Ditari i Parashqevi Qiriazit

0
546
Ditari i Parashqevi Qiriazit

PARATHËNIE

Ditarët kanë ekzistuar që nga lashtësia dhe kanë qenë pjesë e kulturave të popujve të ndryshëm. Që nga librat personalë të zonjave japoneze, deri te shënimet e udhëtimeve, ditari ka fshehur hijet e padukshme të jetës së njerëzve.

Jo të gjithë njerëzit mbajnë ditar, por jo pak prej tyre që mbajtjen e ditarit, duke shënuar ngjarje dhe procese të rëndësishme, e kanë çmuar ditarin si pjesë të qëllimeve të tyre kryesore. Historia njeh shumë personalitete që kanë shënuar në ditar kronikën e jetës së tyre, të mbushur me ngjarje e rrjedha, ku ata kanë qenë vetë dëshmitarë.

Është i njohur, bie fjala, “Ditari i Ana Frankut” të cilin e kishte mbajtur gjatë kohës sa ishte e izoluar në Holandë. Ky ditar çmohet një nga veprat letrare më personale dhe më përfaqësuese të shekullit XX.

Më 1936 shkrimtari, Haki Stërmilli, botoi “Ditarin e burgut”, që e kishte mbajtur gjatë kohës sa ishte në burg.

Pas vitit 1909 në ditarin personal të shkrimtarit të madh rus, Leon Tolstoi, vërehen të dhëna të ndryshme, ku shprehet qëllimi i largimit nga familja për shkak të mosmarrëveshjeve me gruan e tij. Shkrimtari anglez, Oscar Wilde, thoshte: “Unë nuk udhëtoj asnjëherë pa ditarin tim. Duhet të kesh gjithmonë diçka fantastike për të lexuar në tren”.

Është i njohur fakti se edhe Papa Gjon Palit II kishte mbajtur ditar, të cilin e kishte  ruajtur për vite të tëra sekretari i tij personal, dhe pas vdekjes së tij e kishin dërguar në dioqezën e Krakovës.

Biografët e Napoleon Bonapartës flasin gjithashtu edhe për shënimet që ai i kishte lënë në formën e ditarit. Këto të dhëna pasqyrojnë një pjesë të madhe të ndërmarrjeve dhe të ngjarjeve të cilat ai ose i kishte udhëhequr, ose kishte qenë vëzhgues aktiv i tyre.

Në pjesët nga ditari personal që mbante mbreti i muzikës pop, Michael Jackson, të marrë nga The Mirror, dëshmojnë për synimin e tij të bëhet i pavdekshëm si idhujt e tij Charlie Chaplin dhe Walt Disney.

Parashqevi Qiriazi në shënimet e mbajtura në formën e ditarit, jep dëshmi të shumta për disa nga ngjarjet e bujshme që lidhen me zhvillimet e kombit tonë, siç ishte Kongresi i Alfabetit, apo Konferenca e Paqes në Paris. Ndonjëherë ajo ishte edhe vetë realizuese e shumë ideve dhe veprimeve. Në shënimet e veta ajo thekson se ishte një nga femrat e rralla që ishte frymëzuar nga Kongresi i Manastirit, duke hartuar një Abetare sipas rregullave të këtij Kongresi. Pra, ajo është shqiptarja e parë që përdori ABC-në e Kongresit të Manastirit në një libër shkollor. Kjo vepër do t’u shërbente fëmijëve që të mësohen me tingëllimën e bukur të shkronjave shqipe.

Në 50-vjetorin e vdekjes së Parashqevi Qiriazit, po botojmë ditarin e saj në Konferencën e Versajës, e njohur si Konferenca e paqes e Parisit, gjatë vitit 1919 dhe fillimit të vitit 1920 të lënë në dorëshkrim, që dëshmon edhe për veprimtarinë e saj në rrafshin arsimor, kulturor, publicistik dhe diplomatik.

Ky material i pasur që po botohet është fryt i hulumtimit në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, me ç’rast i falënderojmë udhëheqësit e tij për gatishmërinë e treguar dhe për ndihmën e dhënë, si dhe poashtu e falënderojmë studiuesin David Hosaflook për sugjerimet mjaft të vlefshme profesionale shkencore.

Figura e Parashqevi Qiriazit në shënimin e 50-vjetorit të vdekjes së saj, ka frymëzuar edhe drejtuesit e UNESCO-s për ta përfshirë atë – si një grua dhe pedagogeje e jashtëzakonshme – në kalendarin e jubileve të përkrahur nga kjo organizatë për vitin 2020.

Figura emblematike e Parashqevi Qiriazit këtu ndriçohet përmes të dhënave të panjohura, që mund t’i gjejmë në ditarin e saj dhe ajo përligj zërin më përfaqësues të gruas së shquar shqiptare, e cila pas përpjekjeve të saj titanike në sensibilizimin e çështjes shqiptare në planin ndërkombëtar, mund të konsiderohet edhe si themeluese e diplomacisë shqiptare.

Pjesëmarrja e saj në Konferencën e Paqes në Paris (1919/20), tregon fuqinë e zotimin e saj intelektual e kombëtar në arritjen e qëllimeve madhore, për të cilat Rilindësit tanë ishin përpjekur dhe flijuar. Ishte pikërisht Parashqevi Qiriazi që gjithë synimet dhe ëndrrat e Rilindësve i barti në sallonet diplomatike të kohës dhe u bë zëdhënëse e denjë e kauzës shqiptare.

Të gjithë gazetat në gjithë Amerikën lajmëruan nisjen time për Paris si delegate, dhe zgjedhjen e Zotit Kristo Dako si President te Partís Politike e akredituar ne Shtetet e Bashkuara. Drekën e hëngër në një restorant armen. I telefonova Sevastisë në Boston”.

Kjo është një shkëputje nga shënimet e datës 17 mars 1919, dëshmia autentike e zotimit të Parashqevi Qiriazit në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, si delegate shqiptare nga SHBA.

Në mënyrën mjaft të gjallë ajo e përshkruan edhe udhëtimin me anije nga Nju Jorku për në Paris.

Deti është mjaft i ashpër, ne shkojmë duke u lëkundur si në një djep… Unë u njoha me më shumë njerëz dhe pjesën tjetër të kohës e kalova duke shkruar librin ‘Manushaqja’… Personeli kishte marrë dy sinjale për ajsbergë gjatë natës së kaluar… Sot kishte dy vdekje në bord, një pasagjer i klasit të parë, një grek i cili kishte bërë një operacion para se të lundronte dhe ishte shumë shpejt për të që të bënte udhëtimin, dhe gjithashtu një foshnjë 10 muajshe në klasin e tretë, vdiq nga gripi.” (19, 22, 28 Mars 1919)

Pas një lundrimi të gjatë e të lodhshëm, Parashqevia më në fund arrin në Paris dhe bën përgatitjet paraprake për Konferencë. Është për t’u veçuar shënimi i datës 9 Prill 1999 – “Kam pregatitur disa pika, përse nuk duam Italinë në Shqipëri[1].

Ditari i Parashqevi Qiriazit nuk është thjeshtë kujtim personal i një gruaje që vuri shumë anë të njohura e të panjohura të saj, por është edhe frymën dhe kontekstin e kohës, të shqiptarëve në raport me Fuqitë e Mëdha, sidomos me SHBA-të, ku shqiptarët me të drejtë kishin vënë të gjitha shpresat.

Nga këto fakte del që marrëdhëniet miqësore me Amerikën për herë të parë u ngritën në shkallë institucionale. Pra, ku roli i saj në vendosjen e këtyre marrëdhënieve ishte vendimtar, siç dëshmojnë dhe këto të dhëna:

Për tre javë zyrtarët e Vatrës po kërkojnë me këmbëngulje një mandat Amerikan për Shqipërinë… Sot në mëngjes Partisë i dërgova këtë kablë. Në mbledhjen e djeshme delegatët kërkuan mandat[2] amerikan, Partia mund të ndjeki të njëjtën rrugë në qoftë se qëndrimi i lidhjes së Kombeve nuk la vend për as një shpresë… Presidenti Wilson qëndroj si burrë për të drejtat e popujve kundra kërkimeve Imperialiste të qeverisë italiane” (15, 17, 23 Prill 1919).

Ajo që bie në sy gjatë leximit të këtij ditari është këmbëngulja e Parashqevi Qiriazit që gjatë gjithë ditëve në prag të Konferencës së Paqes t’i dërgojë telegrame Presidentit Amerikan, Woodrow Wilson, të cilin e njoftonte detajisht mbi ecurinë e mbledhjeve dhe konsultimeve të delegatëve shqiptarë që kishin ardhur nga anë të ndryshme të globit.

Në mbledhje është vendosur bashkëpunim, zyrë, dhe është dërguar një telegram Presidentit Wilson për përkrahjen e popujvet të robëruar, janë zhvilluar Bisedime të nxehta, të rrepta, gjer më ora 6:00 pas dite, është vendos të mblidheshin përsëri në mëngjesin tjetër.” (29 Prill 1919)

Nga këto të dhëna burimore kuptojmë edhe për disa mospajtime që kishin pasur delegatët shqiptarë lidhur me marrjen e një qëndrimi unik sa i përket mbrojtjes së interesave të Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Parashqevia flet edhe për disa shqiptarë që nuk punonin për interesa kombëtare.

