Dje, më 17 dhjetor 2019, në Prishtinë u mbajt nga LSHK, Takimi Letrar “Esad Mekuli”

0
607
Biblioteka Prishtinë - takim për Esad Mekulin

Zymer Mehani

Dje, në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” të Prishtinës u mbajt Takimi Letrar “Esad Mekuli”, në kuadër të të cilit u organizua sesioni letrar “Lasgushi – poeti ynë i madh”, për veprën e të cilit ligjëruan prof. dr. Emin Kabashi, prof. Hamdi Hysuka …pastaj u bë përurimi i gjashtë veprave letrare të anëtarëve të LSHK-së.

U përurua edhe vëllimi poetik për fëmijë i poetit të ndjerë, Milazim Kadriu (mbetur dorëshkrim e i botuar nga publicisti Zymer Mehani me miqtë pas vdekjes së autorit).

Në akademinë letrare punimet e tyre në poezi e prozë i lexuan rreth 40 krijues, anëtarë të LSHK-së dhe pjesëmarrës nga viset e tjera të Shqipërisë Natyrale dhe nga diaspora.

Juria nderoi me çmime shkrimtarët Nezir Prokshi (“Bardi I”), Bardha Mançe (“Bardi II”), Naxhie Kastrati (“Bardi III”) dhe Zija Vukaj (“Botime të IAP”).

Çmimi letrar “Esad Mekuli” iu dorëzua shkrimtarit të shquar Ramadan Rexhepi, që jepet për krijimtari të përgjithshme të shkrimtarit, i cili me këtë rast mbajti një fjalë rasti.

Në radhët e LSHK-së u pranuan edhe katër anëtarë të rinj: Gani Bytyçi, Ibrahim Gashi, Njazi Kastrati dhe Sylejman Salihu.

Në kuadër të këtij takimi u ekzekutuan edhe pika artistike muzikore: soprano Egzona Hoxha, shoqëruar me piano nga prof. Ahmet Dërguti si dhe nga flautistja Zanë Abazi.

Veprimtarinë e ndoqi një numër i madh dashamirësh të fjalës së shkruar.