Disa poezi nga Nexhat Halimi

0
720
Nexhat Halimi - pikturë

vetmia e akullt e hënës

çdo gjë e fjetur mes mendimit e ëndrrës
ndrit kuqërremtë hijen e Mollës së Kuqe
rikrijuar vetëm për shpirtin e copëtuar
të mbetur në vetminë e akullt të hënës

për të vdekur e për të dashur kaq vjet
gjithnjë brenda gjithësisë së zgjuar etjes
dalë guacës së fundit të detit ndër rërë

unë në `i gur e zgjoj tërësinë që s`është
udhëtimit mitik Dumnicës për në Toplicë
me narcisët e egjër shpërthyer mbi cicë

a është mëkat të duash

a është mëkat të duash shkruante `i mik
e rreth hiri sillte zinxhirin e vjetër mitik

tashmë s`është më veç e vërteta s`treti

a është mëkat ta duash këngën e gjakut
ta duash ujin në rrjedhë për gur të vjetër
e t`i zgjosh vetes etjet e mjeshtrit tjetër

të apostrofuar zjarrit të shpirtit popullor
të vdekur e të zgjuar te varret me kurorë
a është mëkat ta duash këngën e tretur
për zemrën mbetur pezull te gur i vjetër


Sonte

Nofullës së thyer të muzgut me shi
Ike dikah dhe çdo gjë timen e vodhe;
Syrin e gjelbër të lules në dritare,
Jetën e një fëmije të palidhur fare
Shpresën e besimin e shpirtit të flijuar
E më le vetëm nën vetëtimë, mbi pus
Tek binte hëna pak nga pak e hutuar
E sonte, si ke zemër prapë të trillosh
Se çdo gjë qe asgjë, hije, vjellje qe
Se unë si zoti isha e do të jem në ty
Se ajo që iku me shiun qe krejt e pa fe
E sonte si ke zemër të më shohësh në sy
Sonte nga bie muzgu i verbër e s‘ka shi
Sonte ndërsa je kthyer me tjetër fytyrë
Veç një masë e lëngët në pasqyrë

Gjarpër ndërmjet zemrës dhe syrit


Trimat si ti nuk vdesin Sherif

Ti mbrëmë ik nga rrjedha e jetës pa gjëmë e pa lot
Veç asgjë nuk do të shuhet aspak është gjë e kotë
I le të frymojnë pesëmbëdhjetë frymë në zot
T`i besojnë shkollës shqipe pushkës së shkronjës a zh
dritës së shenjtë nga pik për fyt të vjetër mitik
Ja nga të bartin në katër krah të kujtojnë për mot
Veç pse ti në varfërinë e të ikurit nga Tullari
Le kaq fëmijë t`i bëhen kristal i pashuar Dumnicës
Varret të mos rrafshohen siç ngjau me ato të Toplicës
Kurrë vdekur ndërsa i le kaq trashëgimtarë Rugovës
Ndërsa le kaq hapa të ecin lirinë e Kosovës
Të të kujtojnë prore me dashuri dhe me mall


Kujtimi për nënën

Muzgu ngjyrë vjollcë pikte përmes pemësh e shfaqej muji
Unë ikja para hijes time e mbahesha të mos ia shfaq frikën askuj`
Nëna ikte dhiaren të mbush ujë shtambën shkruar me gjarpër
Te pusi i poshtëm në fund luadhit bri dardhës gjysmë të fjetur
Ecte bri arës së gjatë verës nga korrte në pikë diell me drapër
Papritur më përhitej para katallani me ‘i sy i përrallës së vjetër
Nënë, ku mbete nënë zemër e kërkoja thellë në përrallë tretur
Nënë, mos më le vetëm, mos, ja afrohet dikush me shpatë
Mos më le vetëm të lutem nënë në këtë terr dhe në këtë natë
Ikja i frikësuar e merrja për dore e ajo qeshte e qeshte gjatë
Është hija jote nga të vjen gjithnjë e stërgjatur e kthyer në katalla
Ik herë në të majtë e në të djathtë herë tjetër asgjë tjetër s’ka
e kujtoj tashmë ndërsa ajo ka vjet ka vdekur dhe qaj me zë
kush do të më ngushllojë nga ik prapë dhiares që të zbres te uji