkrimet mbështeten në dokumentacionin orogjinal Por, që çdo gjë të jetë në vendin e vet, shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal i cili si i tillë, i pandriçuar dhe i pabotuar gjer më tani– është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar, theksoi Prof.Fetah Bahtiri, Nënkryetar i shoqatës dhe kryetar i Këshillit redaktues i cili më pas shtoi : Duke lexuar dhe përpunuar materialet që janë të përfshira në Thesarin Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi numër 5 dhe 6, vërej se, sikur edhe në numrat e mëparshëm, edhe në këta dy numra fjala është për një synopsë të aktivitetit dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve tanë në mërgatën shqiptare, e në këtë rast me theks të veçantë në Suedi në shërbim të atdheut.

Them kështu për arsye se para njëzet e pesë vjetësh, për shembull, të pakët kanë qenë suedezët që kanë pasur njohuri se ku ndodhet Kosova, e edhe më të pakët kanë qenë ata që kanë pasur dijeni për problemet e Kosovës së okupuar dhe të sunduar nga Serbia.

Por, ndodhi mrekullia! Ndodhi një Vis major. Vis major ishte ardhja e shqiptarëve të shkolluar, të aftë, të përkushtuar që t´i shërbejnë atdheut dhe popullit të vet dhe sa shqiptarë erdhën në trojet suedeze, gati po aq ambasadorë të Kosovës u ndodhën dhe vepruan këtu, duke falënderuar në radhë të parë mirëkuptimit të shtetit demokratik suedezdhe popullit të tij.

Ne iu përvishëm punës vrullshëm dhe Suedia e kuptoi shpejt të vërtetën për Kosovën. Shi, tani për këtë veprimtari intelektualërt shqiptarë, anëtarë dhe joanëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi po shkruajnë e po shkruajnë shumë libra dhe dokumentarë duke ndriçuar ngjarjet dhe të vërtetat. Mbi të gjitha qëndron libri Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, të cilin shumë kritikë letrarë, historianë, doktorë shkencash, akademikë nuk kanë ngurruar ta quajnë enciklopedi.

Kur e nisëm këtë punë në vitin 2011 ne e kemi pas paraparë që t´i nxjerrim 10 numra me materiale e dokumente të ndryshme nga kjo veprimtari. Ja! E kaluam gjysmën e rrugës! Gjer më tani i kemi botuar katër numra dhe, që në fillim të qershorit do të dalin nga shtypi edhe dy numra – numri 5 dhe numri 6. Secili numër më i pasur se tjetri, secili numër më i mirë se i mëparshmi!…

Kësaj radhe në mbi njëmijë faqet e Thesarit… numër 5 dhe 6 ka shumë materiale nga rrugëtimi i veprimtarëve drejt çlirimit dhe lirisë së plotë të Kosovës. Dua t´i përmend dhe të ndalem pakëz vetëm në dy shkrime: një fragment nga libri im ”Ambasadorët dhe Shërbëtorët” ku pos tjerash kam përshkruar një protest të mbajtur në qytetin Udevalla, me çrast kishim takuar edhe Kryeministrin suedez Gyran Persson, që ishte për vizitë në këtë qytet.

Protestuesit shqiptarë i thanë kryeministrit suedez për të ndërhyrë NATO me trupa. Fjala është për një demonstratë të madhe të shqiptarëve në qytetin Uddevalla, e cila u mbajtë më 25 mars 1998 kur demonstrantët me këmbëngulje e detyruan Kryeministrin e Suedisë të takohet me ne me ç´rast atij iu dorëzua një letër shumë domethënëse për gjendjen në Kosovë, me kërkesat e shqiptarëve për veprimet të cilat duhej t´i ndërmerrte qeveria suedeze. Letra jepet në original.

Me qenë se në Thesarët kombëtar dëshirojmë ta përfshijmë e tërë gjeografinë shqiptare, kësaj radhe e kemi një shkrim interesant për Kalanë e Ulqinit, për historikun e saj, për mbrojtjen e saj nga dy familje shqitare në kohën moderne kur me këmbëngulësinë e këtyre dy familjeve, Kalaja e Ulqinit nuk u tjetërsua dhe mbeti ashtu si kishte qenë gjatë historisë.

Shkrimi është i ilustruar edhe me fotografi të cilat flasin shumë. Kështu, pra, pas përfshirjes së shumë vendeve, krahinave, shteteve, i erdhi radha edhe Malit të Zi që të jetë i pranishëm në Thesarët tanë.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke prodhuar shkrimtarë të rinj, krijues të rinj, artistë të rinj! Në Thesarët tanë mund të hasni shkrime të suksesshme edhe nga shumë autorë të cilët janë frymëzuar e ndihmuar nga Shoqata dhe kanë arritur suksese. Kemi disa shkrimtarë që veprimtarinë e shkruarjes së librave e kanë filluar si anëtarë të Shoqatës dhe pastaj kanë dalur edhe me tituj librash në prozë dhe në poezi. Në numrat 5 dhe 6 të Thesarit kombëtar hasim shkrimtarë të rinj që për herë të parë dalin me krijimet e tyre artistike.

Pra, mund të nënvizoj se Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi është duke e kryer misionin e vet në mënyrë të përkyer. Dhe e tëra kjo duke iu falënderuar shtetit suedez i cili na jep mundësi dhe na ndihmon në zhvillimin e veprimtarisë sonë.

Donatorët – shtyllë e fuqishme të Shoqatës

Pa dyshim se për arritjen e rezultateve të shumta që i ka shënuar kjo shoqatë, kontribut të madh po japin edhe donatorët, përkatësisht biznesmenët shqiptar me ndarjen e mjeteve të konsiderueshme sidomos në botimin e librave të “Thesarit Kombëtar…”.

Kështu për botimin e librave pesë dhe gjashtë vëllazëritë Sebat dhe Qamil Aliti nga Tetova me banim në Hamburg të Gjermanisë ndanë 43.326 korona apo rreth 4700 euro, ndërkaq Bujar Zhuri nga Tirana, biznesmenë i suksesshëm në Norvegji sponsoroj me 500€ dedikuar SHSHASHS dhe po ashtu pagoj biljetat e aeroplanit për ardhjen e ekipit të TVSH-së për të përcjell punimet e sesionit shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi i XI Albani”, që u mbajt para disa ditësh në ambientet e Universitetit të Lundit, me rastin e 350 vjetorit të themelimit të tij.