Dobësia e Zotit dhe njerëzit e bindur në mosbindje

0
2891
Nilidon Pepushaj me kapele

Nilidon Pepushaj

tregim

Vizioni kreativ i rebelit të verbër naiv, me të cilin zevëndësonte shqisën e të shikuarit, karakterizonte vetëm atë, që ishte i plotfuqishëm dhe zotëronte forca të mbinatyrshme që shembnin edhe përmbysjen e çdo lloj rregulli me egërsinë e një njeriu që ka aq forcë sa pasion. Megjithatë, intensiteti me të cilin dëshira për të qenë Zot përshkonte qenien e tij, e pengonte të ishte njeri, e tashmë nuk gjendej brenda barrierës së fortë abstrakte që rrethonte të vdekshmit e tjerë.

Dikur pasuria e tij e trashëguar nga babai ishte aq e madhe sa mendonte të blinte fronin e Zotit, para të cilit secili përulej, dhe ishte i bindur se verbëria e tij do pëlqehej nga mëkatarët që jetonin në planetin tokë, ku kishte lindur e ndjerë se ishte rritur i urryer nga këto gjallesa, qëllimet e të cilave shpesh nuk i kuptonte, por mjaftohej me qartësinë dhe përvojën që kishte me jetën e tij dhe e dinte se çdokush dikur do gjykohej për jetën në tokë.

Oferta dhe suporti që i ofroi dikush me përvojë për idenë e tij, e mësoi se ç’shije kishte kënaqësia për herë të parë dhe duke shpresuar se hera e dytë do ishte koha kur do ishte Zoti vetë, kuptoi që në vend të parave tani i kishte mbetur vetëm përvoja, ndërsa ai që kishte përvojë tashmë kishte edhe paratë, viktimë e të cilave mund të jetë kushdo.

Nën presionin që i ushqente vetes në rrugëtim, tashmë thuajse i vetëdijshëm për fatin e tij, qeshte me dhimbje e rezistencë, e pa ndërgjegje i merrte frymën frikës, në mungesë të së cilës nuk ka besim e nuk është i nevojshëm Zoti.

Rastësisht kishte gjetur rrugën sekrete, të cilën shumë zota të tjerë potencial e kishin kërkuar dhe gradualisht prezenca e Zotit afër tij u zhduk. Pas pak dëgjoi thirrjen e ëngjëjve që e shoqëruan deri brenda barrierës së tyre dhe e drejtuan për nga froni ku rri Zoti.

Zuri vend aty dhe sot ky Zot i verbër është përgjegjës për ecurinë e jetës tokësore. Banorët në Tokë filluan të abuzojnë shumë me dobësinë e vetme të Zotit, verbërinë, ndërsa disa njerëz të bindur në mosbindje, po kërkojnë zgjidhjen e re.