Mehmetali Rexhepi: “KALLINJTË E ÇATISË”, roman, botoi “Lena” – Prishtinë, 2020
Xheladin MJEKU
Qasje
Mehmetali Rexhepi (1951), poet, prozator dhe studiues, në opusin e tij krijues ka numër të konsiderueshëm veprash letrare dhe studime në fushën e letërsisë, që dëshmojnë për punën kreative për shumë dekada, gjithnjë në përpjekje të prurjeve të reja sa më cilësore. Ai, kolanës së veprave letrare ia shton edhe romanin e radhës “Kallinjtë e çatisë“, që shquhet për trajtimin tematik, thellësinë e mendimit dhe vlerat estetike-letrare, duke ndërtuar kështu një prozë elitare, që lexohet e shijohet me ëndje.
Romani “Kallinjtë e çatisë“ është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: larushia tematike, trajtimi i periudhave të ndryshme kohore dhe thellësia e mendimit filozofik-letrar. Këta katalizatorë e bëjnë të veçantë mbarështimin tematik që trajtohet në gjithë veprën romanore. Gjatë leximit të kësaj proze, me lehtësi e hetojmë kalimin nëpër ngjarje të ndryshme, që në brendinë e tyre ngërthejnë kujtime të shumta, të cilat, ashtu të shkapërderdhura nëpër periudha të ndryshme kohore, bëjnë të mendojmë se kemi një tufë rrëfimesh, që secila më vete shpërfaq një ndodhi të veçantë.
Të rëndësisë së veçantë janë, sidomos, shtruarja tematike, mendimi filozofik dhe diskursi psiko-analitik i ngjarjeve, të përshkuara me figuracione të shumta estetike dhe rrjedhshmëri gjuhësore, që lehtësojnë absorbimin e kësaj materie tregimtare. Bashkëveprimi i këtyre elementeve me shtrirje kohore dhe gjeografike, si dy vjegëza të pashkëputura deri në përmbyllje e ndërtojnë këtë prozë romanore. Mendimi i Jorge Luis Borges se “libri është vazhdim i kujtesës dhe i imagjinatës”, e përkufizon këtë vlerësim që në fillim të zbërthimit lëndor të romanit.
Poetika e rrëfimit
Katër copëzat e kësaj vepre letrare mund të trajtohen edhe si katër grupime esesh, apo edhe si katër novela. Në fakt këto përbëjnë katër skajet e një ngrehine të përbashkët, që si një tërësi e ndërtojnë strumbullarin fabular të romanit. Ky ndërtim i ndërsjellë trajton “ngeshëm” situata të ndryshme, duke i plotësuar këto “copëza romani”, që bëjnë tërësinë e “Kallinjve të çatisë”, prej nga prekim begatinë e këtyre orvatjeve narrative në kohë dhe hapësirë. Qëndresa e gjeneratave të shumta do të veprojë pareshtur në shkëputjen e zinxhirit të prangave shekullore, që pastaj të kurorëzohet me realizimin e ëndrrave për liri. Kjo do të evoluoj gjatë tërë rrugëtimit prozaik të romanit, për të bërë kupolën e frutave të një pune në përmasa kombëtare.
Në studimin e saj “Aleanca letrare më e madhe e të gjitha kohërave; ju, autori dhe personazhi”, Lisa Zeidner, ndër të tjerat shprehet: “Zgjedhja e këndvështrimit përfshin manipulimin e zotë dhe rregullimin e aleancave me personazhet. Në të vërtetë, për mendimin tim, këto manipulime përbëjnë vetë thelbin e letërsisë artistike dhe janë më qendrore dhe të qenësishme se sa subjekti – të cilat trillimi letrar, i cili sfidon besnikërinë ndaj autorit apo personazhet, arrin t’i bëjë plotësisht me sukses”. Ky, mbase është përcaktor i qëndrueshëm edhe në konfigurimin e ngjarjeve dhe të personazheve në romanin e Mehmetali Rexhepit.
Romani “Kallinjtë e çatisë” nuk i qëndron besnik ndërtimit klasik tradicional, ku krye-personazhi në vazhdimësi tërheq ngjarjet drejt pikë qëllimit, rreth të cilit trajtohen ngjarjet e tjera. Shtrirja e gjerë e veprimeve krijon pasqyrën e një tabloje, përmes së cilës parakalojnë ngjarje e personazhe, tërësia e të cilave ndërtojnë kupolën narrative të lëndës prozaike.
Kjo prozë e modelimit poetik, me narrativë ndryshe nga ajo klasike, që jemi mësuar ta kemi pothuajse çdoherë në romanin tonë, shquhet për veçantitë e saja krijuese, për lëndën përmbajtjesore, densitetin e shtjellimit, ruajtjen e origjinalitetit dhe mendimit intelektual gjatë trajtimit të universit letrar.
Narracione që ndërlidhin një epokë
Pa mos u ndalur gjatë në çdonjërën nga katër “copëzat e romanit”, do të veçoja disa nga karakteristikat që reflektojnë imazhe jete dhe ngjarje nga më interesantet, si për nga trajtimi tematik, ashtu edhe për narracionin modern të ndërtimit të kësaj proze.
