Djali me dy thasë…

0
449
Nikolin Lëmezhi - pagëzimi te kisha e Shën Eufemisë

Shën Pjetri, ka një shërbesë të bukur në Parajsë. Ai qëndron në derë të Parajsës dhe pret të gjithë ata që vijnë, iu hap derën, bisedon pak me ta, dhe pasi vëren si është jeta e tyre, thotë fjalën e fundit: Në Parajsë ose në Ferr!

Kur Pjetri të flasë, askush nuk guxon ta diskutojë më, pavarësisht disave që mbesin të pakënaqur kur dëgjojnë: Ferr!
Duke dashur t’i ndihmojë njerëzit, shën Pjetri vendos t’i përkrahë edhe gjatë shtegtimit tokësor. Kështu, një ditë i pajisi të gjithë me dy thasë: njërin për të futur brenda gjërat e mira që hasnin rrugës, tjetrin për të futur gjërat e këqija.

Një ditë, në derën e Parajsës, u paraqit një turmë e madhe populli, një shumicë që vinte nga çdo skaj i tokës: njerëz të çdo fisi e të çdo kombësie. Ishte një turmë me të vërtetë e madhe dhe me t’i parë kështu, Pjetri mendoi se do të kishte një punë mjaft të lodhshme. Të gjithë ishin munduar tmerrësisht me nga dy thasë plot e përplot me pesha shumë të rënda, ishin të lodhur e të rraskapitur. Disave po iu zihej fryma.

Të tjerë nga fundi po tërhiqnin zvarrë thasët e vet dhe shtynin njëri˗tjetrin në radhë për të pritur çertifikatën e fundit nga shën Pjetri.
Në mesin e asaj turme, ishte një fëmijë ndoshta 10˗vjeçar, i buzëqeshur që ecte drejt derës së Parajsës i vendosur dhe plot siguri.
Po, ti, çfarë ke për të thënë? ˗ e pyet shën Pjetri në sy të të gjithëve.

“Edhe mua, si të gjithëve, m’u dhanë dy thasë që në fillim të jetës sime ˗ u përgjigj plot dëlirësi vogëlushi. Duke e ditur se rruga ishte e gjatë, me pengesa, vështirësi, fjalë, thashetheme e të tjera si këto, dhe duke marrë parasysh se isha një krijesë e vogël dhe e brishtë, thesit ku do të fusja gjërat e këqija ia hoqa fundin që në fillim, që asgjë të mos më mbeste në të, sepse e dija se nuk do të mund t’i mbartja.

Papritmas, erdhi dita të paraqitem këtu, dhe ja kam vetëm këtë thes plot me gjërat e bukura që kam bërë dhe përjetuar, gjërat me vlerë që i kam mësuar, por këto janë krejt të lehta, nuk më rëndojnë, madje ma kanë lehtësuar gjithë shtegtimin. Me mua kam edhe thesin tjetër, edhe ky tashmë i lehtë, sepse unë ia hoqa fundin që në fillim dhe gjatë rrugës, çdo fjalë të keqe, çdo mësim të keq, çdo përvojë negative, çdo kujtim të hidhur, çdo plagë që më shkaktohej e hidhja aty brenda dhe binte menjëherë rrugës dhe mbetej pas shpinës sime dhe thesi qëndronte vazhdimisht bosh e unë udhëtova i lirë si një zog deri këtu”.

Ti je gatshëm për Parajsën, ˗ i tha Pjetri djaloshit ˗ por duhet të kthehesh edhe një herë në tokë për shumë vite me misionin që t’u mësosh njerëzve ta hapin fundin e thesit të gjërave të këqija siç ke bërë ti.

Ndalu pak edhe ti, që po lexon këtë histori, dhe verifiko si i ke dy thasët e tu! Nuk është aspak vonë t’ia hapësh tani fundin thesit të gjërave të këqija e të ecësh drejt përpara i lirë nga peshat e kota!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 24.04.2020