Nëntëditëshi i Krishtlindjes
DITA 2º PRITJA
L. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!
A. Amen!
L. Ta falënderojmë Hyjin e Gjithëpushtetshëm që ishte, që është e që do të vijë; dhe paqe juve që e prisni shpëtimin e tij në Jezu Krishtin Zotin tonë!
A. Amen!
L. Vëllezër e motra! Po afrohet dita, në të cilën Ati, besnik ndaj premtimeve të tij, do të na japë Shpëtimtarin. Të bërë mëkatarë në Adamin, do të pranohemi përsëri si pjesë e popullit të Hyjit. Ta hapim zemrën tonë që të presë shpalljen e gëzueshme të ardhjes së Krishtit!
KËNGA E PROFECIVE
Ref. Ejani ta adhurojmë Krishtin Shpëtimtar!
Ngrihu, Bija e Sionit,
gëzo me zë të madh,
bija e Jeruzalemit!
Shpejt do të vijë Zoti yt
dhe do të lindë një dritë e pafund,
dhe malet do të rrjedhin ëmbëlsirë
sepse tek ne do të vijë profeti i madh,
dhe ai do ta ripërtërijë Jeruzalemin. Ref.
Shpejt do të vijë Hyji mes njerëzve të vet:
një burrë i shtëpisë së Davidit do të ulet mbi fronin e tij.
Ju do ta shihni e zemrat tuaja
do të shpërthejnë me hare. Ref.
Shpejt do të vijë Hyji Zot,
mburoja jonë, shenjti i Izraelit,
dhe kurora e mbretërisë do të jetë mbi kokën e tij.
E do ta shtrijë zotërimin e tij nga një det në detin tjetër
e nga lumi i madh deri në kufijtë më të largët të tokës. Ref.
Do të zbresë Hyji Zot,
si vesë në bashkë
në ditët e tij do të triumfojë drejtësia
me paqe të pafund.
Dhe do të vrapojnë që ta adhurojnë të gjithë mbretërit e tokës,
të gjithë popujt do t’i shërbejnë vetëm atij. Ref.
Prej teje, o Betlehem, qytet i të lartit Hyj,
prej teje do të dalë për Izraelin Sunduesi.
Ai buron prej Hyjit të amshuar
dhe do të shfaqet i lavdishëm në mesin e tokës.
Ardhja e tij
do të inaugurojë përgjithmonë mes nesh paqen. Ref.
NDEZJA E DRITËZAVE
Ndizet e dyta prej nëntë dritëzave për të treguar “vigjilencën në pritje” (Mt. 25, 1˗12); ndërkaq këndohet:
1. Ndizet një dritë për njeriun këtu,
shpejt do të vijë mes nesh Jezusi.
Rrini zgjuar, dhëndri nuk do të vonojë,
nëse jeni gati, derën do t’ju hapë.
Ref. Me gëzim këndoni: lavdi Zotit tonë!
Shëlbuesi ynë do të lindë!
LEXIMI I PARË
Lexim prej Librit të Izaisë profet 64, 3˗4.7˗8
Qëkur ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, që një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të. U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë. Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim. Megjithatë, ati ynë je, ti o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua. Deh për së tepërmi, Zot, mos u zemëro, mëkatet më mos i kujto!
Ja, na shiko: të gjithë jemi populli yt!
Fjala e Zotit
Këngë meditimi (Jezus na ndihmo!)
LEXIMI II
Lexim prej Letrës së parë të shën palit Apostull drejtuar Korintianëve 1, 4˗9
Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka në çdo fjalë e në çdo dije. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, saqë nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht).
Fjala e Zotit
PËRGATITJA
Sillet tek shpella e Betlehemit një dyshek i vogël, ndërsa këndohet:
Ti ulesh prej Parrizit,
o Zot e Mbret lumnie,
e n’tokë vjen me u bâ nieri
vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
sa n’një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
unë s’e kam dijtë se ti ne
t’ shkretët na don kaq shumë.
A. O e Papërlyera Virgjëra Mari, o i Nderueshëm Shën Jozef ! Ne ju përgjërohemi që të na ndihmoni të përgatisim gjithçka që nevojitet për Lindjen e afërt të Fjalës së mishëruar në shpellën e Betlehemit!
Ai do të dëshirojë të gjejë disa zemra që e presin, që e mbulojnë, që e ngrohin, që e ngushëllojnë.
Ne mendojmë të përgatisim në shpellën e Betlehemit një dyshek të vogël, me lesh tejet të butë prej qengjash të panjollë.
Lexuesi: Dysheku i vogël përgatitet kështu: puna e pendimit, ripërtëritja e premtimeve të Pagëzimit.
SHENJTI MBROJTËS
Shën Gabrieli Kryeengjëll
SHIGJETORJA
O Foshnjë hyjnore, më bëj të kuptoj se sa Ti më do!
Predikim nëse është e mundur
ANTIFONA E MAGNIFICAT
O Urti, që del nga goja e të Tejetlartit, shtrihesh në çdo skaj të botës dhe gjithçka e vendos me ëmbëlsi dhe forcë: eja, e na e mëso udhën e dijes!
LUTJET E BESIMTARËVE
Ndërsa presim me zell shfaqjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, me ngulm e kërkojmë mëshirën e Tij: Ai që është besnik ndaj premtimeve, dashtë që të shpëtojë edhe sot ata që e presin! Të themi me besim:
˗ Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
Për Kishën, që të jetë gjithmonë shpërndarëse besnike e dhuratave të Fjalës, të Sakramenteve dhe të dëshmisë ungjillore, në mbështetje të besnikërisë së të krishterëve, të lutemi:
˗ Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
Për të gjithë njerëzit që kërkojnë Hyjin me zemër të sinqertë: që pritja e shfaqjes së Zotit të mund t’i japë një kuptim jetës së tyre, të lutemi:
˗ Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
Për ne këtu të pranishëm, që të mos mbetemi indiferentë ndaj dëgjimit të Fjalës së Hyjit, por të dimë ta pranojmë si një dhuratë dhe ta zbatojmë në jetë, të lutemi:
˗ Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!
Ati ynë…!
TË LUTEMI
O Zot, Hyji ynë! Bëj që të jemi të gatshëm në pritjen e Krishtit, Birit tënd: kur Ai të vijë e të trokasë në derë, të na gjejë zgjuar në lutje e të gëzuar në lavde! Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen!
Na bekoftë Hyji i Gjithëpushtetshëm, na ruajtë prej çdo të keqeje e na përcjelltë në jetën e pasosur! Amen!
Nikolin Sh. Lëmezhi