Arben Çokaj
E kam parë edhe te Trump, sa më i fortë e sukses të ketë ai, aq më shumë kundërshtarë i bëhen. Në një qeverisje, gjërat nuk ecin të gjitha mirë, por me rëndësi është, që pjesa më e madhe e tyre të ecin mirë, ose të paktën më mirë se mund të ecin, sikur vendin ta drejtojë dikush tjetër.
Rama ka humbur terren, sepse është forcuar, e duke qenë i fortë bëhet edhe arrogant, nuk u jep gjë mediave, nuk i ushqen ato, e ato pastaj i kthehen në ‘kazan’. Por ato duke folur përditë, krijojnë opinion. E opinioni publik për Ramën sot ka filluar të shkojë drejt negatives.
Ku e kanë hallin mediat e opozita, e ku e ka hallin populli? Mediat e Opozita duan pushtet, për të siguruar para, populli do siguri, qetësi, punë e mundësi jetese. Nëse Rama arrin të bëjë reforma, ku disa po i bën më mirë se tjerët para tij, e nuk besoj se ka socialist tjetër, që mund ta mbajë shtetin në një gjendje funksionimi më të mirë se ky. Pra, nëse Rama arrin ta imponojë respektimin për ligjin, të ulë korrupsionin e parregullsitë, të avancojë me reformat, dhe të fusë edhe ndonjë “peshk të madh” në burg, ai ia del ta mbajë edhe pushtetin. Se populli do edhe ndëshkime!
Por më e mira prej të gjithave do të ishte sikur qeveria Rama të gjeneronte sukses ekonomik, si Trump në SHBA, ose ngjashëm me të. Kjo pastaj do i kthente mediat e llapaqenët e opozitës në qaramanë… Por nuk është e lehtë, se gjenerimi i zhvillimit ekonomik, dhe i vendeve të punës do shumë para, do taksa të ulëta, do ulje të madhe të korrupsionit etj. E mbi të gjitha do ekspertë ekonomikë të kapitalit, që ne na mungojnë. Por Rama e ka për mbijetesë politike. Nëse do të mbijetojë, duhet së pari të ketë sukses ekonomik!
Unë jam kundër dorëheqjes së Ramës, edhe pse nga presioni i madh, ai ka ardhur duke e humbur durimin. Ai ende nuk ka mbërritur në gjysmën e rrugës së reformave, që janë nisur. Suksesi i tyre varet edhe te roli i Ramës si iniciator i tyre, në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Sa më i madh dëshpërimi i mediave dhe opizitës, aq më e madhe do të jetë edhe kundërshtia e tyre ndaj qeverisë Rama dhe reformave. Rëndësi ka puna, kjo na intereson të gjithëve, se “kazani” e opozita atë punë kanë!