Të vjelat e letrës.– Në përpjekje të përballjes me situatat e krijuara që ndryshonin nga një çast, në çastin tjetër, vazhdonte të “Mbizotëronte ende terri. Territ i shpohej sfondi prej shigjetave të agmisë; do të grisej shpejt dhe t’i hapej udha rinore…Kishte ecur asaj “Rruge…” Ku e shpinte autorin?…” (“Letra me shkronja gjaku”, f. 21). Ecja nëpër këtë terrinë, në fakt është esenca e rrugëtimit të autorit nëpër kohë, duke shqyer edhe terrin, që ishte vetë rreziku i pambarim në atë ecejake aq të gjatë e plot sprova. Këtu kontrastet meditative dalin në rrafshin kohor dhe politik, meqë në vazhdimësi frynin erëra të rrëmbyeshme, prej nga “acaret, vinin pikërisht prej fonemave akullnajore (ulë)ruse”. Pikërisht me këto ulërima karpatiane do të përballet edhe autori, në përpjekje të vazhdueshme në kapjen e çdo veprimi, qoftë të rastësishëm, apo të parapërgatitur nga falangat e pushtetit ogurzi, ku gjithçka synonte ta arrinte përmes territ, që dalëngadalë kishte filluar të “grisej… dhe t’i hapej udha rinore”. Jo vetëm në “Letra me shkronja gjaku”, por, pothuajse në shumicën e rrëfimeve të kësaj proze romanore e përshkojnë elemente biografike të autorit, duke qenë edhe vet pjesë e kësaj periudhe historike.
“-Bëje diell shpirtin tënd të kesh rreze për të tjerët, edhe pse mund të shkrumbohesh…” do të shprehte besimin e tij, autori, që në pjesën dërmuese të rrëfimeve vejërojmë prezencën e tij në vetën e parë të rrëfimtarit të ngjarjeve, sikur ndodh edhe këtu në “Letrën e korrikut”, ku shpërfaq gjithçka gjatë kësaj kohe, meqë “I morën shumëçka kësaj bote, por nuk i merren dot të gjitha globit, se ia djegin të nesërmen vetvetes”. Ata, ndonëse ndryshuan gjithçka duke ngritur e rrëzuar regjime në emër të “drejtësisë së mëshirës”, mbetën përbuzësit e përhershëm, në kundërveprimet e kësaj kafshërie mbi njerëzimin.
Këtu, ai (kupto: autori, në cilësinë e treguesit të ngjarjeve) bashkë me Vetën do të cilësohen si “mëkatarë të pashërueshëm”. Pikërisht mbi bazamentin e këtij “mëkatari të pashërueshëm” do të veproj gjatë gjithë kohës, duke ndërtuar besimin se “-Betejat e padukshme dhe luftërat janë para nesh si dhe sherret”, që do ta përcjellin deri në çlirimin shpirtëror dhe emocional, ku siç do të shprehet: “Gjithsesi normalja njerëzore edhe mua më mërgohej në diçka, që as shihej, as prekej, as më mbante, as më lëshonte…Mes këtyre alternativave veçse lëngu i shpresës më pohonte në tru rrokullisjen e globit” (po aty, f. 36).
Një ndjesi impulsive e personifikon këtë pjesë të tregimeve-ese që për narracion kanë kujtesën, si “Thellësi”, prej nga mëtojnë të shpalosin “Thesaret”, me një përmbyllje joshëse, si improvizim mashtrues ndaj realiteteve fiktive, me lojë fjalësh e tundime mendimesh, prej nga kuptojmë se pushtuesi ogurzi edhe “Botës shtazore ia mori intelektin e ia la instinktin, botës njerëzore ia fali mençurinë e zilinë dhe etikën për t’i fshehur instinktet”, meqë rruga e pafund e mashtrimeve sjell edhe dyshimet e pazbërthyera, sepse “Në filozofi mund të hysh i ri e të dalësh i plakur…”, apo e kundërta e kësaj: “mund të hysh plak e të dalësh fëmijë!”, që kurrë nuk dihet “se ku mund të jetë kufiri i të së vërtetës”, meqë “Hirësia e Tij e Madhërishme njërës botë i dha ndjeshmërinë e drejtpërdrejtë, ndërsa tjetrës, po aq ndjeshmëri, në mos më shumë, intriga e dinakëri për lumë” ((“Modeli i lëneshës”, po aty, f. 18).
Me të “Vjelat e letrës” gjejmë pikënisjen e dëshmive përballë një arsenali të pafund të veprimeve denigruese dhe tepër të dhunshme, prej nga ishte prekur çdo lëmi e sektor i jetës nga kjo bishë e tërbuar shekullore. Këto veprime kaq të shfrenuara dhune gjatë një periudhe të gjatë kohore, do t’i plasohen si dëshmi e shkruar brezave, që së paku ta kuptojnë se cilat ishin qëllimet e këtij agresori ndaj një populli “fajtor” që këmbëngulte të jetonte në trojet e veta stërgjyshore, qoftë edhe me çmimin e jetës.
Kataraktet e shpirtit. – Rrëfimet zinxhirore që ndërtojnë epokën e ngjarjeve të ndërlidhura me kauzën, simbolikisht do të identifikohen me “Mollën e krymtë”. Në fak, ai krimb po udhëtonte pareshtur në mendjet e njerëzve, që tashmë kishin nuhatur me saktësi qëllimet e sunduesit, duke i qëndruar përballë demaskimit të këtyre veprimeve të ndërtuara me strategji të planifikuar me plotë rreziqe dhe intriga. Këto veprime, ishin projektuar kundër të gjithëve dhe kundër askujt, me pretendimin e ruajtjes së një “bashkëjetese” ballkanike, që nuk ishte veçse një okupim i sforcuar në përballje me rrethanat e krijuara, tashmë.
Këtu vlen të kujtohen ndryshimet e klasës intelektuale, që kishin prekur palcën e qeverisjes së kalbur, duke ia lëkundur velat e drejtimit, për ta bërë të pasigurt në lundrimin e ujërave, që dukshëm ishin turbulluar. Dalëngadalë po shembej kjo kullë që nga pirgu, për ta humbur busullën e rrugëtimit në çdo drejtim. Një perde politike, si katarakt i hollë, me synime të një verbimi të vazhdueshëm, ishte shfaqur në skenën politike gjithandej Gadishullit Ballkanik, meqë bishën komuniste e kishte zënë lëngata e shpërbërjes. Në këtë kontest po veprohej edhe këtu, ku populli, ndonëse i gjendur mes torturave dhe varfërisë së skajshme, të vetëdijshëm edhe në rrezikun e përballjes me pasojat, gjithnjë e më bindshëm po konsolidohej në organizime e aktivitete të ndryshme, që për qëllim kishin rrënimin sa më të shpejtë të kësaj kulle të brishtë shtrigash. Ishte kjo periudha e viteve të pesëdhjetegjashta të shekullit të kaluar, kur po zhvilloheshin ngjarjet më makabre ndaj një populli të vuajtur, ku e keqja sa vinte e i bëhej më prezent në jetën e tyre.
