… edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua,
sepse jeni me mua që në fillim. (Gjn. 15, 27)
Kemi kuptuar, o Zot, se buzëqeshja që dhurojmë
është shenja dalluese e jona.
E ne buzëqeshim falë gëzimit që na vjen prej pranisë sate.
Kur e dimë se je me ne, kërcejnë zemrat tona,
krejt qenia jonë dridhet për ty
e i madh është gëzimi në ne e përreth nesh.
Më në fund, Ti je gëzimi.
Ti je gëzimi i të kushtuarve të tu;
Ti je gëzimi i atyre, që me zemër të pastër të kërkojnë;
Ti je gëzimi i foshnjës që sapo lind dhe i të moshuarit që në paqe
pret takimin e lavdishëm me Ty.
Ti je gëzimi i fëmijëve që lozin dhe rrezatojnë pafajësinë e fillimit.
Ti gëzimi i të rinjve, në përpjekjet dhe angazhimin e tyre për një botë më të mirë;
Ti, o Zot, Jezu Krisht, gëzimi i grave dhe i burrave, që çdo çast e çdo ditë
bëjnë hapa dhe gjeste dashurie.
Ti, burimi i gëzimit dhe gëzimi vetë,
paqja e njeriut je, që në çdo rrahje të zemrës
shpreson e beson se për Ty e me Ty mund të ndërtohet Qytetërimi i Ri.
Kemi kuptuar, o Zot, se trashëgimi më i madh,
që mund t’ju lëmë brezave të ardhshëm është gëzimi,
ai gëzim qiellor, që Ti e ke mbjellë me Fjalën tënde në secilin prej nesh.
Do të dëshmojmë gëzimin, pra, o Zot,
e duke bërë kështu e dimë se do të dëshmojmë për Ty.
Do të dëshmojmë gëzimin, o Zot,
por gjithmonë me buzëqeshje në gojë e zemrën plot hare
me sigurinë që na ke dhënë se gjithmonë je me ne.
E do ta shpallim gëzimin mbi pullazet e shtëpive,
nëpër rrugët e thjeshta të fshatrave ku kemi lindur
e në ato të zhurmshmet, ku tashmë jetojmë;
do ta shpallim gëzimin tek të pikëlluarit, tek të burgosurit,
tek ata që janë të dënuar me vdekje.
Do ta shpallim gëzimin atje ku gëzim nuk ka,
por gjithmonë me Ty, o Zot, sepse vetëm Ti ke mundur ta shndërrosh pikëllimin tonë
në një gëzim që kurrë nuk do të mbarojë.
Po, o Zot, do të lëvizim gjithmonë në gëzim,
do ulemi e do ngrihemi gjithmonë në gëzim…
Edhe frymë do të marrim në gëzim…
E çdo ditë do të zhytemi në Eukaristinë tënde,
që të mund të jemi me të vërtetë
misionarë sa më të denjë të gëzimit. Të gëzimit tënd. Amen! Aleluja!
Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 30.05.2011
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri