Diversionet antishqiptare të Mustafa Nanos!

0
581

Shkruan Enver Bytyçi

Mustafa Nano duket se ka vendosur të bëhet interesant. I ardhur vetë pas vitit 1992 nga Skrapari në Tiranë i pyet tironsit se si kanë ndikuar këta të ardhurit nga veriu për psikologjinë e tironsave?! Dhe e bën thjesht për diversion, për të acaruar një marrëdhënie ashtu ende të brishtë midis shqiptarëve, që pas shembjes së komunizmit erdhën në Tiranë e rrethinat e saj me vendasit! E bën gjithashtu për të vënë në konflikt pjesën jugore të vendit të ardhur në Tiranë, sipas një plani strategjik të regjimit diktatorial komunist, me këtë pjesë veriore të ardhur në kryeqytet me shumë vështirësi, pa ndihmën e përkujdesjen e shtetit. Pra, Muç Nano na shfaqet si kredoja e këtij konflikti!

Ky diversion i pastër anti-shqiptar erdhi pas deklaratave të tij të bujshme kundër “muslimanëve”, duke u vetëshpallur thjesht për modë si ateist. Jam i bindur se ndërgjegja e tij është një përzierje ndjesish dhe besimesh nga paganizmi deri te ateizmi. Por me qëllim provokimin e shoqërisë shqiptare ai i përmbahet tezës se “është ateist” dhe refuzon të respektojë besimin e shqiptarëve, sidomos të atyre që janë besimtarë të islamit. Por as në rastin e parë, as në këtë të fundit nuk mundi të bëhet interesant.

Prandaj vendosi të shkojë diku më larg. Të shpallë se Skënderbeu më shumë ishte i krishterë sesa shqiptar dhe se shqiptarizmi i tij ishte i diskutueshëm, sepse nënën e kishte me origjinë serbe. Ndërsa kur pa se mediat serbe nuk u morën me këtë tezë të tijën, atëherë u zhvendos nga mesjeta në kohën e sotme dhe nga Kruja në Cetinjë. Muçi hodhi “bombën”, tha se “malazezët nuk janë malazezë, por janë serbë”?!

Kësisoj kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur analist e publicist, i cili është vënë në kërkim të famës. Një famë e një lloji të veçantë, përmes egos së çmendur njerëzore, e cila realizohet nga ana e tij përmes fantazisë, llogaritjeve për reklamë, në shërbim të qarqeve anti-shqiptare, në rastin konkret të serbëve. Nuk ndalet derisa të rrëmbejë vëmendjen e Beogradit e më pas të Moskës! Një ego që realizohet përmes vetofrimit për të shërbyer, për të zënë vend në media dhe për t’u rënë sy qarqeve të interesuara për shërbime të tilla!

Sepse Mustafa Nano nuk na ofron asnjë studim për origjinën ose përkatësinë e Skënderbeut as edhe të njerëzve të tij, nuk ka realizuar asnjë studim dhe kërkim shkencor për etninë e malazezëve, nuk ka asnjë të dhënë për lëvizjet demografike, migracionin, ose rrethanat e kushtet në të cilat është kryer ai. Pra, gjithçka që thotë Mustafa Nano është pjellë e “logjikës” së tij pa logjikë dhe realizohet thjesht për të provokuar.

Megjithatë provikimet e Mustafa Nanos nuk janë pa ndikim, sidomos në rastin e deklaratës së tij për përkatësinë etnike të malazezëve. Eshtë një tezë e pastër e Beogradit. Madje edhe në Beograd bartësit e kësaj teze hedhin hipoteza, nuk i përmbahen strikt filozofisë, sipas së cilës “malazezët janë serbë”! Ndërsa Muçi thjesht është informuar mediatikisht për këtë lloj teze nacionaliste të përpunuar nga Kisha dhe Akademia e Serbisë dhe provokon me “origjinën serbe” të etnisë malazeze. Me këtë rast ai mbron gjithashtu “të drejtën e opozitës në Mal të Zi, të Beogradit e të Moskës”, për të penguar orientimin atlantik të Podgoricës.

Eshtë i njohur fakti se opozita në Mal të Zi është kryesisht opozitë e pakicës serbe në këtë vend. Serbët në Mal të Zi përbëjnë 33 përqind të popullsisë, ndërkohë që malazezët 43 përqind, muslimanët e Sanxhakut 16 përqind dhe shqiptarët 7 përqind. Mali i Zi u pavarësua më 2006-ën me vetëm 55.4 përqind të votave të qytetarëve të këtij vendi, sepse serbët në këtë vend ishin kundër pavarësisë. Ata përfaqësohen nga partia më e madhe opozitare, e cila vitin e kaluar në prag të anëtarësimit në NATO organizoi protesta të fuqishme e të dhunshme kundër qeverisë properëndimore të Podgoricës. Madje ishte mbështetja kryesore e projektit dhe akteve monstruoze të Rusisë, për të realizuar një grusht shteti me vrasje e akte terrori në kryeqytetin malazez.

Sigurisht që Mustafa Nano i njeh këto zhvillime në Mal të Zi dhe me qëllim vetofrohet e vetëshërbehet si antishqiptar e antiperendimor, kur popullsinë e këtij vendi e shpall pa asnjë provë, pa asnjë dokument, pa asnje fakt si “popullsi serbe”! Mesazhi i tij është i qartë: – Pavarësia e Malit të Zi është jolegjitime, e padrejtë dhe orientimi properendimor dhe proatlantik i qeverisë malazeze është gjithashtu i gabuar! Ai nuk i referohet së paku Milan Shuflajt, sepse nëse do t’i referohej atij do të thoshte se së paku gjysma e popullsisë së Malit të Zi ka origjinë shqiptare! Por kjo nuk i intereson Muçit. Eshtë jashtë korrnizave të shërbimeve të tij antishqiptare, sepse një shërbim pro së vërtetës e njëkohësisht proshqiptare, nuk i sjell as famë, as para!

Ndërkohë besohet se Mustafa Nano i lanson të tilla teza edhe si i përkëdheluri i pushtetit në Tiranë. Nuk dua të them se dikush i fuqishëm, me lidhje të ngushta me Beogradin, e mbështet tezën e tij antishqiptare për të nxitë konflikt brenda vendit dhe midis një vendi fqinj me një vend tjetër ballkanik. Por gjithashtu nuk besoj se Mustafa Nano i vetëm kërkon të ndezë fitila tritoli në Shqipëri e në rajon! Megjithatë jam i bindur se ai po luan një lojë të rrezikshme, fundin e së cilës nuk e sheh as vetë!