Kishin filluar ekspedita të mëdha ndëshkimore ndaj shumë familjeve të njohura, të cilëve u kërkoheshin armë, me qëllimin e frikësimit të tyre, që ta braktisin atdheun, duke lënë këtu gjithçka kishin. Reprezaljet e tilla po merrnin përmasa të mëdha, sa që njerëzit kishin filluar të humbasin shpresat për jetë të mëtejme në trojet e tyre. Në këto rrethana shfaqen edhe guximtarë që do të përballeshin me të keqen, pavarësisht se cilat do të ishin pasojat. “Motin e trembnin dhe frikësonin vetëtimat e reve, futa të zeza dhe shkreptimat e artilerisë së rrufeve, kur luftonin dragonjtë e paragjykuar, por ato ishin kalimtare, ngase pasonte kthjelltësia e çiltërsia e shpirtit” Nami nuk ndihej i rrezikuar nga ndryshimet e motit, sa nga pasojat që i kishin shkaktuar hijet e zeza të natës, të cilat i kishin përgjuar edhe dy vëllezërit e tij, “Meqë nuk dihej se kah dhe kush i solli shqiponjat e zeza në bezen e kuqe, të valonin aty – këtu në disa zyre; hafijet kishin kapur bredharakun e rrugicave” (“Nami”, f. 58). Në këto dyshime se cili mund të jetë Nami, që qëndronte në heshtje kur flitej shumëçka rreth “fatkeqësisë” së tij, dikush duhet t’i ketë qarë hallin: “Çka dinte i shkreti Nam për vëllezërit e tij, sidomos për atë që gdhinte natën mbi disa letra të shpërndara në dhomëzën e tij të vogël?” Por më i arsyeshëm ishte mendimi i Motit, të cilit “i dukej se pas fytyrës së Namit fshehkej Ai, Njeriu i Letrave”.
Nami, hija dhe pamja e përditshme “çdo herë i vetëm në rrugë. Me të njëjtin ritëm të ecjes, me shikimin pa përshtypje të gjërave”, pasqyron njeriun e ilegalitetit që personifikohet me kohën, ngjarjet, rreziqet, intrigat, thashethemet e të tjerëve, që së bashku krijojnë dyshimin, se vërtetë, cili ishte Nami, ai i urti, i panjohuri me situatat, apo vet personazhi i të gjitha këtyre njohurive, që defilonte në çdo uverturë të kohës?. Në vazhdimësi Moti do të përcillte veprimet e tij, meqë “hetoi se në thellësi të ndërdymes së Namit mëtohej të ruhej pastërtia dhe pacenueshmëria e dinjitetit” (po aty, f. 64). Këto elemente biografike dhe historike të kohës mund t’i ngjasojnë çdonjërit dhe askujt, ashtu si edhe tërësia romanore “Kallinjtë e çatisë”, që përkon me mburojën e kohës dhe njerëzit e akëcilës periudhë, duke mbrujtur në brendi veprimet dhe veprat e tërësisë narrative.
Turbulluesit e situatave të pushtetit do të ndiqen në çdo hap për t’u sjellë në Zyrat e Shtrëngatës, prej nga do t’iu “caktohet të luanin role tragjike në Teatrin e Zi”, për t’i tjetërsuar nga veprimet e tyre, me qëllimin që t’i kthejnë në veprime të kundërta me bashkëmendimtarët. Mbi këto tortura shkojnë deri në masën e kërcënimeve: “Ose do ta bëni “faktin” që të preket, ose do ta pillni!”, për të përdorur në vazhdimësi forma e metoda nga më të tmerrshmet, duke i kërcënuar se do t’iu hapin “xhepa lëkure në kofshë, që kur t’iu mërdhijnë duart le t’i fusin në xhepat e tyre të nxehtë” (“Përdëllimtari”, f. 69).
“-Shumë bukur! – Çfarë ideje humanitare, Shef!”- do të shpreheshin për një veprim të këtillë, të thirrur në “humanitetin” ogurzi, me arsyetimin “që të shpëtonte populli nga helmimi!” Këto ishin veprimet e bastardëve të pushtetit ndaj një populli liridashës. Në kontest të këtyre reprezaljeve kujtesa kthehet në periudhën e para dyzet vitesh, kur kishte pasuar kërcënimi se “Duhet ta djegim vendin ku ke ndejë e ku ke shkelur ti!”, për ta kundruar me rrezikshmërinë e ndërsjellë:
“-Gjysh, si më ngjanë kjo, të kesh qenë virus më i rrezikshëm se “Covid-19”…
-Ha, ha, ha, ha – e shkundi e qeshura në korin e gjatë prej tetë mijë kilometrash…
-Mirëpo, unë isha virus i dukshëm dhe i kapshëm Valor djali…” ( “Nëmët”, f. 86).
Ky citim shpërfaq mundësinë e pasojave në kontinuitet, po të identifikohej ndonjë “virus”, që do ta ketë infektuar popullin me agjitacion politik, duke u ndjekur edhe përtej oqeanit. Viruset e përhershëm, ata të jashtëzakonshmit, të padukurit, do ta kenë bërë punën e vet, për t’ia kthyer kujtesën njerëzimit për pasojat dhe pasigurinë e përhershme. “Ja si rrjedhka jetesa e “lirisë” mes mynxyrash të jesh i mbyllur dhe i heshtur derisa të kalërojë paria e virusit Korona!” Këto ballafaqime që ndodhin në kohëra, sado të largëta, shprehin ngjashmërinë e rrezikut, me dallimin e vetëm të mjeteve të veprimit.