Nuk na kan faj kaqe te huajt sa e kemi na vetë, se fatkeqsisht kemi në mes tonë antikombetarë që punojnë për interesa të huaja… Koha shkon duke u munduar për një marrëveshje, por propagandat përçarse janë shumë të forta.” (7 Maj, 30 Prill 1919)

Libri që po e botojmë fillon me një dokument mjaft të rëndësishëm, siç është “Kujtimet e Parashqevi Qiriazit mbi Kongresin e parë të Manastirit”, shkruar dhjetëra vite pas Kongresit. Vendosem ta nxjerrim në dritë për shkak se ky dokument ndërlidhet pikërisht me Parashqevi Qiriazin, e cila ishte e pranishme në këtë ngjarje të madhe historike për bashkimin dhe njësimin kombëtar.

Sipas listave zyrtare të delegatëve, Parashqevia nuk emërohet si delegate e Kongresit, por në mënyrë joformale njihet si “delegate” (apo “delegate nderi”), meqë kishte shkuar në vend të Sevastisë, e cila u ftua si delegate (e vetmja femër që u ftua si delegate), por nuk mundi të marrë pjesë për shkak të detyrave të saj si drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë.

Ky dokument ngërthen në vete autenticitetin e një përkushtimi të vazhdueshëm të Parashqevi Qiriazit ndaj çështjeve që lidhen drejtpërsëdrejti me emancipimin dhe përparimin e kombit shqiptar.

Në vazhdim botohet ditari i saj, fillimisht i radhitur me Word, pastaj i radhitur me makinë shkrimi nga Aleksandër Dako (A.D.), nipi i Parashqevisë dhe i biri i Sevasti Qiriazi-Dakos, dhe në fund faksimili i dorëshkrimit origjinal.

Dokumentet janë të renditura sipas kronologjisë historike dhe nuk janë të ndara në tema apo kapituj të veçantë tematikë. Vepruam kështu për shkak se dokumentet janë në formë të dorëshkrimit dhe janë të shkurta, pa ndonjë titull të dokumentit, sidomos ditari i saj, ku ajo i përshkruan udhëtimin, ngjarjet dhe takimet.

Në këtë përvjetor të vdekjes së Parashqevi Qiriazit, po bëhet gati për botim edhe një transkriptim i plotë i ditarit me shënime historike[3], botim i cili mund të shoqërohet me këtë libër, sepse pajton mospërputhjet midis dorëshkrimit të Parashqevisë dhe transkriptimit të A. Dakos, si dhe identifikon dhe komenton figurat historike që përmenden në ditar, ngjarjet, botimet etj.

Profili i gjerë i Parashqevi Qiriazi kap fushëveprime të ndritshme, të cilat ishin të lidhura drejtpërdrejt me proceset dhe ngjarjet e mëdha historike për kombin shqiptar, siç ishte hapja e shkollave në gjuhën shqipe, botimi i revistës “Yll’ i Mëngjesit”, pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit dhe në Konferencën e Versajës. Po ashtu ajo kishte ndjekur mësimet në shkollat elitare të kohës, ndër to edhe Kolegjin amerikan për vajza, në Kostandinopojë, ku vitin e fundit ishte presidente e studentëve. Në vitin 1913 ajo përfundoi masterin për edukim në Kolegjin Oberlin në Ohajo. Në tezën e masterit ajo projektoi një sistem arsimor kombëtar për Shqipërinë e sapoçliruar.

Kontributi i saj në hapjen e shkollave ishte i jashtëzakonshëm. Ajo u emërua drejtoreshë dhe mësuese e Shkollës së vajzave në Korçë, e para shkollë e tillë në Shqipëri, nga 1904-1905 dhe përsëri nga 1910-1911, kur motra e saj, Sevasti Qiriazi, nuk ishte aty.

Nga 1907-1908 Parashqevia ishte përkthyesja dhe mësuesja e gjuhës për misionarin Phineas B. Kennedy, i cili sapo kishte ardhur i dërguar prej Bordit amerikan të komisionarëve për Misionet e huaja (American Board of Commissioners for Foreign Missions) me kërkesën e vetë Shkollës.

