DJEGIA E SHKOLLËS NË DACAJ – KRIM KUNDËR SHQIPTARËVE NË ROZHAJË

0
389
Dacaj - djegia e shkollës

Pasojat nga djegija e objektit të shkollës

Ishte pikërisht koha e pandemisë e cila iu përshtat dorës së zezë, që në kuadër të djegies së pyjeve në Malësinë e Rozhajës, me dinakëri shfrytëzuan rastin të djegin edhe objektin e shkollës së vetme më mësim në gjuhën shqipe në Dacaj, që ishte vepër kriminale e paramenduar kundër shqiptarëve në komunën e Rozhajës. Ata djegën objektin e shkollës, e jo shkollën sepse si e tillë ajo është pjesë e vetëdijës dhe e indentitetit të shqiptarëve në këtë mjedis.

Dr. Nail Draga

Opinioni i gjerë shqiptarë, për praninë e shqiptarëve në komunën e Rozhajës, ka pasur rastin të njihet në veçanti në vitin 1999, pikërisht me rastin e luftës në Kosovë, sepse një numër i konsideruar i shqiptarëve nga Kosova, janë zhvendosur këtu në sajë të dhunës dhe të aparthejdit të politikës serbomadhe. Ndonëse kosovarët kërkuan strehim dhe shpëtim në Rozhajë, në zonën malore të saj, me 18 prill 1999 në Bukël e Husaj nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave u maltretuan, dhunuan madje duke vrarë 21 civilë, qytetarë nga Kosova. Ndonëse nga ajo kohë kanë kaluar 21 vite, edhe pse janë zhvilluar seance gjyqësore, askush nuk u dënu për këtë vepër kriminale kundër qytetarëve të pafajshëm, që dëshmon se jemi larg funksionimit të shtetit ligjor në Mal të Zi.

Në krahasim me forcat ushtarke dhe ata paramilitare, popullata shqiptare në veçanti e ajo e Rozhajës në përgjithësi kosovarët i mbeshteti më të gjitha mundësitë e tyre, duke treguar solidaritet dhe humanizëm vëllazëror. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse kjo popullsi ishte e vetëdijshme për origjinën jo të largët shqiptare edhe pse tani janë të asimiluar pothuaj tërësisht në boshnjakë.

Rënie drastike e numrit të shqiptarëve

Në lidhje me numrin e popullsisë shqiptare në Rozhajë ekzistojnë të dhëna të ndryshme që paraqet rastin me drastik, i cili është i veçantë për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Kështu në sajë të dhënave nga viti 1908, pjesëmarrja e shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme të Rozhajës ishte 86.5%, e dhënë kjo e cila në sajë të rrethanave shoqërore ka ndryshuar dukshmëm në disafavor të shqiptarëve. Kështu pas një shekulli në sajë të dhënave nga regjistrimi i popullsisë(2011), numri i tyre në këtë mjedis ka mbetur simbolik, me 5 % në popullsinë e përgjitshme. Kjo periudhë kohore dëshmon në mënyrë transparente politikën e pushtetit të kohës për spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve që këtu ishte me përmasa drastike më tepër së në asnjë vis tjetër shqiptar në këtë mjedis.

Në rënien e tillë të numrit të shqiptarëve në këtë mjedis krahas rrethanave shoqërore dhe politikës së pushtetit në nivel lokal e shtetëror, ka ndikuar procesi i asimilimit e ate kryesisht në boshnjak si dhe procesi i emigrimit, kryesisht në Kosovë e Turqi e gjetiu në botën e jashtme. Për momentin shqiptarët janë të pranishëm në vendbanimet fshatare si në: Dacaj, Husaj, Bukël i Epërm, Bukel i Poshtëm, Buxhov dhe Peshkaj, kryesisht në rrethinën e Rozhajës, më numër të pakët, në kushtet e mbijetesës shoqërore.

Shkolla në Dacaj simbol i identitetit të shqiptarëve

Se sa ka qenë e vështirë të jetohet e të mbrohet identiteti kombëtar për shqiptarët në komunën e Rozhajës, si dëshmi kemi shkollën më mësim në gjuhën shqipe në Dacaj, e cila është ballafaquar me pengesa të ndryshme nga pushteti i kohës.

Në Dacaj për të parën herë shkolla më mësim në gjuhën shqipe është hapur gjatë Luftës së Dytë Botërore në vitin 1943. Ishte koha kur nën pushtetin e italianëve funksiononte Mbretënia Shqiptare ku mësues në këtë shkollë ishte Spiro Rexha nga Shqipëria. Por, pas tre vitëve më tu vendosur pushteti komunist në Rozhajë, pas vitit shkollor 1945/46 pushteti i kohës ndërpret zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, duke i detyruar nxënësit të mësojnë në gjuhën serbe. Ishte ky veprim direkt i pushtetit socialist kundër barazisë kombëtare të shqiptarëve për tu arsimuar në gjuhën amtare në këtë mjedis.