Sa larg do të kenë shkuar masat “ndëshkuese” ndaj kundërshtarëve të pushtetit, flet edhe veprimi i “përsosur” ku e detyrojnë të flste edhe gomari. Në pamundësinë e veprimeve kundër argumentit të tyre, Hila detyrohet të pranoj “fajin” e bërë.
“- Masi gomarin tim Besnikun e paskni shti me fol e me kallxu kshtu, s’kam çka baj: e pranoj!
Zyrtari me një buzëqeshje të çastit i ofroi shkresën:
– Nënshkruani këtu!
Për Hilën niste nata e gjatë, më e gjata jashtë kasolles tij…
Hila iu kthye vetvetes dhe Besnikut sikurse ta kishte aty:
– Ah Besnik, Besnik gërdalla jem i dashtun!…
– Ma mirë t’ish kanë kjo natë nata e vorrit tem!” (“Dëshmia e gomarit”, f. 112).
Këto dhe shumë veprime tjera dëshmojnë qartë se cili ishte synimi i pushtuesit, derisa rinia dhe bota intelektuale përfundimisht do ta zgjedhin rrugën e ardhmërisë, pavarësisht mynxyrave që do të kalojnë.
Majbora. – Me fuqinë politike dhe mashtruese, si dy armë të sofistikuara të kohës, pothuajse në gjithë Gadishullin Ballkanik po veprohej me të njëjtin model të sundimit dhe okupimit bizar ndaj popujve autokton. Me parullat më të padenja dhe aspak të vërteta kishin ndërtuar sisteme udhëheqjeje, që në këto vende merreshin si forma të reja të ndërtimit të ardhmërisë së popujve, që kishin vuajtur nga sundues të mëparshëm. Kundruall këtyre veprim-mashtrimeve, Mehmetali Rexhepi do ta thjeshtësojë kuptimin e kësaj politike okupuese, meqë: “Të gjithë diktatorët e botës mbi argumente të sforcuara skajshëm e ngritën sundimin e tyre, duke shkelur mbi njerëz sikurse mbi gurët e rrugicave të vjetra” (“Në vorbullën e pikëllimit”, f. 119), për të shpalosur ngjarje tjera të shumta, ku secila në veçanti paraqet një karakteristikë të sistemit, me të gjitha veprimet e tij të sundimit shfarosës dhe dëbues, në masën e pakufizuar të veprimeve okupuese të trojeve tona. Në këto relacione veprimi ndonjëri edhe mund të ngrihej në çdo aspekt, si në atë material, ashtu edhe në aspektin politik, por mosbindja ndaj këtij realiteti Motin do ta kishte hedhur në anën tjetër të “lojës”, ku në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi të ndërtojë as shtëpi, as lumturi, “duke iu shmangur kalkeve me ndershmëri të vet”, ndonëse dikush “Krenarinë e ngriti mbi varfëri, derisa shumë kush i shiti goglat për rrush dhe u vesh me gëzofin vezullues të hajnisë së modifikuar” (po aty, f. 121).
“Ngjyra e mallëngjimit” si një parafytyrim i ngjarjeve tjera, po aq të vlerësuara të njerëzve në mërgim shpeshherë del paksa më e sforcuar, duke sjellë emra e personalitete të padenjë që merren me kauzën; insistojnë që kushtimisht të ngrinin zërin mes turmës mallëngjyese për gjendjen e atdheut, për të shfryrë urrejtjen ndaj okupuesit nga një largësi disa qindra kilometrike. Të tilla brohoritje, ndonjëherë ngjasojnë në parulla ditore kundërthënëse, herë të ngrinin flokët nga fuqia e tyre improvizuese, si: “- Autoritete të këtij shteti! Deri ku do të shkojë verbëria juaj pushtuese?!”; “Si mund t’u vihet dryni tempujve të dijes së autoktonëve, në kapërcyell të shekullit njëzet e në nismën e njëzet e njëshit?!”; “- I dashuri popull! Gjiri juaj ka energji të pashtershme dhe, pikërisht në gjirin tuaj të ngrohtë do të hapen tempujt e dritës së diturisë!”, që kishin për qëllim sensibilizimin e njerëzve, por edhe “shfajësimin” e ndonjërit, që hiqej si prijatar i kauzës, duke mos pasur mundësitë, e ndonjëherë edhe vullnetin e plotë të sprovohen në vendin e ngjarjes. Këto artikulime zërash nga larg kanë dhënë rezultatet e veta në shumë mënyra.
Edhe më tutje vazhdon të mbetet në skenë motivi i mërgimit. Tashmë takojmë edhe aktivitete e krijimtari nga bota e kulturës në mërgatë, ku “Loja e Kaonit e ndezi ftohtësinë e qetësisë”, derisa këtë personalitet, arkitektja elegante, Ana do ta përshkruaj: “-Kaoni është si një yll i zbritur nga qielli?…”, duke reflektuar prirjen e saj tutje: “-Kaoni ka një ndërtim unikët!” Qëndrimi larg vendlindjes ka shumë peripeci jete, që reflektojnë te çdonjëri, veçmas tek Moti, me gjithë qëndrimet e tij në mesin e bashkëvendësve, detyrohet ta “ndërronte gëzofin sipas motit”. Kur po mbaronte “misionin” e tij dhe po kthehej me shumë kujtime, mbresa e shqetësime. “E shtuna e fluturimit të Motit i jepte në duar dy trasta t’i merrte me vete: gazmoren dhe pikëllimin e Kaonit” (“Tregimi për Kaonin”, f. 142).
