Disa poezi nga Faslli Haliti

0
1198
Faslli Haliti - viz. Kamberi

Viz. S. Kamberi «Artist i Popullit»

FASLLI HALITI

ATA

Hije poetësh
ata rrinë nën hije rrepesh dhe lisash
si për t‘u bërë
rrepe – poetë
lisa – poetikë me insulina.
Por mbeten kaçube xhuxhe,
të thara nga amoniaku,
urina
shkurra
dhe kaçube
të ndotura me shurrë
me të vjella pijanecësh…
Dhe dehen ata
duke imituar Eseninin,
madje edhe Eseninit ia kalojnë në dehje.
Mjekrrat i mbajnë më të gjata se Tolstoi,
më të gjata se Sollzhenicini…
s‘pushojnë së vëni baste
për konkurse, për çmime…
dhe nëse ndonjeri,
i shpëton jurisë…
pa i dhënë
çmim
flamujt ngrihet në çast, në gjysmë shtizë
ngrihet në çast flamuri kombëtar
i komunitetit të poezisë.
Dhe s‘lënë ata poet
pa përgojuar,
pa fyer
pa sharë,
pa denigruar:
Kadarea,
Agolli,
Arapi,
demode,
anakronikë…!
gjersa s’mbajnë mjekërr,
mustaqe,borsalinë,kapelë republikë…
Poetin e kombit secili pozon,
secili Nobelin
pret,
po “Nobeli”,
pse po vonon kështu,
pse po vonon kaq shumë vërtet?

AUTOPUBLICITET

Poezitë e tua
bori,
çangë,
sirenë,
si dikur
(e ç’na duhet boria.
s’ka më zbore…
e ç’na duhet çanga !
s’ka më
kooperativa,
ferma.
kazmat, belat, lopatat,
u ndryshkën, po kalben.
e ç’na duhen sirenat ?
s’ka më fabrika,
kombinate,
uzina.
agregatët,
rotativët, ingranazhet
kanë zënë, pezhishka, merimanga,
nëpër polezhët kanë bërë fole minjtë,
në rripat e transmisionit
ecin hardhucat,
gjarpërojnë gjarprinjtë…
Bjeri violinës më mirë !
njerëzit janë të stresuar,
s’i zë gjumi,
bëjnë gjumë të shqetësuar)

Poezia ime po
violinë,
Unë i vë njerëzit
në gjumë të mëndafshtë,
në gjumë të pambuktë,
rozë
në gjumë të verdhë zhabine
me vargun tel violine…
me poezinë time
violinë.

Poezia jote,
njerëzve u prish gjumin,
Durohet vargu yt
çangë,
bori,
sirenë…?
poezia ime po!
vargu im një rrjedhë e kthjellët
mes barërash blerosh.
Vargu im
një rrjedhë
që pastron blerimin
Poezia jote,
çjerr pantallonat, nëpër gjemba,
gris këmishën e djersitur,
nëpër ferra.

Poezia ime
liqen,
liqen i kaltër, i qetë lasgushian,
Poezia jote pellg nevrastenik
me dallgë mistrece
që grinden me brigjet
plot leshterikë,
Poezia jote
bori alarmi,
çangë
që tërbon,
sirenë që ulurin…
Poezia ime Zanë mali,
mis kozmosi, hënë biondinë…

PËRSOSMËRIA

Sëmuremi,
Çmendemi,
Çalojmë, vdesim
Vuajmë mëkatin e Evës, Adamit,
Vrasim, vjedhim, përdhunojmë,
Bëhemi pre e djallit
Po kur lindim
Fëmijë
Të vebër,
Me një sy
Ose pa buzë,
Ose gjysmë buzë,
Ose me dy,
Ose shurdh
Ose pa veshë,
Ose ose me katër sy
Ose me një vesh të salduar në tëmth
Ose pa hundë ose me hundën shyt
Pa këmbë, pa duar.
Kush përgjigjet
Kush
Përgjigjet për këtë

Zoti që na krijoi apo vetë ne…?!

2018

LICEISTES

Gjoksi
I flashkur.
Buza pa petale…
Në përfytyrimin tim
Buza dhe gjoksi yt
Përsëri me sythe,
Me sythe pa lule natyrisht…
Nuk t’i preka e nuk t’i putha asnjëherë
Ato buzë
Ato gji sfungjer
T’i puthja,
T’i përkëdhelja,
Me duart blu të syve të mi.
Kur ti vetë më vije në ëndërr
Më kërkoje dashuri…
Me duart e buzëve dhe të syve
Po t’i prek,
Po t’i puth ,
E do të t’i puth përherë
Si në rini
Dhe
Prapë
Tani
Në pleqëri.

Me afsh do t’i puth si atëherë
Ato buzë ata sy, atë gjinj
Sfungjerë…
Dyzet vjet prita të më dashuroje,
Po ti s’më dashurove assesi.
Më mirë o dashuria ime
E padshur
Më bëre
Të shkruaj poezi

Që në rininë time deri tani në pleqëri …
1997- 2017- 2018

BELBËZIMI I BUKUR

. nipit Aleksandër .

Ku i ke farat e fjalëve?
Në lëndinën e gjuhës së blerttë?
Kur do të plasë sythi i parë
Baaa…?
Kur do të çelë lulja e bardhë
Maaaaaa?
Çeli kumbulla,
Çeli molla,
Çeli dhe qershia,
Pas të la…

Mbushe lëndinën e gjuhës,
Me blerim
Të njomë
Me lule fjalësh , nipçe
Mos bëj me gjyshin vetëm “ha, ha ha…”

SA PAK

Zemra të zeza gurë
Që nxijnë jetë.
Zemra
Të zeza gurë
Që nxijnë ngrehina shpirtrash
Me çati të kuqe dhe mure të bardha
Shkallmojnë qoshe
Të lëmuara
Me lima shpirti,
Zemra të zeza si gurë të zinjë
Zemra rrënuese mizore, të zeza
Zemra rrënonuese ke sot
Zemra që mbushin
Detet, oqeanet
Me lot.
Sa pak zemra ke që rrahin për zemrat,
Për dashurinë moj botë !

VAJZA SHQIPTARE

Vajza shqiptare!
Dje
Punonit me tre turne
Uzinave,
Fabrikave,
Kombinateve,

Punë
Vullnetare,
Aksioneve me goditje
Të përqëndruar Non stop,
Nën tik- take të përzishme orësh,
Ecejakje turpi trotuaresh nëpër botë
Nën reflekset të turpshme semaforësh…


ËSHTË PËRJETËSI

Kam dasuruar vetëm një herë,
Një herë të vetme në jetë.

Ishte e bukur?
Ishte bukuri.
Ishte e menҫur
Ishte
Menҫuri
Ishte
E dashur?
Ishte dashuri.
Ishte
E besnike?
Ishte besnikëri

Është
Përsëri ?

Ishte përjetësi…

Tetor 2017