Në fillim të viteve 1920 Parashqevia kthehet në atdhe me kunatin dhe motrën, Kristo dhe Sevasti Qiriazi-Dakon, në mënyrë që të vazhdonte të punonte për edukimin e vajzave shqiptare. Instituti Qiriazi (Kyrias) për vajza, që sapo ishte hapur afër Tiranës, do të nxirrte mësuese që ishin të domosdoshme për shumë shkolla të sapoçelura shqiptare.

Më 1908 Parashqevia ishte e deleguara e Shkollës së vajzave në ngjarjen historike të Kongresit të parë të Manastirit, në këtë ngjarje të njësimit të alfabetit shqip, ajo u caktua sekretare e njëmbëdhjetë burrave të respektueshëm, që do të zgjidhnin problemin e alfabetit shqip. Në vitin 1909 ajo shkroi Abetaren sipas alfabetit të ri shqiptar.

Parashqevia është e njohur (së bashku me motrën e saj) për emancipimin e grave shqiptare dhe për rolin e saj të rëndësishëm në themelimin e shoqatës së parë të grave “Yll’ i Mëngjesit”, më 1912 në qytetin e Korçës. Pas luftërave ballkanike dhe në fillimin e Luftës së Parë Botërore, për të shpëtuar jetën e saj (si shumë të tjerë) shkoi ajo në Bukuresht më 1914 dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1915. Në Boston, iu kushtua çështjes së çlirimit të vendit të saj dhe emancipimit të grave, duke themeluar dhe botuar revistën shqiptaro-amerikane “Yll’ i Mëngjesit”, që doli nga 1917 deri më 1920.

Më 1919 Parashqevi Qiriazi, siç u tha, shkoi në Paris, si e vetmja grua diplomate shqiptare në Konferencën e Paqes, si përfaqësuese e Partisë Politike Kombëtare në Amerikë. Me gjithë fushatat e fuqishme për ta ndarë Shqipërinë mes vendeve fqinje, Konferenca përgjithësisht miratoi kufijtë shqiptarë, siç ishin caktuar në vitin 1913 në Konferencën e Paqes në Londër. Kontributi diplomatik i Parashqevi Qiriazit për të shpëtuar edhe Shqipërinë londineze ishte i jashtëzakonshëm; Fuqitë e mëdha, që e kishin fituar luftën, sipas marrëveshjeve (Marrëveshja e Fshehtë e Londrës) së mëhershme dëshironin që ta eliminonin atë nga faqja e dheut. Pra, ajo luajti një rol shumë të madh diplomatik në këtë Konferencë për të argumentuar të drejtën historike për trevat etnike të banuara me shqiptarë në Siujdhesën Ballkanike. Kjo e drejtë elementare për të pasur shtetin shqiptar nuk mund të arrihej pa përkrahjen e njërës nga Fuqitë e mëdha botërore.

Kontributi i saj ishte shumë i madh edhe nëpërmjet miqve me të cilët komunikonte, duke u kurorëzuar me sukses këto përpjekje pas depërtimit në kabinetin e presidentit amerikan, Woodrow Wilson, për të përçuar kërkesën e popullit shqiptar në shpëtimin nga copëtimi që i kanosej asaj. Presidenti amerikan, jo rastësisht, u vu në mbrojtje të popujve të vegjël, që edhe ata të kishin të drejtën legjitime për të pasur shtetin e tyre, kundrejt popujve të mëdhenj apo të privilegjuar.

Kombi shqiptar përjetësisht i detyrohet angazhimit të madh të Parashqevi Qiriazit dhe grupit të patriotëve që e mbështetën në orientimin e drejtë të proceseve vendimmarrëse për fatin tonë, ku posaçërisht veçohet roli i saj në përafrimin me SHBA-të, si një aleate e sinqertë dhe me mjaft peshë në të gjitha fazat e zhvillimit tonë si komb dhe si shoqëri, përfshirë edhe Konferencën e Paqes në Paris (1919/20), ku qenia shqiptare i shpëtoi dezintegrimit falë angazhimit të drejtpërdrejtë të presidentit amerikan, Woodrow Wilson.

Me botimin e këtij ditari, po përmbushim një pjesë të detyrimit ndaj Parashqevi Qiriazit, por ajo që do të duhej të pasojë është studimi dhe hulumtimi i dëshmive që ajo i paraqet përmes ditarit të saj, e që mund të jenë burim këndvështrimesh të reja mbi rolin e gruas shqiptare në proceset e rëndësishme historike.


[1] Për shkak marrëveshjes së fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku parashihej që Shqipëria t’i takojë Italisë si trofe lufte.

[2] Protektorat

[3] Toska, Teuta. Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919. Tiranë: Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, 2020.

Punimin e dërgoi për botim: Antin Nikë Berisha, shkrimtar