Ngjarjet e ndryshme të dhunës, do ta kenë përcjellë në vazhdimësi vendin, duke u përballur me tmerre të ndryshme. Zhvendosjet dhe dëbimet masive të popullit ndodhin në periudha të ndryshme, duke ia ndryshuar gjeografinë atdheut. Barbaria okupuese nuk mund të anashkalohet pa u kujtuar, qoftë edhe me pak fjalë nga krijues të zhanreve të ndryshme letrare, historianë, kronistë e studiues të shumtë. Kjo, padyshim është njëra nga plagët e thella, që kohërat do ta kenë krijuar në këto treva të banuara që nga lashtësia. Gustoja e gllabëruesve shtohet në çdo periudhë kohore, e dyndjet e popujve pësojnë në të gjitha aspektet.
Rrëfimet e personazheve me gjuhën e kohës, nganjëherë mund të kuptohen si “përralla” të së kaluarës, por këtu “Kronika nuk i bie ndesh përrallës… Ajo shqipton zhvendosjen masive të autoktonëve prej barbarëve me simbole drapërinjsh e sëpatash”. Padyshim se këto ngjarje i përshkon pasqyrimi i vuajtjeve, torturave, vrasjeve e dëbimeve, sepse “Të pandërprera ishin luftërat këndej…luftëra të pabarabarta, tej logjikës njerëzore!… Me bajoneta e bekimin e popëve të kishave, nënave u kishin nxjerr foshnjat prej barkut!…”. Një tmerr i tillë do të ndodh në vitet e tetëdhjetë të shekullit XIX, prej nga janë dëbuar e shkatërruar shumë vendbanime, për të humbur gjurmët e ekzistencës së këtij populli. Toplica, Çamëria, Karadaku, Malësia, etj., janë viset që pësuan nga këto tmerre në shekuj, për t’iu shkëputur territore të shumta nga “fqinjët” grabitqarë.
Kundruall këtyre ndodhive, që kishin qëllime të caktuara, njerëz të çarqeve politike, kulturore dhe fetare të kohës, pareshtur u drejtohen fuqive të mëdha dhe shteteve me ndikim në politikën vendimmarrëse ndërkombëtare, me prova e dëshmi të shumta për zgjidhjen e drejtë të kauzës sonë. Shpresat që e mbajnë gjallë këtë popull ishin pikërisht këto personalitete, që nuk pushonin së vepruari, me kontributin e tyre të vazhdueshëm. I tillë vjen edhe “Imzot Pjetër Bogdani në perin e një drite të zbehtë kandili lidhte miliona shkronja e kuptime, mirëpo, në ato shenja zhdavariste sfondin e zi me bardhësinë e të ndjellave të veta…” (“Kallëzimtarja”, f. 148).
Shpërnguljet e “muhaxhirëve” vazhdojnë të trajtohen edhe më tutje, duke pikasur ngjarje e vendbanime të krijuara nga këto dëbime. Këto familje tashmë duhet të kenë krijuar vendqëndrimet e tyre të përhershme. Ato kishin krijuar fqinjësi e miqësi të reja, por plagët nuk do t’u shërohen kurrë, sa malli as do të shuhet ndonjëherë për trojet e tyre. Madje këtyre plagëve do t’u shtohen edhe vuajtje e plagë të reja, qoftë nga varfëria, nga fatkeqësitë natyrore, etj. Ndonëse “Rrënjët u ishin shkulur prej barbarëve të stepave, të cilët e shtrinin acarin e zhbërjes së etnisë nga Nisi e këtej deri te Manastiri”, ata kishin rinisur jetën në vendbanime të reja, me dhimbje e probleme të vjetra.
Kujtesa u sillej vërdallë për trojet e tyre, deri te Molla e Kuqe, që “pigmentin e kuq e kishte thithur prej lëngut të gjakut të dardanëve…”. Këtu, përmes çdo ngjarjeje kuptojmë se “Barbaria i bie ndesh qytetërimit”, por qëndresa heroike, si kundërveprim i kësaj barbarie e mposhtë çdo veprim të tyre, duke vënë shembullin se ata janë dhe mbeten kryezotët e trojeve të veta. Edhe pas shumë vitesh, këto familje do ta përjetojnë rëndë dhunën, përkundër përpjekjeve që të ndërtojnë jetën e re. Varfëria, arsimimi dhe, në përgjithësi dalja nga kthetrat e prapambetjes së tyre po ndryshonin me vështirësi. Në mungesë të këtyre emancipimeve, ende vazhdon të preket paaftësia e kuptimit të jetës në masën e dëshirueshme, meqë prej kohësh përcilleshin “virtytet” e njerëzve që “Kishin lëshuar rrënjë të thella në koka me shtresime të cekëta mendjesh.”
Kryesisht dëgjohej fjala e predikuesve fetar, që ishin të mangët në shkollim; pastaj besëtytnitë e ndryshme e deri te frika e përballjes me realitetet dhe ngjarjet që ndodhin në familje, duke ia lënë në dorë të vendosin këto shtresa gjysmanalfabete. Në rastin e fatkeqësisë natyrore, ku pas rrebeshesh të mëdha shiu e bubullimash, do të goditet nga rrufeja Shendera, me shpejtësi vendoset për varrimin e saj. Këtë ngjarje do ta pasojnë peripeci të shumta, derisa “Më në fund të gjithë u bindën se Shenderën e kishin varrosur të gjallë?!” (“Shendera”, f. 167). Krahas torturave të ushtruara në vazhdimësi nga pushteti okupues, edhe fatkeqësitë natyrore, mungesa e arsimimit të mjaftueshëm, ndikimet e dyanshme të klerikëve fetar dhe përdorimi i besëtytnive të përcjella në breza, që mund të jenë shfrytëzuar për qëllime ngushëllimi, më shumë se për efektet shëruese, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të dhunës së pashkëputur ndaj njeriut tonë.