Ndonëse ndaj një veprimi të tillë të pushtetit shqiptarët parashtruan ankesa, kërkesa e lutje të shumta, për t’iu rikthyer arsiminin në gjuhën shqipe, rezistenca ishte e vazhdueshme. Por, në sajë të rethanave tjera shoqërore, një angazhim i tillë u realizu në praktikë pas 22 viteve në vitin 1968, ku rifilloj mësimi në gjuhën shqipe që si e tillë vazhdon edhe sot, me statusin e shkollës fillore nëntëvjeçare.Duhet cekur më këtë rast angazhimin e mësuesit Sokol Daci i cili ka merita të veçanta për rikthimin e mësimit në gjuhën shqipe, duke sfiduar rrethanat e kohës. Një dukuri e tillë ndodhi edhe në disa vendbanime tjera shqiptare në Mal të Zi, sepse me herët nxënësëve shqiptarë iu ishte pamundësuar shkollimi në gjuhën amtare shqipe.

Sulme të vazhdueshme ndaj shkollës

Në sajë të informacionëve që disponojmë në lidhje mbi punën e kësaj shkolle nga koha e hapjës së saj në gjuhën shqipe, e deri më tash, del se ajo ka përjetuar sulme të ndryshme si thyerje të objektit, vjedhje të materialit shkollor, grabitje të literatures shkollore, presione ndaj personelit arsimor etj. Ndërsa rast specifik paraqet emërimi i drejtorit të shkollës në mënyrë të njëanshme duke mos respektuar këshillin e shkollës, vlerat pedagogjike e meritokracinë duke vendosur drejtor shkolle për njëzet vite me kriterin partiak në kundërshtim me ligjin personin i cili nuk ka ditur të komunikojë në gjuhën shqipe.

Por, përfundimisht para tre vitëve u zgjodh drejtori shqiptar përndryshe pjesëtar i kolektivit të shkollës H.Lajçi, i cili është angazhuar për investime në shkollë sepse si e tillë nuk ka pasur kushte elementare në zhvillimin e procesit mësimor sipas standardëve e normave pedagogjike. Por, edhe në mungesë të kushteve optimale të punës kolektivi i mësimdhënësve të kësaj shkolle i ka përballuar të gjitha, duke sfiduar rrethanat e kohës, me të vetmin qellim që është misioni i edukimit dhe arsimimin e nxënësve në gjuhën shqipe, në favor të identitetit kombëtar shqiptar në këtë mjedis.

Djegia e shkollës akt antishqiptarë

Ekzistenca e kësaj shkolle në gjuhën shqipe si subjekti i vetëm i identitetit shqiptarë në këtë mjedis ishte pengesë e mëhershme për qarqe të ndryshme antishqiptare. Andaj shfrytëzuan rastin e pandemisë por edhe të zjarrëve në bjeshkët e malësisë së Rozhajës, për t’ia vënë flakën objektit të shkollës në Dacaj. Pikërisht me datën 16 maj 2020, dora e zezë, veproj në mënyrë kriminale, duke thyer grilat e dritarës duke i vënë flakën zyrës së drejtorit, më ç’rast u dogjën dokumentacioni pedagogjik, biblioteka e shkollës, arkivi, fotografitë e disa figurave kombëtare, ditarët, inventari shkollor etj.

Pamjet e prezantuara në mediat elektronike dëshmuan së pothuaj çdo gjë ishte shkatërruar, nga del se qellimi i dorës së zezë, ishte arritur plotësisht. Sepse, ajo çka nuk u realizu në vitin 1999, si duket u kujtuan ta realizojnë në vepër tani pikërisht në kohën e pandemisë si dhe të fërkimeve politike në Mal të Zi, në sajë të veprimeve destruktive të kishës ortodokse serbe.

Përvoja e deritashme dëshmon së në mjediset e ndryshme kur janë djegur librat më pas janë rrezikuar autorët e tyre, ndërsa tash kur digjet shkolla, nuk ka dilemë së rrezikohen mësimdhënësit e nxënësit e tyre shkollave.

Simboli i mbijetesës së shqiptarëve

Ndonëse me numër të vogël nxënësish, në një mjedis ku shqiptarët janë pakicë absolute numërike, angazhimi me përkushtim i mësimdhënësëve kjo shkollë ishte dhe është simboli i identitetit të gjuhës shqipe dhe të shqiptarisë në këtë mjedis, dhe si e tillë do të jetë edhe në të ardhmën.

Mbetët të presim angazhimin konkret nga organët kompetente për të dhënë vlerësimin profesional në lidhje me djegijen e shkatërrimit të objektit të shkollës, ndërsa Ministria e arsimit e Mali të Zi duhet të angazhohet mënjëherë për ndërtimin e këtij objekti, e jo restaurimin e tij, me të gjitha kushtet optimale për të zhvilluar mësimin. Do të ishte kjo dhurata me më vlerë për nxënësit dhe kolektivin e shkollës në fillim të vitit vijues shkollor, sepse është simbol i mbijetesës së shqiptarëve në këtë mjedis.

(Maj 2020)