Dita 4 – PËRSHËNDETJA DHE MIKPRITJA

0
566
Foto nëntëditëshi 4

Nëntëditëshi i Krishtlindjes

DITA 4º Jezusi Shpëtimtar sjell paqen

PËRSHËNDETJA DHE MIKPRITJA

L. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!
A. Amen!

L. Zoti që i udhëheq zemrat tona në dashurinë dhe në durimin e Krishtit, qoftë me ju të gjithë!
A. Dhe me shpirtin tënd!

L. Vëllezër e motra! Në shpirtin e patriarkëve antikë dhe të profetëve dhe në sintoni me lutjet urgjente të popullit të zgjedhur, ne, si popull i ri i Hyjit, përsërisim pa u lodhur, thirrjen zemërthyer: «Eja, o Zot, mos vono!».

KËNGA E PROFECIVE
Ref. Ejani ta adhurojmë Krishtin Shpëtimtar!

Ngrihu, Bija e Sionit,
gëzo me zë të madh,
bija e Jeruzalemit!
Shpejt do të vijë Zoti yt
dhe do të lindë një dritë e pafund,
dhe malet do të rrjedhin ëmbëlsirë
sepse tek ne do të vijë profeti i madh,
dhe ai do ta ripërtërijë Jeruzalemin. Ref.

Shpejt do të vijë Hyji mes njerëzve të vet:
një burrë i shtëpisë së Davidit do të ulet mbi fronin e tij.
Ju do ta shihni e zemrat tuaja
do të shpërthejnë me hare. Ref.

Shpejt do të vijë Hyji Zot,
mburoja jonë, shenjti i Izraelit,
dhe kurora e mbretërisë do të jetë mbi kokën e tij.
E do ta shtrijë zotërimin e tij nga një det në detin tjetër
e nga lumi i madh deri në kufijtë më të largët të tokës. Ref.

Do të zbresë Hyji Zot,
si vesë në bashkë
në ditët e tij do të triumfojë drejtësia
me paqe të pafund.
Dhe do të vrapojnë që ta adhurojnë të gjithë mbretërit e tokës,
të gjithë popujt do t’i shërbejnë vetëm atij. Ref.

Prej teje, o Betlehem, qytet i të lartit Hyj,
prej teje do të dalë për Izraelin Sunduesi.
Ai buron prej Hyjit të amshuar
dhe do të shfaqet i lavdishëm në mesin e tokës.
Ardhja e tij
do të inaugurojë përgjithmonë mes nesh paqen. Ref.

NDEZJA E DRITËZAVE
Ndizet e katërta prej nëntë dritëzave për të treguar “vigjilencën në pritje” (Mt. 25, 1˗12); ndërkaq këndohet:

1. Ndizet një dritë për njeriun këtu,
shpejt do të vijë mes nesh Jezusi.
Rrini zgjuar, dhëndri nuk do të vonojë,
nëse jeni gati, derën do t’ju hapë.
Ref. Me gëzim këndoni: lavdi Zotit tonë!
Shëlbuesi ynë do të lindë!

LEXIMI I PARË
Lexim prej Librit të Izaisë profet 11, 1˗5

Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin
e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.
Fjala e Zotit

Këngë meditimi: Jezus më jep Paqe! (3x) Ti më jep Paqe! (1x)

LEXIMI II
Lexim prej Letrës së shën palit Apostull drejtuar Efesianëve 2, 13˗18

Por tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit ‘larg’ erdhët ‘afër’ në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d. m. th. armiqësinë në trupin e vet. Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg paqen edhe atyre që ishin afër. Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt.
Fjala e Zotit

PËRGATITJA
Sillet tek shpella e Betlehemit një jorgan i vogël për Jezusin Fëmijë, ndërsa këndohet:

Ti ulesh prej Parrizit,
o Zot e Mbret lumnie,
e n’ tokë vjen me u bâ nieri
vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
unë s’e kam dijtë se ti ne
t’ shkretët na don kaq shumë.

A. O e Papërlyera Virgjëra Mari, o i Nderueshëm Shën Jozef ! Ne ju përgjërohemi që të na ndihmoni të përgatisim gjithçka që nevojitet për Lindjen e afërt të Fjalës së mishëruar në shpellën e Betlehemit!
Ai do të dëshirojë të gjejë disa zemra që e presin, që e mbulojnë, që e ngrohin, që e ngushëllojnë.
Ne mendojmë të përgatisim në shpellën e Betlehemit një jorgan të vogël, mjaft të ngrohtë, të formuar me pupla pëllumbi.

Lexuesi: Jorgani i vogël përgatitet duke lutur: Shpirti i Krishtit…

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua!
Korpi i Krishtit, më shëlbo mua!
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua!
Uji i kraharorit të Krishtit, më pastro mua!
Mundimi i Krishtit, më forco mua!
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua!
Ndër Plagë të tua më fsheh mua!
Mos lejo të ndahem prej Teje!
Prej armikut të shpirtit më dil Zot mua!
Në çast të vdekjes sime, Ti më thirr mua!
E më urdhëro të vij tek Ti,
që me Shenjtër të lëvdoj Ty,
përgjithmonë e motit të jetës! Amen!

SHENJTI MBROJTËS
Shenjtërit Barinj

SHIGJETORJA
O Mari, Nëna ime! Bëj që ta dua Jezusin me Ty!

Predikim i kremtuesit aty ku është e mundur

ANTIFONA E MAGNIFICAT
O Pinjoll i Jeseut, që lartësohesh si shenjë për popujt: le të heshtin përpara Teje mbretërit e tokës dhe kombet le Të të thërrasin: eja të na lirosh e mos vono!

LUTJET E BESIMTARËVE
Shpëtimtari që vjen, jo vetëm që sjell paqen, por Ai vetë është Paqja jonë. Gjersa kjo dhuratë e Tij të mbretërojë gjatë në botë, t’ia drejtojmë me besim lutjen tonë:
˗ O Zot, ardhtë për ne Mbretëria jote!
Për Kishën: që e pasuruar me dhuratat e Shpirtit, si pinjolli i Jeseut, të jetë gjithmonë shpallëse e drejtësisë dhe e paqes në botë, të lutemi:
˗ O Zot, ardhtë për ne Mbretëria jote!
Për të gjithë ata që kanë përgjegjësi qeverisjeje: që të kërkojnë gjithmonë me sinqeritet dhe bindje udhët e paqes, për të zgjidhur situatat me tensione dhe konflikte mes popujve, të lutemi:
˗ O Zot, ardhtë për ne Mbretëria jote!
Për ne, këtu të mbledhur: që të lejojmë të përfshihemi nga projekti i Krishtit, që është një projekt paqeje për njerëzimin, e të dimë ta realizojmë në zgjedhjet tona të përditshme, të lutemi:
˗ O Zot, ardhtë për ne Mbretëria jote!
Ati ynë…!

TË LUTEMI
O Hyj, Atë i mirë dhe i mëshirshëm! Pranoji lutjet tona! Në Birin Tënd na ke dhuruar paqen; bëj që edhe ne të jemi, sot, ndërtues paqeje, për të realizuar projektin tënd të shpëtimit! Ta kërkojmë për të njëjtin Krisht, Birin tënd e Zotin tonë.

Mbyllet kështu: Na bekoftë Hyji i Gjithëpushtetshëm, na ruajtë prej çdo të keqeje e na përcjelltë në jetën e pasosur! Amen!

Kënga e mbylljes

Nikolin Sh. Lëmezhi