Vera e makutëve. – Në plotësinë e ngjarjeve me esetë e më parme, do të bashkudhëtojë edhe ky i fundit, i ciliprek periudhën kohore mes dy dekadash të këtij shekulli, që pashkëputshëm përbëjnë hallkën e temave të një periudhe kohore që vulosi pavarësinë. Edhe kjo kohë do të përshkohet me veprimtari të shumta politike, pastaj me rënie-ngritje të personaliteteve, me keqinterpretues të vlerave shoqërore e, deri te rrahagjoks e përfitues shpirtkazmë, që nuk reshtën së gllabëruari edhe kokrra dheu ndër këmbët e njeriut të vuajtur. Erozioni i kohës nuk do ta ketë kursyer pothuajse asnjë veprimtari; qoftë ato vetjake, apo të njerëzve të sprovuar në shtigje të ndryshme të jetës, duke bërë që pasiguria ta mund arsyen e veprimeve qëllim-mira, deri në përmasa zhgënjimi. Në pak fjalë, do të veçoj disa prej këtyre ngjarjeve e personaliteteve që mund të kenë reflektuar në zhvillimin dhe transformimin e vendit. Por, nuk mungojnë edhe të atillët që me përplasjet e tyre, me ngulm pretendojnë të jenë pjesë e ndërtimit të shoqërisë, pa mos i menduar pasojat, që do t’i shkaktojnë kësaj periudhe tranzicioni, në vazhdimësi.
Kështu, pas shumë mëdyshjeve për gjëra të ndryshme, gjatë shkëmbimit të bisedave dy miqtë, që herë pajtohen me koncepte të përbashkëta, e herë janë kontrovers në mendimet e tyre, do të futen në temën kryesore që pason me një dialog të gjatë:
“- Gjetë vëllai, më në fund bëmë një shtet të brishtë…
– Pse çfarë kujton se asht Shqipnia, byrazer”…
– Edhe ma e brishtë se Republika juej…
– E tillë nuk duhej të ishte Shqipëria Perëndimore, burrë i nderuar!
– Nuk duhet të jetë, po asht, kjo si asht, si e shëkon” (“Burri vritet”, f. 181).
Ky hamendësim rreth të njëjtit qëllim, bënë të kuptohet se ende vazhdon lufta e paqartësive qenësore të njeriut të këtyre trevave. Kjo qasje ndryshe ndaj problemeve, veseve dhe intrigave të kohës, do të reflektojë gjatë këtyre dekadave, që si pasojë kanë rirreshtimet në forcën e inercionit politik, duke krijuar boshllëqe idesh e mendimesh, pothuajse diametralisht të kundërta, ani pse të gjithë rrëfehen për të njëjtën pikëpjekje në qëllimet parësore, për të cilat janë rreshtuar.
E dhimbshme rezulton edhe biseda tjetër, që shpërfaq reflektimin kanunor, jo për faktin e zbatimit të tij, po për rrahagjokse mburravecësh mbi kurrizin e tij, për të mbjellë frikë e pasiguri. Kërcënimet e kësaj natyre shpërfaqin fytyrën e njeriut të lig, që asnjëherë nuk kursen forma dhe mjete për të arritur qëllimet e tij.
“Burri vritet!” Sa lehtë ia kishte thënë Gjeta mikut, si të ishte vrasja një gjë send krejtësisht e rëndomtë, e për çdoditshme dhe pa konsideratë për shuarje jete!” Kjo do ta zmbraps Motin nga biseda dhe menjëherë “iu kishte kthyer vetës së tij të dytë. Nuk e zbërthente dot gjenin që i përkiste dhe ai…Çfarë defektesh gjenetike mbeten të pariparueshme për këtë etni të lashtë?!”, duke përmbyllur mendimin e tij definitiv: “Çfarë plagësh shpirtërore që nuk i shëruan shekujt?!” (po aty, f. 185).
Po cili është ai që do ta sugjeronte plakun: “- Eja plakush i pasqyrës të mos ftohet kafeja!” (“Vera e plakut”, f. 191), derisa ai tërë kohën po kërkonte identitetin e tij në relacionet pasqyrë-kohë? Kjo do të kuptohet brenda ndërlidhjeve piramidale të ndërtimit të romanit.
“Republikës së gjakut e pengjeve i duhen shumë dryna dhe po aq çelësa. Një brez i tërë prijësish të tjetërsuar, që idealet e dikurshme i shndërruan në ideale xhepash!”, duke i identifikuar si “Klasë ushejzash të gjakut të popullit…”por, jo vetëm këto vese, meqë në këtë periudhë ndryshimesh takojmë edhe “Trajtat e pashëruara të hajnisë dhe joshjen rrëqethëse të rinisë pas miellit të bardhë…”, (“Si erdhi rrëfimi”, f. 201), që shpërfaqet sheshit ditën për diell një shthurje e shoqërisë deri në përbuzje.
“Përmes derës së hapur futet çdokush”, do ta shpjegonte këtë veprim urtari ynë popullor. Pasojat janë evidente, po aq sa edhe dyshimet për rreshtime njerëzish, që orvaten pareshtur të jenë pjesë e këtyre lojërave të ndyra të përfitimeve, që pastaj të krijojnë bazamentin e fuqisë ndikuese në bashkëpjesëmarrje të qeverisjes. Këto devijime, që tashmë bëhen përditshmëri e veprimeve vejërohen edhe nga njeriu i rëndomtë.
Materializmi, ky ves i keq i shoqërisë sa vjen e merr përmasa të paimagjinueshme. Citimi i tekstit këtu nuk duron komentim shtesë, meqë qëllimi është mbase i kuptueshëm, përderisa vetë dialogu zbulon evoluimin e kësaj të keqeje, që po përsëritej vazhdimisht.
“Krismë celulari:
– Shumë i nderuari mik!
– E duam votën tuaj si kurdoherë!
– Eja në hotel të pimë kafen e kësaj mesdite të bukur!” Kjo, tashmë kuptohet, meqë “U dogjën tezat…Ato të gjakut për shtet-bërje forcuan profile demagogësh për premtim-bërje e shtet-zhvatje, për qafë-trashje, bark-fryrje, vithe-dala, figura dy-gjinish, fryrje xhepash, klimë për kërpudha vilash nën mbrojtjen e kufijve Arb-Dhetarë…” (“Makutët”, f. 208).
