Ditën e mërkure më polli ama ime

1
396
Qamil S. Dardhankodra

Qamil S. Dardhankodra

Sot më 18 janar i mbusha rrumullak 65 vjet në b. e jo dikund tjetër; hajmedet për fukaranë, hajmedet për mixhen Mehmet qysh na mbeti Shkodra vet! Z. redaktor po ta baj me dije se prej ditës së sotme nuk jemi ma as shokë, as miq, as dashamirës – përkundrazi jemi armiq, dushmanë dhe neprijateli dmth. ish miq dhe mos pritni asgja prej meje, çdo gja i takon të kryerës së thjeshtë dhe të kryerës së tejshkuar.

Sot u ngrita herët në mëngjes dhe në vend se të falesha e bana nji punë edhe ma të madhe; në midis të yrtit e në midis të kopshtit e të barit i qita të gjitha librat, fletoret, fjalorët, fletat, fletushkat, gazetat, dokumentet, shënimet, dorëshkrimet, lapsat, stilolapsat, penkallat, kalemat dhe e morra çibritin dhe të gjithave ua shtina flakën, flaka dhe tymi shkuen deri në kupë të qiellit. Grueja doli dhe më tha se ma dogje barin e unë i thashë se unë e dogja zemrën dhe shpirtin tim e shumë po më kërset per barin tand. Mbas disa minutave ia mbërrinën këtu zjarrfiksat, policia dhe ambullanta, më pytën se përçka është ky zjarr, unë u thashë se dola në pension dhe se këto libra ma nuk më duhen.

Më kapën e m’i lidhën duert dhe më rrasën në makinë. Atje më mbajtën 7 orë e 49 minuta po me më rreh nuk më rrehën, nuk asht mirë me rrejtë! Nuk janë pak 65 vjet; – herë ner shak herë ner thi e herë ner shki. Ner shka e kam pas ma leht sepse e dijsha që asht shka dhe e ruejsha shpinën po ner vëlla kam kapërcye edhe ma keq – e dijsha që e kam vëlla e nuk e ruejsha shpinën – “ vëllavi si shkavi” – thojshin pleqt e vëllai kishte qenë edhe ma i keq se shkau. Gabimin ma të madh e kishin pas ba ato gra që më kapën mue për qafe, për fyti e për kambë e më nxorrën dhe unë dola në këtë botë, ishte e mërkure 4 ditë para gjysmës së dimrit, ato kishte qenë dashtë me m’i shti thojt në fyt e mos me më lanë me e pa diellin me sy.

Gratë shkuen i thanë atit tim “grueja jote e ka gjetë nji djalë” ai i shtremboi hundët se cigaren gjithmonë e mbante shtrembët dhe tha “punë e madhe se namin e paska ba” Ama ime mbas 3-4 ditësh llahusë dhe ende pa u mshelë mirë u çue në kambë me i ba punët e shtëpisë dhe i tha atit tim “o njeri shko në Pisjan e shkrueje djalin” e ai tha “po priti edhe ndonji ditë se mos po vdes e mos të shkoj dy herë” Ama ime: “o njeri Zoti të marroftë qysh po ta nxen goja atë fjalë po mos me na dhanë Zoti fëmijë të tjerë” Ati: “sa të jetë… djem e vajza sa të duesh” (unë nuk e di çka do me thanë fjala tarak) “pse mos ka Zoti punë të tjera ai s’ka as me lavrue as me prashitë “ Ai shkoi e më shruejti në Pisjan mbas 40 ditësh mbasi unë nuk vdiqa. Atit tim qysh moti i ka mbi bari përmbi. Ai m’i humbi mbi 2000 euro pension të këtij vendi të këtushëm edhe atje si e quejnë atë vend Kosovo i Metohia apo ne turqit që e quejmë Kosovada dhe Arrnautistan .

Jam i lumtun shumë që vëllezërit serb po e ndiejnë veten shumë mirë në Kosovada e janë gjithnji ma të fortë e ma të fuqishëm dhe në disa hapsina janë zotnues të vertetë. Këta nuk janë vëllezërit e Adem Demaçit po janë vëllezërit e mi. Ne turqit jemi shpirtgjerë dhe dashamirës të vërtetë të serbëve. Unë prej sa kohësh nuk e ndiej vehten ma si arnaut po si turk i të parës dorë birinxhi turk dhe jam i lumtun që së shpejti edhe Arrnautistani edhe Kosovadaja do të quhen Turqia Perëndimore. Këtu ku jetoj kam fillue nji kurs të turqishtes edhe po e mësoj me sukses aty janë edhe disa turqelike që po më prekin e po më xiglojnë po siç thotë toska unë nuk ua vë veshin atyre. M’u ba se m’u ba turk ma mirë po bahem sot sesa nesër.


I mjeri unë i mjeri

letërsi popullore

Nji hoxhë i zoti e i mençëm kishte ra në burg edhe dy vëllazën çoban të dhenve e të dhive poashtu kishin ra në burg. Hoxha tha sa rri kot këtu t’ua mësoj këtyne djemve ditunitë fetare. Përditë u spjegonte mësimet e shejta fetare e ata vetëm qanin. Nji ditë hoxha i pyeti ata”a shumë po ju pëlqejnë mësimet fetare apo pse po qani “Hoxhë efendi mjekrra jote po na e kujton capin që e kemi lanë në mal. Hoxha: – “he i mjeri unë i mjeri me ka po rri e me ka po e çoj kohën e kujt po mundohem me ia mësue ditunitë e shejta fetare”
——
çdo ngjasim me njerëz real asht i rastit, asgja nuk ka të përbashkët me ndonji banor të katundit Gj……r! (Morava e Epërme)


Qamil S. Dardhankodra
Prof. i Gjuhës the letërsisë shqipe
-bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës – sektori i Onomastikës
-adhurues i mbretnisë shqiptare – zogist
-nënkryetar i “Vatrës” – dega e Torontos
Llashticë, Gjilan/Toronto, Kanadë

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.