DIZAJNIMI I KUJTESËS

0
1041
Ismet Tahiraj - Ueee kristali

Xheladin A. Çitaku

Doli nga shtypi libri “UUUEE KRISTALI” i autorit Ismet Tahiraj. Postimi i mëposhtëm është vështrimi im në cilësinë e Redaktorit të librit.

Nga shtigjet e rrugëtimit letrar, këtë herë, poeti Ismet Tahiraj ka zgjedhur riformatimin ose ridizajnimin e skenës së mëhershme të jetës, duke ravijëzuar veglërinë dhe mjetet shërbyese, duke rishfaqur zhargonin shprehës të disa emërtimeve të tejkaluara kohërisht, të cilat i përshkruhen dhe përkujtohen një brezi që nuk i njeh, grupmoshës së cilës i është dedikuar libri. Mënyra e vijëzimit thjeshtëzohet në shprehshmëri të kuptueshme për natyrën fëmijërore; ajo paraqet fotografinë e vargëzuar, duke specifikuar funksionin dhe funksionalitetin në aspektin praktik dhe kohor.

Letrarizimi i mundësis, mënyrës dhe stilit të një jete në kohë të caktuar, përmes shpërfaqjes së përdoruesëve përditësor shpreh informacionin për interesimin e paragjykuar të kurreshtjes së fëmiut ndaj kapacitetit shtytës të reprodukimit jetësor, teknikave të përdorura nga prindërit dhe gjyshërit, “teknologjisë” së kohës; shpreh terminologjinë përkatëse, e cila përcjellë stadet e zhvillimit të shoqërisë. Ismet Tahiraj e zbërthen këtë terminologji në kuptime poetike të përshtatshme, në shprehje adapte të konkretizuara, në pikturime të kapshme lehtësisht nga auditori i tij. Fokusimi në specifika të tilla i jep autorit meritën e përzgjedhësit të motivit që do ta trajtojë, pasqyron përkushtimin e tij në veçantitë e cultures kombëtare që përfaqësohet nga reliket e mbetura, qofshin ato material apo vetëm shprehimore.

Universi i të kaluarës shenjëzon një mori përbërsish që e karakterizojnë bashkëkohësinë e përshkallëzimit të rrjedhës dhe zhvillimeve të jetës, veç tjerash edhe me mjetet në përdorim të gjërë (emrin dhe funksionin e tyre), të cilat evoluojnë gjithsesi nëpër periudha deri të shëndërrohen në “lëndë” muzeale apo në simbolikë kohe. Pikërisht këtë fakt e elaboron Ismet Tahiraj, duke eksploruar në leksikun e zbehur apo të tejshkuar të emërtimeve, duke risjellur këta emra në tituj poezishë dhe në kuptimësi të përshkruar, për t`ia servuar opinionit të të vegjëlve si rrëfim për domosdoshmërinë ekzistenciale të përditshmëris në këto treva. Në këtë kontekst, poeti përqëndrohet në ofrimin e figures dhe cilësimit si kategori e përbashkët brenda etnikumit por edhe si veçanti e ndonjë treve të caktuar.

Jo vetëm kjo. Shpjegimi poetik i emërvendeve, apo emërobjekteve (Qilari, Kulla, Shatërvani, Buleci); i emërtimit të bimësisë (Pjepri, kungulli, thana, kumbullat e thara) apo (Gjyshi, Gjyshja, Tetja, Zëri i karkalecit) që defilojnë nëpër vargje a tituj, funksionalizon maksimalisht interesimin e poetit për t`i sjellë në realitet përceptues para botës së fëmijëve, për ta krijuar një imazh të kohës dhe një peisazh shtrirës të saj; për ta ndërtuar një strukturë (qoftë edhe imagjinare), e cila ingranohet si zhvillim kompleks me elementet përbërëse.

Duke specifikuar nëpër vargje, Ismet Tahiraj angazhon eksperiencën krijuese që ta gjejë modusin e formësimit që do i përshtatet kësaj natyre, kapacitetit absorbues dhe tërheqjes së vëmendjes së fëmijëve:

“Tetja ka
Një tëhollues
Po ia prekem
Na hedh prush…”

Shtrirja në gjerësi kap dimensione konkrete, të cilat kjo kategori lexuesish i njeh, i vështron dhe i materializohen në hapërimin e përditshëm:

“Në arë
Mos qenkan
Vesh’ lepuri?”

Prandaj dhe oferta e poetit bëhet më tërheqëse, më depërtuese në mendësinë e niveleve të tilla. Ismeti i qaset kësaj mendësie në mënyrën më adapte të mundëshme, duke e ngjyruar atraktivitetin me ngjyra që e përmbledhin tërë kërkesën shpirtërore dhe që ngritin efektin emocional të lexuesit të këtyre poezive. Vet titulli i librit shpreh befasinë, figurativitetin e një të papriture, e cila shfaqet përnjëher me shkëlqim kristalor, shkëlqim që buron nga vet ndërthurja e stilistikës, shprehimores, komponimit e intonimit. Ky është kristali artistik i poetikës që pasqyron mjeshtrinë e ndërtimit, vezullimin e fjalës, përndritjen e ligjërimit poetik, në përgjithësi:

“Duar të forta
Duhej të kishte
Ai burrë,
Me çekan të madh
Të rrënonte mure
E të thente gurë…”

Duke u fokusuar në reflektimin krijues të poetit Ismet Tahiraj, gjejmë rrugëtimin e suksesshëm të një individualiteti të dëshmuar, tashmë, i cili hedh në qarkullim formatet letrare-poetike që përmbushin pasionin shumështresor të lexuesit, duke kuotizuar relievin e vlerave të mirëfillta, sipas intensitetit frymëzues, gjithnjë. Intensitet ky që dëshmon përkushtimin në përzgjedhjen e shtigjeve ku do shtrihet traseja e një ngrehine artistike krejtësisht të re, të paeksploruar më parë. Është sensi krijues brënda personalitetit të poetit që vërejti këtë shteg, e përfshiu në shikimin e tij dhe gërmoi për të nxjerr në sipërfaqe thesaret e këtij lloji, nga e kaluara në tablonë e kornizuar në të sotmen, e cila qëndron në sfondin e suksesit të konturuar nga shkathtësia, ndjesia dhe përkushtimi.

Poezia përmbyllëse “Bulecit” sikur lidh kohët, fikson brezat, identifikon vrragëlënien, gërsheton motivimet dhe shpërfaqë tërësinë ideore të strukturimit, si sintetizim i detajimeve dhe simbolizim i vazhdimësisë në kohë dhe ambient. Suksese poetit…