Koprracia, si fenomen i njohur që nga antika, do të funksionojë me metodat e sofistikuara edhe në kohën tonë, duke i sjellë shoqërisë probleme të shumta. “Kishte grabitur shpesh gjahun e të tjerëve, si një tiran që i bënte dhe zbatonte vetëm ligjet e veta”. Ky përfitues i pangopur me ndjenjën e “fitimtarit mbi viktimat”, duke besuar në aktin e mësymjes si një mekanizëm për mposhtjen e tjetrit dhe ngadhënjimin e përhershëm, për një çast do ta kuptojë se “Mësymja e përhershme pas Njëshit do të gllabërojë breza të tërë. Meqë Njëshi është vetëm Një. Të tjerat pas Tij janë mallkime, anatema qiellore, tokësore dhe zero të pambarimta” (“Njëshi”, f. 215). I bindur plotësisht në veprimet e tij, që tashmë kishin filluar t’i lëkunden nga çasti në çast, ai ishte i mendimit se “Për të ndërtuar vetën, ashtu si donte, duhej t’ia irritonte shijen lakmisë së fortë, e cila e ndiqte nga ora në orë, nga çasti në çast” (“Shtrëngatat”, f. 218).
Këto dhe shumë veprime tjera të mëparshme, të lidhura me spangon kohore, si një ngrehinë e përbashkët sjellin të plotësuar “Kallinjtë e çatisë”, në një rrugëtim të mundimshëm e plot sprova.
Personazhet dekorative
personazhe dekorative, si përcaktor krijon mundësinë e konkretizimit të një galerie emrash, që defilojnë në roman, që më shumë kujtohen për protagonistë figurantë, se sa aktorë aktiv në ngjarjet që trajtohen aty, por me një kundrim të vëmendshëm, mësojmë se ata janë emra të skalitur në përputhshmëri me kohën në të cilën veprojnë. Kemi parasysh që romani është ndërtuar jashtë modelit klasik fabulativ, prozë e llojit modern, ku emra të përveçëm, krejtësisht në veprime vetjake parakalojnë përballë pasqyrës tabloide të veçuar nga njëri-tjetri, pa ndonjë lidhshmëri tematike. Prandaj, të gjithë këta personazhe që përfaqësohen këtu, qoftë veç në një rast, apo edhe ata që mund të shfaqen më shumë se një herë, duhet trajtuar në ploti me aktivitetin që përfaqësojnë.
Çfarë rëndësie ka kundrimi i personazheve në këtë mënyrë?
Pikërisht këtu qëndron gjithë çështja, meqë autorin e gjejmë në të shumtën si narrator, herë si protagonist i një ngjarje, e, ndonjëherë prezenca e tij kuptohet nga nënteksti. Personazhet këtu defilojnë gati pahetueshëm, duke lënë ndonjë gjurmë të shkurtër në ngjarjen që trajtohet, por në përmbyllje të shtjellimit tematik e kanë rëndësinë e vet, qoftë edhe si gjurmë. Kështu, edhe atëherë kur personazhet, si Moti, Shikimi, Bamja, Flokëverdhi, Valori, Vijimi, Vrulli, etj. veprojnë në bashkëshoqërim me autorin; ndonjëherë shquhen më dendur me lëvizjet e tyre të shpeshta, si ndërlidhje e vazhdueshme ngjarjesh; edhe atëherë kur Nami do të shfaqet i tërhequr në personin e tij, enigmatik deri në pasiguri te njerëzit e lagjes, ku dyshimet shkojnë përtej besimit se ai mund të jetë kryesori në sjelljen e materialeve propaganduese kundër regjimit, meqë “nuk dihej se kah dhe kush i solli shqiponjat e zeza në bezen e kuqe, të valonin aty”.
Edhe të tjerët, si: Synimi, Afrimi, Gjethori, Lumorja, do të kalojnë pa u kuptuar nga lexuesi, se cili mund të jetë roli i saktë i tyre, që ua krijon atë pak hapësirë në rrëfimet e kësaj proze poetike, ku vlerësohet lartë për notat pozitive të modernitetit, si rrallë ndonjë tjetër. Të shumtë janë emrat e protagonistëve në katër esetë, që nuk shpalosen si karaktere të identifikuara, përveç si subjekte që prezantojnë nëpër ngjarje, në hapësirë dhe kohë të ndryshme. Hilë Ahishta, Dranja, Mici, Kaltërina, Ngazëllimi, Kaoni, Filipi, pastaj Arkitektja elegante, Ana, Gjyshja H, Zuka, Kumtari, Hoxhë Tabuja, etj; kryejnë “misionet” e tyre prej protagonistësh edhe atëherë kur masat “ndëshkuese” ndaj kundërshtarëve të pushtetit ashpërsohen deri në shtyrjen e “përsosur”, ku e detyrojnë të flasë edhe gomari, apo në veprimet tjera ku shtjellohen tema nga mërgimi, shpërnguljet nga Toplica e shumë ngjarje të tilla.
Kjo galeri personazhesh shpërfaqen gjithkund dhe askund në asnjë njësi fabulative. Ata dalin herë në formë dialogu; njëherë tjetër mbyllem në padukshmërinë e tyre, që as hije janë, as mund të identifikohen si subjekte që evoluojnë me temat, prej nga prezenca e tyre krijon situata të lëkundura, të pasqyruara në tablo jete të frikshme, ku gjithçka merr pamje e misione të veçanta, varësisht ngjarjeve të shtjelluara.
Kështu, nga kjo që u theksua këtu, e ndryshon mendimin se kemi të bëjmë me personazhe dekori, derisa janë të pranishëm pothuajse në tërësinë narrative të romanit, me role e veprime të hetuara në forma e pamje të ndryshme. Ata janë veprimi i përhershëm i ndërtimit të kësaj proze romanore, ndikimi i të cilëve hetohet edhe përtej hijes.
Vizioni tekstual në roman
“Kritika kërkon shumë më tepër kulturë sesa krijimtaria” – do ta shpreh mendimin e tij, Oskar Uajld. Kur takon një prozë të llojit të veçantë si “Kallinjtë e çatisë”, ky mendim vjen si paralajmërues për përkushtim të shtuar, gjatë leximit me laps në dorë, duke prekur me kujdes çdo fjalë, mendim a finesë që krijimi letrar të kuptohet në esencë. Pikërisht, mbi bazën e këtij mendimi, mund të përkufizohet se romani i Mehmetali Rexhepit është përpjekje e krijimit të origjinalitetit letrar-estetik, me shmangie të tërësishme skemave klasike të narracionit. Ky tip proze na sjellë para një ndërtimi krejtësisht personal, që bënë të besojmë se autori i është qasur ndërtimit të një proze moderne, realizimin e të cilës rrallëherë mund ta takojmë në prodhimtarinë romanore tek ne. Kjo lindje origjinale e narratives poetike, krejtësisht personale dëshmon unin e tij krijues, që sjell perspektivë në lërimin e kësaj gjinie letrare.
Romani “Kallinjtë e çatisë” nuk përkon me modelin e prozës klasike tradicionale, ku një personazh bëhet strumbullari i lëndës, përreth të cilit zhvillohet e tërë fabula, e përshkuar me ngjarje tjera episodike, pavarësisht se sa personazhe do të veprojnë brenda zhvillimit të ngjarjeve aty, me funksione pothuajse të rëndësisë së përafërt në ndërlidhje kompozicionale, por që veprojnë në akte të ndërsjella. Në këtë prozë romanore ka shtrirje të gjerë veprimesh që krijojnë një pasqyrë para së cilës defilojnë ngjarje të shumëfishuara, por gjithnjë brenda pavarësisë së vet personazhit. Një vartësi tematike e gjejmë veç atëherë kur tërësia e ngjarjeve ndërtojnë lëndën historike, e përshkuar me elemente letrare – filozofike, që e bëjnë më të dëshiruar për lexuesin.
Qasja e vëmendshme ndërtimit prozaik dhe zbërthimit të diskursit socio-psikologjik të ngjarjeve bënë të kuptojmë se proza romanore “Kallinjtë e çatisë”, për më shumë se një prodhim letrar-estetik, është një prozë me formë dhe ndërtim modern, si trase e një shtegu të ri të qasjes kësaj gjinie prozaike. Origjinaliteti i kësaj proze elitare dokumentohet në çdo rast. Ajo vjen e çiltër, meditative, e pajisur me leksikun gjuhësor, me metafora të shumta, me trope e figuracion të pasur stilistik, që bashkëveprojnë në ndërtimin letrar-estetik të romanit. Universi krijues shumë shtresor, ku frekuenton bota e askujt dhe e gjithkujt në kontekstin e shtjellimit të ngjarjeve, në kuptimin kreativ të leximit, e bën të veçantë dhe pothuajse ndër të rrallët, në opusin krijues të prozës këtu te ne dhe më gjerë.
Në vend të përkufizimit
Në mbyllje të këtyre pak fjalëve për një vepër të tillë letrare, që shtrinë horizontet e veprimit në shumë rrafshe shtjellimi, duke sjellë pasqyrimin real të një periudhe kohore të njohur, nga e cila rezulton edhe një veçanti tjetër po aq e rëndësishme, e frytshme dhe e pavdekshme për një vend të okupuar me shekuj, do të ftojë në ndihmë për një përkufizim përmbajtjesor, shkrimtarin amerikan Saul Bellow, i cili shquhet për analizat e tij mbi rolin e artit në shoqëri dhe kuptimin e letërsisë. Ai, në fjalimin e tij gjatë dhënies së Çmimit Nobel, më 1976 flet edhe për romanin, ku ndër të tjera thotë: “Një roman lëviz para dhe pas mes botës së objekteve dhe veprimeve, të asaj që duket dhe botës tjetër nga të cilat këto “përshtypje të vërteta” vijnë dhe që na shtyn ne të besojmë se e mira te e cila ne mbështetemi kaq fort-përballë të keqes kaq kokëfortë- nuk është iluzion”.
Mehmetali Rexhepi do ta ketë kuptuar me kohë këtë fenomen që ndodh në letërsi, veçmas në ndërtimin e romanit, ku lidhshmëria e personazheve, sipas karaktereve krijojnë realitetet tematike, që dalin përtej imagjinatës dhe iluzioneve fiktive. Ndërlikimet tematike të çdo ngjarje të trajtuar në veçantinë e saj, pavarësisht dallimeve në dukje të parë, shpërfaqin një lidhshmëri tematike-kohore, që në përmbajtjesorin tematik qendror përbëjnë pemën e madhe me degëzimet e saja, nga të gjitha anët e horizontit, për të krijuar një mburojë kohore, simbolikë e një përfaqësimi të qëndrueshëm dhe të realizuar në roman.
Këto dhe ngjarje tjera të pazbërthyera në këtë vështrim, e pasqyrojnë rrjedhën kronologjike të zhvillimeve të panumërta gjatë historisë, që të bashkuara si një veprim krijojnë pasqyrën e vërtetë për njeriun e vuajtur e të okupuar. Kjo tërësi ngjarjesh konfiguron kupolën e Çatisë së nisur në shekuj, për ta arritur mburojën e plotë si një fitore, që Kallinjtë e saj do të vazhdojnë ta begatojnë vlerën e saj.
Tashmë, shihen “Kallinjtë e çatisë” duke u rritur. Ata duhet të vijnë edhe më të begatë, me frute të reja e mburojë të çelnikët, si një rrezatim i pashuar mbi atdheun dhe vlerat e tij.